Shërbesa e leximeve

5 shkurt, Shën Agata, virgjër dhe martire, PËRKUJTIM

 

E pësoi martirizimin në Catania, sipas gjasës gjatë salvimit të Decios. Kulti i saj u përhap që prej kohëve të lashta në mbarë Kishën dhe emri i saj qe shkruar në Kanun Romak.

 

   Nga Përbashkorja e martirëve ose e virgjrave me psalmet e ditës në psalter.

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, lule e luginave,

   Ty të madhërojmë me lavde,

   që këtë virgjër stolise

   edhe me palmë të martirit.

 

   Kjo e urtë, e fortë, e mendshme,

   pa frikë e dëshmoi besën,

   për ty mundime të tmerrshme

   hoqi pa iu trembur syri.

 

   Përbuzë princin e botës,

   pajisë me dhuntinë tënde,

   e lindur në luftë të përgjakshme,

   mori çmime t’amshueshme.

 

   Shëlbues i drejtë, për hir t’asaj

   në shoqëri me atë edhe ne pranona,

   që ne me mend të pastër

   frytet e gjakut tënd të gëzojmë.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që linde nga Nëna Virgjër,

   me Atin dhe me Shpirtin

   Jetëdhënës në amshim. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim: por ai që do të jetë besnik deri në fund, do të shëlbohet.

 

   Psalmi 2 (1-12)

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

 

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Ant. 1 Do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim: por ai që do të jetë besnik deri në fund, do të shëlbohet.

 

Ant. 2 Vuajtjet e tashme nuk mund të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.

 

   Psalmi 11 /10/ (1-7)

 

Jam ndore të Zotit!

   Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *

   »Fluturo si shpend në mal!

Ja, keqbërësit harkun e shtrënguan, †

   mbi kordë shigjetën vendosën *

   për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.

 

Kur themelet janë të luhatura, *

   çfarë mund të bëjë i drejti?«

 

Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *

   Zoti fronin e ka në qiell.

 

Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *

   qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.

Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *

   ai e urren atë që e do paudhësinë.

 

Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *

   zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.

 

Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *

   të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.

 

Ant. 2 Vuajtjet e tashme nuk mund të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.

 

Ant. 3 Zoti e provoi, si arin në flakë; i pëlqeu si fli shkrumbimi.

 

   Psalmi 17 /16/ (1-15)

 

Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, *

   vështroje lutjen time,

Vëri vesh lutjes sime *

   që del nga buzët joshtiracake.

 

Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, *

   sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.

Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, *

   më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.

 

Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, *

   në saje të fjalëve të buzëve të tua

   iu shmanga udhës së mujsharit.

Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, *

   që këmbët të mos më marrakoten.

 

Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro, *

   ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,

 

madhëroje mbi mua dashurinë tënde, †

   ti që i shpëton nga armiku *

   ata që shpresojnë në të djathtën tënde.

 

Më ruaj porsi bebëzën e syrit, *

   më fsheh nën hijen e krahëve të tu,

prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. *

   Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah.

 

Nga zemra e padhimbshme *

   goja u flet kreni.

Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë *

   m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë.

 

Të ngjashëm me luanin e gatshëm për pre, *

   më zogun e luanit që rri gati në pritë.

 

Ngrihu, o Zot, deli para, përplase përdhé, *

   me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit!

Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, *

   prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jetë.

 

Mbushua, ani, me të mirat e tua barkun, †

   le të ngopen edhe fëmijët e tyre *

   e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre!

 

E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, *

   e një ditë, kur të zgjohem,

   do të kënaqem me praninë tënde.

 

Ant. 3 Zoti e provoi, si arin në flakë; i pëlqeu si fli shkrumbimi.

 

   D Më kaplojnë ankthi dhe tmerri,

   C por fjala jote është ndihma ime.

 

   Leximi i parë 1 Kor 7,7 -5,8

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 7 - 5, 8

 

   Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin

 

   Vëllezër, ne e mbartim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh. Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar, të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej‑këndej po, por jo të rrëzuar, gjithmonë i mbarim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta. E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, sikurse është në Shkrim shenjt: 'Besova, prandaj edhe fola', edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri ‑ i shumëzuar ‑ të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

   Prandaj, nuk e humbim guximin, por, edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita‑ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme.

   Sepse e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut. Ne në këtë banesë dënesim e dëshirojmë përmbi të ta veshim banesën tonë qiellore, merret vesh, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur. Sepse ne që gjendemi në këtë tendë dënesim porsi nën barrë të rëndë meqë nuk dëshirojmë të zhvishemi, por të vishemi mbi të me një tjetër që kështu jeta ta përpijë atë që është e vdekshme. E Ai që na krijoi për këtë qëllim është Hyji, i cili na dha kaparin ‑ Shpirtin Shenjt.

   Kështu, pra, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 5, 11. 12a. 10

 

   C Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë për shkak timin. * Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell.

   D Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon: sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

   C Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjërata mbi shën Agatën” e sh. Metodit Sikul, ipeshkëv.

   (Anal. Boll. 68, 76-78)

 

   E dhuruar prej Hyjit, burimit të mirësisë

 

   Përkujtimi vjetor i shën Agatës na ka mbledhur këtu që ta nderojmë një martire e cila është e lashtë, por edhe e sotme. Njëmend, duket se edhe sot ajo korr fitore sepse për çdo ditë në një farë mënyre kurorëzohet dhe stoliset me shprehje të hirit hyjnor.

   Shën Agata lindi prej Fjalës së Hyjit të pavdekshëm dhe prej të vetmit Bir të tij, i cili vdiq për ne si njeri. Thotë sh. Gjoni: “Atyre që e pranuan u dha zotësi të bëhen bij të Hyjit” (Gjn 1, 12). Agata, shenjta jonë, që na ka ftuar te sofra shpirtërore, është nusja e Krishtit. Është virgjëra që i skuqi buzët e veta me gjakun e Qengjit dhe e ushqeu shpirtin e vet me meditimin mbi vdekjen e të dashurit të vet hyjnor.

   Stola e shenjtës e ka ngjyrën e gjakut të Krishtit, por edhe atë të virgjërisë. E kështu dëshmimi i shën Agatës bëhet pafundësisht domethënës për të gjitha breznitë e ardhshme.

   Shën Agata është përnjëmend e mirë sepse, duke qenë e Hyjit, rri ngjat Fatit të vet për të na bërë pjesëmarrës në atë të mirë, vlera e domethënia e së cilës gjenden në emrin e saj: Agata (d.m.th. e mirë) që na është dhuruar neve prej vetë burimit të mirësisë, Hyjit. Dhe pra, çka mund të bëjë më mirë se më e madhja e mirë? E kush mund ta gjejë ndonjë send më të denjë për t'u kremtuar me lavde sesa e mira? Tashti, Agata do të thotë “e mirë”. Mirësia e saj fort mirë përkon me emrin dhe me realitetin. Agata, për veprat e saj të madhërueshme mban një emër të lavdishëm dhe me vetë emrin na i tregon veprat e madhërueshme që kreu. Agata na tërheq me vetë emrin e saj, që të gjithë me gjithë qejf t'i dalim përpara, dhe na mëson me shembullin e vet, me qëllim që të gjithë, pa pushim, të maten me njëri-tjetrin për ta fituar të mirën e vërtetë: vetëm Hyjin.

 

   Përgjigjja

 

   C Me ndihmën e Zotit do të qëndroj në dëshminë e fesë: * Ai më ka shëlbuar dhe më jep forcë.

   D Hyji i çdo shenjtërie më ka dashur, si virgjër të pacenuar më ka shuguruar.

   C Ai më ka shëlbuar dhe më jep forcë.

 

   Lutja

 

   Na nxjerrtë, o Zot, faljen e mëkateve tona ndërmjetësia e shën Agatës, virgjër e martire; që shkëlqen në Kishën qoftë për qëndresën në martirizim qoftë me virgjërinë e pacenuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.