Shërbesa e leximeve

kreshmët – e mërkura përhime

 

   Psalmet e së mekurës, java IV

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

   Në shërbesën e së dielës dhe të ditëve gjatë javës:

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Psalmet e së mërkurës, java IV (fq. 1268)

 

E Mërkura e përhime

 

Shërbesa e leximeve

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Psalmi 103 /102/

 

   Himn mëshirës së Zotit

 

   Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin (Krh. Lk 1, 78).

 

   I (1-7)

 

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *

   Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit, *

   ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

 

me të mira t’i mbush vitet e tua: *

   do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.

 

Zoti bën veç vepra të mira, *

   u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *

   bijve të Izraelit veprat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ant. 2 Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

   II (8-16)

 

Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *

   i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë *

   as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

 

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *

   as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *

   aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.

 

Sa është lindja larg perëndimit *

   aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *

   ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *

   s’e harron se ne jemi pluhur.

Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *

   porsi lulja e fushës lulëzon,

 

sa e prek era e më s’është, *

   më s’e kujton as vendi i vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   III (17-22)

 

Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *

   e në amshim mbi ata që e druajnë

 

dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †

   mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *

   dhe i kujtojnë urdhërimet e tija për t’i zbatuar.

 

Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *

   mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

 

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †

   ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *

   duke i dëgjuar urdhrat e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija, *

   shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †

   në çdo vend të sundimit të tij! *

   Shpirti im, bekoje Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   D Kthehuni dhe bëni pendesë,

   C bëhuni të ri në zemër dhe në shpirt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Isaisë profet 58, 1-12

 

   Agjërimi që i pëlqen Hyjit

 

   Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd!

   Shpallja popullit tim fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tija.

   Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t'i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet.

   Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit.

   Pse të agjërojmë, kur ti nuk na shikon, pse ta përulim shpirtin tonë, nëse ti s'e di?

   Ja, në ditën e agjërimit tuaj ju gjeni punë dhe i mbytni në punë të gjithë punëtorët tuaj.

   Ja, ju agjëroni për t'u fjalosur e grindur, e rriheni grushte si të patenzonë.

   Mos agjëroni më si sot, nëse doni të dëgjohet zëri juaj këtu lart.

   Pse, a i tillë është agjërimi që unë zgjodha, dita kur njeriu bën vetëmohim? Të ulësh porsi xunkthi kokën tënde, të shtrosh grathore edhe hi? A thua këtë do ta quash agjërim e ditë që i pëlqen Zotit?

   Vallë, a s'është agjërimi që unë zgjodha: t'i këputësh verigat e padrejtësisë, t'i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t'i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë?

   A do ta ndash bukën tënde me të uriturin, t'i pranosh në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë?

   Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.

   Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit.

   Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: Këtu jam!

   Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe,

   nëse do t'ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.

   E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata.

   Ai do t'i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s'i mungojnë ujërat.

   Populli yt do t'i rindërtojë rrënojat e vjetra, do t'i rindërtosh themelet e lëna brezni e brezni: do të quhesh: Rindërtues i rrënojave, Ripërtëritës i rrugëve deri në banim.

 

   Përgjigjja Krh. Is 58, 6. 7. 9; Mt 25, 31. 34. 35

 

   C Ky është agjërimi që unë zgjodha, thotë Zoti: ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i ftosh në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë. * Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të përgjigjet: Këtu jam!

   D Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet, do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: Ejani të bekuarit e Atit tim! Sepse pata uri e më dhatë të ha.

   C Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të përgjigjet: Këtu jam!

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë.

   (Kap. 7, 4-8; 8, 5-9, 1; 13, 1-4; 19, 2; Funk 1, 71-73. 77-78. 87)

 

   Bëni pendesë

 

   T’i mbajmë sytë të ngulur mbi gjakun e Krishtit, që të kuptojmë se sa i çmueshëm është para Hyjit, Atit të tij: qe derdhur për shëlbimin tonë dhe ia solli mbarë botës hirin e pendesës.

   T’i shqyrtojmë të gjitha epokat e botës dhe do ta vërtetojmë se si në çdo brezni Zoti u dha mundësi dhe kohë për t’u penduar të gjithë atyre që pranuan të kthehen tek ai.

   Noehi qe shpallës i pendesës dhe ata që e dëgjuan u shëlbuan.

   Jona predikoi rrënimin e Ninivës, dhe banorët e saj, duke i larë mëkatet e tyre, e zbutën Hyjin me lutje dhe arritën shëlbimin. Megjithëse nuk i përkisnin popullit të Hyjit.

   Kurrë nuk munguan mbarështuesit e hirit hyjnor të cilët, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, ta predikonin pendesën. Vetë Zotëria i të gjitha sendeve foli për pendesën duke u lidhur me betim: Pasha jetën time – thotë Zoti Hyj – nuk e dua vdekjen e mëkatarit, por që të pendohet e të jetojë.

   Edhe shtoi fjalë plot mirësi: Largohu, o shtëpi e Izraelit, prej mëkateve të tua. Thuaju bijve të popullit tim: Edhe në arrifshin mëkatet tuaja prej tokës deri në qiell dhe në qofshin të kuqe si purpuri dhe më të zeza se pisa, mjafton që të ktheheni me gjithë zemër dhe të më thirrni “Atë”, dhe unë do të sillem me ju porsi me një popull të shenjtë dhe do t’jua plotësoj uratën.

   Pasi deshi që t’i gëzojnë të mirat e kthimit ata që Ai i ka për zemër, e vulosi fjalën e vet me vullnetin e tij të gjithëpushtetshëm.

   Ta zbatojmë pra vullnetin e tij të madhërishëm dhe të lavdishëm. Të përkulemi para Zotit e ta lusim të jetë i mëshirshëm dhe i butë. Të kthehemi çiltërsisht në dashurinë e tij. Ta mohojmë çdo vepër të keqe, çdo lloj përçarjeje dhe smire, shkak vdekjeje. Të jemi pra të përvujtë në shpirt, o vëllezër. Ta hedhim poshtë çdo mburrje të kotë, mendjemadhësinë, krenarinë e pamend dhe inatin. Ta zbatojmë atë që është shkruar. Vërtet, Shpirti Shenjt thotë: Mos të mburret i urti me mençurinë e vet, as trimi me trimërinë e vet, as pasaniku me pasurinë e vet, por kush mburret le të mburret me Zotin, duke e kërkuar atë dhe duke ushtruar të drejtën dhe drejtësinë. (Krh. Jer 9, 22-23; 1 Kor 1, 31).

   Le të na bien ndër mend sidomos fjalët e Zotit Jezus, atëherë kur na nxiste për butësi dhe duresë: Jini të mëshirshëm që ta fitoni mëshirën; falni, që t’ju falet edhe juve; si i trajtoni të tjerët ashtu do të trajtoheni edhe ju; jepni dhe do t’ju jepet në kthim; mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; jini zemërmirë dhe do ta përjetoni zemërmirësinë; me atë masë me të cilën do të keni matur do të mateni edhe ju. (Krh. Mt 5, 7; 6, 14; 7, 1-2. 12).

   Le të qëndrojmë në këtë drejtim dhe le të bashkohemi me këto urdhërime. Të ecim gjithmonë me plot përvujtëri në dëgjesën ndaj fjalëve të shenjta. Vërtet, një shkrim i shenjtë thotë: Mbi kë e ngul shikimin tim në mos mbi atë që është i përvujtë dhe zemërbutë dhe i druan fjalët e mia? (Krh. Is 66, 2).

   Pra, pasi kemi përjetuar ngjarje të mëdha e të shkëlqyeshme, të vrapojmë nga caku i paqes, që u bë gati për ne që nga fillimi. Ta vendosim ngultas vështrimin tonë mbi Atin, Krijuesin e gjithësisë, dhe të synojmë me dëshirë të gjallë t’i arrijmë dhuratat e tija të mrekullueshme dhe bamirësitë e tija të pakrahasueshme.

 

   Përgjigjja Krh. Is 55, 7; Jl 3, 13; Ez 33, 1

 

   C Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synime të veta, le të kthehet te Zoti e Ai do të ketë mëshirë për të. * Hyji është i mëshirshëm dhe i butë, bujar me njeriun që gjendet në të keqe.

   D Nuk e do vdekjen e mëkatarit, por që të kthehet nga udha e ligë dhe të jetojë.

   C Hyji është i mëshirshëm dhe i butë, bujar me njeriun që gjendet në të keqe.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, ta fillojmë me agjërimet e shenjta udhën e kthimit të vërtetë, kështu që, me ndihmën e përkorjes kreshmore, të dalim ngadhënjyes në luftim kundër djallit, shpirtit të së keqes. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.