Shërbesa e leximeve
Java e Trembëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.
Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,
braktisur shtratin, ngrihemi:
Neve, Atë, që ty të thërrasim
na u gjend pranë të lutemi.
Të parin ty këndoftë goja,
ty të lakmoftë afshi i zemrës,
ti, o i shenjtë, të jesh burimi
për ndjekësit e tu ndër vepra.
Terri t’ia lëshojë vendin dritës,
dhe nata yllit të ditës,
fajin që e sjell nata
ta zbusë dhurata e dritës.
Po ne lutësit të lypim
na i fal të gjitha fajet,
nga gojët që ty të këndojnë
n’amshim të lavdërohesh.
Na ruaj, Atë mëshirëploti
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.
Hyjni, drita e amshueshme,
në Trini e njësuar,
Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,
Ty nxehtësisht të lutemi.
Besojmë Prindin e epërm,
dhe të vetmin Bir të Atit,
dhe Shpirtin që i bashkon
lidhjet e dashurisë.
O dashuri, o e vërteta,
o qëllimi dhe mirësia,
bëj të shpresojmë, të besojmë,
na bëj të duam t’arrijmë.
Ti je mbarimi e nisja,
burimi i të gjitha sendeve,
ti vetëm je ngushëllimi,
shpresa e sigurt e besimtarëve.
Vetëm ti i bën të tëra,
veç ti u mjafton të gjithëve,
për të gjithë je drita e vetme
dhe çmimi i shpresëtarëve.
Lusim Krishtin dhe Atin,
e Krishtit e t’Atit Shpirtin;
Trini, fuqia e vetme
për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Psalmi 6 (2-11)
Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.
Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).
O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *
as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!
Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *
më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.
Shpirti im është tejet i shqetësuar, *
e ti, o Zot - e deri kur...?
Kthehu, o Zot, më shëro, *
më shpëto në saje të mirësisë sate!
Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *
në Nëntokë kush të këndon lavde?
Plasa duke gjëmuar, †
natë për natë e laj shtratin tim, *
me lotët e mi e laj shtrojën time.
Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *
u plaka midis armiqve të mi.
Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *
sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!
Zoti e dëgjon lutjen time, *
Zoti e pranon uratën time!
U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *
e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1. Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Psalmi 9 I (1-11)
Falënderim për fitore.
Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *
i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty, *
i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!
Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *
ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,
sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *
ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!
Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *
emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!
Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *
gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.
Zoti sundon në jetë të jetës, *
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *
ua jep popujve dënimin e drejtë.
Zoti është strehimi i të salvuarit, *
vend i sigurt për ditë të vështira.
Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
II (12-21)
Këndoni Zotit që banon në Sion, *
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!
Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
Ki mëshirë për mua, o Zot, †
shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *
më shpëto prej derës së vdekjes
për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †
para dyerve të qytetit Sion *
i gëzuar për shëlbimin tënd.
U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *
këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,
Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *
mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!
Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *
të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!
Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *
shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.
Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *
para teje le të gjykohen paganët!
Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *
le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
D Bëj që ta kuptoj dhe do ta mbaj ligjin tënd,
C do ta ruaj me gjithë zemër atë.
Leximi i parë
Prej librave të Samuelit I, 31, 1-4; II, 1, 1-16
Vdekja e Saulit.
Në ato ditë Filistenjtë filluan luftën kundër izraelitëve. Izraelitët morën ikën para filistenjve dhe mbetën të vrarë në malin Gjelboé.
Filistenjtë u sulën kundër Saulit e bijve të tij dhe vranë Jonatanin, Abinadabin dhe Melkisuen, të bijtë e Saulit.
Atëherë tërë pesha e luftës u drejtua kundër Saulit. E morën në shënjestër shigjetarët dhe e plagosën rëndë.
Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: “Nxirre shpatën tënde e më godit që të mos vijnë këta parrethprerë e të më shpojnë me heshtë e të luajnë me mua.” Por armëmbajtësi i tij nuk deshi. Ishte tmerruar për së tepërmi. Atëherë Sauli e kapi shpatën dhe ra vetë me turr mbi të. Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga përleshja pasi kishte zhbirë amalekasit. Qëndroi dy ditë në Siceleg. Kur qe, të tretën ditë, po vinte një njeri prej aradheve të Saulit. Ishte me rroba të shqyera e me krye të mbuluar nga pluhuri. Kur arriti para Davidit, ra me fytyrë përdhe dhe i bëri nderim. Davidi e pyeti: “Nga po vjen?” ai iu përgjigj: “Ika prej taborreve të Izraelit.” Davidi i tha: “Çfarë ka ndodhur? Më trego!” Ai iu përgjigj: “Populli iku prej përleshjes dhe shumë njerëz prej popullit ranë të vdekur. U vranë edhe Sauli dhe Jonatani, djali i tij.”
Davidi i tha djaloshit që po i sillte lajmin: “Nga e di se kanë mbetur Sauli e Jonatani, biri i tij?” Djaloshi që po sillte lajmin u përgjigj: “Rastësisht erdha në malin Gjelboé kur qe, shoh se Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kurse karrocat e luftës dhe kalorësit po e shtrëngonin përreth. Ai u kthye e më pa dhe më thirri; unë iu përgjigja: 'Tek jam!' Ai më pyeti: 'Kush je ti?' Unë iu përgjigja: 'Jam i amalekas.' Atëherë vazhdoi: 'Sulu në mua e më vra, sepse jam në grahmat e vdekjes sado që shpirti është ende i tëri në mua.' Kërceva mbi të dhe e vrava, sepse e dija se pas rënies nuk do të mbetej gjallë. Atëherë ia mora kurorën mbretërore që e kishte mbi kokë, si dhe mëdorëzën që e kishte në dorë, dhe i solla këtu tek ti, zotëria im.”
Si e mori vesh Davidi, shqeu petkat e veta. Po ashtu edhe të gjithë njerëzit që ishin me të. Qanë e vajtuan dhe agjëruan deri në mbrëmje për Saulin e për Jonatanin, birin e tij, dhe për mbarë popullin e Zotit e shtëpinë e Izraelit, që mbetën të vrarë prej shpate.
Mandej Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: “Nga je?” Ai iu përgjigj: “Jam biri i një ardhacaku amalekas.” Atëherë Davidi i tha: “Si nuk u trembe të ngrije dorën për ta vrarë të shuguruarin e Zotit?” Davidi e thirri njërin prej djelmoshave dhe i urdhëroi: “Afrohu dhe vraje!” Ai i ra dhe e vrau. Davidi i tha: “Gjaku yt mbi kokën tënde, sepse goja jote dëshmoi kundër teje kur the: 'Unë e vrava të shuguruarin e Zotit.'“
Përgjigjja Krh. 2 Sam 1, 21. 19
C Ju, o bjeshkët e Gjelboesë, vesë as shi mbi ju mos rëntë. * Trimat e trimave, ja, në malet e tua ranë.
D Të gjitha bjeshkët përreth i vizitoftë Zoti; por Gjelboenë mos e shikoftë me sy,
C trimat e trimave, ja, në malet e tua ranë.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Ligj. 47, 1. 2. 3. 6; CCL 41, 572-573. 575-576)
Ai është Hyji ynë e ne jemi populli i kullotës së tij.
Fjalët që sapo i kemi kënduar përmbajnë dëshminë tonë publike se jemi grigjë e Hyjit: “Dijeni se vetëm Zoti është Hyj: Ai na krijoi e atij i përkasim” (Ps 100 /99/, 3). “Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli i kullosës së tij, grigja që ai e ruan” (Ps 95 /94/, 7). Barinjtë që janë njerëz, ata nuk i kanë bërë vetë delet që u përkasin atyre, nuk i kanë krijuar delet që i kullosin. Ndërsa Zoti, Hyji ynë, meqë është Hyj dhe krijues, ai e krijoi vet grigjën që ka dhe e shpie atë në kullosa. As nuk i ka krijuar ndokush tjetër ato që ai kullot, as ndokush tjetër nuk kullot atë që ai ka krijuar.
Meqë në këtë psalm kemi kumtuar se jemi grigjë e tij, populli i kullosës së tij, delet e duarve të tija, të dëgjojmë çka na thotë neve porsi grigjës së tij. Herët e tjera u fliste barinjve. Ndërsa tash i flet grigjës. Fjalët e tija ne i dëgjojmë me të dridhura, ndërsa ju të sigurt. Pra, çka do të burojë prej fjalëve të sotme? Ndoshta gjendja do të kthehet në anën e kundërt dhe kështu ne do të dëgjojmë duke qenë të sigurt ndërsa ju do të dridheni? Kurrsesi. Para së gjithash, edhe pse ne jemi barinj, bariu dëgjon me të dridhura jo vetëm gjërat që u drejtohen bariut, por edhe ato që u drejtohen deleve. Ai që dëgjon me mospërfillje ato gjëra që u drejtohen deleve, tregon se nuk brengoset aspak për grigjën. Në radhë të dytë, ne tashmë i kemi parashtruar dashurisë suaj dy pika që duhet të merren parasysh me shumë kujdes: se përpos që jemi krerë, ne jemi edhe të krishterë. Dhe për vetë faktin se jemi të krishterë, edhe ne vetë bëjmë pjesë në grigjë bashkë me ju. Për këtë arsye, si i foli Zoti grigjës, si u foli barinjve, ne duhet ta dëgjojmë tërë mësimin e tij me të dridhura, dhe brengosja nuk duhet të largohet prej zemrave tonë.
E atëherë, vëllezër, të dëgjojmë se si Zoti u tërheq vërejtjen deleve të këqija dhe çka u premton deleve të tija. Thotë: “Ju, delet e mia” (Ez 34, 31). Vëllezër, sa gëzim i madh të jemi grigjë e Hyjit! Është një fakt që shkakton gëzim dhe ngazëllim të madh edhe në mes të lotëve dhe të vuajtjeve të kësaj toke. Dhe vërtet, ai të cilit i qe thënë: Ti që e ruan Izraelin, është po i njëjti për të cilin thuhet: “S’do të kotet as s’do të flejë, ai që e ruan Izraelin” (Ps 121 /120/, 4). Ai, pra, rri zgjuar përmbi ne kur ne vigjilojmë, por vigjilon edhe kur ne jemi duke fjetur. Për këtë arsye, nëse ndonjë grigjë njerëzore e ndien veten të sigurt nën kujdesin e një bariu njerëzor, sa më e madhe duhet të jetë siguria jonë meqë është Hyji ai që na kullot! Jo vetëm pse na kullot, por edhe sepse ai vetë na ka krijuar.
Juve që jeni grigja ime, këto gjëra jua thotë Zoti Hyj: “Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles” (Ez 34, 17). Ç’po kërkojnë cjeptë mes grigjës së Hyjit? Në të njëjtat kullota, pranë burimeve të njëjta? Edhe ata të paftuarit që janë të caktuar të qiten në krahun e majtë janë përzier bashkë me të zgjedhur, që janë të përcaktuar për të qenë në krahun e djathtë. Tash durohen, porse atëherë do të ndahen. Dhe pikërisht këtu ushtrohet durimi i deleve në përngjasim të durimit të Hyjit. Prej tij pra, do të bëhet ndarja që do t’i vendosë disa në të majtën, dhe të tjerët në të djathtën.
Përgjigjja Gjn 10, 27-28; Ez 34, 15
C Delet e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. Unë u jap jetën e pasosur, * kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.
D Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vet do t’i mrizoj:
C kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.
Lutja
O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj, po të lutemi, që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.