Shërbesa e leximeve
kreshmët – e premte pas të mërkurës përhime
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
kreshmët – e premte pas të mërkurës përhime
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Etërit tanë na treguan mrekullitë e Zotit.
Psalmi 78 /77/ (1-39)
Pabesia e popullit dhe besnikëria e Zotit
Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata (1 Kor 10, 6).
I (1-16)
Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim, *
vëru vesh fjalëve të gojës sime.
Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra, *
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.
Ato që dëgjuam e mësuam, †
çka na treguan etërit tanë, *
nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme †
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija, *
veprat e bindshme që ai bëri.
Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin, *
dhe e vuri Ligjin në Izrael,
që ç’u urdhëroi etërve tanë
ato t’ua shpallin fëmijëve të vet, *
që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura,
që fëmijët që të lindin,
t’ua tregojnë fëmijëve të vet: *
që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin,
të mos i harrojnë veprat e Hyjit *
e t’i mbajnë urdhërimet e tija.
E të mos bëhen si etërit e tyre *
- brezni kryengritëse dhe e padëgjueshme,
brezni e paqëndrueshme në zemër *
e me shpirt të pabesë ndaj Hyjit.
Bijtë e Efraimit, luftëtarë me hark, *
ditën e përleshjes kthyen shpinën e ikën.
Nuk e mbrojtën Besëlidhjen e Hyjit, *
e nuk deshën të ecin udhëve të tija.
I harruan veprat e tija, *
mrekullitë e tija që ua dëftoi.
Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, *
në tokën e Egjiptit, në fushën Taneos.
E ndau detin dhe ata i kaloi, *
i ndali ujërat si të ishin në rrëshiq.
Ditën u printe me re, *
e gjithë natën me zjarr ndriçues.
Në shkretëtirë qetën e plasi *
dhe u dha të pinë si nga humnera e pafund:
nga shkëmbi nxori përrenj, *
bëri të rrjedhë ujët si lumë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Etërit tanë na treguan mrekullitë e Zotit.
Ant. 2 Hëngrën bukë nga qielli, pinë ujë nga shkëmbi, shenjë e Shpirtit të premtuar.
II (17-31)
Por ata gjithnjë vazhduan të mëkatojnë kundër tij, *
i kundërshtuan të Tejetlartit në shkretëtirë,
Hyjin e tunduan në zemrat e veta *
duke kërkuar ushqim për grykësinë e vet.
Nynykatën kundër Hyjit e thanë: *
»A është i zoti Hyji të shtrojë tryezë në shkretëtirë?«
»Ja, shkëmbit i ra e rrodhi ujë, *
gurgulluan përrenjtë!
A mund të japë edhe bukë e mish *
për popullin e vet?«
Dëgjoi Zoti dhe u zemërua, †
zjarr u ndez kundër Jakobit, *
flakë u ndez hidhërimi kundër Izraelit,
sepse nuk besonin në Hyjin, *
nuk shpresonin në shpëtimin e tij.
Kështu u urdhëroi reve prej së larti, *
i hapi pendët e qiellit,
porsi shi e lëshoi manën për ushqim, *
u dha bukë nga qielli:
njeriu hëngri bukë engjëjsh, *
u dha ushqim me mbushulli.
Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes, *
me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku,
bëri të bjerë mbi ta mish thuajse pluhur, *
shpend me pupla porsi rëra e detit:
ranë midis tëbanishtës së tyre, *
përreth çadrave të tyre.
Hëngrën dhe u ngopën, *
ua plotësoi dëshirën.
Ende plotësisht nuk ishin ngirë, *
ende ushqimin e kishin në gojë,
kur qe, zemërimi i Hyjit u ndez kundër tyre, †
i kositi me vdekje më të fortët e tyre, *
i vrau të zgjedhurit e Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hëngrën bukë nga qielli, pinë ujë nga shkëmbi, shenjë e Shpirtit të premtuar.
Ant. 3 U ra në mend se Hyji është strehimi dhe shëlbuesi i tyre.
III (32-39)
Megjithatë - vazhduan të mëkatojnë *
dhe nuk besuan në veprat e mrekullueshme të tijat.
Ditët e tyre i zhduku si avullin, *
vitet e tyre kaluan me ngutësi.
Kur i vriste, atëherë e kërkonin *
e përsëri ktheheshin tek Hyji;
u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre, *
Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.
Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre, *
e rrenin me gjuhën e vet:
zemra e tyre nuk ishte me të, *
besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij.
E Ai, i mëshirshëm, e falte fajin, *
në vend që të shkatërronte,
shpeshherë e ndalte zemërimin e vet *
e nuk ndizej në furinë e vet.
I binte në mend se janë njerëz të ligshtë *
- avull që shkon e nuk kthehet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 U ra në mend se Hyji është strehimi dhe shëlbuesi i tyre.
D Kthehuni te Zoti, Hyji i juaj:
C sepse Ai është i mirë dhe fal çdo mëkat.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 2, 1-22
Lindja e Moisiut dhe ikja e tij
Një burrë prej familjes së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. Ajo ngjizi dhe lindi djalë. E pa se fëmija ishte i bukur dhe e fshehu për tre muaj. Pasi s'mundi ta mbante më të fshehur, mori një shportë papirusi, e leu me bitum e me peshkve, brenda e futi fëmijën dhe e la në kallamishte, në breg të lumit. Motra e fëmijës rrinte dhe vërente prej së largu çka do të ndodhë.
Kur qe, bija e faraonit erdhi dhe hyri të lahet në lumë, ndërsa shërbëtoret e saja shëtisnin bregut të lumit. Bija e faraonit, kur e pa shportën në kallamishte, e dërgoi shërbëtoren e vet për ta sjellë. Kur e hapi, pa në të një djalë që po qante. Iu dhimb e tha: »Qenka një fëmijë hebrenjsh!« Atëherë i tha motra e fëmijës: »A të shkoj e ta thërras një grua hebrenje që të mund ta ushqejë foshnjën?« Iu përgjigj: »Shko!« Vajza u lëshua vrap dhe e thirri t'ëmën e foshnjës. Kësaj bija e faraonit i tha: »Merre këtë foshnjë dhe ma ushqe! Unë do të të paguaj!« Gruaja e mori fëmijën, e ushqeu e, kur u rrit, ia dorëzoi bijës së faraonit. Kjo ia ngjiti emrin Moisi. Tha: »Sepse e nxora prej ujit.«
Ndër ato ditë, Moisiu, si u rrit, shkoi te vëllezërit e vet. Pa çka po hiqnin e pa edhe një egjiptian duke e rrahur një hebre ‑ prej vëllezërve të tij. Pasi shikoi këndej e andej e nuk pa kë, e vrau egjiptianin dhe e fshehu në rërë. Doli të nesërmen dhe i pa dy hebrenj që po grindeshin. I tha atij që po e rrihte shokun: »Përse po e rrah të afërmin tënd?« Ai iu përgjigj: »Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? A mos po do të më vrasësh, siç e vrave egjiptianin?«
Moisiun e kapi frika dhe tha: »Po si doli kjo gjë në dritë?«
Kur i shkoi kjo ngjarje në vesh faraonit, ai deshi ta vrasë Moisiun. Moisiu iku prej tij dhe shkoi në dheun e Madianit e u ndal të pushojë përbri një pusi.
Tashti, prifti i Madianit kishte shtatë vajza. Këto erdhën të nxjerrin ujë. I mbushën lugjet me ujë e donin t'u jepnin ujë grigjave të t'et. Por arritën barinjtë dhe i dëbuan ato. Mirëpo, Moisiu u ngrit, i mbrojti vajzat dhe u dha ujë deleve të tyre. Këto u kthyen tek i ati, Ragueli dhe ai u tha: »Përse u kthyet më shpejt se zakonisht?« Ato përgjigjën: »Një burrë egjiptian na shpëtoi prej barinjve. Për më tepër, nxori ujë për ne dhe u dha edhe deleve tona.« Por ai u tha: »Ku është ai njeri? Përse e latë të shkojë? Thirreni të hajë bukë!« Kështu Moisiu pranoi të jetojë tek ai njeri dhe e mori për grua Seforën, bijën e tij. Ajo i lindi një djalë, të cilin e quajti Gersam. Tha: »Jam i ardhur në dhe të huaj!«
Përgjigjja Krh. Heb 11, 24-25. 26. 27
C Me anë të fesë Moisiu nuk pranoi të quhej më djalë i bijës së faraonit. Më fort deshi të pësojë me popullin e Hyjit se të gëzojë për pak kohë dëfrimin e mëkatit: * i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
D E çmoi pasuri më të madhe mundimin e Krishtit se visaret e Egjiptit; dhe me anë të fesë e lëshoi atë tokë:
C i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet” e shën Gjon Gojartit, ipeshkëv
(Pred. 6 mbi uratën; PG 64, 462-466)
Lutja është drita e shpirtit
Lutja dhe dialogu me Hyjin, është një e mirë tejet e madhe. Është bashkim i thellë me Hyjin. Sikurse sytë e trupit duke e parë dritën ndriçohen prej saj, po ashtu edhe shpirti, i cili priret nga Hyji, shndritet prej dritës së mrekullueshme të lutjes. Por duhet të jetë një lutje e bërë jo për sy e faqe, por që të rrjedhë nga zemra. Nuk duhet të jetë e kufizuar në kohë ose në orë të caktuara, por të lulëzojë vazhdimisht, natë e ditë.
Nuk duhet ta lartësojmë mendjen tonë te Hyji vetëm atëherë kur kujdesemi me gjithë shpirt për lutjen. Duhet, edhe kur të merremi me punë të tjera, qoftë me ndihmë të skamnorëve, qoftë me veprat e tjera të çmueshme për zemërgjerësi ndaj të afërmit, që ta kemi dëshirën dhe kujtesën për Hyjin, me qëllim që gjithçka, e përgatitur me dashuri hyjnore porsi me kripë, të bëhet gjellë e shijshme për Zotin e gjithësisë. Mund ta gëzojmë vazhdimisht këtë dobi, edhe krejt jetën, nëse kësaj lloj lutjeje ia kushtojmë sa më shumë të mundemi kohën tonë.
Lutja është drita e shpirtit, njohja e vërtetë e Hyjit, ndërmjetësja mes Hyjit e njeriut. Shpirti, i lartësuar në saje të saj deri në qiell, e rrok Zotin me përqafime të patregueshme. Porsi foshnja që duke qarë klith tek nëna, shpirti kërkon me afsh qumështin hyjnor, ka etje që të plotësohen dëshirat e tij dhe i jepen dhurata, të cilat e tejkalojnë çdo gjë që mund të shihet.
Lutja vepron si lajmëtare e madhërishme para Hyjit, dhe njëkohësisht e lumturon shpirtin, sepse i përmbush të gjitha dëshirat e tija. Por bëj fjalë për lutjen e vërtetë, dhe jo veç për fjalët. Ajo është dëshirë për Hyjin, dashuri e patregueshme që nuk rrjedh prej njerëzve, por është fryt i hirit hyjnor. Për të Apostulli thotë: “Ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme” (Rom 8, 26). Nëse Zoti ia jep dikujt që të lutet në një mënyrë të tillë, kjo është një e mirë e çmueshme, është një ushqim qiellor, i cili e ngin shpirtin; kush e ka shijuar, ndizet prej dëshirës qiellore për Zotin, porsi prej ndonjë zjarri zhuritës që e përflak shpirtin e tij.
Zbukuroje shtëpinë tënde me thjeshtësi dhe përvujtëri nëpërmjet ushtrimit të lutjes. Bëje të shkëlqyeshme banesën tënde me dritën e drejtësisë; stolisi muret me vepra të mira porsi me një cipë ari të pastër, dhe në vend të mureve dhe të gurëve të çmueshëm, vendosi fenë dhe shpirtmadhësinë mbinatyrore, duke vënë përmbi të gjitha, lart mbi veprën madhështore, lutjen që ta hijeshojë tërësinë. Kështu e bën gati për Zotin një banesë të denjë, kështu e mirëpret në një pallat të shkëlqyeshëm. Ai do të të japë që ta kthesh shpirtin tënd në një tempull të pranisë së Tij.
Përgjigjja Krh. Vaj. 5, 20-21; Mt 8, 25
C Pse, o Zot, gjithnjë na lë në harresë, për kohë të gjatë do të na harrosh? * Na kthe te Ti, o Zot, e ne do të kthehemi.
D Në dorën tënde, o Zot, se po mbytemi!
C Na kthe te Ti, o Zot, e ne do të kthehemi.
Lutja
Përcilli me mirësi, po të lutemi, o Zot, veprat e pendesës që kemi filluar, kështu që, pendesës, të cilën e ushtrojmë përjashta, t’i përgjigjet përmirësimi i brendshëm i shpirtit. Nëpër Zotin...
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.