Shërbesa e leximeve
Java e parë e kreshmëve - E hënë
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e parë e kreshmëve - E hënë
Shërbesa e leximeve
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Më shpëto, o Zot, në saje të mirësisë sate.
Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.
Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).
O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *
as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!
Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *
më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.
Shpirti im është tejet i shqetësuar, *
e ti, o Zot - e deri kur...?
Kthehu, o Zot, më shëro, *
më shpëto në saje të mirësisë sate!
Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *
në Nëntokë kush të këndon lavde?
Plasa duke gjëmuar, †
natë për natë e laj shtratin tim, *
me lotët e mi e laj shtrojën time.
Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *
u plaka midis armiqve të mi.
Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *
sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!
Zoti e dëgjon lutjen time, *
Zoti e pranon uratën time!
U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *
e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Më shpëto, o Zot, në saje të mirësisë sate.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushtë!
Psalmi 9 I (2-11) Falënderim për fitore.
Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *
i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty, *
i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!
Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *
ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,
sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *
ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!
Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *
emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!
Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *
gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.
Zoti sundon në jetë të jetës, *
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *
ua jep popujve dënimin e drejtë.
Zoti është strehimi i të salvuarit, *
vend i sigurt për ditë të vështira.
Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushtë!
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
II (12-21)
Këndoni Zotit që banon në Sion, *
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!
Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
Ki mëshirë për mua, o Zot, †
shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *
më shpëto prej derës së vdekjes
për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †
para dyerve të qytetit Sion *
i gëzuar për shëlbimin tënd.
U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *
këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,
Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *
mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!
Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *
të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!
Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *
shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.
Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *
para teje le të gjykohen paganët! –
Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *
le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
D Kthehuni e besoni Ungjillit:
C Mbretëria e Zotit është afër.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 6, 2-13
Thirrja e Moisiut (tregimi i dytë)
Zoti foli me Moisiun e tha: »Unë jam Zoti, që iu dëftova Abrahamit, Izakut e Jakobit si Hyj i gjithëpushtetshëm. Unë atyre nuk ua tregova emrin tim Zot. Unë edhe bëra besëlidhje me ta se do t'ua jap dheun Kanaan ‑ tokën e çojave të tyre, në të cilën banuan si të huaj. Unë e dëgjova dënesen e izraelitëve, sepse egjiptianët i shtypën dhe m'u kujtua besëlidhja ime. Prandaj thuaju bijve të Izraelit: Unë jam Zoti që do t'i nxjerr nga shtypja e egjiptianëve! Unë do t'ju shpëtoj nga skllavëria dhe do t'ju shpërblej me goditje të fuqishme, duke i ndëshkuar rëndë! Juve do t'ju marr për popullin tim dhe do të jem Hyji juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Hyji juaj, kur do t'ju shpëtoj nga shtypja e egjiptianëve dhe do t'ju fus në tokën, mbi të cilën u përbeva se do t'ia jap Abrahamit, Izakut e Jakobit. Unë, Zoti, do t'jua jap për pronë!«
Moisiu po të gjitha këto ua tregoi bijve të Izraelit, por ata nuk ia vinin fare veshin, sepse ishin shpirtërisht tepër të ngushtuar nga puna tepër e rëndë. E Zoti prapë i tha Moisiut: »Hyr dhe fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t'i lëshojë bijtë e Izraelit prej dheut të tij!«
Moisiu foli në praninë e Zotit:» Ja, as bijtë e Izraelit nuk më dëgjojnë, po si atëherë do të më dëgjojë faraoni, sidomos kur nuk jam gojëmbarë?« Zoti foli përsëri me Moisiun e me Aronin dhe u urdhëroi të shkojnë njëherë te bijtë e Izraelit e pastaj te faraoni, mbreti i Egjiptit, për t'i nxjerrë izraelitët nga dheu i Egjiptit.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 2, 9. 10; Dal 6, 7. 6
C Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete; ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit. * Do t’ju marr për popullin tim dhe do të jem Hyji juaj.
D Unë jam Zoti që do t’i nxjerr nga skllavëria e egjiptianëve me goditje të fuqishme, duke i ndëshkuar rëndë.
C Do t’ju marr për popullin tim dhe do të jem Hyji juaj.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Gregorit Nazianzenas, ipeshkëv
(Ligj. 14 mbi dashurinë ndaj skamnorëve, 23-24; PG 35, 887-890)
T’ia shprehim njëri-tjetrit dashurinë e Hyjit
Njihe se nga vjen ekzistenca jote, fryma jote, arsyeja jote, urtia e, çka është më e rëndësishme, njohja e Hyjit, shpresa e Mbretërisë qiellore, nderi në të cilin merr pjesë bashkë me engjëjt, kundrimi i lavdisë, tani me siguri vetëm porsi në një pasqyrë dhe jo qartas, por në kohën e duhur, në mënyrë më të plotë dhe më të pastër.
Njihe edhe se je bërë biri i Hyjit, bashkëtrashëgimtar me Krishtin dhe, duke përdorur një shëmbëllesë të guximshme, ti je vetë Hyji!
Nga dhe prej kujt të erdhën ty privilegje aq të shumta dhe aq të mëdha? Dhe, në qoftë se duam të flasim për dhurata më të vogla dhe të rëndomta, kush të jep ty mundësi ta shohësh bukurinë e qiellit, vijën e diellit, ciklet e dritës, mori yjesh dhe atë harmoni dhe rregull që gjithmonë përtërihen mrekullisht në gjithësinë, duke e bërë të gëzueshëm krijimin porsi tingull lire?
Kush ta jep shiun, pjellshmërinë e fushave, ushqimin, gëzimin e artit, vendin e banesës sate, ligjet, shtetin, edhe shtojmë: jetën e përditshme, shoqërinë dhe kënaqësinë e familjes sate?
Si ka mundësi që disa kafshë të jenë shtëpiake dhe të nënshtruara, tjera të jepen si ushqim?
Kush të caktoi zot dhe mbret të të gjitha gjërave që janë përmbi dhe?
Dhe, duke kujtuar vetëm gjëra më të rëndësishme, përsëri pyes: kush t’i bëri dhuratë ato tipare krejt të veçanta, të cilat e bëjnë të sigurt sundimin tënd të plotë mbi çfarëdo qenie të gjallë? Hyji e bëri këtë. Mirëpo, ai çfarë kërkon prej teje në kthim? Dashuri. Vazhdimisht ai kërkon prej teje, para së gjithash dhe mbi të gjitha, dashurinë ndaj tij dhe të afërmit.
Dashurinë ndaj të tjerëve ai e kërkon njësoj porsi ndaj tij. A do të përtojmë t’ia japim Hyjit këtë dhuratë, pas bamirësive të shumta që i morëm prej tij dhe me ato që na janë premtuar? A do të guxojmë të jemi aq të pafytyrë? Ai, që është Hyj dhe Zot, bën që ta quajmë “Ati ynë”, dhe ne do të donim t’i mohojmë vëllezërit tanë?
Le të ruhemi, o miq të dashur, që të mos bëhemi mbarështues të këqij të gjërave që na u dhanë. Atëherë do ta meritonim qortimin e Pjetrit: Turpërohuni, ju që i mbani për vete gjëra të huaja, më mirë ta imitoni bujarinë hyjnore, kështu askush s’do të jetë skamnor.
Të mos lodhemi duke mbledhur dhe duke ruajtur pasuri, ndërsa tjerët e pësojnë urinë, që të mos meritojmë qortimet e prera dhe të rrepta që qëmoti i bëri Amosi profeti kur tha: “Dëgjoni, ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, që të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna, që të mund të shesim grurë?’” (krh. Am 8, 5).
Le të veprojmë sipas atij ligji të parë dhe të lartë të Hyjit, i cili e lëshon shiun qoftë mbi të drejtët, qoftë edhe mbi mëkatarët; bën të lindë dielli njësoj për të gjithë, u dhuron të gjitha kafshëve të tokës fusha të gjera, kroje, lumenj, pyje; u jep ajër zogjve dhe ujë gjallesave ujore; të gjithëve u jep me bujari të madhe të mirat e jetës, pa kursim, pa kushte, pa kurrfarë kufizimi; të gjithëve u ndan me shumicë mjete jetese dhe liri të plotë lëvizjeje. Ai nuk bëri dallime, nuk u tregua koprrac me askënd. Me urti e përshtati dhuratën e vet nevojës së çdo gjallese dhe të gjithëve ua tregoi dashurinë e vet.
Përgjigjja Krh. Lk 6, 35-36; Mt 5, 45
C Duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë, për t’u bërë bij të Atit tuaj që është në qiell: * Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë, e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtë.
D Bëhuni edhe ju të mëshirshëm ashtu siç është i mëshirshëm edhe Ati juaj.
C Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë, e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtë.
Lutja
Na kthe kah ti, o Zot, Shëlbuesi ynë, dhe me dijen qiellore na mëso, që vepra pendestare e Kreshmëve të na vlejë për shpirt. Nëpër Zotin...
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.