Shërbesa e leximeve

6 shkurt, Shën Pal Miki dhe shokët, martirë

 

Pali lindi në Japoni në mes të viteve 1564 dhe 1566. Pasi hyri në Shoqërinë e Jezusit, ua predikoi Ungjillin me fryte të mëdha bashkatdhetarëve të tij. Në kohën kur përndjekja kundrejt katolikëve ishte duke u bërë përherë e më e tmerrshme, u kap bashkë me njëzet e pesë shokë të tjerë. Pasi vuajti keqtrajtime të ashpra, i çuan në Nagasaki, ku edhe i kryqëzuan më 5 shkurt 1597.

 

   Nga Përbashkorja e martirëve me psalmet e ditës në psalter.

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      Mbret plot lavdi i martirëve,

      kurora e dëshmitarëve,

      nga që s’i pranuan tokësorët

      i çove ndër qiellorët.

 

      Fill veshin tënd mirëdashës

      zërave tona drejtoiau;

      këndojmë trofetë e shenjta,

      mos na i shiko gabimet.

 

      Ti ngadhënjen ndër martirët,

      duke kursyer dëshmuesit,

      hidhi poshtë fajet tona,

      duke dhuruar ndjesën.

 

      Na ruaj, Atë mëshirëplotë,

      dhe, o Bir, baras me Atin,

      bashkë me Shpirtin Ngushëllues,

      që në amshim mbretëroni. Amen

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.

 

   Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton

 

   O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).

 

   I (2-9)

 

Vështroje, O Hyj, lutjen time, †

   mos u fsheh para uratës sime, *

   më prano e më vështro,

 

se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *

   prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.

 

Hedhin mbi mua paudhësi, *

   më sulmojnë me tërbim.

Dridhet zemra ime në mua, *

   më përshkoi tmerri i vdekjes.

 

Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *

   më mbuloi një rrëqethje e rëndë.

Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *

   për të fluturuar e për të gjetur pushim?

 

Larg, larg do të fluturoja, *

   në shkretëtirë do të banoja.

Do ta prisja atë që më shpëton *

   nga furia e erës dhe e stuhisë.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

   II (10-15)

 

Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *

   sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

 

Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †

   në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *

   nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.

 

Sepse po të më shante armiku, *

   disi do të duroja,

të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *

   disi do të fshihesha para tij,

 

por qe ti, o njeri, shoku im, *

   miku im, i njohuri im,

me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *

   bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   III (17-24)

 

Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *

   Zoti do të më japë shpëtim.

Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë

   do të dënes i trishtuar *

   e ai do të ma dëgjojë zërin.

 

Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †

   prej atyre që më sulmojnë: *

   sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *

   Ai që është para të gjitha jetëve.

 

Për ata kthim nuk ka *

   e Hyjin s’e druan!

Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *

   shkel e thyen besën e dhënë.

 

Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *

   zemrën e kanë të gatshme për luftim,

fjalët i kanë më të buta se vaji, *

   e ata - shpatë të nxjerra nga milli!

 

Lëshoja kujdesin tënd Zotit †

   e Ai do të të japë fuqi: *

   kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *

   plandosi në gropën e varrit

që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *

   Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.

   C vëri veshin mësimeve të mia.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve 2, 1-17

 

   Dita e Zotit.

 

   Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit! Mos lejoni t'ju gënjejë kush në asnjë mënyrë! Sepse njëherë duhet të ndodhë rënia nga feja (apostazia) dhe të shfaqet Njeriu i fajit, biri i Bjerrjes, Kundërshtari ai që e ngrit veten kundër çdo qenieje që quhet Hyj dhe gjë e shenjtë, sa që ta vërë veten edhe në Tempull të Hyjit, duke e paraqitur veten për Hyj.

   Po a nuk ju bie ndër mend se kur isha ndër ju, jua thosha këtë gjë? Tani e dini çka e ndalon që të shfaqet vetëm në kohën e vet. Vërtet, misteri i paudhësisë është tashmë në veprim, por është diçka që e ndalon deri të jetë hequr nga mesi. Atëherë do të shfaqet i Paudhi, të cilin Zoti [Jezus] do ta mbysë me frymën e gojës së vet dhe do ta zhbijë me shkëlqimin e Ardhjes së vet të dukshme. I Paudhi do të vijë me pushtetin e Satanit dhe do të bëjë gjithfarë mrekullish, shenjash dhe çudish të rrejshme. Ai me ngashënjime të padrejta do t'i gënjejë ata që birren për arsye se nuk e pranuan dashurinë e të vërtetës që i kishte shëlbuar. Prandaj edhe Hyji ua dërgon një fuqi që i bën të gabojnë e t'i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan të së vërtetës, por përqafuan padrejtësinë.

   Kurse neve na duhet t'i falënderohemi gjithmonë Hyjit për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, sepse Hyji ju zgjodhi qysh prej fillimit për shëlbim që fitohet me anë të veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt dhe të fesë së vërtetë, në të cilën ju grishi me anë të Ungjillit tonë ‑ që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

   Prandaj, o vëllezër, jini të qëndrueshëm dhe mbani porositë që i morët prej nesh qoftë me anë të fjalës qoftë me anë të Letrës sonë.

   Dhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 24, 30; 2Sel 2, 8

 

   C Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut, * dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe.

   D Atëherë do të shfaqet i Paudhi, të cilin Zoti Jezus do ta mbysë me frymën e gojës së vet,

   C dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga Letrat e shën Pjetrit Batista

      (ditët 4 jan. e 2 shk.1597, në A.I.A. 1916, ff 303-309)

 

      E humbim jetën tonë për shpalljen e Ungjillit

 

      Prej françeskanëve që gjenden këtu, gjashtë qemë kapur dhe mbajtur në burg për shumë ditë. I njëjti fat ju takoi shtatëmbëdhjetë terciarëve tanë japonezë, një prifti prej Shoqatës së Jezusit (japonezit Pal Miki) e dy katekistëve të tij.

      Tash jemi në udhëtim në këta muaj të ftohtë të dimrit; na përcjellin me kuaj nën mbikëqyrje kaq të rreptë sa që në disa ditë iu desh t'i vendosnin më shumë se dyqind ushtarë për të na ruajtur. Megjithatë, plot ngushëllim dhe gëzim në Zotin, shkojmë përpara, sepse në dënim që dhanë kundër nesh thanë se do të kryqëzohemi për shkak të shpalljes së Ungjillit; të tjerët sepse janë ndjekës të Ungjillit.

      Për ata që dëshirojnë të vdesin për Krishtin, tash paraqitet një rast i bukur. Jam i bindur se besimtarët e këtij vendi do të ndiheshin shumë të përforcuar po të ishin këtu rregulltarë të Urdhrit tonë; por jemi të sigurt se, përderisa në Japoni pushtetin do ta ketë ky mbret, nuk do të mund ta mbanin zhgunin tonë për kohë të gjatë, sepse shpejt do t'i vriste, sikurse tash po bën me ne.

      Dënimi me vdekje që u vendos kundër nesh është shkruar mbi një dërrasë e cila na paraprin në udhëtimin tonë.

      Ta vazhdojmë tregimin: në një farë momenti, na nxorën nga burgu e na bënë të hipnim në karroca. Pasi na prenë një copë prej veshit, na çuan nëpër rrugët e Meakos, të përcjellë prej shumë njerëzve dhe ushtarëve. Pastaj, përsëri na çuan në burg.

      Të nesërmen, me duar të lidhura pas shpinës, me kalë na përcollën në Ozaka e na sollën nëpër këtë qytet dhe qytete të tjera. Kurrë nuk mungonte tellalli i endjes sonë; ai gjithmonë na paraprinte.

     E dinim se ishim dënuar me vdekje, por vetëm në Ozaka na njoftuan se po drejtoheshim kah Nagazaki për të qenë kryqëzuar atje. Dashuria juaj na porosittë tek Zoti, që flijimi ynë t'i pëlqejë.

      Me sa dëgjova, kemi për ta pësuar martirizimin tonë të premten e ardhshme; sepse pikërisht në një të premte na prenë një copë vesh në Meako: ne e pranuam këtë gjë si dhuratë prej Hyjit. Për këtë arsye, ne të gjithë ju porosisim me afsh që të luteni për ne dhe për qëndresën tonë të shenjtë.

      Vëllezër fort të dashur, na ndihmoni me lutjet tuaja që vdekja jonë t'i dalë e pëlqyeshme Madhështisë hyjnore.

      Në qiell, ku në dashtë Zoti shpresojmë të mbërrijmë, do të na bjerë ndër mend për ju; por edhe këtu nuk e kam harruar dashurinë tuaj: me gjithë zemër ju kam dashur dhe ju dua. Paqja dhe dashuria e Zotit tonë Jezu Krishtit qofshin me ju të gjithë.

      Po ju përshëndes, vëllezër fort të dashur. Tashmë nuk mbet kohë për të folur. Mirë u pafshim në qiell. Le t'ju bjerë ndër mend për mua e për ne të gjithë.

 

      Përgjigjja Krh. Gal 6, 14; Fil 1, 29

 

      C Kurrë nuk do të mburremi me tjetër send përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Ai është shëlbimi, jeta dhe ringjallja jonë: * me anë të tij qemë shëlbuar dhe liruar.

      D Juve ju qe dhënë hiri jo vetëm të besoni në Të, por edhe të pësoni për Të,

      C me anë të tij qemë shëlbuar dhe liruar.

 

      Lutja

 

      O Hyj, fuqia e të gjithë shenjtërve, ti e grishe shën Palin me shokët e tij nëpër vdekje në kryq të hyjnë në jetën e pasosur: bëj ta ruajmë me guxim deri në vdekje si ata fenë që dëshmojmë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.