Shërbesa e leximeve
kreshmët – e enjte pas të mërkurës përhime
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
kreshmët – e enjte pas të mërkurës përhime
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate, i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/
Populli i Zotit në fatkeqësi
E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate, i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e tij para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e tij para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Ai që e mediton ligjin e Zotit,
C do të sjellë fryte kur të vijë koha e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 1, 1-22
Shtypja e Izraelit në Egjipt
Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që, bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt, secili me familjen e vet:
Rubeni, Simoni, Levi e Juda,
Isahari, Zabuloni e Beniamini,
Dani, Neftaliu, Gadi e Aseri.
Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin së bashku shtatëdhjetë frymë.
Jozefi ishte qysh më parë në Egjipt.
Jozefi vdiq. Vdiqën edhe të gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni. Bijtë e Izraelit u rritën, u shtuan, u shumuan, u forcuan për së tepërmi dhe e mbushën dheun.
Atëherë u ngrit mbi Egjipt një mbret i ri, i cili nuk e kishte njohur Jozefin. Ky i tha popullit të vet: »Ja, populli i Izraelit u shumua fort dhe u bë më i fuqishëm se ne! Të marrim, pra, ndaj tij masa të mjaftueshme për të bërë që të mos shumohet; ndryshe, në rast lufte kundër nesh, do të bashkohet me armiqtë tanë, dhe, pasi të na mundin, do të dalin nga vendi.« Prandaj vuri mbi ta kryepunëtorë, që t'i shtypnin me punë të rënda. Ata ndërtuan për faraonin qytetet‑depo: Pitomin dhe Ramsesin. Por, sa më fort që i shtypnin, aq më tepër rriteshin dhe shtoheshin përtej çdo mase. Egjiptianët filluan t'i kenë frikë bijtë e Izraelit, këndej nisën t'i mundojnë pa mëshirë dhe ua bënë jetën ngjak duke i shtrënguar të punojnë punët e rënda, siç janë llaçi e punimi i tullave edhe me çdo vepër tjetër skllavërie me të cilën ua bënin jetën ngjak.
Mandej mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e hebrenjve, prej të cilave njëra quhej Sefra e tjetra Pua, dhe iu urdhëroi: »Kur t'u shërbeni grave të hebrenjve në kohën e lindjes, në qoftë se do të jetë fëmija mashkull, mbyteni, nëse është femër, lëreni!« Porse mamitë e dronin Hyjin dhe nuk bënë si u urdhëroi mbreti i egjiptianëve, por i ruanin në jetë edhe fëmijët meshkuj. Mbreti i thirri dhe u tha: »Çka po bëni kështu? Ju po i ruani djemtë!« Ato përgjigjën: »Gratë hebrenje nuk janë porsi gratë egjiptiane. Ato janë të forta dhe, para se ne arrijmë, ato po lindin«. Hyji i bekoi mamitë dhe populli u rrit dhe u forcua për së tepërmi. Dhe, pasi mamitë e patën frikën e Hyjit, Hyji ua mbushi shtëpinë me trashëgimtarë.
Për këtë arsye faraoni dha urdhër dhe i tha mbarë popullit të vet: »Çka të lindin meshkuj, hidhni në lumë, kurse femrat lini gjallë!«
Përgjigjja Krh. Zan 15, 13-14; Is 49, 26
C Zoti i tha Abrahamit: Pasardhësit e tu do të jetojnë në një vend të huaj dhe atje do t’i bëjnë skllevër dhe do t’i shtypin e mundojnë plot katërqind vjet; por unë do të jem me ta: * Unë jam Zoti, Shëlbuesi yt.
D Unë do ta gjykoj popullin të cilit do t’i shërbejnë:
C Unë jam Zoti, Shëlbuesi yt.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë
(Ligj. 6 mbi Kreshmët: 1, 2; PL 54, 285-287)
Pastrimi i shenjtë nëpërmjet agjërimit dhe mëshirës
Gjithmonë, o vëllezër të dashur, “plot është toka me mirësinë e Zotit” (Ps 34 /33/, 5) dhe vetë natyra, e cila na rrethon, e mëson çdo besimtar që ta nderojë Hyjin. Vërtet, qielli e toka, deti dhe çka gjendet në to e shpallin mirësinë dhe gjithëpushtetin e Krijuesit të tyre. Dhe bukuria e mrekullueshme e elementeve, të vënë në shërbimin tonë, vallë a nuk kërkon prej nesh, krijesave me mend, një falënderim të detyruar?
Por tani kërkohet prej nesh një përtëritje e plotë e shpirtit: këto janë ditët e mistereve të shëlbimit të njerëzimit, të cilat i paraprijnë më nga afër të kremtet e Pashkëve.
Vërtet, është një veçanti e të kremtes së Pashkëve që Kisha e tërë të gëzohet dhe të galdojë për faljen e mëkateve: falje që nuk u jepet vetëm atyre që do të rilinden me pagëzim, por edhe atyre të cilët që prej kohësh numërohen ndër bijtë e adoptimi.
Me siguri, është në larjen e ripërtëritjes që lindin njerëzit e rinj, por të gjithë e kanë për detyrë ripërtëritjen e përditshme: duhet të lirohemi nga koret që i përkasin gjendjes sonë të vdekshme. Dhe pasi në udhëtim drejt përsosmërisë çdokush ka nevojë për ndonjë përparim, duhet që të gjithë, pa përjashtim, të mundohemi që askush, në ditën e shpërblimit, të mos gjendet ende i ngatërruar në veset e njeriut të vjetër.
Çka kërkohet të bëjë çdo i krishterë në çdo kohë, tani duhet të ushtrohet me më shumë zell dhe përshpirtëri, që të zbatohet rregullorja apostolike e agjërimit kreshmor, i cili qëndron në përkore jo vetëm në lidhje me ushqime, por sidomos në lidhje me mëkate.
Këtyre agjërimeve të detyrueshme dhe të shenjta, asnjë vepër s’mund t’u bashkohet me më shumë dobi se lëmosha e cila me të vetmin emër “mëshirë” përfshin shumë vepra të mira. Në këtë gjë besimtarët mund të gjenden të barabartë, edhe pse me pasuri të ndryshme.
Dashuria që duhet të kemi, qoftë për Hyjin, qoftë për njeriun, kurrë nuk pengohet aq shumë, saqë të na hiqet mundësia për të bërë të mirën.
Engjëjt kënduan: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell dhe paqe mbi tokë njerëzve që Ai i ka për zemër” (Lk 2, 14). Rrjedh prej kësaj që bëhet i lumtur, në përzemërsi dhe në paqe, kushdo që të marrë pjesë në vuajtjet e të tjerëve, çfarëdo lloji që të jenë.
E pafund është fusha e veprave të mëshirës. Jo vetëm pasanikët dhe kamësit mund t’ua bëjnë të mirën të tjerëve me lëmoshë, por edhe ata që janë në gjendje të thjeshtë ose të varfër. Aq të ndryshëm nga ana e pasurisë, të gjithë mund të jenë të barabartë në ndjenjat e mëshirës së shpirtit.
Përgjigjja
C Koha e kreshmëve na e hap përsëri udhën e qiellit: të hyjmë në të me shpirt lutjeje dhe pendese, * dhe do të marrim pjesë me Zotin në lumturinë e ringjalljes.
D Në çdo rast le të paraqitemi porsi shërbëtorë të Hyjit,
C dhe do të marrim pjesë me Zotin në lumturinë e ringjalljes.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, priju veprave tona me hirin tënd dhe përcilli me ndihmën tënde, kështu që, veprimtaria jonë të zë fill prej teje dhe me ndihmën tënde, të kryhet. Nëpër Zotin....
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.