Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve!
11 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 18, 1-5. 10. 12-14)
Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?” Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”
“Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk I lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjlit.”
Në Ungjillin e sotëm, pyetja që nxënësit i bëjnë Jezusit zbulon tundimin që ekziston në çdo zemër njerëzore: dëshirën për të qenë i pari. Dëshirën për të qenë më i lavdëruari… Për këtë arsye, Jezusi thotë: “Nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” Me këtë fjalë, Jezusi nuk po na kërkon të kthehemi pas në moshë, por të ecim përpara në shenjtëri. As nuk na kërkon brishtësinë e fëmijës, por pastërtinë e zemrës së tij. Fëmija është i vetëdijshëm se nuk mjafton për veten, nuk mbështetet në forcat e veta, por jeton me besim tek ati i tij. Fëmija jeton duke marrë gjithçka si dhuratë. Fëmija nuk ngjitet vetë në krahët e babait; ai thjesht i shtrin duart dhe pret të merret në krahë.
Kjo është zemra që Hyji kërkon: një zemër që mbështetet plotësisht në dashurinë e Atit. Kjo na çliron nga krenaria dhe nga etja për t’u dukur, nga dëshira për të qenë të parët dhe për t’u ngritur mbi të tjerët; sepse na mjafton të jemi pranë Hyjit, të dimë se jemi të dashur prej Tij dhe të jetojmë në dritën e pranisë së Tij.
Vazhdon Jezusi duke na zbuluar se kushdo që mirëpret të voglin, të pafuqishmin, të harruarin dhe të përvuajturin për hir të emrit të Tij, në të vërtetë mirëpret vetë Krishtin. Por, të dashur dëgjues, vetëm një zemër që është bërë e vogël dhe e përulur mund ta njohë praninë e Tij të fshehur në fytyrën e të vegjëlve, të varfërve dhe të përvuajturve.
Prandaj edhe na urdhëron: “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve.” Në të vërtetë, rrënja e përbuzjes gjendet në një shikim të shtrembëruar të zemrës. Përbuzja lind atëherë kur humbasim aftësinë për ta parë tjetrin me sytë e Hyjit, kur nuk shohim më në të një vëlla apo një bijë të dashur të Atit, por vetëm dobësitë, gabimet apo mangësitë e tij.
Për këtë arsye, Jezusi nuk kërkon vetëm të kontrollojmë sjelljen tonë; Ai na kërkon të pastrojmë shikimin tonë. Sipas logjikës së botës, vlera e një njeriu matet me atë që bën, me pushtetin dhe aftësitë që ka, dhe me suksesin që arrin. Por Krishti e përmbys këtë mënyrë të menduari. Në Mbretërinë e Hyjit, vlera e një njeriu buron nga fakti se është i dashur nga Ati.
Prandaj, të përbuzësh një “të vogël” do të thotë të përbuzësh një bir ose një bijë të Atit, të dashur me dashuri të amshuar dhe të shëlbuar me çmimin e paçmuar të gjakut të Krishtit.
Gjithashtu, në Ungjillin e sotëm, Jezusi, edhe nëpërmjet shëmbëlltyrës së deles së humbur, na zbulon misterin e zemrës së Hyjit: një dashuri që nuk pajtohet me humbjen e asnjërit prej bijve të Tij, por që del në kërkim të atij që është larguar. Është dashuria e Bariut të Mirë, i cili lë nëntëdhjetenëntat dhe shkon pas asaj që ka humbur, derisa ta gjejë. Ai nuk priti që njeriu të kthehej tek Ai, por, i shtyrë nga dashuria e Tij e pafund, zbriti Vetë në kërkim të njeriut të humbur. E kërkoi deri në humnerën e mëkatit, deri në errësirën e vdekjes dhe deri në majën e Kalvarit, ku dashuria e Tij arriti kulmin. Pikërisht mbi Kryq, Bariu i Mirë e gjen delen e humbur, e ngre mbi supet e Tij të shpuara dhe e kthen në shtëpinë e Atit.
Prandaj, Kryqi nuk është vetëm vendi i flijimit, por edhe vendi i takimit midis mëshirës së Hyjit dhe mjerimit të njeriut, ku humbja shndërrohet në shpëtim dhe vdekja në jetë. Dhe kur më në fund e gjen delen e humbur, Bariu i Mirë nuk e fsheh gëzimin e Tij. Pikërisht në këtë gëzim zbulohet pafundësia e mëshirës hyjnore. Bariu nuk e kërkon delen e humbur për ta qortuar apo për ta dënuar, por për ta marrë mbi supe, për t’ia shëruar plagët dhe për ta rikthyer në sigurinë e grigjës. Prandaj gëzimi i Tij është kaq i madh: sepse aty ku dukej se kishte triumfuar humbja, dashuria fitoi; aty ku mbretëronte mëkati, mbizotëroi mëshira; aty ku vdekja dukej se kishte fjalën e fundit, shpërtheu jeta e re.
Përfundon Jezusi duke thënë: “Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjlit.”
Me këto fjalë, Jezusi na zbulon misterin e zemrës së Atit: një zemër që nuk njeh thjesht numra, por njeh fytyra dhe emra. Hyji nuk e sheh njerëzimin si një turmë, por sheh çdo person në veçantinë e tij, me historinë e tij, plagët e tij dhe dëshirën e zemrës së tij.
Për Të, secili është i njohur me emër, i kërkuar me mëshirë dhe i dashur me një dashuri të përjetshme. Kjo është madhështia e dashurisë hyjnore.
O Jezus, Bari i Mirë, të falënderojmë, sepse për Ty nuk jemi thjesht një numër në turmë, por bijtë e Tu të dashur. Kur humbasim, na kërkon; kur rrëzohemi, na ngre; kur dobësohemi, na mban mbi supet e mëshirës Sate. Të lutemi, na dhuro zemrën e një fëmije: të thjeshtë në besim, të pastër në dashuri, të përvujtë në shpirt dhe plotësisht të braktisur në duart e Atit. Amen.