Shërbesa e leximeve

Java IV e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

   Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,

   përherë në psalme thellë le të mendohemi

   me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit

   ëmbëlsisht himnet.

 

   Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,

   me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi

   n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku

   jetën e lume.

 

   E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume

   e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit

   të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,

   o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;

   prano premtimet e shërbëtorëve tu

   të përgjërohemi.

 

   Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë

   me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat

   e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha

   dëbo nga zemrat.

 

   Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,

   këputi prangat, laj papastërtitë,

   ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde

   ngre të rrëzuarit.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,

   dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,

   me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt

   nëpër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

   Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi

 

   Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).

 

   I (2-12)

 

O Zot, dëgjoje lutjen time *

   e britma ime le të mbërrijë tek ti.

 

Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *

   në ditën time të vështirë,

prire veshin tënd drejt meje: *

   kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!

 

Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *

   e eshtrat e mia po digjen si zjarri.

Zemra po më thahet si bari i kositur *

   e po harroj të ha edhe bukën time.

 

Prej gjëmave të mia të mëdha *

   u bëra asht e lëkurë.

U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *

   u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.

 

Rri zgjuar e rënkoj *

   porsi trumcaku qyqe vetëm mbi pullaz.

Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *

   kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.

 

Ha hi porsi bukë, *

   e pijen time e përziej me lot.

Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *

   sepse më lartësove e më mposhte.

 

Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *

   e unë u thava porsi bari.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.

 

   II (13-23)

 

Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *

   prej breznie në brezni Emri yt.

 

Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †

   ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *

   - shi tani është koha!

 

Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *

   e u dhembet edhe pluhuri i tij.

 

Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *

   të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.

Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *

   u dëftua në lavdinë e vet.

 

E mori parasysh lutjen e të vobektëve *

   dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.

Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *

   dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.

 

Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *

   nga qielli ai vrojton mbi tokë,

për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *

   për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,

 

që në Sion të shpallet Emri i Zotit *

   e lavdia e tij në Jerusalem,

kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *

   për t’u vënë në shërbimin e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.

 

   III (24-29)

 

Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *

   ditët m’i shkurtove.

 

Do të them: »Hyji im, †

   mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *

   vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.

 

Qysh në fillim themelove Tokën *

   edhe qielli është latim i duarve të tua.

 

Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †

   gjithçka do të vjetrohet si petku. *

   Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,

 

kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *

   - vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.

Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *

   pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.

 

   D Populli im, vërja veshin mësimit tim,

   C dëgjoji fjalët e gojës sime.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve 4, 1-18

 

   Shenjtëria e jetës dhe shpresa e ringjalljes.

 

   Vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t'i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër.

   Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus. Vullneti i Hyjit është ky: shenjtërimi juaj ‑ të ruheni nga fëlligështia që secili të dijë të jetojë me gruan e vet në shenjtëri e me nder dhe jo në prirje të prujta porsi paganët që nuk e njohin Hyjin e në këtë gjë mos t'i mohohet e drejta vëllait as mos të gënjehet, sepse Zoti është hakmarrës për të gjitha këto, sikurse ju kemi thënë më parë dhe jua kemi dëshmuar. Jo po, Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri. Prandaj, kush i përbuz këto urdhërime, nuk përbuz një njeri çfarëdo, por vetë Hyjin që ju jep Shpirtin Shenjt të vetin.

   Lidhur me dashurinë vëllazërore nuk është nevoja t'ju shkruaj sepse vetë Hyji ju ka mësuar ta doni njëri‑tjetrin. Këtë ju e bëni, vërtet, kundrejt të gjithë vëllezërve që janë në mbarë Maqedoninë; porse, vëllezër, ju nxisim që në këtë gjë të përparoni gjithherë e më tepër, të kujdeseni të jetoni në paqe; të këqyrni punët tuaja dhe të punoni me duar tuaja, sikurse ju kemi urdhëruar, që të jetoni me nder kundrejt atyre që nuk janë në fe dhe të mos keni nevojën e ndokujt.

   Nuk duam, o vëllezër t'ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t'i marrë në lumturi.

   Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në Ditën e Ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti ‑ kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit ‑ do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri‑tjetrin me këto fjalë!

 

   Përgjigjja Krh. 1 Sel 4, 16; Mk 13, 27; Mt 24, 31

 

   C Vetë Zoti, kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, do të zbresë nga qielli, * e do t’i bashkojë të zgjedhurit prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.

   D Kur të vijë Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet me bori të madhe,

   C e do t’i bashkojë të zgjedhurit prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.

 

   Leximi i dytë

 

Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv

(Lib. III, 19, 1. 3-20, 1; SC 34, 332. 336-338)

 

   Frytet e para të ringjalljes së Krishtit.

 

   Fjala e Hyjit u bë njeri dhe Biri i Hyjit u bë bir i njeriut me qëllim që njeriu, duke u bashkuar me Fjalën e duke e pranuar adoptimin, të bëhet bir i Hyjit.

   Njëmend, në asnjë mënyrë tjetër s'kishim mundësi ta fitojmë pashkatërrueshmërinë dhe pavdekësinë, përveç me bashkimin tonë me pashkatërrueshmërinë dhe me pavdekësinë. E si mund të bashkoheshim me pashkatërrueshmërinë e me pavdekësinë në mos të bëheshin më parë pashkatërrueshmëria dhe pavdekësia ajo çka jemi ne, që çka ishte e shkatërrueshme të përpihej prej pashkatërrueshmërisë, çka ishte e vdekshme prej pavdekësisë, e ne të mund ta fitonim adoptimin si bij?

   Biri i Hyjit e Zoti ynë është Fjala e Atit dhe Biri i njeriut, meqë lindi si njeri prej Marisë, e cila i përkiste gjinisë njerëzore dhe ishte ajo vetë krijesë njerëzore. Prandaj, vetë Zoti na dha një shenjë në thellësitë e tokës dhe në lartësitë e qiellit, një shenjë që njeriu s'kishte kërkuar, pasi ai kurrë s'kishte pasur shpresë që një virgjër të mund të bëhej nënë, duke lindur një foshnjë e duke mbetur megjithatë virgjër. Kurrë s'do të mund të parafytyronte se ky fëmijë të ishte “Hyji me ne” (krh. Is 7, 10-17) dhe të zbriste në thellësitë e tokës në kërkim të deles së humbur, sepse ishte krijesë e tij. Askush s'do të mund të mendonte se, duke u ngritur në qiell për t'ia dhuruar e për t'ia porositur Atit njeriun që u gjet, ai do të bëhej fryti i parë i ringjalljes së njeriut. E sikurse Kryet u ngjall prej të vdekurve, po ashtu do të ngjallet tërë trupi, domethënë çdo njeri që do të gjendet në jetë pasi ta ketë përmbushur kohën e dënimit që i takonte për shkak të padëgjesës së tij.

   Trupi merr bashkim dhe njësi me anë të lidhjeve që e ushqejnë dhe e lëvizin sipas funksionit dhe vendosjes të çdo gjymtyre.

   Në shtëpinë e Hyjit janë shumë vende sepse shumë janë edhe gjymtyrët e trupit. Pra, Hyji qe bujar, i cili, pas rënies së njeriut, e paralajmëroi atë fitore që do të korrej në saje të Fjalës. Pasi pushteti ngadhënjente në dobësi, Fjala tregonte mirësinë dhe pushtetin e mrekullueshëm të Hyjit.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 20-22

 

   C Krishti u ngjall prej të vdekurve. Ai është fryti i parë i të vdekurve. * Sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.

   D Nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri.

   C Sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt dhe t’i duam të gjithë njerëzit me dashurinë e Krishtit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.