Shërbesa e leximeve
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E hënë
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tani është për ne ajo koha
ku nga zëri ungjillor
besohet do vijë dhëndri,
Autori i mbretërisë qiellore.
Rendin virgjëreshat shenjte
kur t’vijë me i dalë përpara,
duke mbajtë llamba t’ndritshme,
me gëzim t’madh t’hareshme.
T’marrat që s’luajnë nga vendi,
të shuara i kanë llambat,
pa dobi n’derë trokasin
është mbyllë pallati i mbretit.
Tani me urti t’rrijmë zgjuar
duke i mbajtë mendtë të qarta,
që kur të vijë Zotynë
të denjë t’i dalim para.
Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,
o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes
autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja
himnim të qesim.
Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)
që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër
me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur
nga zjarri i dashurisë.
Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,
kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,
jepu të gjithëve krahas me dhuratat
e jetës s’lumtur.
Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm
dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,
e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt
nëpër gjithë botën. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.
Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie
O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
I (2-9)
Në ty, o Zot, shpresoj: †
mos lejo të turpërohem për amshim, *
më liro me drejtësinë tënde.
Prire drejt meje veshin tënd, *
nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
kështjellë mbrojtjeje!
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
sepse ti je fuqia ime.
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *
ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †
se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *
ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;
nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *
hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
II (10-17)
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se ndodhem në ngushtim të madh!
Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *
shpirtin edhe trupin.
Jeta më sharroi në dhembje *
e vjetët më kaluan në dënesë,
fuqia më mbaroi nga mundi *
e eshtrat m’u thanë.
Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje. –
Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *
u bëra porsi enë e thyer.
Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †
bëjnë mbledhje kundër meje, *
pleqërojnë si të ma marrin jetën.
E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †
unë them: »Ti je Hyji im, *
në duart e tua fati im!«
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *
dhe prej atyre që më salvojnë.
Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *
më shpëto me mëshirën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
III (20-25)
Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *
në sy të bijve të Adamit.
Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde *
larg nga gjuhët ngatërrestare.
Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *
me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *
»I përjashtuar jam prej syve të tu!«,
por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *
kur drejt teje lëshova kushtrimin.
Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *
ai i ruan besimtarët e vet,
por edhe atë që vepron me madhështi *
Zoti e shpaguan sipas meritave.
Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *
që shpresoni në Zotin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:
C Hyji im, ti je shëlbimi im.
Leximi i parë
Prej librit të Fjalëve të urta 3, 1-20
Si fitohet urtia?
Biri im, mos e harro mësimin tim dhe zemra jote le t'i mbajë urdhërimet e mia, sepse do t'i bëjnë të shumta ditët e tua, vjetët e jetës sate plot mirëqenie.
Mirësia e besnikëria kurrë mos të lënçin! Lidhi për qafën tënde, shkruaj mbi rrasën e zemrës sate.
Kështu do të fitosh zë e do të kesh sukses para syve të Hyjit e të njerëzve.
Kije shpresën në Zotin me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në mençurinë tënde.
Kije mendjen në të në të gjitha udhët e tua dhe ai do t'i drejtojë hapat e tu.
Mos e mbaj vetveten të urtë: druaje Zotin e largohu të keqes.
Kjo do të jetë shëndet për trupin tënd dhe freskim për eshtrat e tu.
Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me frytet e para të të gjithë të ardhurave të tua.
Drithnikët e tu do të mbushen me grurë e vozat e tua do të mbushen plot verë.
Mos e përbuz, biri im, disiplinën e Zotit e mos të iritet kur ai të qortojë, sepse Zoti qorton atë që do, shi porsi baba fëmijën që e ka për zemër.
Lum njeriu që e fitoi urtinë, i lumi ai që e gjeti maturinë!
Sepse më mirë është të fitosh atë se argjend, fryti i saj është më i vlefshëm se ari i pastër.
Është ajo më e çmueshme se të gjitha perlat dhe me të s'mund të krahasohet asnjë gjë e çmueshme: në të djathtën e saj është jeta e gjatë e në dorën e majtë pasuria e nderi.
Udhët e saja, udhë të bukura, të gjitha shtigjet e saja me paqe.
Kush e fiton atë fiton pemën e jetës, i lumi ai që mund ta mbajë atë!
Me dije Zoti ia qiti tokës themelet, me mençuri të qëndrueshme i bëri qiejt,
me dijen e tij plasën humnerat edhe retë e rigojnë vesën.
Përgjigjja Krh. Fu 3, 11. 12; Heb 12, 7
C Mos e përbuz disiplinën e Zotit e mos të iritet kur ai të qortojë. * Zoti qorton atë që do, shi porsi baba fëmijën që e ka për zemër.
D Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë?
C Zoti qorton atë që do, shi porsi baba fëmijën që e ka për zemër.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Bernardit, abat
(Ligj. “De diversis", 15; PL 183, 577-579)
Kërkimi i urtisë.
Ta fitojmë një ushqim që nuk prishet, ta kryejmë veprën e shëlbimit tonë. Të punojmë në vreshtin e Zotit, që të mund ta meritojmë pagën tonë të përditshme. Të veprojmë në dritën e urtisë, e cila thotë: “Kush i kryen veprat e mia, kurrë nuk do të gabojë” (Sir 24, 30). “Ara është bota” (Mt 13, 38), thotë e Vërteta. Të gërmojmë në të e do ta gjejmë visarin e fshehur. Ta nxjerrim. Vetë urtia është ajo që nxirret prej vendit ku është strukur. Të gjithë e kërkojmë, të gjithë e dëshirojmë.
Thotë: “Nëse doni të kërkoni, kërkoni; kthehuni, ejani” (krh. Is 21, 12). Po më pyet prej çka duhet të kthehesh: shkëputu prej dëshirave të tua. Por nëse nuk e gjej në dëshirat e mia, ku mund ta gjej këtë urti? Shpirti im e dëshiron me afsh. Nëse e dëshiron, me siguri do ta gjesh. Por nuk mjafton ta kesh gjetur. Pasi e gjete, duhet ta vendosësh në zemër me masë të mirë, të dendur, të tundur, me grumbull (krh. Lk 6, 38). E drejtë është që të jetë kështu. Vërtet: “Lum njeriu që e fitoi urtinë, i lumi ai që e gjeti maturinë” (Fu 3, 13): Kërkoje, pra, derisa mund ta gjesh, e derisa ta kesh afër, thirre. A dëshiron të dish sa afër e ke? Afër teje është Fjala, në zemrën tënde e në gojën tënde (krh. Rom 10, 8), por vetëm nëse e kërkon me zemër të çiltër. Kështu, në zemrën do ta gjesh urtinë, e do të jesh plot maturi në gojën tënde; por ki kujdes që të vërshohet në ty, e të mos tërhiqet ose dëbohet.
Njëmend, e gjete mjaltin nëse e gjete urtinë. Vetëm, mos ha tepër prej saj, që të mos kesh për ta vjellë, pasi u ngive. Ha në mënyrë që ta mbash urinë. Urtia thotë: “Ata që më hanë, përsëri do të kenë uri” (Sir 24, 29). Mos bëj llogari mbi atë që ke. Mos u ngop me atë që ha, që të mos vjellësh, e që të mos hiqet ajo që kujton të kesh, meqenëse pushove para kohe prej kërkimit tënd. Pra, nuk duhet të ndalesh duke e kërkuar dhe duke e thirrur urtinë, përderisa mund ta gjesh, përderisa ta kesh pranë. Përndryshe, siç thotë vetë Salomoni, sikurse ai që ha tepër mjaltë ligështohet, po ashtu kush dëshiron ta shqyrtojë madhështinë hyjnore verbohet prej lavdisë së saj (krh. Fu 25, 27). Dhe si është i lum njeriu që e gjen urtinë, po ashtu, edhe më tepër, është i lum ai që qëndron në urtinë. Kjo lidhet me begatinë e saj.
Me siguri, në këto tri raste në gojën tënde është begatia e urtisë dhe e maturisë: nëse e ke në gojë rrëfimin e fajeve të tua, nëse e ke falënderimin dhe këngën e lavdit, edhe nëse bisedën e ke ndërtuese. Faktikisht, “për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër, e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë” (Rom 10, 10). Po ashtu: i drejti e dënon veten qysh në fillim të fjalëve të veta (krh. Fu 18, 12), në mes të bisedës duhet ta madhërojë Hyjin, e në të tretën pjesë duhet të mbushet me urti për ta ndërtuar të afërmin.
Përgjigjja Krh. Ur 7, 10. 11; 8, 2
C E desha urtinë më tepër se shëndetin dhe bukurinë, dhe e parapëlqeva më fort se dritën. * Bashkë me të më erdhën të gjitha të mirat.
D E desha dhe e kërkova që prej rinisë sime, dhe u dashurova në bukurinë e saj.
C Bashkë me të më erdhën të gjitha të mirat.
Lutja
O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.