Shërbesa e leximeve

E kremtja e Trinisë Shenjtë

 

E diela I pas Rrëshajëve

 

FTESA

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

   Psalmi 95 /94/

 

   Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë:

   Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

 

E kremtja e Trinisë Shenjtë

 

E diela I pas Rrëshajëve

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.

 

   Himini

 

   Ty Atin t’eprin dhe Fjalën e lindur

   e Shpirtin Shenjt një Perëndi të vetme

   rrëfejnë, gjithë sa mbështjell kopshti i këndshëm

   në lumturi të parrizit.

 

   Sa mrekullisht rron, o Trini jetëdhënëse,

   askush s’e rrok , po megjithatë në përjetësi

   fytyra jote i ngop qiellorët, që gëzueshëm

   këndojnë me zëra.

   Të këndojmë Ty që themelove botën,

   me dritë t’amshueshme drejton rruzullimin,

   ringroh me zjarre Dashurie të lartë zemrat e të tuve.

 

   Përzier shpirtërisht me turmat e hyjnorëve,

   me ato valle t’i shoqërojmë tash himnet,

   ne që dëshirojmë të jemi të lumë

   në paqen tënde t’amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Na eja në ndihmë, o i vetmi Hyj i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt.

 

Psalmi 8 (2-10)

 

O Zot, Zoti ynë, †

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *

   Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

 

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †

   lavdinë e bëre gati kundër armiqve *

   që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

 

Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *

   hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *

   biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *

   e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *

   Gjithçka vure nën këmbët e tij:

 

delet e kafshët të gjitha, *

   për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *

   të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

O Zot, Zoti ynë, *

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Na eja në ndihmë, o i vetmi Hyj i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt.

 

Ant. 2 O Trini e lume! Ati është dashuri, Biri hir, Shpirti Shenjt është bashkësi.

 

Psalmi 33 /32/ I (1-11)

 

Galdoni, o të drejtë në Zotin, *

   të drejtëve u ka hije lavdërimi!

Lavdërojeni Zotin me kitarë, *

   bjerini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

 

Këndoni atij një këngë të re, *

   përcilleni bukur me cetër brohoritjen!

Sepse e drejtë është fjala e Zotit *

   e të gjitha veprat e tij me besë.

 

E do drejtësinë e gjyqin, *

   plot është toka me mirësinë e Zotit.

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *

   prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;

 

si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *

   oqeanet i qet në ujëmbledhës.

 

Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *

   të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!

Sepse ai foli - gjithçka u bë, *

   ai urdhëroi - gjithçka u përftua!

 

Zoti i shpartallon synimet e popujve, *

   i pështjellon qëllimet e kombeve.

Synimi i Zotit qëndron për amshim, *

   mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 O Trini e lume! Ati është dashuri, Biri hir, Shpirti Shenjt është bashkësi.

 

Ant. 3 O Trini e Shenjtë, Atë, Bir dhe Shpirt, fillim, ndriçim, dhuratë e së vërtetës!

 

II (12-22)

 

Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, *

   populli që Zoti e zgjodhi për pronë.

 

Zoti shikon nga qielli *

   e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.

Prej vendit të vet të shenjtë *

   i shqyrton të gjithë banorët e tokës,

 

ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat *

   e i kupton të gjitha veprat e tyre.

 

Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, *

   as vigani në saje të fuqisë së madhe.

Kot e pret fitoren nga kali, *

   fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.

 

Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, *

   mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja *

   e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Shpirti ynë shpreson në Zotin, *

   ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Zemra jonë në të e ka shpresën, *

   shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

 

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, *

   sikurse ne shpresojmë në ty.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 O Trini e Shenjtë, Atë, Bir dhe Shpirt, fillim, ndriçim, dhuratë e së vërtetës!

 

   D Fjala e Zotit i krijoi qiejt,

   C dhe Fryma e gojës së tij, gjithësinë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 2, 1-16

 

   Misteri i madh i vullnetit të Hyjit

 

   Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t'ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.

   Ne, në të vërtetë, shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohu; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt:

   'Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.' Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton të gjitha, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore. E njëmend, kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të? Kështu edhe çka është në Hyjin, askush nuk di, përveç Shpirtit të Hyjit. E ne nuk e kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç'dhurata na ka pajisur Hyji. Këtë edhe e shpallim, jo me argumentime të mësuara nga dituria njerëzore, por me mësim të Shpirtit Shenjt, duke shtjelluar gjëra shpirtërore me terma shpirtërorë. Njeriu thjesht natyror nuk i merr vesh sendet që rrjedhin prej Shpirtit të Hyjit: ato për të janë marri dhe nuk është i aftë t'i kuptojë, sepse duhen të gjykohen në mënyrë shpirtërore. Përkundrazi, njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt, sepse:

   'Kush e njohu mendimin e Zotit për ta mësuar Atë?',

   por ne e kemi mendimin e Krishtit.

 

   Përgjigjja Krh. Ef 1, 17. 18; 1 Kor 2, 12

 

   C Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, ju dhashtë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur atë; ju dhashtë syve të zemrës suaj dritë * që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër.

   D Nuk e keni marrë shpirtin e botës, por e keni marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit;

   C që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letrat” e shën Atanazit, ipeshkëv

   (Let. 1, drejtuar Serap. 28-30; PG 26, 594-595. 599)

 

   Drita, shkëlqimi dhe hiri i Trinisë

 

   Nuk do të ishte një gjë e kotë kërkimi i traditës së lashtë, i mësimit dhe i fesë së Kishës katolike, atij mësimi që na ka mësuar vetë Zoti, që apostujt e kanë predikuar, që etërit e kanë ruajtur. Dhe vërtet, përmbi të e ka themelin Kisha, prej së cilës nëse ndokush është larguar, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë i krishterë, as nuk mund të quhet i tillë.

   Feja jonë është kjo: Trinia e shenjtë dhe e përsosur është ajo që dallohet në Atin , në Birin e në Shpirtin Shenjt dhe nuk ka asgjë të huajën apo shtesë prej së jashtmi, as nuk është e formuar prej Krijuesit dhe prej realiteteve të krijuara, por është e tëra pushtet krijues dhe fuqi vepruese. Një është parimi aktiv dhe një është veprimi. Në të vërtetë Ati bën gjithçka nëpërmjet Fjalës në Shpirtin Shenjt dhe, në këtë mënyrë, ruhet e paprekur njësia e shenjtes Trini. Për këtë arsye në Kishë shpallet një Hyj i vetëm, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë (krh. Ef 4, 6). Gjendet përmbi çdo gjë si Atë, si zanafillë dhe origjinë. Vepron nëpër çdo gjë, sigurisht nëpërmjet Fjalës. Dhe së fundi vepron në çdo gjë në Shpirtin Shenjt.

   Pali apostull, kur u shkruan Korintianëve në lidhje me realitetet shpirtërore, i përmbledh të gjitha gjërat në një Hyj, Atë të vetëm, si në zanafillë, në këtë mënyrë: “Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë; po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë - ai bën gjithçka në të gjithë” (1 Kor 12, 4-6).

   Ato gjëra që Shpirti ia shpërndan çdonjërit veçanërisht, jepen prej Atit nëpër Fjalën. Dhe vërtet, të gjitha gjërat që janë të Atit janë edhe të Birit. Nga kjo rrjedh se të gjitha ato gjëra që jepen prej Birit në Shpirt janë dhurata të vërteta të Atit. Njëlloj kur Shpirti është në ne, në ne është edhe Fjala, prej së cilës e marrim Shpirtin dhe në Fjalën gjendet edhe Ati, e në këtë mënyrë realizohet ajo që është thënë: do të vijmë unë dhe Ati dhe tek ai do të banojmë (krh. Gjn 14, 23). Dhe vërtet, ku ka dritë, aty ka edhe shkëlqim; e ku ka shkëlqim aty është e njëjtë edhe forca e tij dhe hiri i tij i shkëlqyer.

   Po këtë gjë mëson Pali në letrën e dytë drejtuar Korintianëve, me këto fjalë: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë” (2 Kor 13, 13). Dhe vërtet, hiri është dhurata që jepet në Trininë Shenjte, dhurohet prej Atit nëpër Birin në Shpirtin Shenjt. Ashtu sikurse prej Atit nëpër Birin jepet hiri, në të njëjtën mënyrë nuk mund të ketë pjesëmarrje në dhuratë veçse nëpërmjet Shpirtit Shenjt. E atëherë, të bërë pjesëmarrës të tij, ne kemi dashurinë e Atit, hirin e Birit dhe bashkësinë e po të njëjtit Shpirt.

 

   Përgjigjja Krh. Kënga e tre djelmoshave; Dan 3, 56

 

   C Ta adhurojmë Atin, nëpërmjet Birit, në Shpirtin Shenjt: * Ty të qoftë nderi dhe lavdia në shekuj.

   D I bekuar je ti, o Hyj, në kupën qiellore:

   C Ty të qoftë nderi dhe lavdia në shekuj.

 

Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj Atë, ti e ke dërguar në botë Birin tënd, Fjalën e së Vërtetës dhe Shpirtin shenjtërues për t’u zbuluar njerëzve misterin e jetës sate, bëj, që me dëshmimin e besimit të vërtetë, ta njohim lavdinë tënde dhe ta adhurojmë Një të Vetmin Hyj në Tri Veta. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.