Shërbesa e leximeve
10 shkurt, Shën Skolastika, virgjër
Është motra e shën Benediktit dhe lindi në Norcia (Umbri-Itali) rreth vitit 480. Iu kushtua Hyjit, sipas shembullit të vëllait, të cilin e ndoq në Cassino, ku edhe vdiq rreth vitit 547.
Nga Përbashkorja e virgjrave me psalmet e ditës në psalter.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Një të ëmbël këngë flijimi
t’ia thurë turma e devotshme,
ndërsa n’kulmin e qiejve
ndrin me lavdi kjo virgjër.
Virgjër që për hir t’Krishtit
burrërisht e fijoi jetën,
tash në radhë të shenjtërve
fatbardhësisht bashkohet.
Me virtyt t’pastër mposhti
vesin e lig të trupit,
përçmoi joshjet e botës,
gjurmët e Krishtit ndoqi.
Me anë të saj, o Krisht drejtona,
na ruaj prej gjithë armiqve,
shëro shkarjet ndër faje,
dhe na mbush me virtyte.
Jezus, të të qoftë lavdia,
që u linde nga Nënë Virgjër,
me Atin dhe Shpirtin jetëdhënës
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,
C të varfërve ua mëson udhën e tij.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 2, 11 – 3, 14
I drejti do të jetojë prej fesë.
Vëllezër, kur Kefa erdhi në Antioki i kundërshtova ndër sy haptas, sepse e meritoi dënimin. E njëmend, para se arritën disa njerëz prej rrethit të Jakobit, hante bashkë me paganë, por, kur erdhën ata, nisi të tërhiqej e të ndahej, pse i druante të rrethprerët. Pas shembullit të tij shkuan edhe judenjtë tjerë, kështu që edhe Barnaba u gënjye prej shtirakisë së tyre.
Pra, kur pashë se nuk po ecnin drejtë sipas së vërtetës së Ungjillit, i thashë Kefës para të gjithëve: “Nëse ti, që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj?”
Ne jemi prej natyre hebrenj, e jo “mëkatarë nga paganizmi.” Dhe e dimë [tashti] se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse 'askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë' me anë të veprave të Ligjit.
Por, nëse, duke kërkuar të fitojmë drejtësinë në Krishtin ‑ doli në shesh se edhe ne jemi mëkatarë, a mos është atëherë edhe Krishti në shërbim të mëkatit?
Prite Zot! Porse, vërtet, në qoftë se përsëri ndërtoj, çka më parë rrënova, dëshmoj për vetvete se jam kundërvajtës. Sepse, me anë të Ligjit, vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të Ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot.
Po kush, o galatas të pamend, jua mori mendtë, kurse para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? Vetëm kaq dua të di prej jush: a e morët Shpirtin Shenjt në saje të veprave të Ligjit, apo pse e pranuat fenë? Po a kaq të marrë jeni?! Filluat me Shpirtin Shenjt e të mbaroni me trup?! Po athua kot i përjetuat të gjitha këto gjëra? Oh të kishin qenë kot! Po athua se Ai që ju jep Shpirtin Shenjt dhe bën ndër ju vepra të mrekullueshme, i bën këto pse ju i kryeni veprat e Ligjit e jo pse e keni dëgjuar Mësimin e fesë?
Kështu, pse Abrahami “i besoi Hyjit, kjo gjë iu numërua për drejtësi.” Dinie, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. E Shkrimi i shenjtë, duke paraparë se Hyji do t'i shfajësojë paganët me anë të fesë, qysh më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: 'Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!' Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.
E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” E se askush s'mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: “Kush e mban në të do të gjejë jetën.”
Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse rri shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq,” ‑ që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.
Përgjigjja Krh. Gal 2, 16. 21
C Njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. * Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin.
D Në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të Ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot:
C Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin.
Leximi i dytë
Nga “Dialogët” e shën Gregorit të Madh, papë.
(Lib. 2, 33; PL 66, 194-196)
Më e fortë qe ajo që më fort deshi
Skolastika, motra e shën Benediktit, iu kushtua Hyjit që prej fëmijërisë, dhe kishte zakon të shkonte tek vëllai i vet një herë në vit. Njeriu i Hyjit dilte për ta takuar në një vend jo fort i largët, brenda tokës së manastirit.
Një ditë, ajo shkoi ta takojë sipas zakonit, dhe vëllai i saj i përnderuar i doli përpara me disa nxënës të vet. Gjithë ditën e kaluan në lavdet e Hyjit dhe në bisedë të shenjtë. Kah perëndimi hëngrën bukë së bashku.
Edhe në tryezë u zgjatën bisedimet e shenjta dhe u bë mjaft vonë. Motra e devotshme iu lut duke thënë: “Po të lutem, mos u largo prej meje sonte, por të flasim deri në mëngjes për gëzimet e jetës qiellore”. Ai iu përgjigj: “Çka po flet, moj motër? Nuk mund absolutisht ta kaloj natën jashtë manastirit”.
Skolastika, pasi e dëgjoi përgjigjen e vëllait, i mbështeti duart me gishta të ndërthurur mbi tryezën dhe e uli kryet mbi duart për t'iu lutur Zotit të gjithëpushtetshëm. Kur e çoi kryet prej tryezës, shpërtheu një stuhi aq e fortë, me vetëtima e bubullima e shi të rrebeshtë, sa që as i nderuari Benedikt as murgjit që e shoqëronin nuk patën mundësi të qitnin këmbën jashtë pragut të banesës ku rrinin ndenjur.
Atëherë njeriu i Hyjit, shumë i mërzitur, nisi të ankohej e të thoshte: “Të faltë Hyji i gjithëpushtetshëm, moj motër, çka bëre?” Por ajo iu përgjigj: “Ja, të jam lutur ty e ti nuk ke pranuar të më dëgjosh; i jam lutur Hyjit tim e ai më ka dëgjuar. Tash, dil nëse mundesh, më lër e kthe në manastir”. Dhe ai që nuk pranoi të rrinte aty me dashje qe shtrënguar të qëndronte me zor.
Kështu e kaluan gjithë natën në përgim dhe u nginë me bisedime të shenjta, duke ia treguar njëri-tjetrit përvojat e jetës shpirtërore.
Nuk është çudi nëse Skolastika qe më e fuqishme sesa vëllai. Meqenëse, sipas fjalës së Gjonit, “Hyji është dashuri”, qe gjë krejt e drejtë që më shumë fuqi ta kishte ajo që më fort deshi.
Dhe qe se, pas tri ditësh, ndërsa njeriu i Hyjit gjendej në qeli dhe e shikonte qiellin, e pa shpirtin e motrës së vet, të dalë nga trupi, që po depërtonte në lumturinë e qiellit në trajtë pëllumbi. Atëherë, plot gëzim për lavdinë kaq të madhe që i kishte takuar asaj, e falënderoi Hyjin me himne dhe lavde, dhe dërgoi murgj të tij që ta sillnin trupin e saj në manastir dhe e vendosi në varr që e kishte bërë gati për vete. Kështu që as vdekja s'i ndau trupat e atyre që qenë bashkuar në Hyjin si një shpirt i vetëm.
Përgjigjja
C Skolastika, virgjër e kushtuar, i lutej Zotit që vëllai të mos largohej prej saj. * Më shumë fitoi prej Hyjit të zemrës së vet, sepse më fort donte.
D Sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë së bashku.
C Më shumë fitoi prej Hyjit të zemrës së vet, sepse më fort donte.
Lutja
Duke kremtuar përkujtimin e shën Skolastikës, po të lutemi, o Zot, që, pas shembullit të saj, të të shërbejmë me dashuri të pastër dhe ta shijojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.