Shërbesa e leximeve

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Ftesa

 

D    O Zot, hapi buzët e mia.

C    Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Sipas dokes mistike

   të mësuar të agjërojmë,

   dhe agjërimin e dhjetë ditëve

   katër herë ta shumëfishojmë.

 

   Ligji e profetët të parët

   parapëlqyen këtë numër,

   pastaj e shenjtëroi vetë Krishti,

   mbreti e krijuesi i gjithë kohëve.

 

   Me masë ta përdorim

   ndër fjalë, ushqime e pije,

   në gjumë e lojëra më shtrëngueshëm

   të qëndrojmë për ta ruajtur.

 

   Të dëbojmë më të ligat,

   që shembin mendje të brishta,

   aspak vend më mos t’i japim

   tiranisë së armikut djall.

 

   Na ndihmo, Trini e lume,

   Na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti të përmbajtjes. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

   Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti do të mblidhen së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

 

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

 

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

   C por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 5, 1 - 6, 1

 

   Faraoni e shtyp edhe më shumë popullin e Izraelit

 

   Një ditë, Moisiu e Aroni hynë te faraoni dhe i thanë: »Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Lësho popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë.« Por ai u përgjigj: »Kush është ai Zot, që t'ia dëgjoj fjalën e ta lëshoj Izraelin? Unë nuk e pranoj atë Zot, as nuk e lëshoj Izraelin.« Por ata i thanë: »Hyji i hebrenjve na u dëftua. Të lutemi na lejo të shkojmë tri ditë udhë larg në shkretëtirë që t'i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, që të mos na mbytë rastësisht me murtajë ose me shpatë.« Por mbreti i Egjiptit u tha: »Përse ti, Moisi e ti Aron, po doni ta ndani popullin prej punës së vet? Kthehuni në punët tuaja!« Faraoni shtoi: »Tani që ky popull është shumuar aq fort edhe kështu e ka mbushur dheun, çka do të ndodhë po qe se u jepni edhe pushim?«

   Po atë ditë u dha urdhër mbikëqyrësve të popullit dhe shkruesve të punës: »Mos i jepni më assesi si deri tani popullit kashtë, por le të shkojë e ta mbledhë vetë për të prerë plitharë. Por ju kërkoni prej tij numër të njëjtë tullash si edhe deri tani. Mos e pakësoni numrin! Sillen kot, prandaj edhe bërtasin: Na lejo të shkojmë e t'i bëjmë fli Hyjit tonë! Shtojuani punën e të dërmohen, që të mos kenë kohë të merren me punë të kota!«

   Mbikëqyrësit e popullit dhe shkruesit dolën dhe i treguan popullit: »Kështu thotë faraoni: 'Nuk ju jap kashtë! Dilni e mblidheni vetë aty ku ta gjeni, por për atë gjë nuk do t'jua pakësoj punën'.« Mbarë populli u shpërnda nëpër dheun e Egjiptit për të mbledhur byk. Mbikëqyrësit u bërtitnin: »Bëni përditë po aq punë sa bënit më parë kur ju jepej kashta!« Bijtë e Izraelit, ata që mbikëqyrësit e faraonit i vunë të regjistrojnë sasinë e punës, qenë frushkulluar. U thoshin: »Pse nuk e plotësuat as dje as sot, numrin e tullave si më parë?«

   Izraelitët që regjistronin e panë se po e kishin punën pisk dhe shkuan e u ankuan te faraoni: »Përse po vepron kështu kundër skllevërve të tu? Nuk u jepet byku e u urdhërohet të qesin po atë shumë tullash. Qe, madje edhe po i rrahin shërbëtorët e tu, kurse fajin e ka populli yt!« Ai u përgjigj: »Ju jeni përtacë! Po, përtacë! Prandaj thoni: 'Na lejo të shkojmë t'i bëjmë fli Zotit'!

   Shkoni, pra, e punoni! Byku nuk do t'ju jepet e ju do të bëni shumën e rëndomtë të tullave!«

   Shkruesit izraelitë po e shihnin se sa ngushtë e kishin punën për shkak të urdhrit: 'Për asnjë ditë nuk do t'u zvogëlohej numri i tullave!'. Kur dolën prej faraonit takuan Moisiun dhe Aronin që po i prisnin dhe u thanë: »Zoti paftë e gjykoftë! Ju bëtë që të na urrejë faraoni dhe ministrat e tij! Ju ia dhatë shpatën që të na vrasë!«

   Moisiu iu drejtua Zotit dhe i tha: »O Zot, e pse po e mundon këtë popull? Përse më dërgove? Sepse, qysh atë ditë që hyra te faraoni për të folur në emrin tënd, ai po e mundon popullin tënd e Ti nuk e çlirove.«

   Zoti i tha Moisiut: »Tani do të shohësh çka do t'i bëj faraonit! Sepse, nën peshën e dorës së rëndë do t'i lëshojë dhe madje përdhunë do t'i dëbojë prej vendit të vet!«

 

   Përgjigjja Krh. Dal 5, 1. 3

 

   C Moisiu hyri te faraoni dhe ia shpalli fjalën e Zotit: * Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë!

   D Hyji i hebrenjve më dërgoi për të thënë:

   C Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë!

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komentimet mbi Psalmet” të shën Augustinit, ipeshkëv

   (Ps 61 /60/, 2-3; CCL 39, 766)

 

   Në Krishtin qemë tunduar dhe në të fituam mbi djallin

 

   Vështroje, o Hyj, britmën time, dëgjoje lutjen time” (Ps 61 /60/, 1). Kush po flet? Duket një njeri i vetëm. Por vëreje mirë a është përnjëmend një njeri i vetëm. Ai thotë: “Nga skajet e dheut të thërras në ndihmë, se zemra ime është në ngushticë” (Ps 61 /60/, 2).

   Nuk bëhet fjalë, pra, për një person të vetëm: por duket si të jetë një sepse një i vetëm është Krishti, dhe ne jemi gjymtyrë të tija. Dhe vërtet, si do të mundte të thërrasë një njeri i vetëm nga skajet e dheut? Nga skajet e dheut mund të thërrasë vetëm ajo pasardhësi për të cilën i qe thënë të Birit: “M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt dhe skajet e dheut nën sundimin tënd” (Ps 2, 8).

   Pra, është kjo pronë e Krishtit, kjo trashëgimi e Krishtit, ky trup i Krishtit, kjo Kishë e vetme e Krishtit, kjo njësi që përbëhet prej nesh dhe jemi ne, kjo është ajo që thërret nga skajet e dheut.

   Dhe çka këlthet? Atë çka thashë: “Vështroje, o Hyj, britmën time, dëgjoje lutjen time; nga skajet e dheut të thërras.” Pra, çka këlthita te ti, e këlthita nga skajet e dheut: do të thotë nga çdo vend.

   Po pse thirra kështu? Sepse zemra ime është në ngushticë. Tregon se gjendet në mes të të gjithë popujve, mbi mbarë dheun, jo me lavdi të madhe, por nëpër prova të mëdha.

   Vërtet, jeta jonë në këtë shtegtim nuk mund të jetë e lirë nga provat dhe përparimi ynë kryhet nëpër tundime. Askush s’mund ta njohë vetveten pa qenë tunduar, as s’mund të kurorëzohet pa pasur fituar, as s’mund të fitojë pa luftuar; por lufta kërkon një armik, një provë.

   Gjendet, pra, në ngushticë ai që thërret nga skajet e dheut, megjithëse nuk është braktisur. Sepse Zoti deshi të na paraqesë në figurë ne, që jemi trupi i tij mistik, në përjetimet e trupit të tij real, në të cilin vdiq, u ngjall dhe u ngrit në qiell. Në këtë mënyrë edhe gjymtyrët e tija mund të shpresojnë të arrijnë atje ku i parapriu Kryet.

   Ai pothuajse na ka shndërruar në vetvete, atëherë kur deshi të tundohej prej djallit. Tani lexuam në Ungjill se Zoti Jezus qe tunduar prej djallit në shkretëtirë. Pikërisht Krishti qe tunduar nga djalli, por në Krishtin je tunduar edhe ti. Meqenëse Krishti mori prej teje mishin e tij, por prej vetes shëlbimin tënd; prej teje vdekjen, prej vetes jetën tënde; prej teje përuljen, prej vetes lavdinë tënde; pra e mori prej teje tundimin e tij, prej vetes fitoren tënde.

   Nëse qemë tunduar në të, do të jetë pikërisht në të që do ta mposhtim djallin. Ti e ngul vëmendjen tënde në faktin që Krishti qe tunduar; pse nuk vëren se ai edhe ngadhënjeu? Në të ti ishe tunduar, por dije mirë edhe se në të ti je fitimtar. Ai kishte mundësi ta mbante larg prej vetes djallin; por, mos ta kishte pranuar të tundohej, nuk do të të kishte mësuar të fitosh, kur të jesh tunduar.

 

   Përgjigjja Krh. Jer 1, 19; 39, 18

 

   C Do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty: * unë jam me ty që të të shpëtoj, thotë Zoti.

   D Shpata nuk do të të presë, do të shpëtohet jeta jote.

   C unë jam me ty që të të shpëtoj, thotë Zoti.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.