Shërbesa e leximeve
Java e katërt e Ardhjes e Martë - 24 dhjetor
Shërbesa e Leximeve
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Sot do ta dini se Zoti po vjen: me ditën e re do ta shihni lavdinë e tij.
Shërbesa e Leximeve
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Eja, Shëlbues i kombeve,
trego lindjen e Virgjërës;
çdo shekull të mahnitet,
e tillë lindje i shkon Zotit.
Se jo nga farë e burrit,
por nga Fryma hyjnore,
njeri u bë Fjala e Zotit,
dhe lulëzoi fryti i barkut.
U fry kraharori i Virgjërës,
pa u prishë mbet porta e nderit,
shkëlqen flamuri i virtyteve,
në tempull jetoi Hyji.
Të dalë nga nusërorja
dhoma mbretërore e nderit,
gjiganti i dy natyrave,
i shkathët të çajë rrugën.
Baras si Ati i amshueshëm,
me trofé trupi i ngjeshur,
dobësitë e trupit tonë
n’ virtyt paprerë forcoji.
Fort shpesh kjo drita jote
shkëlqen e t’ renë qet nata,
që asnjë natë mos t’ mbetet
pa dritë e fé t’ përhershme.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Psalmi 102 /101/
Lutja në fatkeqësi
Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
I (2-12)
O Zot, dëgjoje lutjen time *
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje: *
kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!
Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *
e eshtrat e mia po digjen si zjarri. –
Zemra po më thahet si bari i kositur *
e po harroj të ha edhe bukën time.
Prej gjëmave të mia të mëdha *
u bëra asht e lëkurë.
U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
Rri zgjuar e rënkoj *
porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz.
Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
Ha hi porsi bukë, *
e pijen time e përziej me lot.
Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *
sepse më lartësove e më mposhte.
Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *
e unë u thava porsi bari.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
II (13-23)
Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *
prej breznie në brezni Emri yt.
Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *
- shi tani është koha!
Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *
u dëftua në lavdinë e vet.
E mori parasysh lutjen e të vobektëve *
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
që në Sion të shpallet Emri i Zotit *
e lavdia e tij në Jerusalem,
kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
III (24-29)
Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *
ditët m’i shkurtove.
Do të them: »Hyji im, †
mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
Qysh në fillim themelove Tokën *
edhe qielli është latim i duarve të tua.
Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †
gjithçka do të vjetrohet si petku. *
Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,
kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *
- vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.
Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
D Zoti ia shpallë fjalën e vet Jakobit,
C ligjet e tija dhe gjykimet e tija Izraelit.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 51, 17 - 52, 2. 7-10
Në Jerusalem është shpallur shëlbimi
Zgjohu, zgjohu, ngrihu, Jerusalem, ti që e pive prej dorës së Zotit gotën e felgrimit të tij, pive kupën e trullosjes, e pive deri në fund!
Prej të gjithë bijve që ai lindi s'është asnjë që ta ketë mbështetje; prej të gjithë bijve që ai i rriti, s'është asnjë që ta marrë për dore!
Dy të këqija të goditën ‑ kush do të ketë dhimb për ty? Rrënim e shfarosje, uri e shpatë ‑ kush do të të ngushëllojë?
Bijtë e tu shtrihen të molisur në krye të çdo udhe si antilopa e zënë në lak, të këputur nga zemërimi i Zotit, nga kërcënimi i Hyjit tënd!
Dëgjo, pra, o i mjerë, o i dehur, por jo me verë!
Kështu thotë Zotëruesi yt, Zoti, Hyji yt, Mbrojtësi i popullit tënd:
»Ja, prej dorës po ta heq kupën e trullosjes, gotën e felgrimit tim: ti kurrë më nuk do ta pish.
Përndjekësve të tu në dorë do t'ua vë, atyre që ty të thoshin: ‘Bëju urë të kalojmë mbi ty!’, urë ua bëje shpinën tënde, porsi udhë për kalimtarë«.
Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqinë tënde, Sion,
veshi petkat ku i ke më të bukurat, Jerusalem, qyteti i shenjtë, sepse nëpër ty kurrë më nuk do të kalojë i parrethprerë e i papastër!
Shkunde pluhurin, ngrihu, o Jerusalem i skllavëruar; flaki vargonjtë e qafës sate, e skllavëruara bijë e Sionit!
Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Hyji yt mbretëron!'
Dëgjo! Rojet tua të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion!
Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënojat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin!
Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.
Përgjigjja Krh. Dal 19, 10. 11; Lp 7, 15; Dan 9, 24
C Shenjtërohuni, o populli i Hyjit: nesër do të vijë Zoti; * prej teje Zoti do të largojë çdo sëmundje.
D Do të merr fund paudhësia, mbi ne do të mbretërojë Shëlbuesi i botës:
C prej teje Zoti do të largojë çdo sëmundje.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Ligj. 185; PL 38, 997-999)
E vërteta do të mbijë nga toka e drejtësia do të paraqitet nga qielli
Zgjohu, o njeri: për ty Hyji u bë njeri. “Zgjohu ti që fle, ngrihu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti” (Ef 5, 14). Ty po të them, Hyji u bë njeri!
Do të kishe vdekur përgjithmonë, sikur ai mos të kishte lindur në kohë. Nuk do ta kishte liruar natyrën tënde, po të mos e kishte marrë natyrën e ngjashme me atë të mëkatit. Mjerim i amshuar do të të kishte pushtuar, po mos të ishte dhuruar kjo mëshirë. Nuk do ta kishe rifituar jetën, po të mos ishte takuar me vetë vdekjen tënde. Do të kishe mbaruar po të mos të kishte ardhur ai në ndihmë. Do të kishe humbur po të mos kishte ardhur ai.
Të përgatitemi që ta festojmë me gëzim ardhjen e shpëtimit tonë, shpërblimit tonë; që ta kremtojmë ditën e festës në të cilën dita e madhe dhe e amshuar erdhi nga dita e tij e madhe dhe e amshuar në ditën tonë kohore kaq të shkurtër. Ai për ne u bë drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim, kështu që, sikurse është shkruar, ai që mburret le të mburret në Zotin (krh. 1 Kor 1, 30-31).
E vërteta mbiu nga toka (krh. Ps 85 /84/, 12): lindi prej Virgjërës Krishti, i cili ka thënë: Unë jam e vërteta (krh. Gjn 14, 6). Dhe drejtësia shikoi prej qiellit (krh. Ps 85 /84/, 12). Njeriu i cili beson në Krishtin, të lindur për ne, nuk e fiton shëlbimin prej vetvetes, por nga Hyji. E vërteta mbiu nga toka, sepse “Fjala u bë njeri” (Gjn 1, 14). Drejtësia shikoi nga qielli, sepse “çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti” (Jak 1, 17). E vërteta mbiu nga toka: trupi nga Maria. Dhe drejtësia shikoi nga qielli, sepse njeriu nuk mund të marrë për vete asgjë nëse nuk iu dha prej qiellit (krh. Gjn 3, 27).
“Të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin” (Rom 5, 1) sepse drejtësia dhe paqja u morën ngrykë (krh. Ps 85 /84/, 11) nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse e vërteta mbiu nga toka (krh. Ps 85 /84/, 12). Nëpër të kemi mundësinë të kemi këtë hir në të cilin gjendemi dhe për të cilin mburremi në shpresën e lavdisë së Hyjit (krh. Rom 5, 2). Nuk thotë në shpresën e lavdisë sonë, por të lavdisë së Hyjit, sepse drejtësia nuk vjen prej nesh, por ajo na shikoi prej qiellit. Për këtë arsye ai që mburret le të mburret në Zotin, e jo në vetvete.
Dhe me të vërtetë, prej qiellit me anë të lindjes së Zotit nga Virgjëra... u dëgjua himni i engjëjve: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër” (krh. Lk 2, 14). E si mund të vinte paqja përmbi tokë, veçse për shkak se e vërteta mbiu nga toka, domethënë Krishti lindi prej mishit? Ai është paqja jonë, ai që prej dy popujve bëri një popull të vetëm (krh. Ef 2, 14) në mënyrë që të ishim njerëz vullnetmirë, të lidhur ëmbël me lidhjen e njësisë.
Të gëzohemi, pra, për shkak të këtij hiri, kështu që lavdia jonë të jetë dëshmia e ndërgjegjes së mirë. Nuk mburremi në veten tonë, por në Zotin. U tha: “Ti, o Zot, je mbrojtësi im, nderi im që lart ma mban kryet!” (Ps 3, 4): e cili hir më i madh ka mundur të na shndrisë? Duke pasur një Bir të vetëm, Hyji e bëri bir të njeriut dhe kështu anasjelltas birin e njeriut e bëri bir të Hyjit. Kërkoje meritën, shkakun dhe drejtësinë e kësaj, dhe shiko se a mund të gjesh tjetër veçse hir.
Përgjigjja Is 11, 1. 5. 2
C Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij: drejtësia është brezi i kryqit të tij * me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.
D Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillit dhe i forcës;
C me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.
Lutja
Shpejto, o Zot Jezus, e mos vono: ardhja jote i ngushëlloftë dhe u dhashtë zemër atyre që besojnë në dashurinë tënde. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.