Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Është koha e mesit natës;

   nxit zëri profetik

   t’i këndojmë lavde Hyjit,

   Atit gjithmonë e Birit,

 

   Si edhe Shpirtit të Shenjtë:

   Trinia e përsosur

   e një gjëje të vetme

   nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.

 

   Kjo kohë ka edhe tmerrin,

   ku engjëlli shkatërrues

   vdekjen i solli Egjiptit,

   shfarosi të parëlindurit.

 

   Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,

   pse atëherë po atje engjëlli

   s’kishte guxuar t’ndeshkonte

   nga frika e shenjës s’gjakut.

 

   Egjipti rëndë vajtonte

   nga shuarja e rreptë e djemve;

   veç Izraeli gëzonte

   mbrojtur nga gjaku i qengjit.

 

   Izraeli i vërtetë ne jemi:

   në Ty, o Zot, gëzohemi,

   duke shpërfillë armikun dhe të keqen,

   mbrojtur nga gjaku i Krishtit.

 

   Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Falemi o ditë, lavdia e ditëve,

   fatlume ditë fitore e Krishtit,

   ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,

   dita e parë.

 

   Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,

   në cilën Krishti shkreton ferrin,

   vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas

   t’ultat me t’lartat.

 

   Vendimi i mbretit të amshuar

   nën mëkat fund u dha të gjithave;

   që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte

   njerëzve të dobët.

 

   Virtyti i Hyjit e dija

   mërinë me mirësi zbuti

   atëherë kur bota në greminë

   tërësisht po rrokollisej.

 

   I lirë u ngjall përsëri nga ferri

   restaurator i farës njerëzore

   delen e vet mbi supa duke e mbartur

   në vise t’epra.

 

   Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,

   rritet plotësimi i radhëve qiellore,

   lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,

   lavdia e amshuar.

 

   Harmonia e atdheut qiellor

   përkoftë me zërin e Nënës Kishë,

   “Aleluja” sot grumbulloftë me turma

   grigjat besnike.

 

   Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,

   të përfitojmë nga gëzimi triumfal:

   paqe në tokë, dhe brohoritje

   qofshin ndër qiej. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

   Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).

 

Psalmi 24 /23/ (1-10)

 

   Zoti hyn në Shenjtëroren e vet

 

   Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.

 

Psalmi 66 /65/

 

Himn falënderimi në rastin e flijimit

 

   Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).

 

   I (1-12)

 

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †

   këndoni lavdisë së Emrit të tij, *

   lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

 

Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *

   Pse je tejet i fuqishëm,

   armiqtë e tu të përkëdhelin.

 

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *

   le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«

Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *

   bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

 

Ai e shndërroi detin në terik, †

   këmbë e kaluan lumin *

   për këtë galdojmë me gëzim.

 

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †

   sytë e tij vërejnë përmbi popuj *

   që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.

 

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *

   dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën, *

   këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

 

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *

   porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na qite në leqe, *

   barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †

   na përshkove nëpër zjarr e ujë, *

   por më vonë na dhe pushim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.

 

Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.

 

   II (13-20)

 

Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *

   para teje do t’i çoj në vend kushtet,

që i premtova me buzët e mia, *

   që i thashë me gojë kur isha në rrezik.

 

Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †

   bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *

   do të të kushtoj qe edhe cjep!

 

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *

   do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.

 

Me gojën time e thirra në ndihmë, *

   dhe me gjuhën time e madhërova.

Po të mendoja të keqen në zemrën time, *

   Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.

 

Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *

   i vuri vesh zërit të lutjes sime.

Qoftë bekuar Hyji

   që s’ma hodhi poshtë lutjen time *

   e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.

 

   D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,

   C më përshkuese se shpata dy teheshe.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Agjeut profet 1, 1 – 2, 9

 

   Në tempull të rindërtuar Zoti do ta shfaq lavdinë e tij.

 

   Në vitin e dytë të Dariut mbret, në të gjashtin muaj, të parën ditë të muajit, me anë të Agjeut profet, i qe drejtuar fjala e Zotit Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, edhe Jezuait, birit të Jozedekut, kryeprift: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ky popull po thotë: 'Ende s'ka ardhur koha të ndërtohet Shtëpia e Zotit.'“ Këndej edhe erdhi fjala e Zotit me anë të Agjeut profet: “Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të tavanosura e kjo Shtëpi të mbesë shkretë? Tash, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë: mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e qiti në qese të shqyer. Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni Shtëpinë; kjo gjë do të më pëlqejë e do ta dëftoj lavdinë time ‑ thotë Zoti.

   Shpresuat se do t'ju bëhet shumë dhe, ja, u bë pak: edhe aq sa sollët në shtëpi, unë fryva e jua treta. E përse ‑ thotë Zoti i Ushtrive? Sepse Shtëpia ime është rrënojë e ju secili kujdesoheni për shtëpinë tuaj! Prandaj u qe urdhëruar qiejve të mos japin vesë edhe tokës i qe urdhëruar të mos e japë frytin e vet. Këndej unë e çova thatësinë përmbi tokë, përmbi bjeshkë, përmbi drithë, përmbi verë, vaj dhe përmbi çdo prodhim të tokës, mbi njerëz e mbi bagëti e përmbi çdo punë dore.”

   Zorobabeli, biri i Salatielit, Jezuai, biri i Jozedekut, kryeprift, dhe mbarë Teprica e popullit, e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të vet, dhe fjalët e Agjeut profet, në atë për çka Zoti, Hyji i tyre, e kishte dërguar atë tek ata. Populli pati frikë prej Zotit.

   Atëherë Agjeu, lajmëtari i Zotit, kështu i tha popullit sipas urdhrit që kishte prej Zotit: “Unë jam me ju, thotë Zoti!” Zoti e zgjoi shpirtin e Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, dhe shpirtin e Jezuait, birit të Jozedekut, kryeprift, dhe të mbarë Tepricës tjetër të popullit e ata erdhën e ia hynë punës në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive, Hyjit të vet. Ishte e njëzetekatërta ditë e muajit të gjashtë, viti i dytë i mbretërimit të Dariut.

   Më njëzet e një të shtatit muaj qe zbuluar kjo fjalë e Zotit me anë të Agjeut profet: “Fol me Zorobabelin, birin e Salatielit, qeveritarin e Judës, me Jezuain, birin e Jozedekut, kryeprift, dhe me Tepricën e popullit, e pyeti: A është ndokush ndër ju që e ka parë këtë Shtëpi në lavdinë e saj të parë? E tash në ç'gjendje po e shikoni? Pse a nuk është ashtu në sytë tuaj sikurse të mos ishte fare? Por edhe tash, zemër, o Zorobabel, thotë Zoti, zemër, o Jezus, biri i Jozedekut, kryeprift, zemër, o mbarë populli i vendit, thotë Zoti i Ushtrive! Hyni punës, sepse unë jam me ju, thotë Zoti i Ushtrive! Besa që e lidha me ju kur dolët nga dheu i Egjiptit dhe shpirti im qëndron midis jush: mos u trembni! Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Edhe pak e unë do ta tund qiellin e tokën, detin e terikun! Do t'i tund të gjitha kombet e atëherë do të vijnë të gjitha visaret e popujve dhe këtë Shtëpi do ta mbush me lavdi, thotë Zoti i Ushtrive. Imi është argjendi, imi është ari, thotë Zoti i Ushtrive. Lavdia e ardhshme e kësaj Shtëpie do të jetë më e madhe se e para, thotë Zoti i Ushtrive, e në këtë vend unë do ta dhuroj paqen, thotë Zoti i Ushtrive!”

 

   Përgjigjja Agj 1, 8; Is 56, 7

 

   C Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni shtëpinë; * kjo gjë do të më pëlqejë, thotë Zoti.

   D Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.

   C Kjo gjë do të më pëlqejë, thotë Zoti.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Komenti mbi Agjeun” i shën Cirilit nga Aleksandria, ipeshkëv

   (Kap. 14; PG 71, 1047-1050)

 

   Emri im është i lavdëruar ndër njerëz.

 

   Në kohën e ardhjes së Shëlbuesit tonë u duk një tempull hyjnor pa asnjë krahasim më i lavdishëm, më i shkëlqyeshëm dhe më i shndritshëm me ai i vjetri. Sa më e lartë ishte feja e Krishtit dhe e Ungjillit se sa kulti i ligjit të vjetër dhe sa më i lartë është realiteti në krahasim me hijen e tij, aq më fisnik është tempulli i ri me të vjetrin.

   Mendoj se mund të shtohet edhe diçka tjetër. Tempulli ishte i vetëm, ai i Jerusalemit, dhe vetëm populli i Izraelit blatonte në të flitë e veta. Por pasi i Njëlinduri është bërë i ngjashëm me ne, megjithëse ishte “Hyji është Zot, ai na ndriçoi” (Ps 118 /117/, 27), siç thotë Shkrimi, bota mbarë është mbushur me ndërtesa të shenjta dhe me adhurues të panumërt që nderojnë Hyjin e gjithësisë me flijime dhe kem shpirtëror. Dhe kjo, mendoj, është ajo që profetizoi nga ana e Hyjit Malakia: Unë jam mbreti i madh, thotë Zoti; i madh është emri im ndër popuj, dhe në çdo vend do të ofrohen kemi dhe blatimi i pastër (krh. Mal 1, 11).

   Nga kjo del se lavdia e tempullit të vjetër, domethënë e Kishës, do të ishte më e madhe. Atyre që punojnë me angazhim dhe mund për ndërtimin e tij, Shëlbuesi do t’u japë si dhuratë qiellore Krishtin, që është paqja e të gjithëve. Ne atëherë, nëpërmjet tij mund t’i paraqitemi Atit në një Shpirt të vetëm (krh. Ef 2, 18). Këtë e deklaron ai vetë kur thotë: Do të jap paqen në këtë vend dhe paqen e shpirtit si çmim kujtdo që do të vrapojë për të ngritur këtë tempull (krh. Agj 2, 9). Shton: “Po ju jap paqen time” (Gjn 14, 27). E çfarë të mire u sjell kjo atyre që e duan na e mëson shën Pali duke thënë: Paqja e Krishtit, që tejkalon çdo mençuri, i ruajttë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja (krh. Fil 4, 7). Edhe Isaia i urtë lutej me terma të tillë: “Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, pasi ti të mbarën ua jep të gjithave që ne ndërmarrim” (Is 26, 12).

   Atyre që kanë qenë bërë të denjë një herë për paqen e Krishtit është e lehtë t’u shëlbohet shpirti dhe t’u drejtohet vullneti për të përmbushur mirë atë që kërkon virtyti.

   Prandaj kujtdo që merr pjesë në ndërtimin e tempullit i premton paqen. Ata që vihen në punë për të ndërtuar kishën ose që janë vënë në krye të familjes së Hyjit (krh. Ef 2, 22) si mistagogë, domethënë si interpretues të mistereve të shenjta, janë të sigurt se do të arrijnë shëlbimin. Por të sigurt janë edhe ata që kujdesen për të mirën e shpirtit të vet, duke u bërë shkëmb shpirtëror i gjallë (krh. 1 Kor 10, 4) për tempullin e shenjtë, dhe banesë e Hyjit nëpërmjet Shpirtit (krh. Ef 2, 22).

 

   Përgjigjja Krh. Ps 83, 5; Zak 2, 15

 

   C Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, o Zot: * do të të lavdërojnë për amshim.

   D Atë ditë popuj të shumtë do të mbështeten në ty, o Zot, e do të jenë populli yt;

   C do të të lavdërojnë për amshim

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.