Shërbesa e leximeve

Java e Tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   Për të tjerët koha e dita

   e tetë shkëlqen më e shenjtë

   në ty që e shenjtëron, Jezus,

   i pari i të ringjallurve.

 

   Me ty ti shpirtrat tanë

   tash sa më parë bashkë ngjalli;

   për ty të ngjallën trupat

   të lirë në vdekjen e dytë.

 

   Dhe Ty ndër re së shpejti

   o Krisht të dalim para

   me ty në vazhdim fitues:

   ti jeta dhe ringjallja.

 

   Duke parë fytyrën tënde,

   të shëmbëllejmë lavdinë,

   të njohim ty siç je:

   drita e vërtetë, kënaqësia.

 

   Mbretërinë me shtatë mirosje

   të mbushur plot me Atin,

   tek ti ne gjejmë gazmim,

   Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:

 

   Në krye të gjitha ditëve

   kur u krijua tërë bota

   ja kur Krijuesi i ngjallur,

   mposht vdekjen, na liron.

 

   Duke flakur larg mpirjet

   më shpejt të gjithë të ngrihemi,

   të drejtin të kërkojmë natën,

   sikur njohëm Profetin.

 

   Lutjet tona të dëgjojë,

   të shtrijë dorën e djathtë,

   e ky selitë ndoshta

   me fli t’i pastrojë,

 

   Që ne secilit në kohën

   e shenjtë të kësaj dite

   psalim në orë të pushimit,

   të na falë dhunti të pasura.

 

   Hyjit Atë i qoftë lavdia

   dhe Birit të tij të vetëm,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

 

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

   Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

 

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;

   C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 1, 1-12

 

   Ungjilli i shpallur nga Pali.

 

   Pali ‑ apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve ‑ dhe të gjithë vëllezërit që janë me mua:

   Kishave të Galacisë.

   Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht, i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona për të na shpëtuar nga shekulli i tashëm i keq, në përkim me vullnetin e Hyjit, Atit tonë, i cili qoftë lavdëruar në shekuj të shekujve! Amen.

   Fort po çuditem që kaq shpejt po e lini Atë, që ju thirri në hir [të Krishtit], për të kaluar në një Ungjill tjetër. E pra,Ungjill tjetër nuk ka! Por po, ka asi njerëzish që ju turbullojnë dhe që duan ta shndërrojnë Ungjillin e Krishtit. Tashti, në qoftë se edhe ne vetë ose edhe ndonjë engjëll prej qiellit ‑ ju predikon një Ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që ju patëm predikuar ne ‑ qoftë mallkuar! Sikurse ju thamë më parë, po ju them edhe tani përsëri: nëse ndokush ju shpall një ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që e pranuat ‑ qoftë mallkuar!

   Pse, athua unë ndoshta kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj t'u pëlqej njerëzve? Po t'u mundoja ende t'u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.

   Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 1, 3-4. 10

 

   C Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht, * i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona.

   D Po t’u mundoja ende t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit,

   C i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Komentimi Letrës drejtuar Galatasve” i shën Augustinit, ipeshkëv

(Hyrja; PL 35, 2105-2107)

 

Ta kuptojmë hirin e Hyjit.

 

   Apostulli u shkruan Galatasve që të kuptojnë se hiri i liroi prej sundimit të Ligjit. Kur iu predikua Ungjilli, nuk munguan disa të ardhur prej rrethprerjes të cilët, ndonëse ishin të krishterë, ende nuk e kuptonin dhuratën e Ungjillit, e pra donin t'i zbatonin rregulloret e Ligjit në të cilin Zoti i kishte shtrënguar ata që nuk i shërbenin drejtësisë, por mëkatit. Me tjera fjalë, Hyji ua kishte dhënë njerëzve të padrejtë një ligj të drejtë, i cili i tregonte qartas mëkatet e tyre, por nuk i shlyente. Ne e dimë se vetëm hiri i fesë, që vepron me anë të dashurisë, i shlyen mëkatet. Ndërsa të ardhurit prej judaizmit synonin t'i nënshtronin barrës së Ligjit Galatasët, të cilët tashmë gjendeshin nën ndikimin e hirit, dhe pohonin se Ungjilli nuk do t'u vlente asgjë Galatasve, po të mos rrethpriteshin dhe të mos nënshtroheshin rregulloreve të jashtme të ritit judaik.

   Për shkak të kësaj bindjeje, kishin nisur të ushqenin dyshime kundrejt Palit apostull, i cili ua pati shpallur Ungjillin Galatasve, dhe e fajësonin sepse nuk e ndiqte sjelljen e apostujve të tjerë, të cilët, sipas tyre, i nxitnin paganët që të jetonin si judenjtë. Edhe Pjetrit apostull iu ishte nënshtruar vullnetit të atyre njerëzve dhe kishte pranuar të sillej në mënyrë që të besohej se Ungjilli s'do të kishte pasur dobi për paganët, po të mos u nënshtroheshin rregulloreve të Ligjit. Por prej kësaj sjelljeje të dyanshme e nxori vetë Pali apostull, sikurse edhe tregon në këtë letër. Për të njëjtin problem flitet edhe në letër drejtuar Romakëve. Megjithëse duket se ka ndonjë dallim, sepse në këtë letër shën Pali e sqaron çështjen dhe e fashit grindjen që kishte shpërthyer mes atyre që patën ardhur prej paganëve. Ndërsa në letër drejtuar Galatasve u drejtohet atyre që ishin shqetësuar për shkak të autoritetit të filo judenjve që i shtrëngonin ta zbatonin Ligjin. Ata kishin filluar t'u besonin këtyre, sikur Pali apostull të kishte predikuar rrejshëm kur u tha të mos rrethpriteshin. Për këtë arsye niset kështu: “Fort po çuditem që kaq shpejt po e lëni atë që ju thirri në hir të Krishtit, për të kaluar në një ungjill tjetër” (Gal 1, 6).

   Me këtë nisje deshi t'i afrohej çështjes me kujdes. Po ashtu edhe në përshëndetje, duke e quajtur veten “apostull, jo prej njerëzve, as me anë të ndonjë njeriu” (Gal 1, 1), - le të vërehet se një pohim i tillë nuk gjendet në asnjë letër tjetër - tregon mjaft qartazi se ata shpallës të ideve të rrejshme nuk vinin prej Hyjit, por prej njerëzve. Pra, nuk duhej të çmohej ai si më pak i rëndësishëm se apostujt e tjerë për sa i përkiste dëshmimit ungjillor. Ai dinte se ishte apostull jo prej njerëzve, as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 3, 23-25

 

   C Ligji ishte mbikëqyrësi ynë deri që të vinte Krishti që ne të shfajësohemi me anë të fesë. * Pasi erdhi feja, nuk jemi më nën mbikëqyrës.

   D Ruheshim të ndryrë nën Ligj, para se të zbulohej feja.

   C Pasi erdhi feja, nuk jemi më nën mbikëqyrës.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme këtë familje, dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit tënd, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.