Shërbesa e leximeve
JAva e dytë e Pashkëve - E HËNË
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
JAva e dytë e Pashkëve - E HËNË
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e leximeve fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Prire drejt meje veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh. Aleluja!
Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë të vështirësisë
O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
I (2-9)
Në ty, o Zot, shpresoj: †
mos lejo të turpërohem për amshim, *
më liro me drejtësinë tënde.
Prire drejt meje veshin tënd, *
nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
kështjellë mbrojtjeje!
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
sepse ti je fuqia ime.
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *
ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate †
se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *
ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;
nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *
hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Prire drejt meje veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh. Aleluja!
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot. Aleluja!
II (10-17)
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se ndodhem në ngushtim të madh!
Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *
shpirtin edhe trupin.
Jeta më sharroi në dhembje *
e vjetët më kaluan në dënesë,
fuqia më mbaroi nga mundi *
e eshtrat m’u thanë.
Në sy të e armiqve të mi u bëra tallje, †
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr. *
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *
u bëra porsi enë e thyer.
Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †
bëjnë mbledhje kundër meje, *
pleqërojnë si të ma marrin jetën.
E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †
unë them: »Ti je Hyji im, *
në duart e tua fati im!«
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *
dhe prej atyre që më salvojnë.
Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *
më shpëto me mëshirën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot. Aleluja!
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli. Aleluja!
III (20-25)
Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *
në sy të bijve të Adamit.
Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde *
larg nga gjuhët ngatërrestare.
Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *
me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *
»I përjashtuar jam prej syve të tu!«,
por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *
kur drejt teje lëshova kushtrimin.
Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *
ai i ruan besimtarët e vet,
por edhe atë që vepron me madhështi *
Zoti e shpaguan sipas meritave.
Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *
që shpresoni në Zotin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli. Aleluja!
D Zemra ime dhe trupi im galdojnë, aleluja,
C në Hyjin e gjallë, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 1, 1-20
Vëgimi i “Birit të njeriut”
Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij për t'i vënë në dijeni shërbëtorët e vet lidhur me ato që për së shpejti do të ndodhin.
Ai i bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin e vet Gjonit, shërbëtorit të vet, i cili dëshmon se gjithçka ka parë është fjalë e Hyjit dhe dëshmi e Jezu Krishtit.
I lumi ai që i lexon edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe i zbatojnë ato që janë të shkruara në të. Sepse, koha e caktuar është afër!
Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: paçi hir dhe paqe prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij
dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës!
Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet, ‑ Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të shekujve]. Amen.
Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij.
Po! Amen!
Unë jam Alfa dhe Omega ‑ thotë Zoti Hyj, ‑ Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.
Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!«
U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandana të artë dhe në midis të shandanave dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës, kryet e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit; këmbët e tija ishin porsi bronzi i lëmuar, i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha; në dorën e djathtë mbante shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli kur ndriçon me plot fuqinë e vet.
Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Sprasmi, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!
Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë!
Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathtën time dhe lidhur me shtatë shandanat e artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shandanat janë shtatë kishat.
Përgjigjja Krh. Zb 1, 5. 6; Kol 1, 18
C Krishti na do dhe na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet. * Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve, aleluja.
D Krishti është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i Pari.
C Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Predikimi i Pashkëve” i një autori të lashtë
(PG 59, 723-724)
Pashkët shpirtërore
Pashkët që ne po kremtojmë janë shkak shëlbimi për të gjithë, duke filluar nga njeriu i parë, i cili shëlbohet dhe gjallërohet në të gjithë.
Gjërat e papërkryera dhe të përkohshme të së kaluarës, sikurse edhe shëmbëllesat e lashta dhe simbolet e gjërave të amshuara kishin për synim të ishin hija e asaj të vërtete që tani u plotësua. Tashti që e vërteta është bërë e pranishme, simboli duhet t’ia lëshojë vendin. Ndodh sikurse, pasi erdhi mbreti, askush s’e lë pas dore mbretin e gjallë për t’u përkulur përsëri para një figure të tij.
Këtej del qartas se sa i ulët është simboli krahas së vërtetës, sepse simboli e kujton ekzistencën e shkurtër të të parëlindurve judenj, ndërsa e vërteta e shpall jetën e amshuar të të gjithë njerëzve.
Nuk është gjë e madhe të shpëtohet prej vdekjes për një kohë të shkurtër ai që ka për të vdekur pak më vonë, por me siguri është gjë e madhe të shpëtohet krejtësisht prej vdekjes, siç na ndodhi neve në saje të Krishtit, të flijuar për ne si Qengj i Pashkëve.
Vetë emri i së kremtes e tregon vlerën e lartë të saj, në qoftë se interpretohet sipas kuptimit të saj të saktë. Pashkë do të thotë kalim, sepse engjëlli i shfarosjes, i cili e shkaktonte vdekjen e të parëlindurve, kaloi përtej shtëpive të hebrenjve. Tashti, kalimi i engjëllit të shfarosjes ndodh me të vërtetë në ne, sepse na tejkalon pa na prekur. Vërtet, Krishti na ngjalli për jetën e pasosur.
Koha e Pashkëve dhe e shëlbimit të të parëlindurve mbahej porsi fillimi i vitit. Ç’do të thotë kjo nga pikëpamja mistike? Edhe për ne flijimi i Pashkëve të vërteta e shënon fillimin e jetës së amshuar. Viti është simboli i botës, sepse është porsi harku qiellor, i cili në rrotullimet e veta sillet vazhdimisht mbi vete, pa gjetur fund në asnjë pikë.
Ati i botës së ardhshme, Krishti, u flijua për ne, pothuajse për ta asgjësuar kohën e jetës sonë të kaluar, e të na bëjë të fillojmë një të re. Me anë të larjes së rilindjes na bëri pjesëtarë në vdekjen e në ringjalljen e tij. Pra, kushdo që të ketë përnjëmend vetëdije se Qengji i Pashkëve qe flijuar për shëlbimin e tij, le ta mbajë porsi fillim të jetës së vërtetë momentin në të cilin Krishti u flijua për të. Le ta dijë se për të mirën e tij u bë ajo fli. Le të ketë vetëdijen e të kuptojë se jeta dhe hiri u fituan me çmim të një sakrifice të tillë.
Pasi i njohu këto gjëra, le të nxitet ta nisë një jetë të re, dhe të mos kthehet më tek ajo e vjetra dhe e kaluara. Vërtet, “vdiqëm për kah mëkati, si atëherë të jetojmë në të?” (Rom 6, 2).
Përgjigjja Krh. 1 Kor 5, 7-8; Rom 4, 25
C Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri. Krishti, Qengji ynë i Pashkëve, u flijua: * le ta kremtojmë festën në Zotin, aleluja.
D Krishti u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë,
C le ta kremtojmë festën në Zotin, aleluja.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, tashmë mundemi të të thërrasim Ati ynë; bëj të rritet në zemrat tona shpirti i bijësisë, që të mund të hyjmë një ditë në trashëgimin që na e premtove. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.