Shërbesa e leximeve

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijues i sendeve, ripërtritës jete,

   Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,

   ti lutjet tona e lavdërimet baras

   pranoji i ëmbël.

 

   Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet

   me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme

   e ne ringjall me harmoni t’përjetshme

   o autor i dritës.

 

   Na jep ne ditë me mirësi të mbara

   duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,

   që t’jetë përherë paprerë me vepra tona

   lavdia jote.

 

   Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet

   me zjarr hynor edhe na bëj syhapët,

   që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona

   llambat e ndezura.

 

   Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,

   dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,

   e në mbarë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt, Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,

   gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,

   që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja

   na ke shëlbuar.

 

   Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi

   ndër mendje tona, dhe besimit ktheji

   ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore

   kënaqësinë shtoja.

 

   Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,

   që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,

   na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar

   prej Selisë tënde.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,

   dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,

   me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë

   sundon ndër shekuj. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

   Psalmi 103 /102/ Himn mëshirës së Zotit

 

   Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë, na doli në pasi prej qiellit Dielli (Krh. Lk 1, 78).

 

   I (1-7)

 

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   e mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *

   Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit, *

   ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

 

me të mira t’i mbush vitet e tua: *

   do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.

 

Zoti bën veç vepra të mira, *

   u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *

   bijve të Izraelit veprat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

 

   II (8-16)

 

Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *

   i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë *

   as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

 

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *

   as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *

   aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.

 

Sa është lindja larg perëndimit *

   aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *

   ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *

   s’e harron se ne jemi pluhur.

Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *

   porsi lulja e fushës lulëzon,

 

sa e prek era e më s’është, *

   më s’e kujton as vendi i vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   III (17-22)

 

Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *

   e në amshim mbi ata që e druajnë

 

dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †

   mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *

   dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

 

Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *

   mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

 

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †

   ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *

   duke i dëgjuar urdhrat e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tij, *

   shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †

   në çdo vend të sundimit të tij! *

   Shpirti im, bekoje Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   D Bëj që t’i kuptoj mësimet e tua:

   C do t’i meditoj mrekullitë e tua, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve 5, 1-28

 

   Stili i jetës së bijve të dritës.

 

   Për sa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t'ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç'paqe dhe ç'siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.

   Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t'ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Sepse ata që flenë, flejnë natën dhe ata që dehen, dehen natën, ndërsa ne që jemi të ditës, të jemi të përkormë, të veshim për pancir fenë dhe dashurinë, kurse për përkrenare që na shpëton ta vëmë shpresën! Sepse Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që ‑ ende të gjallë ose të vdekur ‑ të jetojmë bashkë me Të. Prandaj, ngushëlloni njëri‑tjetrin, ndërtoni njëri‑tjetrin, ashtu siç jeni duke bërë.

   Ju bëjmë lutje, vëllezër, dëgjoni ata që veprojnë ndër ju, që kujdesen për ju në Zotin dhe që ju qortojnë; çmoni dhe nderoni me dashuri për arsye të veprimtarisë që kryejnë ndër ju!

   Jetoni në paqe me shoqi‑shoqin! Ju nxisim, vëllezër, t'i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepuni zemër frikacakëve, ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë! Vërjani mendjen që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt!

   Gëzohuni gjithmonë!

   Lutuni pa pushim!

   Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin!

   Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju!

   Profecitë mos i përbuzni!

   Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën!

   Çdo lloji të keqeje rrini larg!

   Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj ‑ shpirti, jeta dhe trupi ‑ ju ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu!

   Lutuni edhe për ne, o vëllezër!

   Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë!

   Ju përbetoj me Zotin: kjo letër le t'ju lexohet të gjithë vëllezërve.

   Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju!

 

   Përgjigjja Krh. 1 Sel 5, 9. 10; Kol 1, 13

 

   C Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin: * Ai vdiq për ne që të jetojmë bashkë me të.

   D Hyji na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur:

   C Ai vdiq për ne që të jetojmë bashkë me të.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Kapitujt mbi përsosmërinë shpirtërore” të Diadokut nga Fotice, ipeshkëv

   (Kap. 6. 26. 27. 30; PG 65, 1169. 1175-1176)

 

   Aftësia e dallimit të shpirtrave fitohet me anë të urtisë.

 

   Drita e urtisë së vërtetë bën që të dallohet e mira nga e keqja pa gabuar. Kur të ndodhë kjo, atëherë udha e drejtësisë e çon mendjen tek Hyji, diell drejtësie, dhe e drejton kah shkëlqimi i amshuar i shkencës këtë mendje që plot besim e kërkon dashurinë. Është e domosdoshme që ata që luftojnë të mundohen ta mbajnë zemrën të lirë prej shqetësimeve të brendshme, që mendja, duke i dalluar mendimet që i shfaqen, të mund t'i ruajë në shenjtëroren e kujtesës ato që janë të mira dhe të dërguara prej Hyjit, e përkundrazi t'i dëbojë ato që janë të këqija dhe të shkaktuara prej djallit. Edhe deti, kur është krejt i qetë, u lejon peshkatarëve që ta shqyrtojnë deri në fund, kështu që peshqit s'mund të ikin prej vështrimit të tyre. Por kur erërat e pështjellojnë, me valë të turbullta e fsheh atë që në qetësi e tregon qartas, e kështu mbetet pa fryt gjithë ajo dinakëri që përdorin peshkatarët për t'i zënë peshqit.

   Tash, vetëm Shpirtit Shenjt i përket detyra e pastrimit të mendjeve: vërtet, nëse nuk hyn ky trim për ta mposhtur vjedhësin, plaçka s'do të mund t'i hiqet. Pra, është e nevojshme që ne, me shpirt të qetë, ta përkrahim veprimin e Shpirtit Shenjt, domethënë që ta mbajmë në vetvete gjithmonë të ndezur llambën e largpamësisë, meqë ndërsa ajo shndrit në fshehtësinë e mendjes, jo vetëm se ato sulme të rrezikshme dhe të errëta të djajve zbulohen, por edhe thyhen, pasi goditen prej asaj drite të shenjtë e të lavdishme.

   Për këtë arsye Apostulli porositi: “Mos e shuani Shpirtin Shenjt” (krh. 1 Sel 5, 19), domethënë mos e pikëlloni Shpirtin Shenjt për shkak të djallëzisë suaj ose të mendimeve të këqija, që ai të mos pushojë t'ju mbrojë me shkëlqimin e tij hyjnor. Faktikisht, nuk është e mundur që të shuhet ajo flakë e amshuar dhe jetëbërëse që është Shpirti Shenjt, por mund të ndodhë që pikëllimi i tij, domethënë neveritja ndaj nesh, ta shtrëngojë ta lërë shpirtin tonë pa dritën e njohjes dhe krejt të mbështjellë nga errësira. Aftësia e mendjes për të shquar është urtia e përkryer me anë të së cilës gjykohet gjithçka. Kur organizmi është i shëndoshtë, me shqisën e shijes ne dimë të dallojmë çka na bën dobi prej asaj që na bën dëm, e kërkojmë atë çka na pëlqen.

   Po ashtu është edhe mendja jonë, kur gjendet në drejtpeshim të përsosur. Edhe mes shqetësimeve, është e aftë ta gëzojë plotësisht ngushëllimin hyjnor. Madje, mund ta mbajë për kohë të gjatë kujtimin e ëmbëlsisë së tij me anë të ushtrimit të dashurisë, e cila kërkon t'i arrijë të mirat gjithmonë më të larta, siç thotë Apostulli: “Ja për çka ju lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë” (Fil 1, 9-10).

 

   Përgjigjja Krh. Tob 4, 19; 14, 8

 

   C Në çdo kohë bekoje Zotin e kërko prej tij t'i drejtojë udhët e tua, * që synimet e tua të përkojnë me të tijat.

   D Shërbeji Hyjit në të vërtetën dhe bëj para tij çka atij i pëlqen,

   C që synimet e tua të përkojnë me të tijat.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt dhe t’i duam të gjithë njerëzit me dashurinë e Krishtit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.