Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!


19 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

"Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!"

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKËS - Lk 24, 13-35

 

Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje.  Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Po atë ditë, thotë Ungjilli – pra ditën kur Krishti ishte ngjallur – nxënësit e Tij janë pa shpresë dhe të trishtuar. Ditën e gëzimit dhe të fitores, ata janë të humbur dhe të zhgënjyer. Pse? Sepse e kanë parë Jezusin në Kryq. Prandaj po largohen nga Jeruzalemi. Nga vendi i kryqit. Kjo ndodh disa herë edhe me ne. Në veçanti kur përjetojmë dhimbje, zhgënjim apo humbje, tundohemi të largohemi: nga lutja, nga bashkësia, ndonjëherë edhe nga Zoti.  Por pikërisht aty ndodh mrekullia: thotë Ungjilli:  ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta.  Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. Jezusi afrohet si një shok udhe. Ai ecë bashkë me ta edhe pse ata nuk e njohim. Jezusi nuk i qorton menjëherë, as nuk i ndalon; thjesht ecën me ta. Kjo është mënyra e Zotit: afërsia. Papa Françesku shpesh thotë se Zoti ka tre mënyra: afërsia, dhembshuria dhe butësia. Atëherë  Jezusi i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”. Ata u ndalën të trishtuar. Sigurisht Jezusi e di përgjigjen, por do që ata të flasin. Jezusi i lë të flasin, ta zbrazin zemrën, pa i ndërprerë, sepse shërimi fillon kur njeriu e shpreh dhimbjen e vet.  Njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit;  si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan.  Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje.

 

Ja të dashur dëgjues ata i thonë Jezusit për Jezusin: “Në shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin”. Kanë shpresuar se Jezusi do ta çliroj Izraelin, por gjithçka përfundoi në Kryq. Ai ka vdek në Kryq dhe edhe shpresa e tyre ka vdekur në Kryq. Këta nxënës e shohin Kryqin si fundin e shpresës. Para Kryqit zhgënjehen. Kishin pas një pritje prej Jezusit, por nuk ju doli ashtu. Tani nuk presin më asgjë prej Tij dhe kanë vendosur të largohen. Sigurisht, ata kanë pritur dhe kanë shpresuar se Jezusi do t’i çlironte pa Kryq.  Disa herë kështu na ndolle edhe ne. Kemi pritjet tona prej Jezusit dhe kur Zoti nuk vepron sipas pritjeve tona, humbasim shpresën dhe trishtohemi.

Vazhdojnë përsëri nxënësit duke i thënë Jezusit:  Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri  e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë.  Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë. Nxënësit të dashur dëgjues kanë dëgjuar edhe lajmin e Ringjalljes, por nuk kanë besu. Jo, dëgjimi nuk mjafton nëse zemra nuk është e hapur. Mund të dëgjojmë të vërtetën, por të mos e pranojmë, nëse mbetemi të mbyllur në pritjet tona. Në fakt, mungesa e besimit nuk është vetëm dobësi, por edhe mbyllje ndaj së vërtetës.

Atëherë:  Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët!  Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” Jezusi i ndihmon të kuptojnë. Vuajtja nuk ishte dështim; ishte pjesë e planit të Hyjit Atë. Dhe kjo ndryshon gjithçka. Kështu ndoll edhe në jetën tonë. Disa herë, ajo që e quajmë dështim mund të jetë pikërisht ajo që Zoti përdor për shpëtim. Jezusi dëshiron t’i japë kuptim dhimbjes që kanë përjetuar. Dhe ketë e bën duke ju shpjeguar Shkrimin Shenjt, sepse pa dritën e Fjalës, Kryqi mbetet shkandull; me Fjalën, bëhet rrugë shpëtimi. Kryqi nuk është aksident, por rruga drejt lavdisë. Prandaj Jezusi:  që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.  Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën.  Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta. Në tryezë, mori bukën, e theu dhe ua dha. Atëherë iu hapën sytë dhe e njohën. Ata e njohin Jezusin në thyerjen e bukës, në dhurimin e vetes. Jo, Jezusi nuk zbulohet si ide, por si dhuratë. Pastaj zhduket, sepse tani prania e Tij bëhet e brendshme.  Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po “A nuk na digjej zemra ndërsa fliste me ne?” Kjo është shenja e pranisë së Zotit: zemra që digjet, jo vetëm mendja që kupton. Ata e kuptojnë se Zoti kishte qenë me ta gjatë gjithë rrugës.

Përfundon Ungjilli duke thanë se:  U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta.  Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”  Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën. Menjëherë ndryshojnë drejtim: nga ikja në mision, nga errësira në dritë, nga trishtimi në gëzim, nga zhgënjimi në shpallje.

 

“O Zot i Ngjallur, Ti që je jeta ime dhe drita e shpirtit tim, zgjoje zemrën time që të të kërkoj; ndriçoje mendjen time që të të njoh, dhe ndize dashurinë time që të të dua përgjithmonë. Amen.”