Shërbesa e leximeve

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,

   ditë që s’mbaron kurrë,

   ngadhënjyese mbi natë t’errët

   ripërtëritëse e ndriçimit,

   shkatërruese e errësirës,

   shkëlqimtare e mendjeve.

 

   Kur lind ajo, ringjallemi,

   kur na thërret, shpejt ngrihemi,

   kur del, na bën të lumtur

   kur na lë, jemi të mjeruar,

   kur nga vdekja liruar,

   ne jemi të qartë si drita;

 

   kur dalë fitues mbi vdekjen,

   përmbi natën dhe mbi shekullin;

   prandaj, o Mbret i amshuar,

   dhurona neve dritën,

   që nga asnjë natë s’errësohet,

   veç me ndriçim kënaqet.

 

   Atit dhe Ty nderimi,

   dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,

   Hyjit në tre vetë por një të vetmit,

   paqes, jetës, ndriçimit,

   mbi të gjithë emrit t’ëmbël,

   dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hy që s’vjen nga askush,

   o Hy që rrjedh prej Hyjit,

   Hy që buron prej këtyre,

   ndër ne eja përkrahës.

 

   Ti je dëshira jonë,

   ti qofsh dashuria e gëzimi:

   në ty lakmimi ynë

   e në ty qoftë kënaqësia.

 

   O Atë, sunduesi i të gjithëve,

   me të Lindurin nga Virgjëra,

   brenda dhe rreth e rrotull

   me Shpirtin Shenjt sundona.

 

   Kujto, Shenjtja Trini,

   ç’ndërtoi mirësia jote,

   njeriun më parë krijove,

   me anë të gjakut e rimëkëmbe.

 

   Se ata që ka krijuar Njënia,

   shpërbleu dashuria e Krishtit

   atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,

   tash na duaj ne duke na zgjedhur.

 

   Trinisë së Shenjtë gëzimi,

   paqja, virtyti dhe sundimi,

   pushteti i plotë e dinjiteti,

   lavdi, nderi e nderimi. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

   Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«

 

   Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë

   C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve 3, 1-18

 

   Nxitjet dhe këshillat.

 

   Vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij; sepse të gjithë nuk kanë fe!

   Por Hyji është besnik dhe Ai do t'ju forcojë dhe do t'ju ruajë nga i Keqi.

   Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t'i zbatoni. Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit!

   Juve, o vëllezër, ju urdhërojmë në Emër të Jezu Krishtit Zot, të rrini larg nga çdo vëlla që jeton në përtaci, jo sipas porosisë që morët prej nesh. Sepse ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull ‑ që të na përngjani. Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve ju urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë!

   Dhe ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira! Në qoftë se ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni dhe mos u shoqëroni me të që të turpërohet, por mos e mbani për armik dhe këshillojeni si vëllain.

   Dhe vetë Zoti që jep paqen, gjithmonë dhe në çdo mënyrë jua dhëntë paqen. Zoti qoftë me ju të gjithë!

   Përshëndetje me dorën time ‑ të Palit.

   Kështu shënoj çdo letër: unë kështu shkruaj.

   Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!

 

   Përgjigjja Krh. 1 Sel 2, 13; Ef 1, 13

 

   C Ju e morët fjalën e Hyjit, * jo porsi fjalë njerëzish, por shi ashtu si në të vërtetë është, porsi fjalën e Hyjit.

   D E dëgjuat fjalën e së vërtetës, Ungjillin e shëlbimit tuaj:

   C jo porsi fjalë njerëzish, por shi ashtu si në të vërtetë është, porsi fjalën e Hyjit.

 

   Leximi i dytë

 

Nga Kushtetuta “Gaudium et spes” e Koncilit ekumenik Vatikanas II mbi Kishën në botën e sotme. (Nr. 35-36)

 

   Veprimtaria njerëzore.

 

   Veprimtaria njerëzore, sikurse rrjedh prej njeriut, kështu edhe i drejtohet njeriut. Vërtet, kur njeriu punon, jo vetëm se i ndryshon gjërat dhe shoqërinë, por edhe e përkryen vetveten. Mëson shumë gjëra, i zhvillon aftësitë e veta, nxitet të dalë nga vetja dhe ta tejkalojë vetveten. Kjo rritje, nëse kuptohet mirë, vlen më shumë se pasuritë e jashtme që mund të fitohen. Njeriu vlen më tepër për çka është se për çka ka.

   Po ashtu, gjithçka që të kryejnë njerëzit me qëllim që ta arrijnë një drejtësi më të madhe, një shpirt vëllazërie më të hapur dhe një rend më njerëzor në marrëdhëniet shoqërore, vlen më tepër se sa përparimet në fushën teknike. Pasi këto mund të na japin, në një farë mënyrë, elementet për përparimin njerëzor, por, vetiu, në asnjë mënyrë nuk mund ta realizojnë.

   Ja, pra, cila është rregulla e veprimtarisë njerëzore. Sipas synimit të Hyjit dhe vullnetit të tij, veprimtaria e njeriut duhet të përkojë me të mirën e vërtetë të njerëzimit, dhe t'u japë mundësi njerëzve, qoftë si individë qoftë si anëtarë të shoqërisë, që ta kultivojnë e ta realizojnë krejt thirrjen e tyre.

   Megjithatë, duket se shumë bashkëkohës tanë kanë frikë se, po të bëhen tepër të ngushta lidhjet mes veprimtarisë njerëzore e fesë, të mund të pengohet autonomia e njerëzve, e shoqërive, e shkencave. Tash, nëse bëhet fjalë për autonominë e realitetit tokësor, merret vesh se sendet e krijuara dhe vetë shoqëritë i kanë ligjet dhe vlerat e veta, të cilat njeriu duhet t'i zbulojë shkallë-shkallë, t'i përdorë e t'i renditë, atëherë porosia është e ligjshme e jo vetëm se kërkohet prej njerëzve të kohës sonë, por edhe përkon me vullnetin e Krijuesit. Pikërisht duke qenë në gjendje krijese të gjitha sendet e gjejnë ekzistencën e vet, të vërtetën e vet, mirësinë e vet, ligjet e veta dhe rregullin e vet; e të gjitha këto njeriu duhet t'i respektojë, duke i pranuar kërkesat e metodës të çdo shkence ose arti. Pra, nëse kërkesa metodike e çdo fushe përparon në mënyrë vërtet shkencore dhe sipas rregullave morale, kurrë nuk do të gjendet në kundërshtim të vërtetë me fenë, pasi realitetet profane dhe realitetet e fesë e kanë origjinën e vet në të njëjtin Hyj. Për më tepër, kush përpiqet me përvujtëri dhe qëndresë për t'i shqyrtuar sekretet e realitetit, edhe në mënyrë pothuajse të pavetëdijshme udhëhiqet prej dorës së Hyjit, i cili, duke i mbajtur në ekzistencë të gjitha sendet, bën që të jenë çka janë. Tash le t’na lejohet t’i qortojmë disa qëndrime mendore që ndonjë herë nuk mungojnë as ndër të krishterët. Disa, pasi nuk e kuptuan mjaft mirë autonominë e drejtë të shkencës, shkaktojnë grindje dhe rragatje dhe u sjellin dëm shumë njerëzve, duke ua mbushur mendjen se shkenca e feja janë në kundërshtim mes tyre.

   Por, në qoftë se me shprehjen “autonomi e realiteteve profane”merret vesh se sendet e krijuara nuk varen prej Hyjit, se njeriu mund t'i përdorë pa lidhje me Krijuesin, atëherë të gjithë ata që besojnë në Hyjin e ndiejnë se sa të gabuara janë mendime të tilla. Faktikisht, pa Krijuesin krijesa asgjësohet.

 

   Përgjigjja Krh. Lp 2, 7; 8, 5

 

   C Zoti, Hyji yt, të ka bekuar në çdo vepër të duarve të tua, të ka përcjellë në udhëtime të tua nëpër shkretëtirë; * Zoti, Hyji yt, ka qenë me ty: nuk të ka munguar asgjë.

   D Zoti, Hyji yt, të ka edukuar ashtu si edukon njeriu fëmijën e vet.

   C Zoti, Hyji yt, ka qenë me ty: nuk të ka munguar asgjë

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt dhe t’i duam të gjithë njerëzit me dashurinë e Krishtit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.