Shërbesa e leximeve

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.

 

   Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar

 

   Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).

 

Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †

   fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *

   Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.

 

Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *

   Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?

Hyji që më ngjesh me fuqi, *

   që e bën udhën time të pastër.

 

Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *

   ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.

Ai m’i ushtron duart për luftim *

   e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.

 

   Psalmi 18 /17/ V (36-46)

 

Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †

   e djathta jote më ndihmoi, *

   mirësia jote më rriti.

 

Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *

   e këmbët e mia më nuk më merren.

 

I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *

   prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.

I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *

   rrëzoheshin përnën këmbët e mia.

 

Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *

   kurse armiqtë e mi i vure nën mua.

 

Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *

   kurse ata që më urrejnë i shpërndave.

Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *

   thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.

I grimcova porsi pluhurin para erës, *

   i shkela porsi baltën e rrugës.

 

Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †

   kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *

   më shërbeu populli që as nuk e njihja!

 

Fjalën time e dëgjojnë me poni, *

   bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,

para meje të huajve ora u liget, *

   u drodhën në strehimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   Psalmi 18 /17/ VI (47-51)

 

Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *

   Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †

   Ti i shtron popujt nën mua, *

   ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,

 

ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *

   ti më shpëton prej njeriut mujshar.

 

Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *

   himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

 

Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †

   e përkrah të shuguruarin e vet, *

   Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:

   C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 4, 8-31

 

   Trashëgimi hyjnor dhe liria e besëlidhjes së re.

 

   Vëllezër, dikur, kur ende nuk e njihnit Hyjin, u shërbenit hyjnive, që, për kah natyra e tyre, nuk janë hyjni. Por tani, kur e njohët Hyjin ‑ më mirë të them: kur Hyji ju njohu ju ‑ si tani rishtas të ktheheni te parimet e dobëta e të mjera dhe prapë rishtas doni të bëheni skllevër të tyre? I kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë e vite! Gjithë po trembem se kot hoqa keq rreth jush!

   Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, se edhe unë u bëra si ju. Me asgjë nuk më fyet! Ju e dini se me rastin e një sëmundjeje të trupit tim për herën e parë ju kam kumtuar Ungjillin; dhe trazimin që jua bëri trupi im i sëmurë nuk e përbuzët dhe nuk treguat pakënaqësi, por, përkundrazi, më pranuat porsi engjëllin e Hyjit, porsi Jezu Krishtin. Ku është tani ai gëzimi juaj i dikurshëm? E pra, unë ju dëshmoj se, të kishte qenë e mundshme, sytë tuaj i kishit nxjerrë për të m'i dhënë! Kështu? Athua u bëra armiku juaj pse ju them të vërtetën?

   Ata dëftojnë kinse kujdes për ju, por jo në mënyrë të ndershme ‑ pse duan t'ju ndajnë [prej meje] ‑ që ju mandej të jepeni me zell pas tyre. Mirë është të jeni të rrethuar me kujdes qëllimmirë gjithmonë e jo vetëm kur jam pranë jush, o fëmijët e mi, që unë ju rilind me dhimba rishtas deri që Krishti të formohet në ju. Oh, sa dëshiroj të gjendem tash ndër ju, për të gjetur fjalën e përshtatshme për ju, sepse nuk jam në gjendje të vendos ç'të bëj me ju!

   E ju që dëshironi të jeni nën Ligj, më thoni, a nuk dëgjoni çka thotë Ligji? Sepse, në Shkrim shenjt është se Abrahami pati dy djem: njërin prej skllaves e tjetrin prej të lirës. Ai prej skllaves është i lindur natyrisht, kurse ai prej gruas së lirë, në fuqi të premtimit. Kjo është alegori: këto gra paraqesin dy Besëlidhjet: njëra Besëlidhjen që vjen nga Mali Sinaj ‑ e cila lind për skllavëri ‑ e paraqitur me Agarën; e Agara do të thotë Mali Sinaj, që është në Arabi dhe i përgjigj Jerusalemit të tanishëm ‑ sepse është në skllavëri me gjithë fëmijët e vet. Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë. Sepse në Shkrim të shenjtë është:

   “Galdo, beronjë, ti që nuk lind fëmijë, gërthit në britmë hareje, ti, që nuk i sprovon dhimbjet e lindjes, sepse e përbuzura ka më shumë fëmijë se ajo që e ka burrin!”

   Kurse ju, o vëllezër, jeni porsi Izaku ‑ fëmijët e premtimit. Dhe, sikurse aso here, ai që ishte i lindur natyrisht e salvonte atë që ishte i lindur sipas Shpirtit, ashtu ndodh edhe tani.

   Porse, çka thotë Shkrimi i shenjtë;

   “Dëboje skllaven edhe djalin e saj, sepse biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar me djalin e gruas së lirë!”

   Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të të lirës!

 

   Përgjigjja Krh. Gal 4, 28. 31; 5, 1; 2Kor 3, 17

 

   C Ne jemi porsi Izaku, fëmijët e premtimit. Nuk jemi bijtë e skllaves, por të të lirës. * Krishti na liroi që të mbeteshim vërtetë të lirë.

   D Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria.

   C Krishti na liroi që të mbeteshim vërtetë të lirë.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Komentimi i letrës drejtuar Galatasve” i shën Augustinit, ipeshkëv

(Nr. 37. 38; PL 35, 2131-2132)

 

Krishti u formoftë në ju.

 

   Apostulli thotë: “Bëhuni si unë” (Gal 4, 12). Unë linda hebre, por, i udhëhequr prej mendimeve shpirtërore, i bie mohit çdo ideje thjesht materiale. “Sepse edhe unë kam qenë si ju” (krh. Gal 4, 12), domethënë njeri. Pastaj, në mënyrë të përshtatshme e të kujdesshme ua kujton dashurinë e vet për ta, që të mos e mbajnë për armik. Shprehet pikërisht kështu: “Ju lutem, vëllezër, nuk më fyet me asgjë", sikur të thoshte: Nuk duhet të mendoni se unë dua t'ju fyej.

   Prapë, mbi të njëjtin argument shton: “O fëmijët e mi” (Gal 4, 19). Flet kështu që ta imitojnë përnjëmend si një atë. Dhe vazhdon: “Që unë ju lind përsëri me dhimbje deri që Krishti të formohet në ju". Këtë e tha më tepër sikur ta përfaqësonte Kishën Nënë. Edhe në një pjesë tjetër thotë: “Qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen dhe kujdeset për fëmijët e vet” (1 Sel 2, 7).

   Krishti lind dhe formohet në atë njeri që beson me anë të fesë së pranishme në brendësinë e tij; në atë njeri që është thirrur në lirinë e hirit, që është i butë dhe i përvujtë në zemër, e që nuk mburret me kotësinë e meritave të veta dhe të veprave të veta; në atë njeri që i mban meritat e veta si dhuratë prej Zotit. Ky njeri njëjtësohet me Krishtin. Kështu, ai që tha: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25, 40), besimtarin e vërtetë e quan më të voglin ndër të vetët, domethënë një tjetër vetvete. E njëmend Krishti formohet në atë njeri që e merr shëmbëllesën e Krishtit. Por shëmbëllesën e Krishtit e merr ai që bashkohet me Krishtin me dashuri shpirtërore të vërtetë. Prandaj ai bëhet figurë e Krishtit e, për sa të jetë e mundur në gjendjen e tij, bëhet vetë Krishti. Kështu thotë Gjoni: “Kush thotë se qëndron në të, i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci ai” (1 Gjn 2, 6).

   Por, pasi njerëzit zihen prej nënave që të formohen, e, pasi u formuan, lindin dhe dalin në dritë, mund të bëjë çudi çka u tha: “Që unë ju lind përsëri me dhimbje deri që Krishti të formohet në ju” (krh. Gal 4, 19). Përveç se marrim vesh se me këtë lindje paraqiten përkujdesjet e dhimbshme nëpër të cilat i qiti në dritë që të lindnin në Krishtin. Në këtë kuptim, i lind përsëri, i shqetësuar siç është duke i parë rreziqet dhe ngashënjimin që u kërcënohen. Përkujdesja e dhimbshme ndaj tyre, domethënë kjo farë amësie shpirtërore, zgjatet derisa ta arrijnë të gjithë njësinë e fesë në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit, që të mos luhaten prej çfarëdo ere mësimi (krh. Ef 4, 13-14).

   Pra, jo aq në lidhje me fillimin e fesë, pasi lindën tashmë, por më tepër në lidhje me rritjen dhe pjekurinë qe thënë: “Që unë ju lind përsëri me dhimbje, derisa të formohet Krishti në ju". Tjetërkund flet për këtë lindje me fjalë të ndryshme, aty ku thotë: “Shqetësimi im i përditshëm, përkujdesja për të gjitha kishat. Kush është i dobët, e unë të mos bëhem i dobët? Kush shkandullohet, e unë të mos përvëlohem?” (2 Kor 11, 28-29).

 

   Përgjigjja Krh. Ef 4, 15; Fu 4, 18

 

   C Duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, * të rritemi në çdo pikëpamje drejt atij që është Kryet: Krishti.

   D Udha e të drejtëve është si drita e mëngjesit: nis e rritet deri në dritën e plotë të ditës;

   C të rritemi në çdo pikëpamje drejt atij që është Kryet: Krishti.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.