Shërbesa e leximeve

Kreshmët E SHTUNË – Pas të mërkurës së përhime

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Kreshmët E SHTUNË – Pas të mërkurës së përhime

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.

 

   Psalmi 78 /77/ (40-72) Pabesia e popullit dhe besnikëria e Zotit

 

   Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata (1 Kor 10, 6).

 

   IV (40-51)

 

Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë, *

   sa herë e zemëruan në vise të pabanuara!

Prapë e prapë e ngucnin Hyjin, *

   e trishtonin Shenjtin e Izraelit

 

duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme, *

   ditën kur i shpëtoi nga armiku,

as mrekullitë që i bëri në Egjipt, *

   as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos.

 

Kur lumenjtë i shndërroi në gjak *

   dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin.

Dërgoi mbi ta gretha që t’i thernin *

   dhe bretkosa që t’i pranin.

 

Të korrat e tyre ua dha karkalecave, *

   vemjeve mundin e tyre.

Me breshër ua rrënoi vreshtat, *

   e me brymë manat e tyre.

 

Me breshër ua shfarosi bagëtinë, *

   me rrufe ua vrau grigjat.

 

Lëshoi mbi ta felgrimin e zemërimit të vet, †

   hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet, *

   dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen.

 

I rrafshoi udhën felgrimit të vet, †

   nuk ua kurseu jetën prej vdekjes, *

   jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës.

 

I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, *

   frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.

 

Ant. 2 Hyji na priu tek mali ku shfaqet shenjtëria e tij.

 

   V (52-64)

 

Porsi dhen prej andej e nxori popullin e vet, *

   i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.

U printe me kujdes pa farë frike, *

   kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu.

 

I çoi në Tokën e vet të shenjtë, *

   në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

 

Para tyre i dëboi paganët, †

   tokën e tyre me konop ua ndau për pronë, *

   në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit.

 

E ata prapë e ngucën dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë, *

   nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.

 

u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre, *

   u kthyen prapazi porsi harku i prishur.

E hidhëruan me lartësirat e tyre, *

   dhe e ngucën me gdhendjen e idhujve.

 

Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim, *

   për së tepërmi iu ndy Izraeli.

E lëshoi banesën Silo, *

   tendën ku banonte në mes të njerëzve.

 

Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri, *

   nderin e vet në duar të armiqve.

Popullin e vet ia dorëzoi shpatës, *

   kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim.

 

Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, *

   vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin.

Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre, *

   e vejushat e tyre nuk i vajtuan!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji na priu tek mali ku shfaqet shenjtëria e tij.

 

Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës dhe Davidin, shërbëtorin e vet, për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.

 

   Psalmi 78 /77/ VI (65-72)

 

E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti, *

   si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon,

e t’u ra pas shpine armiqve, *

   i mposhti një herë e përgjithmonë.

 

E përjashtoi tendën e Jozefit, *

   nuk e zgjodhi fisin e Efraimit.

   por zgjodhi fisin e Judës, *

   malin e Sionit që e ka për zemër.

 

Të lartë si qiellin e ndërtoi Shenjtëroren, *

   porsi tokën e themeloi për amshim.

Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet, *

   e hoqi nga grigjat e dhenve,

 

prej pas delesh nëna atë e mori †

   të kullotë Jakobin, popullin e vet, *

   Izraelin, trashëgimin e vet!

 

Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur *

   dhe u priu me dorën e vet të vyer.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës dhe Davidin, shërbëtorin e vet, për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.

 

   D Kush e bën të vërteten, është në dritë:

   C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 3, 1-20

 

   Thirrja e Moisiut. Hyji i zbulon emrin e vet

 

   Tashti, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Pasi i dha grigjës mballimin shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej.

   Moisiu mendoi: »Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba?« Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: »Moisi, o Moisi!« Ai u përgjigj: »Urdhëro!« Ai tha: »Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!« Dhe shtoi: »Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.« Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.

   Zoti i tha: »E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë të mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ai dhé dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut. Kështu, pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pash shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve. Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit!«

   Por Moisiu i tha Hyjit: »Po kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t'i nxjerr bijtë e Izraelit prej Egjiptit?« E Hyji i tha: »Unë do të jem me ty! Dhe, ja, shenja se të kam dërguar: kur ta nxjerrësh popullin prej Egjiptit, mbi këtë mal do t'i jepni nderim Hyjit.«

   Atëherë Moisiu i tha Hyjit: »Qe po qe se unë po shkuakam te bijtë e Izraelit dhe po ju thënkam: Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju. Po nëse më thonë: 'Si e ka emrin?', çka do t'u them?« Hyji i tha Moisiut: »Unë jam ai që jam!« Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: »Kështu thuaju bijve të Izraelit: Jahveu /Ai që është/, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi te ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni.«

   »Shko e bashkoj pleqtë e Izraelit dhe thuaju: 'Zoti, Hyji i etërve tuaj, m'u dëftua: Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit e më tha: Erdha t'ju shoh dhe pashë gjithçka që po ju ndodh në Egjipt. Vendosa: t'ju nxjerr nga skllavëria e Egjiptit dhe do t'ju çoj në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Perezeut, të Heveut dhe të Jebuzeut, në dheun ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ata do ta dëgjojnë fjalën. Ti dhe pleqtë e Izraelit do të hyni te mbreti i Egjiptit dhe thoni: 'Zoti, Hyji i hebrenjve na u dëftua. Tani duhet të shkojmë në shkretëtirë tri ditë rrugë larg, për t'i flijuar Zotit, Hyjit tonë.'

   Unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni në qoftë se nuk shtrëngohet nga shuplaka e rëndë. Prandaj unë do ta shtrij dorën time dhe do ta shtrëngoj Egjiptin me mrekullitë e mia të gjithfarshme që do t'i bëj në të. Pas kësaj do t'ju lëshojë.«

 

   Përgjigjja Krh. Dal 3, 14-15; Is 43, 11

 

   C Hyji i tha Moisiut: Unë jam ai që jam. * Kështu thuaju bijve të Izraelit: Ai që është, më dërgoi te ju.

   D Unë, e vetëm unë jam Zot, përveç meje Shëlbues tjetër s’ka.

   C Kështu thuaju bijve të Izraelit: Ai që është, më dërgoi te ju.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv

   (Lib. IV, 13, 4 – 14, 1; SCh 100, 534-540)

 

   Miqësia me Hyjin

 

   Zoti ynë, Fjala e Hyjit, më së pari i përcolli njerëzit që t’i shërbejnë Hyjit, pastaj nga shërbëtorë i bëri miq të tij, sikurse ai vetë u tha nxënësve: “Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim” (Gjn 15, 15). Miqësia e Hyjit ua jep pavdekësinë atyre që bëhen gati për të siç duhet.

   Në fillim Hyji e formoi Adamin, jo se kishte nevojë për njeriun, por për të pasur dikë mbi të cilin t’i derdhë bamirësitë e veta. Fjala e lavdëronte Atin, duke qëndruar gjithmonë në të, jo vetëm para Adamit, por edhe para çdo krijimi. Ai vetë na ka treguar: “O Atë, më lavdëro para teje me atë lavdi që e kisha te ti para se filloi të ishte bota” (Gjn 17, 5).

   Ai urdhëroi që t’i shkojmë pas, jo sepse i nevojitet shërbimi ynë, por për të na dhënë neve shëlbimin. Ta ndjekim Shëlbuesin do të thotë të kemi pjesë në shëlbim, sikurse ta ndjekim dritën do të thotë të ndriçohemi prej saj.

   Kush është në dritë, me siguri nuk është ai që e ndriçon dritën dhe e bën të shndrisë, por është drita që e ndriçon atë dhe e bën të ndritshëm. Ai asgjë nuk i jep dritës, por prej saj ai e merr dobinë e ndriçimit dhe të gjitha të mirat e tjera.

   Po ashtu edhe në lidhje me shërbimin e Hyjit: asgjë nuk i sjell Hyjit, dhe nga ana tjetër Hyji nuk ka nevojë për shërbimin e njerëzve; por atyre që i shërbejnë dhe e ndjekin ai ua jep jetën, pashkatërrueshmërinë dhe lavdinë e amshuar. Bamirësitë e tija i lëshon mbi ata që i shërbejnë për vetë faktin se i shërbejnë, dhe mbi ata që e ndjekin për vetë faktin se e ndjekin, por kjo nuk i sjell atij asnjë dobi.

   Hyji e kërkon shërbimin e njerëzve për të pasur mundësi, ai që është i mirë dhe i mëshirshëm, t’i zbrazë bamirësitë e tija mbi ata që janë besnikë në shërbimin e tij. Ndërsa Hyji nuk ka nevojë për asgjë, njeriu ka nevojë për bashkësi me Hyjin.

   Lavdia e njeriut qëndron me ngulm në shërbim të Hyjit. Për këtë arsye Zoti u thoshte nxënësve të vet: “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju” (Gjn 15, 16), duke treguar kështu se nuk ishin ata që e lavdëronin atë, duke e ndjekur, porse për vetë faktin se e ndiqnin Birin e Hyjit, lavdëroheshin nga ai. E prapë: “Dua që të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time.” (Gjn 17, 24.

 

   Përgjigjja Krh. Lp 10, 12; Mt 22, 38

 

   C Çfarë kërkon Zoti, Hyji yt prej teje?: * ta duash e t’i shërbesh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.

   D Ky është më i madhi e i pari urdhërim:

   C ta duash e t’i shërbesh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.