Shërbesa e leximeve

14 shkurt, Shën Çirili, murg dhe Metodi, ipeshkëv - Pajtorët e Evropës - Festë

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

   ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste

   turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

   lavdet e duhura.

 

   Duke bërë këtë për ty mbarështues të zgjedhur,

   dhe si meshtar duke e shoqëruar, e vure

   prijës në popull, besnik të qëndronte

   dhe ushqyes i mirë.

 

   Ky qe mësues edhe model i grigjës,

   ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

   për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë

   bëri gjithçka.

 

   O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

   e merituar, bëj që në jetë të bindur

   të ndjekim mësuesin e në fund të gëzojmë

   lumturinë me shenjtin.

 

   I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

   dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

   nëpër gjithë botën t’ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 5, 25 – 6, 18

 

   Këshilla në lidhje me dashurinë dhe me zellin e mirë.

 

   Vëllezër, nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. Mos të jepemi mbas lavdisë së kotë! Mos ta ngucim njëri‑tjetrin! Mos t'ia kemi smirë njëri‑tjetrit!

   Vëllezër, nëse ndokush bie në faj, ju që jeni njerëz shpirtërorë, ndreqeni të tillin me shpirt butësie. Ruaje veten që edhe ti të mos biesh në tundim.

   Mbartni njëri‑tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.

   Sepse, po mendoi ndokush se është diçka ‑ e nuk është asgjë ‑ ai gënjen vetveten. Secili le ta shqyrtojë vetë veprën e vet e atëherë, po gjeti arsye mburrjeje, le të jetë në krahasim me vetvete ‑ e jo me të tjerë. Sepse, secili do ta mbartë barrën e vet.

   Kush merr mësim në Fjalën e Hyjit prej ndokujt, le ta bëjë mësuesin e vet pjesëtar në të gjitha të mirat e veta.

   Mos u gënjeni: Hyji nuk lejon të vihet në lojë! Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë! Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.

   Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtetë, nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohën e duhur, do të korrim. Prandaj, derisa të kemi kohë, t'i bëjmë mirë gjithkujt, sidomos vëllezërve në fe.

   Shikoni se me ç'germa të mëdha po ju shkruaj me dorën time! Të gjithë ata që duan të mbahen të rëndësishëm sipas parimeve të mishit e të gjakut, të tillët ju shtyjnë të rrethpriteni me qëllim që të mos jenë të salvuar për shkak të kryqit të Krishtit. E pra, as vetë të rrethprerët nuk e mbajnë Ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mund të mburren me trupin tuaj. Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s'vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja ‑ por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!

   Pas tashit askush më të mos më trazojë, sepse unë mbart në trupin tim shenjat e Jezusit.

   Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 6, 7. 8; Gjn 6, 63

 

   C Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë. Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin; * kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.

   D Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë:

   C kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Jeta” e Konstantinit në gjuhë sllave.

(Kap. 18; Deukschriften der kaiserl. Akademie der Wissenschaften, 19, Vienë 1870, f.246)

 

   Rrite Kishën tënde dhe bashkoji të gjithë në njësi

 

   Konstantin Çirili, i këputur prej lodhjes, ra i sëmurë dhe e duroi ligështinë e vet për shumë ditë. Atëherë qe ngushëlluar me një vegim nga ana e Hyjit, e filloi të këndojë kështu: kur më thanë “do të shkojmë në shtëpinë e Zotit” u gëzua shpirti im dhe galdoi zemra ime (krh. Ps 121, 1).

   Pasi i veshi petkat e shenjtë, gjithë ditën mbeti plot gëzim dhe thoshte: “Tashmë nuk jam më shërbëtor i perandorit, as i ndonjë njeriu mbi tokë, por vetëm i Hyjit të gjithëpushtetshëm. Nuk ekzistoja, por tash ekzistoj e do të ekzistoj në amshim. Amen”.

   Të nesërmen, u vesh me petk murgu dhe, duke i shtuar dritës dritë, ia ngjiti vetes emrin Çiril. E mbajti atë petk pesëdhjetë ditë.

   Kur erdhi ora e përfundimit dhe e kalimit në pushimin e pasosur, i ngriti duart drejt Hyjit, dhe lutej me lot duke thënë: “O Zot, Hyji im, që i krijove të gjitha aradhet engjëllore dhe shpirtrat jotruporë, që i shtrive qiejt dhe e përforcove tokën dhe prej hiçit i trajtove të gjitha sendet që ekzistojnë, ti që gjithherë i dëgjon ata që e kryejnë vullnetin tënd dhe të druajnë dhe i mbajnë urdhërimet e tua, dëgjoje lutjen time dhe ruaje në fe grigjën tënde, për të cilën më caktove prijës mua, shërbëtorin tënd të padenjë e të paaftë.

   Liroji prej djallëzisë së mbrapshtë dhe pagane të atyre që të nëmin ty; bëj që të rritet Kisha jote dhe bashkoji të gjithë në njësi.

   Shenjtëroje popullin tënd, bëj që të ketë përkim të plotë në fenë e vërtetë e në dëshminë e drejtë, dhe në zemra frymëzoje fjalën e doktrinës sate. Vërtet, është dhuratë prej teje që të jemi thirrur ta shpallim ungjillin e Krishtit tënd, t'i nxisim vëllezërit që të kryejnë vepra të mira dhe të bëjnë atë çka ty të pëlqen.

   Ata që ti më dhe, t'i kthej si të tutë; drejtoji tash me të fuqishmen të djathtën tënde, mbroji nën hijen e krahëve të tu, kështu që të gjithë ta nderojnë dhe ta lavdërojnë emrin tënd të Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Amen.”

   Pastaj i puthi të gjithë me puthjen e shenjtë dhe tha: “Qoftë bekuar Hyji, që nuk na lëshoi si pre për dhëmbët e armiqve tanë të papashëm, por e shqeu rrjetën e tyre e na shpëtoi prej dëshirës së tyre për të na bjerrë”.

   E kështu, në moshë dyzetedyvjeçare, fjeti në Zotin.

   Papa dha urdhër që të gjithë grekët që gjendeshin në Romë dhe romakët të mblidheshin duke mbartur qira dhe duke kënduar, dhe që në salikime t'i kushtonin nderime jo të ndryshme nga ato që do t'i kushtonin vetë papës; dhe kështu u bë.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 89 /88/, 20-22; Jer 3, 15

 

   C Në vegim fole me miqtë e tu e u the: E lartësova një djalosh nga populli. Gjeta Davidin, shërbëtorin tim. * E leva me vajin tim të shenjtë. Dora ime gjithmonë do të jetë me të.

   D Do t'ju jap një bari sipas zemrës sime e do t'ju udhëheqë me dije e urti.

   C E leva me vajin tim të shenjtë. Dora ime gjithmonë do të jetë me të.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i ktheve në krishterim popujt sllavë me anën e dy vëllezërve shën Çirilit e Metodit, bëj që zemra jonë të jetë gjithmonë e hapur për fjalën e së vërtetës sate që të jemi të gjithë populli yt i shenjtë që përkon plotësisht në fenë e vërtetë e në dëshmimin e saj të drejtë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.