Shërbesa e leximeve

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tona

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

 

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

 

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë

 

   D Biri im, ruaji fjalët e mia,

   C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 5, 1-25

 

   Liria e të krishterit.

 

   Vëllezër, Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t'ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!

   Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s'do t'ju vlejë asgjë! Përsëri dua t'ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri. Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

   Aq bukur vraponit! Po kush qe ai që ju pengoi e tani nuk i nënshtroheni më të vërtetës? Një bindje e tillë me siguri nuk vjen prej Atij që ju grish! Pak tharm e mbrun të gjithë brumin. E, lidhur me ju, shpresoj në Zotin, se nuk do të merrni një drejtim tjetër. E ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do ta marrë dënimin.

   E unë, o vëllezër, po ta predikoja gjithnjë rrethprerjen, përse do të vazhdonin të më salvojnë? Atëherë mbetka pa fuqi shkandulli i kryqit! E bëftë Zoti e veten e gjymtofshin ata që mbjellin turbullime ndër ju!

   Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si don trupi, por ‑ me dashuri shërbeni njëri‑tjetrit! Sepse i tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Nëse njëri‑tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni shoqishoqit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri‑tjetrin!

   Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t'i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin që të mos bëni çka dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.

   Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.

   Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.

   Ata që janë të Krishtit [Jezus] e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta.

   Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. Mos të jepemi mbas lavdisë së kotë! Mos ta ngucim njëri‑tjetrin! Mos t'ia kemi smirë njëri‑tjetrit!

 

   Përgjigjja Krh. Gal 5, 18. 22. 25

 

   C Nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit. * Fryti i shpirtit është: dashuria, paqja dhe hareja.

   D Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.

   C Fryti i shpirtit është: dashuria, paqja dhe hareja.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Ligjëratat” e shën Leonit të Madh, papë.

(Ligj. mbi Lindjen e Zotit, 7, 2. 6; PL 54, 217-218. 220-221)

 

      Njihe dinjitetin e natyrës sate.

 

   Zoti ynë Jezu Krishti, duke lindur si njeri i vërtetë, pa pushuar kurrë të jetë Hyj i vërtetë, në vetvete i dha fillim një krijimi të ri e, me këtë lindje, ia ngjiti gjinisë njerëzore një filiz shpirtëror. Cila mendje do të mund ta kuptojë këtë mister, apo cila gjuhë do të mund ta shprehë këtë hir? Njerëzimi mëkatar kthehet në pafajësi, njerëzimi i regjur në të keqen fiton një jetë të re; jashtëfisnorët pranohen si bij dhe të huajt kanë pjesë në trashëgim.

   Zgjohu, o njeri, dhe njihe dinjitetin e natyrës sate! Kujto se je krijuar sipas shëmbëllesës së Hyjit; e nëse ky përngjasim u prish në Adamin, përsëri u mor në Krishtin. Krijesat e dukshme të bëfshin dobi në mënyrë të përshtatshme, siç të bëjnë dobi toka, deti, qielli, ajri, krojet dhe lumenjtë. Gjithçka të bukur e të mrekullueshme të gjesh në këto gjëra, ktheje në lavd e nder të Krijuesit.

   Me shqisën trupore të pamjes, pranoje dritën natyrore, por, bashkë me të, me gjithë zjarrin e zemrës sate përqafoje atë dritë të vërtetë, e cila e shndrit çdo njeri që vjen në këtë botë (krh. Gjn 1, 9). Për këtë dritë profeti thotë: “Shikojeni atë e do të ndriçoheni, fytyra juaj nuk do të turpërohet” (Ps 34 /33/, 6). Vërtet, nëse ne jemi tempulli i Hyjit dhe Shpirti Shenjt banon në ne, shumë më tepër vlen ajo që çdo besimtar ruan në zemrën e vet se sa mund të kundrohet në qiell.

   Fort të dashur, me këto fjalë nuk duam t'ju nxisim ose t'jua mbushim mendjen që t'i përbuzni veprat e Hyjit, as që t'i mbani si diçka që i kundërshton fesë suaj ato gjera që Hyji i mirësisë i krijoi të mira, por vetëm duam t'ju këshillojmë që të dini ta përdorni çdo gjë të krijuar, dhe krejt bukurinë e kësaj bote, në mënyrë të urtë e të matur. Sepse, sikurse thotë apostulli: “Sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme” (2 Kor 4, 18).

   Pra, pasi lindëm për jetën e tanishme, por pastaj rilindëm për jetën e ardhshme, nuk duhet të merremi krejtësisht pas të mirave të përkohshme, por të priremi kah të mirat e amshuara. Madje, që të mund ta sodisim më nga afër atë që shpresojmë, të mendojmë për gjërat me të cilat hiri hyjnor e pasuroi natyrën tonë. Ta dëgjojmë apostullin që thotë: “Vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. E kur të shfaqet Krishti - Jeta juaj -, atëherë edhe ju do të shfaqeni plot lavdi bashkë me të” (Kol 3, 3), që jeton dhe mbretëron me Atin dhe me Shpirtin Shenjt për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 144 /143/, 9; 117, 28

 

   C O Zot, për ty do të këndoj një këngë të re, * për ty do t'i bie harpës dhjetë kordash.

   D Ti je Hyji im, ty të falënderoj; ti je Hyji im, ty të madhëroj,

   C për ty do t'i bie harpës dhjetë kordash.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.