Shërbesa e leximeve

Java e Parë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Pjesëtar i dritës atërore,

   ai vetë dritë drite e ditë,

   me këngë ne e thyejmë natën:

   kërkuesve gjendu pranë.

 

   Hiqi errësirat e mendjeve

   zhduki turmat e djajve,

   largo me forcë dremitjet,

   mos t’ua kalojnë përtacëve.

 

   Kështu, o Krisht, ne të gjithëve

   që në ty besojmë, mëshirona,

   të jetë për dobi të lutësve,

   që këndojmë duke prirë me këngë.

 

   Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   me Atin të qoftë lavdia,

   dhe me Shpirtin Ngushëllues,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Trini krejt e shenjtë,

   që urdhëron çdo gjë që krijove,

   ditën për punë caktove,

   natës prehjen ia fale.

 

   Si n’agim edhe në t’errur,

   natë e ditë për ty këndojmë;

   ti ne në lavdinë tënde

   na ruaj në të gjitha kohët.

 

   Pranë teje shtrirë për dhe

   të adhurojmë si robër,

   kushte e uratë të lutësve

   bashko me himnet e qiellorëve.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjtë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim

 

   Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).

 

Përse, o Zot, qëndron larg, *

   përse fshihesh në ditë të vështirë?

Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *

   le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!

I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *

   lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.

 

Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †

   »S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *

   Ja, gjithçka ai mendon!

 

Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †

   gjyqet e tua janë tepër lart për të, *

   të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.

 

Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *

   brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«

 

Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *

   nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!

 

Rri në pritë ndër fshatra, *

   në moh e vret të pafajshmin.

 

Me sy e vrojton të vobektin, *

   në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,

përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *

   e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.

 

Sulet, struket në pritë *

   e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.

Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *

   ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)

 

Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *

   mos i qit në harresë të mjerët!

Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *

   Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«

E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *

   me dorën tënde i peshon:

në ty mbështetet i mjeri, *

   ti ia jep bonjakut sigurinë.

 

Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *

   kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.

 

Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *

   do të zhduken paganët prej dheut të tij.

 

Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *

   forcoja zemrën, ti prirja veshin,

për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *

   që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit

 

   Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).

 

Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *

   sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!

Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *

   flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.

 

Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *

   edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!

 

Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †

   buzët tona na mbrojnë! *

   Kush është zotëria ynë?«

 

»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †

   për shkak të klithmës së të ndrydhurve

   tani do të ngrihem - thotë Zoti - *

   e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«

Fjalët e Zotit janë të pastra: †

   argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *

   i pastruar shtatë herë!

 

Por ti, o Zot na ruaj, *

   na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë

e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *

   le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,

   C të varfërve ua mëson udhën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Siracidit 11, 12-30

 

   Besimi në Zotin.

 

   Ka njeri të gjorë, që ka nevojë për ndihmë, për më tepër të pafuqi, të pasur me skamje,

   por syri i Hyjit e shikon me mirësi, e ngrit prej mjerimit të tij, e lartëson kryet e tij: dhe shumëkush mbetet i habitur.

   E mira dhe e keqja, jeta e vdekja, skamja e kamja prej Hyjit vijnë.

   Urtia e kuptimi e njohja e Ligjit te Zoti janë, dashuria, veprat e dashurisë janë prej Tij.

   Gabimi e terri kanë qenë krijuar për mëkatarët, ata që krenohen për të këqija, plaken në të këqija.

   Dhurata e Hyjit qëndron me të përshpirtshmit dhe përkrahja e Tij përparon përgjithmonë.

   Dikush pasurohet në fuqi të kursimit dhe ja, shpërblimi i tij:

   thotë një ditë: “Tash po pushoj, tani do të ha vetëm të mirat e mia”,

   e s'di se koha kalon, vdekja afrohet, e do t'i lërë të gjitha të tjerëve e do të vdesë.

   Qëndro në detyrën tënde dhe kryeje me kujdes e plaku në plotësimin e detyrave të tua.

   Mos u lakmo veprave të mëkatarëve; shpreso në Hyjin e kryeje punën tënde,

   sepse punë e lehtë është për Hyjin papritmas ta bëjë të pasur skamnorin.

   Bekimi i Hyjit është shpërblim i vazhdueshëm i të drejtit dhe në një moment të shpejtë lulëzon përparimi i tij.

   Mos thuaj: “Për çka kam nevojë e ç'të mira të tjera më lypen pas tashit?”

   Mos thuaj: “Kam gjithçka mjaft! Ç'e keqe tjetër mund të më gjejë?”

   Në të mira mos i qit në harresë të vështirat e në të vështira mos i qit në harresë të mirat,

   sepse lehtë e ka Hyji ditën e vdekjes të shpërblejë secilin sipas jetës së tij.

 

   Përgjigjja Krh. Sir 11, 19; Lk 12, 17. 18

 

   C Thotë i pasuri një ditë: “Tash po pushoj, tani do të ha vetëm të mirat e mia. * Nuk e di se vdekja afrohet, e do t’i lërë të gjitha e do të vdesë.

   D I pasuri mendon në vete dhe thotë: “Do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia.

   C Nuk e di se vdekja afrohet, e do t’i lërë të gjitha e do të vdesë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Rregullat e zgjeruara” të shën Bazilit të Madh, ipeshkëv

   (Përgj. 2, 1; PG 31, 908-910)

 

   Fuqinë për të dashur e kemi në vetvete.

 

   Dashuria ndaj Hyjit nuk është një akt që t'i urdhërohet njeriut nga jashtë, por lind vetvetiu prej zemrës sikurse edhe të mira të tjera që i përshtaten natyrës sonë. Ne nuk mësuam prej tjetërkujt ta gëzojmë dritën, as ta dëshirojmë jetën, dhe, aq më pak, t'i duam prindërit dhe mësuesit tanë. Kështu pra, edhe më tepër, dashuria ndaj Hyjit nuk rrjedh nga ndonjë disiplinë e jashtme, por gjendet në vetë strukturën natyrore të njeriut, porsi filiz dhe forcë e vetë natyrës. Shpirti i njeriut ka në vetvete aftësi dhe nevojë për të dashur.

   Mësimi na bën të vetëdijshëm në lidhje me këtë forcë, na ndihmon që ta kultivojmë me kujdes, ta ushqejmë me zell dhe ta çojmë, me ndihmën e Hyjit, deri në përsosmërinë më të lartë. Ju u përpoqët ta ndiqni këtë udhë. Të vetëdijshëm për këtë gjë, dëshirojmë të bashkëpunojmë, me hirin e Hyjit dhe nëpër lutjet tuaja, që gjithmonë e më tepër të shkëlqejë kjo shkëndije dashurie hyjnore e fshehur në ju për virtyt të Shpirtit Shenjt.

   Themi, më së pari, se që në fillim na qe dhënë forca dhe aftësia për t'i zbatuar të gjitha urdhërimet hyjnore, dhe prandaj nuk i durojmë me zor, sikur të na lypej diçka që i tejkalon forcat tona, as nuk jemi shtrënguar të kthejmë më tepër se sa morëm. Kur, pra, i përdorim këto të mira në mënyrë të drejtë, e ndjekim një jetë të pasur me çdo virtyt, ndërsa nëse i keqpërdorim, biem në vese.

   Dhe njëmend përcaktimi i vesit është ky: përdorim i keq dhe në kundërshtim me ligjin e Zotit i aftësive që Ai na dha për ta kryer të mirën. Nga tjetra anë përcaktimi i virtytit që Hyji kërkon prej nesh është: përdorim i drejtë i të njëjtave aftësi, i cili rrjedh prej ndërgjegjes së pastër sipas urdhrit të Zotit.

   Rregulla e përdorimit të mirë vlen edhe për dhuratën e dashurisë. Në vetë strukturën tonë natyrore e kemi këtë forcë për të dashur, edhe pse nuk mund ta tregojmë me argumente të jashtme, por çdonjëri prej nesh mund ta vërtetojë vetiu në vete. Ne, prej instinktit natyror, e dëshirojmë gjithçka është e mirë dhe e bukur, megjithëse jo të gjithëve u duken të mira dhe të bukura të njëjtat gjëra. Gjithashtu, ndiejmë në vete, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme, një prirje të veçantë ndaj atyre që kemi afër qoftë prej gjakut, qoftë prej bashkëjetesës, dhe spontanisht i përqafojmë me dashuri të çiltër ata që na bëjnë mirë.

   Tash, çka është më e mrekullueshme se bukuria hyjnore? Cili mendim është më i pëlqyeshëm dhe i ëmbël se madhëria e Hyjit? Cila dëshirë e shpirtit është aq e rrëmbyeshme dhe e fuqishme sa ajo e ndikuar prej Hyjit në një shpirt të pastruar nga çdo mëkat dhe që thotë me dashuri të çiltër: Dashuria më theri (krh. Kk 2, 5)? Pra, të patregueshme dhe të pashprehshme janë shkëlqimet e bukurisë hyjnore

 

   Përgjigjja Krh. Ps 18 /17/, 2-3

 

   C Të dua, o Zot, fuqia ime, * o Zot, Qeta ime, Kështjella ime, Shpëtimtari im.

 

   D Hyji është ndihmëtari im, në Të shpresoj:

   C O Zot, Qeta ime, Kështjella ime, Shpëtimtari im

 

   Lutja

 

   Po të lutemi, o Zot, përcilli me dashuri qiellore kushtet e popullit që po të lutet: të kuptojë çka i lypet të bëjë dhe atë ta zbatojë me dashuri. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.