Shërbesa e leximeve

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.

 

   Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,

   braktisur shtratin, ngrihemi:

   Neve, Atë, që ty të thërrasim

   na u gjend pranë të lutemi.

 

   Të parin ty këndoftë goja,

   ty të lakmoftë afshi i zemrës,

   ti, o i shenjtë, të jesh burimi

   për ndjekësit e tu ndër vepra.

 

   Terri t’ia lëshojë vendin dritës,

   dhe nata yllit të ditës,

   fajin që e sjell nata

   ta zbusë dhurata e dritës.

 

   Po ne lutësit të lypim

   na i fal të gjitha fajet,

   nga gojët që ty të këndojnë

   n’amshim të lavdërohesh.

 

   Na ruaj, Atë mëshirëploti

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.

 

   Hyjni, drita e amshueshme,

   në Trini e njësuar,

   Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,

   Ty nxehtësisht të lutemi.

 

   Besojmë Prindin e epërm,

   dhe të vetmin Bir të Atit,

   dhe Shpirtin që i bashkon

   lidhjet e dashurisë.

 

   O dashuri, o e vërteta,

   o qëllimi dhe mirësia,

   bëj të shpresojmë, të besojmë,

   na bëj të duam t’arrijmë.

 

   Ti je mbarimi e nisja,

   burimi i të gjitha sendeve,

   ti vetëm je ngushëllimi,

   shpresa e sigurt e besimtarëve.

 

   Vetëm ti i bën të tëra,

   veç ti u mjafton të gjithëve,

   për të gjithë je drita e vetme

   dhe çmimi i shpresëtarëve.

 

   Lusim Krishtin dhe Atin,

   e Krishtit e t’Atit Shpirtin;

   Trini, fuqia e vetme

   për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.

 

   Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.

 

   Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).

 

O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *

   as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!

Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *

   më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.

 

Shpirti im është tejet i shqetësuar, *

   e ti, o Zot - e deri kur...?

Kthehu, o Zot, më shëro, *

   më shpëto në saje të mirësisë sate!

 

Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *

   në Nëntokë kush të këndon lavde?

 

Plasa duke gjëmuar, †

   natë për natë e laj shtratin tim, *

   me lotët e mi e laj shtrojën time.

 

Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *

   u plaka midis armiqve të mi.

 

Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *

   sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!

 

Zoti e dëgjon lutjen time, *

   Zoti e pranon uratën time!

U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *

   e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1. Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!

 

   Psalmi 9 I (1-11) Falënderim për fitore.

 

   Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.

 

Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *

   i shpall të gjitha mrekullitë e tua.

Gëzohem dhe galdoj në ty, *

   i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!

 

Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *

   ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,

sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *

   ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!

 

Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *

   emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!

Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *

   gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.

 

Zoti sundon në jetë të jetës, *

   e vendosi fronin e vet të gjykojë;

Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *

   ua jep popujve dënimin e drejtë.

 

Zoti është strehimi i të salvuarit, *

   vend i sigurt për ditë të vështira.

Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *

   sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.

 

   II (12-21)

 

Këndoni Zotit që banon në Sion, *

   kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!

Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *

   e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, †

   shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *

   më shpëto prej derës së vdekjes

 

për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †

   para dyerve të qytetit Sion *

   i gëzuar për shëlbimin tënd.

 

U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *

   këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,

Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *

   mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!

 

Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *

   të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!

Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *

   shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.

 

Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *

   para teje le të gjykohen paganët!

Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *

   le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.

 

   D Bëj që ta kuptoj dhe do ta mbaj ligjin tënd,

   C do ta ruaj me gjithë zemër atë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 1, 13 – 2, 10

 

   Thirrja dhe apostullati i Palit.

 

   Vëllezër, keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe u mundoja ta shkretoj atë e, prejse tepër i dhënë mbas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim. Porse, kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t'u njoftuar me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. Të tjerë prej apostujsh, përveç Jakobit, të vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej. Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë. Personalisht isha i panjohur Kishave të Krishtit në Jude. Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte,” dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.

   Mandej, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën. Mora me vete edhe Titin. Dhe u ngjita pse i nxitur nga një zbulesë. Ua parashtrova në këshillim ‑ posaçërisht më të rëndësishmëve ‑ Ungjillin që predikoj ndër paganë, që ndoshta të mos veproja ose të mos kisha vepruar kot.

   Tashti, as Titi që ishte me mua, edhe pse grek, nuk qe shtrënguar të rrethpritej, e kjo për shkak të vëllezërve të rrejshëm që e fusin hundën kudo, të cilët u futën padrejtësisht për të na e cenuar lirinë që na e jep Jezu Krishti ‑ për të na bërë skllevër. Këtyre as për një çast të vetëm nuk u lëshuam pe as nuk u nënshtruam që të ruhej e pacenuar e vërteta e Ungjillit ndër ju.

   E ata që janë diçka ‑ çka ata ishin dikur, unë s'i jap kësaj rëndësi ‑: Hyji nuk këqyr kush është kush, këta njerëz me rëndësi në Kishë, kurrgjë nuk kërkuan të shtohet. Por përkundrazi, ata panë se më qe besuar predikimi i Ungjillit ndër paganë, shi sikurse edhe Pjetrit ndër të rrethprerë ‑ pasi Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve dhe, duke njohur hirin që më qe dhënë, Jakobi, Kefa e Gjoni ‑ që çmohen shtyllat e fesë ‑ na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë. Vetëm na porositën t'i kujtojmë të vobektët ‑ gjë që jam kujdesuar ta bëj në mënyrë të veçantë.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 10; Gal 2, 8

 

   C Në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam. * Hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë dhe qëndron gjithmonë me mua.

   D Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve.

   C Hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë dhe qëndron gjithmonë me mua.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Fjalimi i shkurtër” i shën Bonaventurës, ipeshkëv

(Parathënie; Opera omnia 5, 201-202)

 

Prej njohjes së Jezu Krishtit fitohet kuptimi i gjithë Shkrimit të shenjtë.

 

   Shkrimi i shenjtë nuk rrjedh prej hulumtimit njerëzor, por prej zbulimit hyjnor. Ky buron nga “Ati i dritës, prej të cilit çdo atësi në qiell e në tokë e merr emrin e vet".

   Nga Ati, nëpër Birin e tij Jezu Krishtin, zbret mbi ne Shpirti Shenjt. Pastaj, nëpër Shpirtin Shenjt, i cili ndan e fal dhuratat e veta çdonjërit sipas pëlqimit të vet, na jepet feja e nëpërmjet fesë Krishti banon në zemrat tona (krh. Heb 17, 3).

   Kjo është njohja e Jezu Krishtit, prej së cilës rrjedhin, siç prej burimi, siguria dhe kuptimi i së vërtetës që gjendet në gjithë Shkrimin e shenjtë. Pra, nuk është e mundur që dikush të mund të depërtojë në të e ta njohë, në mos të ketë më parë fenë, e cila është dritëz, dera dhe themeli i gjithë Shkrimit të shenjtë.

   Njëmend, gjatë këtij shtegtimit tonë, feja është baza nga vijnë të gjitha njohuritë mbinatyrore, e shndrit rrugën që t'i arrijmë, dhe është dera për të hyrë në to. Është edhe kriteri për ta matur urtinë që na u dha prej së larti, që askush të mos e çmojë veten më tepër se sa duhet, por ta vlerësojë në mënyrë të drejtë, secili sipas masës së fesë që ia dhuroi Hyji (krh. Rom 12, 3).

   Qëllimi, ose më mirë, fryti i Shkrimit të shenjtë nuk është çfarëdo, por vetë plotësia e lumturisë së amshuar. Shkrimi i shenjtë është pikërisht libri në të cilin janë shkruara fjalët e jetës së amshuar, që ne jo vetëm të besojmë, por edhe ta fitojmë jetën e amshuar, në të cilën do të shohim, do të duam e do të përmbushen të gjitha dëshirat tona.

   Vetëm atëherë do ta njohim “dashurinë që e tejkalon çdo dije ”kështu që të mbushemi “me tërë plotësinë e Hyjit” (Ef 3, 19). Shkrimi i shenjtë synon të na shpjerë në këtë plotësi, pikërisht sipas fjalëve që dëgjuam prej apostullit. Me këtë qëllim, me këtë synim duhet të studiohet Shkrimi i shenjtë. Kështu duhet të vështrohet e të mësohet.

   Për ta nxjerrë këtë fryt, për ta arritur këtë qëllim nën prirjen e sigurt të Shkrimit të shenjtë, duhet nisur prej fillimit. Duhet, pra, që t'i afrohemi me fe të çiltër Atit të dritës dhe t'i lutemi me zemër të përvujtë, që ai, nëpër Birin dhe Shpirtin Shenjt, të na falë njohjen e vërtetë të Jezu Krishtit dhe, bashkë me njohjen, edhe dashurinë. Duke e njohur e duke e dashur, të themeluar e të rrënjosur ngultas në dashuri, do të mund të përjetojmë gjerësinë, gjatësinë, lartësinë e thellësinë e vetë Shkrimit të shenjtë (krh. Ef 3, 18).

   Kështu do të mund ta arrijmë njohjen e përkryer dhe dashurinë e pamasë të Trinisë së lumtur, kah e cila priren dëshirat e shenjtërve dhe në të cilën realizohet dhe plotësohet gjithçka është e vërtetë dhe e mirë.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 24, 27. 25

 

   C Që nga Moisiu e të gjithë profetët, * Jezusi u shtjellonte krejt çka flitej për të në Shkrimin e shenjtë.

   D O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët!

   C Jezusi u shtjellonte krejt çka flitej për të në Shkrimin e shenjtë.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.