Shërbesa e leximeve

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijuesi i madh i sendeve,

   sunduesi ynë, shikona;

   ne nga pushimi i dëmshëm

   zhytur në plogështi shpëtona.

 

   Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;

   Ti na i fal fajet tona,

   për t’i rrëfyer ngrihemi,

   gjumin e natës prishim.

 

   Po ngremë lart mendje e duar,

   për të kaluar netët

   siç na mësoi profeti

   që e vlerësoi dhe Pali.

 

   Ti e sheh të keqen që vuajtëm;

   të fshehtat tona i hapim,

   me ofshamë po i derdhim lutjet,

   na shlyej çka ne mëkatuam.

 

   Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,

   dhe ty, o Atë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hyj i diturive,

   ty të qoftë brohoritja,

   që i shikon zemrat tona

   e i ngroh me hirin tënd.

 

   O bari i shkëlqyer,

   ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,

   në kullota shumë të gratshme

   në grigjë të zgjedhur na bashko.

 

   Tmerri i mërisë së gjykatësit

   mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,

   me ty gjykatës të jemi

   dhen në kullotë t’amshuar.

 

   Ty, shpërblimtar, lavdi,

   nderim, virtyt, fitore,

   që sundon mbi të gjitha

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

   Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren

 

   Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).

 

Të dua, o Zot, fuqia ime! *

   Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,

   Streha ime, Shpëtimtari im!

 

Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *

   Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

 

Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *

   dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Më rrethuan valët e vdekjes, *

   më tmerruan përrenjtë e Belialit,

më lidhën leqet e Nëntokës, *

   po më shtrëngonin prangat e vdekjes:

 

atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *

   kushtrim i lëshova Hyjit tim:

nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *

   britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

   II (8-20)

 

Toka u trand edhe u tund, †

   u lëkundën themelet e maleve, *

   vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!

 

Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †

   prej gojës zjarr e flakë buçiti, *

   prush i gjallë prej tij flakëroi!

 

I uli qiejt, poshtë zbriti, *

   nën këmbë re të murrme!

Kaluar mbi kerubin fluturoi, *

   lundroi mbi krahët e erërave!

 

Si me vel me errësirë u mbështoll, *

   ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,

para fytyrës së tij zhdukeshin retë *

   me breshër e prush të gjallë!

 

zoti gjëmoi nga qielli: †

   i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *

   breshër e prush zjarri!

 

I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *

   i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.

 

Atëherë u dukën burimet e ujërave, *

   u zbuluan themelet e rruzullit

prej qortimit tënd, o Zot, *

   prej erës së frymës të hidhërimit tënd.

 

Shtriu dorën prej majës e më mori, *

   më nxori nga ujërat e shumta,

 

më shpëtoi nga armiku i fortë, †

   prej atyre që më urrenin, *

   që ishin më të fortë se unë.

 

Më sulmuan në ditën më të keqen, *

   por Zotin e pata krah,

Ai më qiti në vend të shpëtimit, *

   më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   III (21-30)

 

Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *

   më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,

sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *

   nuk u largova prej Hyjit tim.

 

Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *

   dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.

Jam i pastër para syve të tij, *

   sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

 

Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *

   sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

 

Ti je i mirë me njeriun e mirë, †

   me të pafajshmin je i pafajshëm, *

   me të mbrapshtin ti je i squet.

 

Ti e shpëton popullin e përvujtë, *

   e krenarët i bën t’i ulin sytë.

 

O Zot, ti e ndez dritëzën time, *

   ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.

Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *

   me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura

   C që dilnin prej gojës së Krishtit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 3, 15 – 4, 7

 

   Detyra e ligjit.

 

   Vëllezër, po marr shembull nga jeta njerëzore: një testament të thjeshtë njerëzor, të bërë në rregull, askush nuk e zhbën as nuk i shton gjë. Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e “Pasardhësit të tij.” Nuk thuhet: “Pasardhësve të tij” si për shumë pasardhës, por për një të vetëm: “Dhe pasardhësit tënd”. Ky është Krishti. Ja, çka dua të them: Besëlidhjen që Hyji e ka bërë në mënyrë të rregullt, nuk e zhbën Ligji që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më vonë dhe nuk i qet poshtë premtimet. E njëmend, nëse trashëgimi fitohet me anë të Ligjit, nuk mund të fitohet me anë të premtimit. Tashti, Abrahamit Hyji ia dha dhuratën e vet me anë të premtimit.

   Po atëherë ç'u lyp Ligji;

   Qe vënë përngjat për arsye të kundërvajtjeve deri që të vijë Trashëgimtari, të cilit iu bë premtimi; Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi. Tashti, ndërmjetës nuk ka ku është vetëm një. E Hyji është një i vetëm!

   Athua atëherë Ligji është kundër premtimeve [të Hyjit]?

   Prite Zot! Por, po të ishte dhënë një ligj, i cili do të mund të jepte jetë, atëherë me siguri drejtësia do të vinte nga Ligji. Por Shkrimi i shenjtë gjithçka ndryn nën mëkat që, me anë të fesë në Jezu Krishtin, t'u jepej premtimi atyre që besojnë.

   Para se erdhi feja, ruheshin të ndryrë nën Ligj, për fenë që do të zbulohej. Kështu, pra, Ligji ishte mbikëqyrësi ynë deri që të vinte Krishti që ne të shfajësoheshim me anë të fesë. Por, qysh se erdhi feja, nuk jemi më nën mbikëqyrës.

   Prandaj, të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin, sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin ‑ me Krishtin jeni veshur.

   Nuk ka më: hebre ‑ grek! Nuk ka më: skllav ‑ i lirë! Nuk ka më: mashkull ‑ femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!

   Nëse jeni të Krishtit, jeni pasardhësit e Abrahamit, trashëgimtarë në fuqi të premtimit.

   Dua të them: Derisa trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet në asgjë nga skllavi edhe pse është pronari i të gjithë pasurisë. Ai është nën kujdestarë e mbarështues deri në atë ditë që ka caktuar i ati. Po kështu edhe ne. Kur ishim të mitur, ishim skllevër të parimeve fillestare të shekullit.

   Por, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit,

   që t'i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.

   E, prejse vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba ‑ o Atë!

   Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 3, 27. 28; Ef 4, 24

 

   C Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre - grek: * Të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.

   D Vishuni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.

   C Të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Letrat” e shën Ambrozit, ipeshkëv.

(Let. 35, 4-6. 13; PL 16 [bo. 1845], 1078-1079. 1081)

 

Jemi trashëgimtarë të Hyjit, bashkëtrashëgimtarë me Krishtin.

 

   Sikurse thotë apostulli, kush me anë të Shpirtit i bën të vdesin veprat e trupit, ky do të jetojë. Nuk është çudi nëse jeton, sepse kush e ka Shpirtin e Hyjit bëhet bir i Hyjit. Është bir i Hyjit e prandaj nuk i jepet një shpirt skllavërie, por një shpirt bijsh adoptimi. Për këtë arsye Shpirti Shenjt dëshmon në zemrat tona se jemi bij të Hyjit. Dhe dëshmimi i Shpirtit Shenjt qëndron në faktin se ai vetë klith në zemrat tona: “Abba, o Atë!", siç shkruhet në letrën drejtuar Galatasve (Gal 4, 6). E kjo dëshmi, sipas së cilës ne jemi bij të Hyjit, është vërtet e madhe: sepse jemi “trashëgimtarë të Hyjit dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin” (Rom 8, 17). Bashkëtrashëgimtar me Krishtin është ai që merr pjesë në lumturinë e tij; por merr pjesë në lumturinë e tij vetëm ai që, duke vuajtur për të, merr pjesë në mundimet e tija.

   Për të na nxitur kah vuajtja, edhe shton se gjithçka pësojmë është më e vogël dhe e pakrahasueshme me shpërblimin që i takon njeriut që i pëson këto mundime. Përnjëmend, i madh do të jetë shpërblimi me të mirat e ardhshme që do të zbulohet në ne kur, pasi ta kemi marrë përsëri përngjasimin me Hyjin, do të jemi të denjë ta sodisim lavdinë e tij faqe-faqas.

   Mandej, për ta ngritur madhërinë e zbulesës së ardhshme, thotë se edhe vetë krijimi, tash i nënshtruar kotësisë kundër pëlqimit të vet, por me shpresë që të lirohet, e pret me padurim zbulimin e bijve të Hyjit. Pra, e pret nga Krishti atë hir që i përket funksionit të tij. Edhe krijimi do të lirohet prej shkatërrueshmërisë dhe do të marrë pjesë në lirinë e lavdisë së bijve të Hyjit. Do të jetë një liri e vetme, ajo e krijimit dhe e bijve të Hyjit, atëherë kur do të zbulohet lavdia e tyre. Ndërkohë, përderisa të shtyhet kjo shfaqje, gjithë krijimi gjëmon në pritjen e lavdisë së adoptimit tonë dhe të shpërblimit tonë. Që tani ofshan prej dëshirës së zjarrtë që ta qesë në dritë atë shpirt shëlbimi dhe të çlirohet nga robëria e kotësisë. Mendimi është i qartë. Besimtarët, që i kanë frytet e para të Shpirtit, gjëmojnë në brendësinë e vet duke e pritur adoptimin si bij. Adoptimi birnor është shpërblimi i tërë trupit mistik. Do të realizohet kur do ta shohë Hyjin, të mirën më të lartë dhe të amshuar, sikur të ishte i tërë bir i tij adoptimi. Por adoptimi birnor është edhe gjendja e tanishme në Kishën e Zotit, pasi që tani Shpirti gërthet: “Abba, o Atë!", sikurse lexohet në letrën drejtuar Galatasve (Gal 4, 6). Por do të jetë i përkryer vetëm kur të gjithë ata që do të meritojnë ta shohin fytyrën e Hyjit do të ringjallen të pashkatërrueshëm, të shkëlqyeshëm e të lavdishëm. Atëherë krijesa njerëzore do të mund të thuhet vërtet e liruar. Për këtë arsye apostulli mburret duke thënë: “Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë” (Rom 8, 24). Dhe njëmend, shpresa na shëlbon, po ashtu sikurse na shëlbon feja, për të cilën thuhet: “Të shpëtoi feja jote!” (Lk 18, 42).

 

   Përgjigjja Krh. Rom 8, 17; 5, 9

 

   C Jemi trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin: * sikurse vuajmë bashkë me të, edhe do të lavdërohemi bashkë me të.

   D Mbasi jemi shfajësuar me anë të gjakut të tij, me anë të tij do të shpëtohemi nga dënimi;

   C sikurse vuajmë bashkë me të, edhe do të lavdërohemi bashkë me të.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.