Shërbesa e leximeve

Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,

   përherë në psalme thellë le të mendohemi

   me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit

   ëmbëlsisht himnet.

 

   Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,

   me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi

   n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku

   jetën e lume.

 

   E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume

   e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit

   të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,

   o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;

   prano premtimet e shërbëtorëve tu

   të përgjërohemi.

 

   Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë

   me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat

   e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha

   dëbo nga zemrat.

 

   Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,

   këputi prangat, laj papastërtitë,

   ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde

   ngre të rrëzuarit.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,

   dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,

   me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt

   nëpër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

   Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit

 

   Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).

 

   I (1-11)

 

Mos u zemëro kundër keqbërësve *

   as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *

   e do të kalben si bari i njomë.

 

Shpreso në Zotin e bëj mirë: *

   kështu do të banosh Tokën e premtuar

   e do të jetosh në paqe.

Vëre gëzimin tënd në Zotin *

   e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *

   shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *

   të drejtën tënde porsi mesdita.

 

Hesht para Zotit e shpreso në të †

   e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *

   për njeriun që djerron tradhti.

 

Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *

   mos u shqetëso se vetëm prish punë,

sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *

   kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.

 

Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *

   tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,

kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *

   e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

   II (12-29)

 

Bakeqi i vë prita të drejtit, *

   kundër tij kërcëllon dhëmbët,

por Zoti e përqesh atë, *

   sepse e sheh se do t’i vijë dita.

 

Mëkatarët vringëlluan shpatën *

   dhe ngrehën harkun

për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *

   për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.

 

Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *

   harku i tyre copë e grimë do të bëhet.

 

Më mirë pakica e të drejtit *

   sesa pasuria e madhe e bakeqit,

sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *

   ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.

 

Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *

   trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.

Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *

   s’do t’u mungojë buka në kohë zie.

 

Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †

   porsi stolia e fushave do të vyshken, *

   do të zhduken porsi tymi.

 

I paudhi merr hua e nuk kthen, *

   ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.

 

Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *

   ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.

 

Zoti i forcon hapat e njeriut *

   dhe përcjell me dashuri udhën e tij.

Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *

   sepse Zoti e mban për dore.

 

I ri qesh edhe u plaka, †

   por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *

   as fëmijët e tij duke lypur bukë.

 

Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *

   prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.

 

Hiqu së keqes e bëj të mirën *

   e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,

sepse Zoti e do të drejtën *

   dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.

 

Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *

   breznia e tyre do të shuhet.

Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *

   dhe në të do të banojnë për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   III (30-40)

 

Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *

   gjuha e tij shpall të drejtën.

Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *

   nuk shqepojnë hapat e tij.

 

I paudhi e përgjon të drejtin: *

   këqyr si ta vrasë.

Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *

   nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.

 

Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †

   ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *

   dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.

 

E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *

   të lartë porsi cedrin e kërthndezët;

kalova dhe, ja, nuk ishte, *

   e kërkova e nuk e gjeta.

 

Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *

   njeriu i paqes pas vetes lë djalin.

Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *

   bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.

 

Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *

   ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

 

Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †

   do t’i lirojë prej keqbërësve *

   sepse shpresuan në të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:

   C sepse kam besim në fjalët e tua.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Fjalëve të urta 8, 1-5. 12-36

 

   Lavdërimi i urtisë që krijon.

 

   Vallë thua, ndoshta, Urtia s'thërret? S'po e lëshon zërin e vet Mençuria?

   Prej majave më të larta përmbi udhë, në mes të udhëkryqeve ajo qëndron në këmbë,

   përngjat dyerve, në hyrje të qytetit, në mes të shesheve zërin e lëshon të lartë:

   “O ju njerëz! Ju, ju thërras, bijve të njerëzve u drejtohet zëri im!

   Kuptojeni, o të papërvojë, zgjuarsinë, të pakuptim, hetojeni dijen e jetës!

   Unë, Urtia, banoj me Maturinë, në dorë e kam mjeshtërinë e veprimit të arsyeshëm.

   Frika e Zotit është urrejtja e të keqes. Unë urrej madhështinë e kreninë, udhën e së keqes dhe gojën rrenacake.

   Mua më përket këshilli edhe mençuria, imja është maturia, imja është forca.

   Me anën time mbretërojnë mbretërit, edhe princat ndajnë drejtësi;

   me anën time prijësit sundojnë, pushtetmëdhenjtë ndajnë drejtësi.

   Unë i dua ata që më duan dhe më gjejnë ata që më kërkojnë me kohë.

   Me mua janë kamja e lavdia, të mirat që s'kalojnë e drejtësia.

   Fryti im është më i mirë se ari dhe se ari i pastruar, frytet e mia më të mira se argjendi i zgjedhur.

   Eci udhëve të drejtësisë, shtigjeve të së drejtës,

   për t'i pasuruar dashamirësit e mi, për t'i mbushur vishtarët e tyre.

   Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta, qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send.

   Kam qenë shuguruar prej amshimit, qysh në kohët më të lashta, para se të krijohej toka.

   Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta,

   para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kodrat, unë linda.

   Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës.

   Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur hoqi një rreth, ligj të sigurt, rrethues të humnerës,

   kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës

   kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet,

   unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën,

   duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqja ime është të jem me bijtë e njerëzve.

   Tash pra, o bij, më dëgjoni: të lumtë ata që i ruajnë udhët e mia.

   Dëgjojeni mësimin dhe bëhuni të urtë, e ruhuni se e flakni tej atë!

   Lum ai njeri që më dëgjon mua që çdo ditë rri zgjuar para derës sime e i ruan pragjet e derës sime.

   Kush më gjen mua, gjen jetën dhe nxjerr hir prej Zotit;

   kurse kush të mëkatojë kundër meje, e dëmton shpirtin e vet: të gjithë ata që më urrejnë, e duan vdekjen.

 

   Përgjigjja Krh. Fu 8, 22; Gjn 1, 1

 

   C Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta, * qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send.

   D Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj,

   C qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send.

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Ligjëratat kundër arianëve” të shën Atanazit, ipeshkëv

(Lut. 2, 78. 81-82; PG 26, 311. 319)

 

Njohja e Atit na vjen në saje të Urtisë krijuese dhe të mishëruar.

 

   Urtia e njëlindur e Hyjit është krijuese dhe autore e të gjitha sendeve. Për këtë arsye thuhet: Të gjitha veprat e tua i bëre me urti të madhe, edhe: plot është toka me krijesat e tua (krh. Ps 104 /103/, 24). Tashti, që sendet e krijuara jo vetëm të ekzistojnë, por të ekzistojnë me rregull, i pëlqeu Hyjit t'ia përshtatë vetes sendet e krijuara me anë të urtisë së vet, për ta shtypur në të gjitha dhe në çdonjërën prej tyre një farë vule dhe përngjasimi të shëmbëllesës së vet, e kështu të jetë e qartë që sendet e krijuara janë stolisur me urti, dhe që veprat e kryera janë të denja për Hyjin.

   Sikurse fjala jonë është shëmbëllesë e Fjalës, që është Biri i Hyjit, kështu në ne urtia është bërë sipas shëmbëllesës të së vetmes Fjale, që është vetë Urtia. Dhurata e urtisë na jep mundësi të mësojmë e të njohim, na bën të aftë ta pranojmë Urtinë krijuese dhe, me anë të saj, ta njohim vetë Atin. Sepse kush e ka Birin e ka edhe Atin (krh. 1 Gjn 2, 23), e “kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi” (Mt 10, 40). Pra, pasi shëmbëllesa e kësaj urtie qe krijuar në ne e në të gjitha sendet, me të drejtë Urtia e vërtetë, ajo krijuese, duke ia ngjitur vetes ato veti që i përkasin shëmbëllesës së vet, thotë: “Zoti më krijoi në veprat e veta". Por, meqenëse në planin plot urti të Hyjit, siç shtjelluam, “bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin, i pëlqeu Hyjit t'i shëlbojë besimtarët me marrinë e predikimit” (krh. 1 Kor 1, 21). Hyji nuk pranoi më të njihej, sikurse në kohët e lashta, me anë të shëmbëllesës dhe të hijes së urtisë. Ai deshi që vetë Urtia të mishërohej, të bëhej njeri, ta pësonte vdekjen në kryq, me qëllim që me anë të fesë, e cila e ka në të themelin e vet, të gjithë besimtarët të mund të shëlboheshin.

   Urtia e Hyjit e shfaqte veten dhe Atin në saje të shëmbëllesës së vet, të gdhendur në sendet e krijuara. Për këtë arsye thuhet se është krijuar. Pastaj, vetë kjo Urti, e cila është Fjala, u mishërua, sikurse thotë shën Gjoni. Pasi vdekja u mposht dhe njerëzimi u lirua, më qartazi e zbuloi vetveten dhe, me anë të saj, Atin; prandaj edhe thotë: “Bëj që të të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin” (krh. Gjn 17, 3).

   Pra, mbarë toka është plot me njohjen e tij. Meqenëse një e vetme është njohja e Atit nëpër Birin dhe e Birit me anë të Atit. Me të njëjtin gëzim me të cilin u gëzua Ati, gëzohet edhe Biri në Atin, sikurse shprehet me këto fjalë: unë isha kënaqësia e tij. Për çdo ditë pranë tij ishte kënaqësia ime (krh. Fu 8, 30-31).

 

   Përgjigjja Krh. Kol 2, 6. 9; Mt 23, 10

 

   C Sikurse e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në të. * Në të banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore.

   D Një i vetëm është Mësuesi juaj, Krishti.

   C Në të banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.