Shërbesa e leximeve

21 gusht, Shën Piu X, papë

 

Lindi në Riezë (Trevizo) në vitin 1835. I shuguruar meshtar iu kushtua me një angazhim të shenjtë ushtrimit të detyrës pastorale. U bë pastaj ipeshkëv i Mantovës, patriark i Venecias dhe në vitin 1903 qe zgjedhur papë. Si program të pontifikatit të tij mori moton paoline “Instaurare omnia in Christo” dhe e vuri në jetë me guxim dhe me qëndrueshmëri besimplote.

 E dashuroi varfërinë, promovoi ngritjen e jetës së krishterë dhe luftoi modernizmin dhe gabime të tjera. Vdiq në vitin 1914.

 

Ftesa

 

DO Zot, hapi buzët e mia.

CDhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

 Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

 Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

 t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

 t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

 Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

 të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

 duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

 të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

 ne jemi populli i kullosës së tij, *

 grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

 “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

 kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

 më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

 e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

 që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

 'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë,

 Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

 Himni

 

 O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

 ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste

 turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

 lavdet e duhura.

 

 Ti i pate dhënë tufën e dhenve Pjetrit,

 që bota mbarë një vathë e shenjtë të bëhej,

 ky i vendosur krejt në krye të Kishës

 me urdhrin tënd sundoi.

 

 Ky qe mësues edhe model i grigjës,

 ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

 për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë

 bëri gjithçka.

 

 O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

 e merituar, bëj që në jetë të bindur

 të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

 lumninë me shenjtin.

 

 I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

 dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

 nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

 e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,

 le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

 

Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

 plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

 nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

 mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

 ditë të shumta - në jetë të jetës.

 

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

 e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

 e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

 

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

 në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

 e ne do të këndojmë

 e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,

 le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

 

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,

 do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

 

Psalmi 92 /91/ I (2-9)

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

 t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

 e gjatë natës besnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

 me këngë përcjellë me cetër.

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

 kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

 sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

 dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

 e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

 vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,

 do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

 

Ant. 3Shërbëtor i mirë dhe besnik,

 hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

 II (10-16)

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

 sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

 do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

 më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

 veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

 rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

 lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

 janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

 Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

 e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3Shërbëtor i mirë dhe besnik,

 hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

D Prej gojës sime do ta dëgjosh fjalën,

C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.

 

 Leximi i parë

 

 Për një papë ose një ipeshkëv:

 

Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit 1, 7-11; 2, 1-8

 

Fort i dashur, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo hidhnak, jo pijanec, jo mujshar, jo lakmues i fitesës së ndytë, por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, që zotëron me vete, i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t'ua mbushë mendjen kundërshtarëve.

 Vërtet, ka shumë të tillë që nuk nënshtrohen, që flasin shumë dhe gënjejnë ‑ sidomos ata që vijnë nga rrethprerja. Atyre duhet t'u mbyllet goja, sepse të tillët pështjellojnë familje të tëra duke mësuar çka nuk duhet dhe këtë e bëjnë me qëllim të fitimit të ndytë.

Ti veç, mëso çka është në përkim me mësimin e shëndoshë: që pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë. Po ashtu edhe plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve: jo shpifëse, jo të dhëna mbas verës, por mësuese të së mirës: t'i mësojnë gratë e reja t'i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: të jenë të urta, të pastra, shtëpiake, me mend, të mira, t'u binden burrave të vet ‑ që fjala e Hyjit të mos shahet.

 Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim ‑ përpikërinë, denjësinë; fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.

 

 Përgjigjja Krh. Vap 20, 28; 1 Kor 4, 2

 

 C Kini kujdes për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. * Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.

D Prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.

C Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.

 

 Leximi i dytë

 

 Nga Kushtetuta Apostolike “Divine Afflatu” i shën Pio X, papë

 (AAS 3 [1911], 633-635)

 

Kisha që këndon lavdet e Hyjit

 

 Psalmet u kompozuan me frymëzim hyjnor dhe gjenden të përmbledhura në Shkrimet e Shenjta. Nga kjo gjë rrjedh se që nga fillimi i Kishës psalmet kanë shërbyer në mënyrë të mrekullueshme për të ushqyer përshpirtërinë e besimtarëve. Të krishterët me anë të psalmeve i ofronin vazhdimisht Hyjit flinë e lavdit, do të thotë frytin e buzëve që i jepnin nderimet emrit të tij (krh. Heb 13, 15; Oz 14, 3). Një pjesë shumë e madhe e vetë Liturgjisë së shenjtë dhe të Shërbesës Hyjnore, sipas përdorimit të pranishëm edhe në Ligjin e vjetër, është e përbërë nga psalmet. Nga ata lindi ai “zë i Kishës” për të cilin flet shën Bazili, dhe psalmodia, “bija e atij himnizimi”, siç e quan paraardhësi ynë Urbani i tetë, “që tingëllon pandërprerë para fronit të Hyjit dhe para Qengjit”. Përmbi të gjitha janë psalmet që, sipas shën Atanazit, u mësojnë njerëzve të jetës së kushtuar kultin hyjnor, “në cilën masë duhet lavdëruar Hyji, dhe me cilat fjalë i duhet dhënë në mënyrë të hijshme nderi”. Në mënyrë shumë të madhërishme në lidhje me këtë thotë shën Augustini: “Për të qenë në mënyrë të përshtatshme i lavdëruar nga njeriu Hyji vetë u lavdërua; e pasi u denjua ta lavdërojë vetveten, për këtë arsye njeriu e gjeti mënyrën se si ta lavdërojë”.

 Në psalme gjendet një frytshmëri befasuese për të nxitur në shpirtrat e të gjithëve dëshirën e virtyteve. Ndonëse i gjithë Shkrimi ynë, i vjetri dhe i riu, vjen nga frymëzimi hyjnor dhe është i dobishëm për mësim (krh. 2 Tim 3, 16), megjithatë libri i psalmeve, sipas shën Atanazit është, në një farë mënyre, kopshti i parajsës në të cilin mund të mblidhen frytet e të gjitha shkrimeve të tjera të frymëzuara. Në këtë mënyrë psalteri jo vetëm që i lartëson këngët e librave të tjerë biblik, por ia bashkëngjit edhe këngët e tija të cilët i modelon nën zërin e cetrës. Shën Atanazi shton: “Në të vërtet, mua që lartësoj këngët, psalmet më duken si pasqyra në të cilën njeriu e kundron veten e tij dhe gjendjen e tij të brendshme dhe nga kjo gjë ndjehet i shtyrë për t’i recituar”. Shën Augustini në Rrëfimet thotë: “Sa kam qarë duke dëgjuar himnet dhe këngët në nderin tënd, i prekur thellësisht nga zërat e Kishës sate, që këndonte me plot ëmbëlsi! Këta zëra dridheshin në veshët e mi dhe e vërteta ulej ngadalë në zemrën time dhe çdo gjë shndërrohej në ndjenjë dashurie dhe më jepte aq shumë gëzim saqë unë shkrihesha në lot”.

 E kush është ai që nuk do të ndjehej i ngritur lart duke përsëritur ndonjërën nga ato pjesët e shumta që në mënyrë kaq lirike dhe të thellë e këndojnë madhështinë e pakufi të Hyjit, pushtetin e tij, shenjtërinë e tij të madhërishme, mirësinë e tij dhe mëshirën bashkë me të gjitha vetitë e tjera hyjnore të posaçme?

 Ajo ndjenjë e fortë fetare që i përshkon është në mënyrë të jashtëzakonshme e vlefshme për të çuar zemrat në mirënjohje drejt bamirësive hyjnore, apo për të frymëzuar thirrjen e përvuajtur për hiret e reja, apo për të zgjuar vendime të dobishme për kthimin nga mëkati.

 Psalmet e ndezin dashurinë për Krishtin sepse janë si një pikturë që paraqet shumë mirë të përvijuar figurën e Shëlbuesit. Me të drejtë, pra, Augustini “e ndjente në të gjitha psalmet zërin që galdonte dhe që rënkonte, që gëzohej në shpresë ose që dëshironte me gjithë shpirt qëllimin”.

 

 Përgjigjja 1 Sel 2, 4. 3

 

 C Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë: * jo, sikur të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

 D Predikimi ynë nuk vjen nga gabimi, as nuk ka qëllime të papastra as nuk mbështetet në dinakëri.

 C Jo, sikur të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

 

 Lutja

 

 O Hyj, ti e mbushe shën Pion papë me dije qiellore e me guxim apostolik për të mbrojtur fenë katolike e për të ripërtërirë gjithçka në Krishtin, bëj që t’i ndjekim rregulloret e shembujt e tij e të fitojmë jetën e pasosur. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.