Shërbesa e leximeve

Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Është koha e mesit natës;

   nxit zëri profetik

   t’i këndojmë lavde Hyjit,

   Atit gjithmonë e Birit,

 

   si edhe Shpirtit të Shenjtë:

   Trinia e përsosur

   e një gjëje të vetme

   nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.

 

   Kjo kohë ka edhe tmerrin,

   ku engjëlli shkatërrues

   vdekjen i solli Egjiptit,

   shfarosi të parëlindurit.

 

   Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,

   pse atëherë po atje engjëlli

   s’kishte guxuar t’ndeshkonte

   nga frika e shenjës s’gjakut.

 

   Egjipti rëndë vajtonte

   nga shuarja e rreptë e djemve;

   veç Izraeli gëzonte

   mbrojtur nga gjaku i qengjit.

 

   Izraeli i vërtetë ne jemi:

   në Ty, o Zot, gëzohemi,

   duke shpërfillë armikun dhe të keqen,

   mbrojtur nga gjaku i Krishtit.

 

   Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Falemi o ditë, lavdia e ditëve,

   fatlume ditë fitore e Krishtit,

   ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,

   dita e parë.

 

   Dritë hyjnore u ndriçon të verbërve,

   në cilën Krishti shkreton ferrin,

   vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas

   t’ultat me t’lartat.

 

   Vendimi i mbretit të amshuar

   nën mëkat fund u dha të gjithave;

   që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte

   njerëzve të dobët.

 

   Virtyti i Hyjit e dija

   mërinë me mirësi zbuti

   atëherë kur bota në greminë

   tërësisht po rrokollisej.

 

   I lirë u ngjall përsëri nga ferri

   restaurator i farës njerëzore

   delen e vet mbi supa duke e mbartur

   në vise t’epra.

 

   Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,

   rritet plotësimi i radhëve qiellore,

   lavdi i ka hije Hyjit ngadhnjëmtar,

   lavdia e amshuar.

 

   Harmonia e atdheut qiellor

   përkoftë me zërin e Nënës Kishë,

   “Aleluja” sot grumbulloftë me turma

   grigjat besnike.

 

   Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,

   të përfitojmë nga gëzimi triumfal:

   paqe në tokë, dhe brohoritje

   qofshin ndër qiej. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.

 

   Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues

 

   Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2Kor 5, 17).

 

   I (1-12)

 

Bekoje, shpirti im, Zotin! *

   O Zot, Hyji im, sa i madh je!

I veshur me madhëri e me bukuri, *

   i mbështjellë me dritë porsi me petk!

 

E ngreh qiellin porsi tendë, *

   mbi ujëra ndërton banesat e tua.

 

Retë i bëre karrocë për vete, *

   ecën mbi krahët e erës!

 

Erërat i bën lajmëtarë të tu, *

   zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.

 

Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *

   nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.

 

E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *

   majat e maleve i mbulonin ujërat:

 

Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *

   dridhen nga zëri i bubullimës sate:

 

ngjiten në male, zbresin në lugina *

   drejt vendit që ti u cakton:

 

u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *

   që përsëri të mos e mbulojnë tokën.

 

Burimet ti i kthen në përrenj, *

   rrjedhin përmidis malesh;

ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *

   ua shuajnë etjen gomarëve të egër.

 

Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *

   gem më gem ia thonë këngës së vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.

 

   II (13-23)

 

Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *

   toka ngihet me frytet e duarve të tua.

 

Ti bën të mbijë bar për kafshë, †

   bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *

   për të nxjerrë prej tokës bukën

 

e verën që gëzon zemrën e njeriut, †

   që me vaj ta lyejë fytyrën *

   e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.

 

Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *

   cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.

Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *

   lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.

 

Malet e larta strehim u japin shutave, *

   e shpellat vjedullave banesën.

 

Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *

   edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.

 

Shtrin errësirën e bëhet natë: *

   nëpër të enden egërsirat e pyllit.

Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *

   e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.

 

Kur lind dielli ata tërhiqen *

   e struken në strofujt e vet.

Atëherë del njeriu për të vepruar *

   për t’i kryer punët deri në mbrëmje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.

 

   III (24-35)

 

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †

   Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *

   plot është toka me krijesat e tua.

 

Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †

   atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *

   kafshë të vogla të përziera me të mëdha!

 

Nëpër të kalojnë anijet, *

   Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!

 

Të gjitha këto presin me shpresë *

   që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.

Po u dhe ti ato mbledhin, *

   kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.

 

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †

   po ua more frymën, ato ngordhin *

   dhe kthehen në pluhur përsëri.

 

Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *

   dhe e rinon fytyrën e dheut.

 

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *

   u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *

   i prek malet e i bën të tymojnë.

 

Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *

   do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.

I pëlqeftë Zotit kënga ime, *

   kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

 

U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †

   e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *

   Bekoje, shpirti im, Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.

 

   D Lum sytë tuaj, që e shohin Krishtin:

   C dhe veshët tuaj, që e dëgjojnë zërin e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Fjalëve të urta 1, 1-7. 20-32

 

   Nxitja për të kërkuar urtinë.

 

   Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:

   për ta njohur urtinë e disiplinën, për t'i kuptuar fjalët e mençurisë,

   për ta pranuar dijen e mësimit, të drejtësisë, të gjykimit e të së drejtës,

   që t'u jepet të papërvojëve shquartësia, të riut kuptimi dhe përsiatja.

   Le të dëgjojë i urti dhe do ta shtojë dijen dhe i kuptueshmi do të fitojë aftësinë e këshillës,

   do t'i marrë vesh fjalët e urta e alegoritë, fjalët e të urtëve e gjëegjëzat e tyre.

   Frika e Zotit është fillimi i urtisë, por të marrët e përbuzin urtinë dhe mësimin.

   Urtia del përjashta e predikon, nëpër sheshe e lartëson zërin e vet,

   u flet kalimtarëve udhëve kryesore, në logje të qytetit thotë fjalët e saj e thotë:

   “Deri kur, o kakareça, do ta doni papjekurinë, e përqeshësit do ta dëshirojnë përqeshjen e të marrët do ta urrejnë urtinë?

   Vështroni qortimet e mia! Ja, para jush po e hap shpirtin tim, do t'jua tregoj fjalët e mia.

   E pra, ju thirra e ju nuk deshët, jua shtriva dorën e askush s'm'i lëshoi sytë,

   i përbuzët të gjitha këshillat e mia, e s'vratë vesh për qortimet e mia.

   Po edhe unë do të qeshem për rrënimin tuaj, do të bëj lojna kur ju t'ju kapë frika,

   kur tmerri si stuhi të sulet mbi ju, kur thellimi t'ju shkundë për sosje, kur t'ju mbulojë vështirësia e shtrëngimi.

   Atëherë do të më thërrasin, por unë s'do të përgjigjem, me ngulm do të më kërkojnë, por nuk do të më gjejnë.

   Pasi e kanë urryer disiplinën dhe nuk e zgjodhën frikën e Zotit,

   as s'e pranuan këshillin tim dhe i përbuzën të gjitha qortimet e mia,

   do ta hanë frytin e sjelljes së vet do të ngopen me rrjedhojat e këshillave të veta.

   Iria për arsimim do t'i mbytë të thjeshtët, vetësiguria do t'i vrasë marranat.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 3, 18-19; 1, 23. 24

 

   C Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë: * dija e kësaj bote është marri para Hyjit.

   D Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit:

   C dija e kësaj bote është marri para Hyjit.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Komentimet mbi Diatesaronin” të shën Efremit, diakon

(1, 18-19; SC 121, 52-53)

 

Fjala e Hyjit është burim i pashtershëm i jetës.

 

   O Zot, e kush mund ta kuptojë tërë pasurinë e një fjale të vetme prej të tuave? Shumë më tepër është çka nuk arrijmë se sa mund të kuptojmë. Përnjëmend, jemi si njerëz të etshëm që pinë te ndonjë krua. Fjala jote paraqet shumë aspekte të ndryshme, sikurse edhe shumë janë këndvështrimet e atyre që e studiojnë. Zoti e ngjyrosi fjalën e vet me bukuri të ndryshme, që ata që e shqyrtojnë të mund të sodisin atë që parapëlqejnë. I fshehu në fjalën e vet të gjitha visaret, me qëllim që çdonjëri prej nesh ta gjejë një pasuri në atë që sodit.

   Fjala e tij është një pemë jete e cila, nga çdo anë, paraqet fryte të bekuara. Ajo është si ai shkëmb i çarë në shkretëtirë, që u bë për çdo njeri, nga çdo anë, burim pije shpirtërore (krh. 1 Kor 10, 2).

   Ai të cilit i takon një prej këtyre pasurive të mos kujtojë se nuk ka tjetër në fjalën e Hyjit përveç asaj që gjeti. Por le ta marrë vesh se nuk qe i aftë të zbulojë më shumë se një gjë të vetme mes shumë të tjerave. Pasi të pasurohet me fjalën, mos të mendojë se prandaj ajo të jetë bërë më e varfër. Duke qenë i paaftë për ta arritur plotësinë e pasurisë së saj, le të falënderohet për pamatësinë e saj. Gëzohu se u ngive, e mos u mërzit nëse pasuria e fjalës të tejkalon. Kush ka etje gëzohet se pi, por nuk mërzitet nëse nuk mund ta shterë gurrën. Është më mirë që gurra ta shuajë etjen tënde se sa etja ta shuajë gurrën. Nëse etja jote u shua pa u shterur gurra, do të kesh mundësi të pish përsëri prej saj çdo herë të kesh nevojë. Kurse, po ta shterësh gurrën duke u ngirë, fitorja jote do të ishte fatkeqësia jote. Falënderohu për sa more e mos u anko për çka mbet e papërdorur. Sa more me vete është e jotja, por sa mbet është prapë trashëgimi yt. Atë që nuk pate mundësi të marrësh për shkak të dobësisë sate, do ta marrësh në raste të tjera me anë të qëndresës sate. Mos ji aq kryeneç sa që të kërkosh të fitosh në një herë të vetme çka mund të merret vetëm dalëngadalë, e mos u largo prej asaj që mund të të jepet vetëm pak nga pak.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Pjt 1, 25; Bar 4, 1

 

   C Fjala e Zotit mbetet në amshim: * ky është Ungjilli që ju qe shpallur.

   D Ajo është libri i urdhërimeve të Hyjit, Ligji që qëndron për amshim: kush ta mbajë do të jetojë;

   C ky është Ungjilli që ju qe shpallur.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.