“Rabbi, ti je Biri i Hyjit!”
24 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Rabbi, ti je Biri i Hyjit!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT- Gjn 1, 45-51
Filipi takoi Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.” “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli. “Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi. Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të: “Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”. “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli. Jezusi iu përgjigj: “Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”. Atëherë Natanaeli i tha: “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”. Jezusi iu përgjigj: “Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”. Dhe shtoi: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na paraqet takimin e Filipit dhe Natanaelit me Jezusin. Është një fragment i shkurtër, por shumë i pasur shpirtërisht, sepse na tregon se si lind besimi dhe si Krishti hyn në jetën e njeriut. Filipi, pasi ka takuar Jezusin, nuk mund ta mbajë për vete gëzimin e këtij zbulimi. Ai shkon menjëherë te Natanaeli dhe i thotë: “E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në Ligj dhe profetët: Jezusin, birin e Jozefit, prej Nazaretit.” (Gjn 1,45) Kjo është karakteristika e parë e një dishepulli të vërtetë: ai që ka takuar Krishtin dëshiron ta ndajë këtë gëzim me të tjerët.
Natanaeli përgjigjet me një farë mosbesimi: “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” (Gjn 1,46). Nazareti ishte një vend i vogël dhe i parëndësishëm. Për Natanaelin ishte e vështirë të besonte se Mesia mund të vinte prej andej. Sa herë ndodh edhe me ne! Edhe ne kemi paragjykimet tona. Ndonjëherë mendojmë se Hyji nuk mund të veprojë nëpërmjet njerëzve të thjeshtë, në situata të zakonshme ose në ngjarje të vogla të jetës. Por Hyji shpesh zgjedh atë që duket e vogël dhe e përulur për të zbuluar madhështinë e Tij.
Kështu mund të themi se, “Natanaeli nuk refuzon të kërkojë të vërtetën; ai shpreh dyshimin e tij me sinqeritet dhe mbetet i hapur ndaj veprimit të Hyjit.” Kjo është e rëndësishme. Dyshimet tona nuk janë pengesë për Hyjin, nëse zemra jonë ama, mbetet e hapur ndaj së vërtetës.
Përgjigjja e Filipit është shumë e bukur: “Eja dhe shih.” (Gjn 1,46). Ai nuk hyn në diskutime të gjata. Ai e fton Natanaelin të bëjë një përvojë personale të Jezusit. Edhe feja jonë nuk bazohet vetëm në ide apo teori, por mbi takimin personal me Krishtin. Sa njerëz e kanë zbuluar Jezusin përmes një lutjeje të thjeshtë, një fjale të Ungjillit, një vuajtjeje, një dëshmie apo një momenti të heshtjes para Eukaristisë! Krishti vazhdon edhe sot të na thotë: “Eja dhe shih.” Ejani dhe shihni dashurinë time. Ejani dhe shihni mëshirën time. Ejani dhe shihni se jeta me mua ka kuptim.
Kur Natanaeli afrohet, Jezusi thotë: “Ja një izraelit i vërtetë, në të cilin nuk ka mashtrim.” (Gjn 1,47) Natanaeli habitet dhe pyet: “Nga më njeh?” Jezusi përgjigjet: “Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik.” (Gjn 1,48) Këto fjalë prekin thellë zemrën e Natanaelit. Edhe ne jemi të njohur dhe të dashur nga Jezusi. Para se ta kërkonim Atë, Ai na kishte parë tashmë. Ai njeh gëzimet tona, plagët tona, lutjet e fshehta, frikërat dhe shpresat tona. Shën Augustini thoshte: “Zoti na njeh para se ne ta njohim Atë dhe na do para se ne ta duam Atë.” Sa ngushëlluese është kjo! Nuk jemi anonimë para Hyjit. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Tij.
Pasi dëgjon fjalët e Jezusit, Natanaeli brohorit me një rrëfim të bukur feje: “Rabbi, Ti je Biri i Hyjit! Ti je Mbreti i Izraelit!” (Gjn 1,49). Ai që pak çaste më parë dyshonte, tani beson. Kështu ndodh edhe në jetën tonë. Kur i hapim zemrën Krishtit dhe e lejojmë të hyjë në jetën tonë, shumë dyshime shndërrohen në besim. Por Jezusi premton diçka edhe më të madhe: “Do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.” (Gjn 1,51). Kjo është një aludim për ëndrrën e Jakobit (Zan 28,12). Jezusi është ura ndërmjet qiellit dhe tokës. Në Të, Hyji afrohet tek njeriun dhe njeriu mund të arrijë tek Hyji.
Të dashur dëgjues, ky Ungjill na jep tri mësime të bukura. Së pari, jemi të ftuar të bëhemi si Filipi, duke i çuar të tjerët tek Jezusi me dëshminë tonë. Së dyti, jemi të ftuar të bëhemi si Natanaeli, duke i sjellë dyshimet dhe pyetjet tona para Krishtit, pa u mbyllur në vetvete. Së treti, jemi të ftuar të besojmë se Jezusi na njeh dhe na do personalisht. Ndoshta edhe ne, në një moment të jetës sonë, kemi qenë “nën fik”, në heshtje, në lutje, në vuajtje ose në kërkim. Dhe Jezusi na ka parë. Ai nuk na harron kurrë, por na fton personalisht: “Eja dhe shih”?
Lutja.
O Jezus, Ti që e pe Natanaelin para se ai të të njihte, na shiko edhe ne me dashurinë Tënde. Hap zemrat tona që të të njohim më thellë dhe të të ndjekim me besim. Largo prej nesh paragjykimet, dyshimet dhe frikërat që na pengojnë të të afrohemi. Bëj që, pasi të kemi bërë përvojën e pranisë sate, të bëhemi dëshmitarë të gëzimit të Ungjillit për të gjithë ata që na rrethojnë. Na ndihmo të dëgjojmë çdo ditë ftesën Tënde: “Eja dhe shih.” Amen.