Shërbesa e leximeve
25 Dhjetor - Kërshëndellat
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, që lindi për ne.
Ose:
Ant. Krishti lindi për ne: ejani ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Shkëlqim jetëdhënës i Hyjnisë së amshueshme
o Krisht, ti vjen ndër ne ndriçim e jetë,
ti njerëzve u sjell ndër sëmundje mjet shërimi,
o derë shpëtimi.
Jehonë mbi tokë vallet e engjëllorëve
me këngë qiellore, shekuj të rinj ligjërojnë,
lavdi për Atin, dhe për mbarë njerëzimin
gëzime paqe.
Ndonëse vogëlush, ti sundon rruzullimin,
fryt i Virgjërës Shenjte pa farë njolle,
o Krisht, tashmë sunduesi i mbarë botës
gjithmonë i dashur.
Ti u linde qiejt për atdhe t’na japësh,
ti një nga ne, me mishin tonë u bëre;
mendjet përtëriji e zemrat lidhi me prangat
e dashurisë.
Çetat krenare këndojnë ja një i yni,
shoqëruar nga Engjëjt me gojë të gëzueshme
Atit me Ty e dashurisë së barabartë,
këngët e lavdit. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e përshtatshme e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti më tha: Ti je biri im, unë sot të linda.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këpusim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti më tha: Ti je biri im, unë sot të linda.
Ant. 2 Del Zoti, si dhëndër nga dhoma martesore.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet, –
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Del Zoti, si dhëndër nga dhoma martesore.
Ant. 3 U zbraz hiri në buzët e tua, Hyji të bekoi për amshim.
Psalmi 45 /44/ (2-18)
Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †
këngën time ia kushtoj mbretit: *
gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!
Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †
u zbraz hiri në buzët e tua, *
prandaj Hyji të bekoi për amshim.
Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *
vishu me shkëlqim e me madhëri!
Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *
e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!
Të mprehta janë shigjetat e tua †
në zemra të armiqve të mbretit! *
Popujt do të bien nën sundimin tënd.
Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *
skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!
Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †
prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *
me vaj gëzimi çmoskëndin ndër shokët e tu.
U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *
në pallate - asht elefanti, harpat të argëtojnë.
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *
në të djathtë të qëndron mbretëresha,
në ar Ofiri e ngrirë.
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,
atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *
Ai është zotëria yt, nderoje atë!
Populli i Tirit vjen me dhurata, *
përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.
E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *
e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *
përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori, *
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *
do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
Do të bëj të përmendet emri yt *
prej breznie në brezni;
prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *
në amshim e në shekuj të shekujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 U zbraz hiri në buzët e tua, Hyji të bekoi për amshim.
D Fjala e Zotit u bë njeri, aleluja,
C e banoi ndër ne, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 11, 1-10
Rrënja e Jeseut dhe paqja mesianike
Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij.
Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit.
Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S'do të gjykojë sipas pamjes së syve as s'do të vendosë sipas thashethemeve,
por do t'i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t'u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.
Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t'i ngjeshë ijët.
Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t'i çojë e do t'i bjerë.
Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau.
Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija dorën do ta futë.
S'do të bëhet dëm as s'do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi deti që mbushet me ujë.
Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.
Përgjigjja Krh. Lk 2, 14
C Për ne sot lind Mbreti i qiellit prej një virgjëre për të drejtuar njeriun e humbur në Mbretërinë e qiellit: * gëzohet ushtria qiellore e engjëjve, sepse mbarë njerëzve iu shfaq shëlbimi i amshuar.
D Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër.
C gëzohet ushtria qiellore e engjëjve, sepse mbarë njerëzve iu shfaq shëlbimi i amshuar.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë
(Ligj 1 për Krishtlindje, 1-3: PL 54, 190-193)
Pranoje, o i krishterë, dinjitetin tënd!
Shëlbuesi ynë, o fort të dashur, sot lindi: të gëzohemi! Nuk ka vend për trishtim ditën në të cilën lind jeta, një jetë që e shkatërron frikën e vdekjes dhe jep gëzimin e premtimeve të amshuara. Askush nuk është i përjashtuar prej kësaj lumturie: shkaku i gëzimit është i përbashkët për të gjithë, sepse Zoti ynë, fitimtari mbi mëkatin dhe vdekjen pasi nuk gjeti askënd të lirë prej fajit, erdhi për lirimin e të gjithëve. Le të galdojë shenjti, sepse po i afrohet shpërblimit; le të gëzohet mëkatari, sepse po i dhurohet falja; le të marrë guxim pagani, sepse u thirr në jetë.
Biri i Hyjit, kur erdhi plotësia e kohës, të cilën plani i pashqyrtueshëm hyjnor e kishte caktuar, duke dashur ta pajtonte natyrën njerëzore me Krijuesin e saj, e mori mbi vete ai vetë, këtë natyrë, në mënyrë që djalli, prurës i vdekjes, të mposhtej prej po asaj natyre të cilën ai më parë e kishte bërë skllave. Kështu në lindjen e Zotit engjëjt këndojnë galdueshëm: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2, 14). Ata shohin se Jerusalemi qiellor është i trajtuar prej të gjithë popujve të botës. Sa duhet të gëzohet njerëzimi në mjerimin e tij, për këtë vepër të patregueshme të dashurisë hyjnore, për të cilën aq shumë gëzohen engjëjt në lartësinë e tyre. O fort të dashur, ta falënderojmë Hyjin Atë që nëpërmjet Birit të tij në Shpirtin Shenjt, në mëshirën e tij të pakufishme me të cilën na ka dashur, pati mëshirë për ne dhe ndërsa ishim të vdekur për mëkatet tona, ai bëri që ne të rijetonim në Krishtin (krh. Ef 2, 5) në mënyrë që, në të, të bëheshim krijesë e re, vepër e re e duarve të tija.
Duhet ta flakim “njeriun e vjetër, me mënyrën e mëparshme të jetesës” (Ef 4, 22), dhe, meqenëse jemi pjesëtarë të lindjes së Krishtit, t’u biem mohit veprave të mishit. Njihe, o i krishterë, dinjitetin tënd dhe i bërë pjesëtar i natyrës hyjnore, mos u kthe më në ndyrësinë e mëparshme me një sjellje jo të denjë. Le të të bjerë ndër mend se kush është Koka jote dhe gjymtyrë e cilit Trup je. Le të të bjerë ndër mend se, i rrëmbyer prej pushtetit të errësirave, u vendose në dritën e Mbretërisë së Hyjit. Me sakramentin e pagëzimit ti u bëre tempull i Shpirtit Shenjt! Mos e përzë me sjelljen tënde të prapët një mysafir kaq të shkëlqyeshëm dhe mos iu nënshtro prapë skllavërisë së djallit. Le të të bjerë ndër mend se çmimi i paguar për shpërblimin tënd është gjaku i Krishtit.
Përgjigjja
C Sot paqja e vërtetë zbret për ne nga qielli; * sot mbi mbarë dheun qiejt rigojnë ëmbëlsi.
D Shkëlqen për ne dita e një shëlbimi të ri, ditë e përgatitur që prej shekujsh, gëzim i pakufi.
C Sot mbi mbarë dheun qiejt rigojnë ëmbëlsi.
Nëse pas Te Deum kremtimi publik i Shërbesës së leximeve nuk vazhdon menjëherë Mesha e natës, atëherë thuhet:
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, që mrekullisht na krijove në përngjasimin tënd, dhe më mrekullisht na ripërtërive dhe na shpërbleve, bëj që të marrim pjesë në jetën hyjnore të Birit tënd, i cili sot e mori natyrën tonë njerëzore. Ai që është Hyj dhe jeton e mbretëron me Ty në bashkim me Shpirtit Shenjt për të gjithë shekuj të shekujve.
Por, nëse pas kremtimit publik të Shërbesës së leximeve vazhdon menjëherë Mesha, atëherë në vend të himnit Te Deum thuhet Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore... Pastaj vazhdojnë menjëherë Lutja dhe leximet e Meshës së natës. Ritet e hyrjes nuk thuhen.
Kremtimi i Lutjeve të mëngjesit menjëherë pas Meshës së natës është në kundërshtim me karakterin e tyre të veprimtarisë liturgjike të mëngjesit.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.