Shërbesa e leximeve
Java e Shtatëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Hy i mëshirës s’epër
krijuesi i makinës së botës,
një i vetëm me pushtet,
tri veta në persona,
prano me këngë të përshpirtshme
mirësisht vajtimet tona,
në mjerim me zemër të pastër
të gëzojmë ty më tepër.
Me zjarr të hijshëm dashurie
ti na i ngroh mirë këllqet
që të jenë gjithnjë të përveshur
dhe gati n’ardhjet e tua.
Që, disa orë të netëve
ne tash me këngë i thyejmë,
me dhunti t’atmes shenjte
gjerësisht të gjithë të pasurohemi.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Autori i lavdisë së përjetshme,
që besimtarëve Shpirtin
u jep me hir shtatë formash,
i butë qëndroju pranë të gjithëve.
Dëbo sëmundjet prej trupave,
hiqja pengesat mendjes,
dërrmo fuqitë e krimeve,
largo dhembjet e zemrave.
Bëji mendjet të kthjellta
kryeje veprën e ndershme,
prano lutjet e lutësve,
jepu jetën e amshuar.
Në rrjedhat e shtatë ditëve
tash çdo kohë shtjellohet,
e teta ajo e fundit,
do të jetë dita e gjyqit.
Në të cilën Shëlbues, të lutemi,
mos na padit me mllef,
por na liro nga e majta,
vendosna në të djathtën.
Që kur shpirtmirë Ti lutjet
t’ia pranosh turmës tënde,
të gjithë lavdi t’i thurim
për amshim Trinisë Shenjte. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Psalmi 131 /130/ (1-3)
Shpirti i fëmijërisë
Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
si kërthi është shpirti im në mua.
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
tani e për gjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Psalmi 132 /131/
Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit
Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).
I (1-10)
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
II (11-18)
Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
do ta vë mbi fronin tënd!
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
do të rrinë përmbi fronin tënd.«
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
e pëlqeu për banesë të veten:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:
C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.
Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 12, 14 – 13, 13
Apostulli lajmëron një vizitë të tijen të krishterëve në Korint për t’i korrigjuar.
Vëllezër, ja, tani jam gati të vij te ju për të tretën herë dhe nuk do t'ju bëhem barrë, sepse unë nuk e kërkoj pasurinë tuaj, por ju. Sepse fëmijët nuk janë të detyruar të fitojnë për prindër, por, përkundrazi, prindërit për fëmijët. E unë me gëzim do të shpenzoj e do të shpenzohem për shpirtrat tuaj. Por, athua se, nëse ju dua më fort, do të duhem prej jush më pak? Ani, në dashtë! Unë nuk u bëra barrë për ju, por kështu si jam “dinak”, ju zura ju me “dredhi”. Athua ndoshta ju shfrytëzova me anë të atyre që i dërgova te ju? Unë iu luta Titit dhe e dërgova bashkë me një vëlla. A mos ju shfrytëzoi Titi? Athua nuk ecëm të njëjtës udhë? Athua jo të njëjtave gjurmë?
Ndoshta kaherë mendoni se po mbrohemi para jush? Jo, por po flasim para Hyjit në Krishtin: të gjitha këto i thamë për ndërtimin tuaj, o fort të dashur! Sepse trembem të mos ju gjej ndoshta, kur të vij, ashtu si dëshiroj t'ju gjej dhe se ju do të më gjeni ashtu sikurse ju nuk do të dëshiroshit: që rastësisht të mos ketë grindje, smirë, zemërime, rivalitete, të përfolura, spiunime, kreni, kryengritje; që, përsëri, kur të vij ndër ju, Hyji im të mos më përvujtërojë e të më duhet të qaj për shumë asish që mëkatuan që përpara e nuk iu shporrën fëlligështisë, ndyrësisë e shfrenisë që bënë.
Është e treta herë që dua të vij te ju. “Çdo gjë do të vendoset sipas fjalëve të dy ose tre dëshmitarëve.” Kur isha te ju, herën e dytë, u pata thënë atyre që kanë mëkatuar dhe të gjithë tjerëve ‑ po jua them edhe tani që jam larg jush ‑ po jua rithem qysh përpara: nëse do të vij prapë, nuk do t'ju kursej. Sepse ju kërkoni provën se në mua flet Krishti, i cili kundrejt jush nuk është i pafuqi, por i plotfuqishëm në ju. Vërtet, ai qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit për ju.
Shqyrtoni mirë vetveten! Shihni a jeni në fe! Kontrolloni vetveten! Athua ndoshta nuk e njihni vetveten se Krishti Jezus është në ju? Nëse jo, atëherë nuk jeni besimtarë të vërtetë! Shpresoj se do të shihni se ne jemi të vërtetë. E tani ne i lutemi Hyjit që ju të mos bëni kurrnjë të keqe; jo, pra, që ne të dalim të drejtë, por që ju të bëni të mirën; ani se mendimi ynë del i gabueshëm. Sepse kurrgjë nuk mund të bëjmë kundër së vërtetës: pushteti ynë është vetëm në dobi të së vërtetës. Po, po, ne gëzohemi kur jemi të ligshtë e ju të fortë. Prandaj edhe lutemi që ju të bëheni të përsosur. Ja, pra, pse larg jush ju shkruaj kështu, me qëllim që, kur të gjendem pranë, të mos më duhet ta përdor me ashpërsi pushtetin që Zoti më dha për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.
Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
Përshëndetni njëri‑tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit.
Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë.
Përgjigjja Krh. 2 Kor 13, 11; Fil 4, 7
C Vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Jetoni në paqe * e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
D Paqja e Hyjit, që është më e vlershme se mund ta mendojmë do t’i ruajë zemrat tuaja në Krishtin Jezus.
C E Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
Leximi i dytë
Nga “Letra drejtuar Polikarpit”, e shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
(Kap. 5, 1 – 8, 1. 3; Funk 1, 249-253)
Gjithçka u bëftë në nder të Hyjit.
Ik prej punëve të këqija dhe fol botërisht kundër tyre. Porositi motrat e mia që ta duan Zotin dhe që të jenë të kënaqura me burrat e tyre në gjërat materiale dhe shpirtërore. Në të njëjtën mënyrë nxiti vëllezërit e mi në emër të Jezu Krishtit që t’i duan gratë e tyre sikurse Krishti e ka dashur Kishën (krh. Ef 5, 25).
Nëse ndokush është i aftë të jetojë në pastërti të plotë në nderë të korpit të Zotit, kështu le të mbetet me përvujtëri. Nëse mburret me atë gjë, atëherë do të birret. E nëse kërkon të mbahet si më i madh se ipeshkvi, që tani u bor. Është gjë e mirë që burrat dhe gratë që martohen ta lidhin bashkimin e tyre me pëlqimin e ipeshkvit, në mënyrë që martesa e tyre të jetë sipas Zotit e jo sipas lakmimit. Gjithçka u bëftë në nder të Hyjit.
Kini nderim për ipeshkvin e kështu edhe Zoti do të ketë nderim për ju. Unë e dhuroj jetën time për ata të cilët i nënshtrohen ipeshkvit, presbiterëve, diakonëve. Paça pjesë edhe unë me ta në Hyjin! Mundohuni bashkë njëri me tjetrin, bashkë luftoni, bashkë vraponi, vuani bashkë, bashkë pushoni dhe bashkë ngrihuni, porsi mbarështues, ndihmës dhe shërbëtorë të Hyjit. Mundohuni t’i pëlqeni atij të cilit i shërbeni dhe prej të cilit e merrni pagën, dhe mos të ketë mes jush asnjë të arratisur.
Pagëzimi juaj le të jetë porsi mburojë, feja juaj le të jetë helmeta juaj, dashuria heshtë, ndërsa durimi le të jetë armatura e plotë. Vendstrehimi juaj le të jenë veprat e mira, që në kohën e duhur të mund ta merrni shpërblimin në të cilin keni të drejtë. Jini të durueshëm njëri me tjetrin me butësi, ashtu sikurse Zoti është me ju. U gëzofsha unë gjithmonë për ju.
Kisha e Antiokisë në Siri, me sa më kanë treguar, falë lutjeve tuaja tash e gëzon paqen. Në të njëjtën mënyrë edhe unë e ndiej veten më të qetë në braktisjen në Hyjin dhe dëshira ime e vetme është të arrij Hyjin në vuajtje, që kështu të mund të jem nxënësi juaj në ringjallje. Do të ishte e mirë, o Polikarp i bekuar prej Hyjit, që të mblidhni një kuvend të zgjidhur dhe të zgjidhni njërin që ju e keni shumë për zemër dhe të zellshëm, i cili të mund të quhet ambasador i Hyjit. Ky le të ketë si detyrë të shkojë në Siri që ta bëjë të njohur dashurinë tuaj të palodhshme, në lavdi të Zotit. I krishteri nuk është pronar i vetvetes, por është në shërbim të Zotit. Kjo vepër, nëse ju dëshironi ta bëni, është e Hyjit dhe e juaja. Kam besim se, me anë të hirit të tij, ju do të jeni të gatshëm të bëni një vepër të mirë në nder të Hyjit. Ju kam drejtuar një letër të shkurtër nxitjeje, meqë e njoh dashurinë tuaj të zjarrtë për të vërtetën.
Nuk arrita t’u shkruaj të gjitha kishave sepse m’u desh të nisem befas prej Troadës për Napoli të Maqedonisë, sipas urdhrave. Shkruaju ti kishave të zonave lindore, ti që e njeh vullnetin e Hyjit, që edhe ato të bëjnë të njëjtën gjë. Ato kisha që kanë mundësi le të dërgojnë lajmëtarë, të tjerat së paku le të dërgojnë letra, dhe le t’ua japin ato njerëzve që do t’i dërgosh ti, e kështu me të drejtë do të fitoni lavdinë e amshuar.
Ju uroj që të jeni gjithmonë mirë në Jezu Krishtin Zotin tonë: në të qëndroni të njëzemre dhe nën kujdesin e Hyjit. Qofshi mirë në Zotin.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 58; 2 Sel 3, 13
C Jini të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparoni vazhdimisht në veprën e Zotit: * mundi juaj nuk mbetet i pafrytshëm në Zotin.
D Mos u mërzitni duke bërë vepra të mira,
C mundi juaj nuk mbetet i pafrytshëm në Zotin.
Lutja
O Hyj, ti je mburoja jonë dhe shpresa, pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë, na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto ashtu që t’i përdorim me urti të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas atyre që kurrë nuk do të kalojnë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.