Shërbesa e leximeve
Java e Gjashtë e Kohës së rëndomtë
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet këngës së gjelit
tashmë errësinë e natës
dhe të natës së pangopur
duke heqë tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikëqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin gjitha sendet
bashkërisht heshtje t’zakonshme.
Madje e nxirrnin krejt të vdekur
Përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe të na ktheje dritën
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emrit të ëmbël
dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen kraharorët tanë.
Dhe me Shpirt tënd të mbushur,
duke mbartë Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket
me mashtrime shkatrruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
çveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Psalmi 38 /37/
Lutja e mëkatarit në ngushticë
Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).
I (2-5)
Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *
as mos më ndëshko në zemërimin tënd!
sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *
mbi mua rëndoi dora jote.
S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *
për shkak të zemërimit tënd,
s’ka paqe në eshtrat e mi *
për shkak të mëkateve të mia.
Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *
më ndrydhin porsi barra e rëndë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
II (6-13)
U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *
për shkak të marrëzisë sime,
u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *
i trishtueshëm endem gjithë ditën.
Digjen prej etheve ijët e mia, *
asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.
I lodhur e i këputur krejtësisht *
gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.
Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *
as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,
zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *
edhe drita e syve të mi po fiket.
Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *
edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.
Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †
më kërcënohen me vdekje
ata që ma dëshirojnë të keqen, *
gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
III (14-23)
E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *
si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,
u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *
si ai që në gojë përgjigje s’ka.
Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *
o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.
Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *
kur të më merren këmbët,
të mos krenohen kundër meje.«
E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *
dhembjen time përherë e kam para syve.
Ja, unë e pranoj fajin tim, *
jam i prishur për mëkatin tim.
E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *
u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.
Të mirën ma kthejnë me të keqe *
e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.
Mos më lër vetëm, o Zot, *
Hyji im, mos u largo prej meje.
Nxito të më ndihmosh, *
o Zot, Shëlbuesi im.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,
C premtimin e Shëlbuesit tim.
Leximi i parë
Prej librit të Fjalëve të urta 15, 8-9. 16-17. 25-26. 29. 33; 16, 1-9; 17, 5
Njeriu i vendosur para Hyjit.
Flitë e të patenzonëve i iriten Zotit kurse kushtet e të drejtëve i pëlqejnë Atij.
Zoti e urren sjelljen e të paudhit, kurse e do atë që e ndjek drejtësinë.
Më shumë vlen pakica me frikën e Zotit, se visare të mëdha e me to shqetësimi.
Më mirë një lëng barishtesh me dashuri, se mish viçi të majmë me urrejtje.
Zoti do ta rrënojë shtëpinë e krenarëve, kurse do t'i bëjë të fortë kufijtë e vejushës.
Mendimet e këqija i iriten Zotit, kurse fjala e pastër është shumë e bekuar.
Zoti është larg nga të pashpirtët, kurse uratat e të drejtëve i dëgjon.
Frika e Zotit mësim urtësie edhe lavdisë i prin përvujtëria.
Njeriut i takon të përgatitet, por përgjigjen e gjuhës e jep Zoti.
Të gjitha udhët e njeriut janë të pastra në sy të tij, porse Zoti i shqyrton shpirtrat.
Porositja Zotit veprat e tua, synimet e tua do të sendërtohen.
Zoti ka krijuar gjithçka me një qëllim deri edhe të patenzonin për ditën e zezë.
Çdo krenar i iritet Zotit, herët ose vonë e s'do të mbetet pa ndëshkim.
Me mëshirë e me besnikëri pastrohet paudhësia, e me frikën e Zotit i shmangemi të keqes.
Kur Zotit t'i pëlqejnë sjelljet e njeriut, i pajton me të deri edhe armiqtë e tij.
Më e mirë është pakica me drejtësi, se fitesat e mëdha pa drejtësi.
Zemra e njeriut e kërkon udhën e vet, por i takon Zotit t'ia drejtojë hapat.
Kush e përbuz skamnorin poshtëron Krijuesin e tij, dhe kush i kënaqet të keqes së shokut, s'do të mbetet i pandëshkuar.
Përgjigjja Krh. Lp 6, 12. 13; Fu 15, 33
C Mos e harro Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit: * druaje Zotin, Hyjin tënd, vetëm atij shërbeji.
D Frika e Zotit mësim urtësie edhe lavdisë i prin përvujtëria,
C druaje Zotin, Hyjin tënd, vetëm atij shërbeji.
Leximi i dytë
Nga “Traktatet mbi Letrën e Parë të Gjonit” të shën Augustinit, ipeshkëv
(Trakt. 4; PL 35, 2008-2009)
Dëshira e zemrës priret kah Hyji.
Çka na qe premtuar? “Do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3, 2). Gjuha u shpreh mirë aq sa mundi, por gjërat e tjera duhet t'i parafytyrojmë me mendje. E çka tregoi vetë Gjoni në krahasim me Atë që është, ose çka mund të themi ne krijesa, që gjendemi aq larg prej madhërisë së tij?
Pra, të kthehemi përsëri për lyerjen e tij e tij, për atë lyerje që na mëson, në brendësinë tonë, gjëra që nuk jemi të aftë t'i shprehim me fjalë. E pasi tash nuk mund t'i shihni këto gjëra, është detyra juaj t'i dëshironi.
E tërë jeta e të krishterit të zellshëm është një dëshirë e shenjtë. Çka dëshiron, ende nuk e sheh, por duke jetuar në dëshirat e shenjta bëhesh i aftë të mbushesh kur të vijë koha e pamjes.
Nëse ke për ta mbushur një enë dhe e di se çka do të të jepet do të jetë me sasi shumë të madhe, përpiqesh ta rritësh hapësirën e thesit, të rrëshekut ose të çfarëdo sendi tjetër që të kesh. Duke e zgjeruar, bën që të mbajë më tepër. Po ashtu sillet Hyji.
Duke na lënë në pritje, na rrit dëshirën, me dëshirën e zmadhon shpirtin, e duke e zmadhuar ia rrit hapësirën. Pra, të kërkojmë të jetojmë në një klimë dëshire sepse kemi për t'u mbushur. Vëreni se si Pali apostull e zgjeron shpirtin e vet, që të mund të pranojë çka do t'i jepet. Ai thotë: “Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur” (Fil 3, 13).
Por atëherë çka po bën në këtë jetë, nëse nuk e ke arritur plotësinë e dëshirës? “Di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus” (Fil 3, 13-14). Pali tha se zgjatet kah e ardhmja dhe krejtësisht priret në të. Kishte vetëdije se nuk ishte ende i aftë të merrte “çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri” (1 Kor 2, 9).
Jeta jonë është një stërvitje e dëshirës. Dëshira e shenjtë do të jetë aq më shumë e efektshme sa më tepër do t'ua shkulim dëshirave tona rrënjët e kotësisë. Edhe herë të tjera thashë se për t'u mbushur duhet më së pari të zbrazemi. Duhet të mbushesh me të mirën e, pra, duhet të lirohesh prej së keqes. Kujto se Hyji dëshiron të mbushë me mjaltë. Në qoftë se je mbushur me uthull, ku do ta hedhësh mjaltin? Duhet që ena të zbrazet prej asaj që mbante, madje, duhet të pastrohet. Duhet të pastrohet, ndoshta, edhe me mund e zell, që të jetë e përshtatshme për të mbajtur diçka.
Kur themi mjaltë, ar, verë, e të tjera, nuk bëjmë fjalë për tjetër send, vetëm për atë realitet që duam të shtjellojmë, por që është i papërcaktueshëm. Ky realitet quhet Hyji. E kur themi 'Hyji', çka duam të shprehim? Këto dy rrokje janë gjithçka ne po presim. Pra, çfarëdo gjëje qemë të aftë të shtjellojmë është shumë më e ulët se realiteti. Të zgjatemi kah Ai që të na mbushë kur të vijë. “Do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3, 2).
Përgjigjja Krh. Ps 37 /36/, 4-5
C Kërkoje gëzimin tënd në Zotin: * ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
D Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, shpreso në të:
C ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lutja
O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.