Shërbesa e leximeve
Java e parë e kreshmëve - E martë
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e parë e kreshmëve - E martë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti i sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/
II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët! –
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti i sheh, o Zot.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh keqbërësit, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Ja, kjo është koha e mëshirës,
C këto janë ditët e shëlbimit.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 6, 29 - 7, 25
Plaga e parë e Egjiptit
Një ditë Zoti i tha Moisiut: »Unë jam Zoti! Thuaj faraonit, mbretit të Egjiptit, thuaj gjithçka po të them unë ty.« Moisiu foli në praninë e Zotit: »Ja, unë nuk jam gojëmbarë! Si do të më dëgjojë faraoni?«
Zoti i tha Moisiut: »Qe unë të bëra si hyjni për faraonin, kurse Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. Ti thuaj krejt si po të urdhëroj vetë; kurse Aroni t'ia thotë faraonit që t'i lërë të shkojnë prej dheut të tij bijtë e Izraelit. Por unë do ta nguroj zemrën e tij dhe do t'i shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia kundër dheut të Egjiptit. Dhe ai nuk do t'ju dëgjojë. Unë do ta shtrij dorën time mbi Egjiptin duke e dënuar rreptë, do ta nxjerr armatën time, popullin tim, bijtë e Izraelit prej dheut të Egjiptit. Pasi ta kem shtrirë dorën time përmbi Egjipt dhe pasi t'i kem nxjerr bijtë e Izraelit prej mesit të tyre, atëherë egjiptianët do ta marrin vesh se unë jam Zoti.«
Kështu Moisiu dhe Aroni bënë krejt si u tha Zoti: po ashtu vepruan. Moisiu kishte tetëdhjetë vjet, kurse Aroni kishte tetëdhjetë e tri, kur folën me faraonin.
Zoti i tha Moisiut e Aronit: »Kur faraoni t'ju thotë: 'Tregojeni shenjën!' ti thuaj Aronit: 'Merre shkopin tënd dhe hidhe para faraonit, dhe ai le të shndërrohet në shlligë!'« Si hynë, pra, Moisiu dhe Aroni, bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti: Aroni e hodhi shkopin para faraonit dhe ministrave të tij, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër.
Atëherë faraoni i grishi të dijshmit dhe dijësit; po edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e veta bënë po ashtu. Edhe ata i hodhën shkopinjtë e vet dhe ata u shndërruan në gjarpërinj; porse shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e tyre. Por zemra e faraonit iu ngurua dhe nuk deshi t'i dëgjojë ata po ashtu si kishte thënë Zoti.
Mandej Zoti i tha Moisiut: »E patrandshme është zemra e faraonit: nuk do të lëshojë të shkojë populli. Shko në mëngjes tek ai. Ja, ai do të dalë tek uji. Qëndro ballë për ballë mbi breg të lumit. Merre në dorën tënde shkopin që u shndërrua në shlligë dhe thuaj: 'Zoti Hyji i hebrenjve më dërgoi te ti e më tha: Ma lësho popullin tim që të më bëjë fli në shkretëtirë. Por ti deri tani nuk deshe të dëgjosh. Pra, kështu thotë Zoti: Me këtë do ta dish se jam Zoti: qe, do t'i sjell me shkop që kam në dorë ujit të lumit: dhe ky do të shndërrohet në gjak! Peshqit që janë në lumë do të ngordhin, ujërat do të qelben dhe egjiptianëve do t'u neveritet të pinë ujin e lumit.'«
Zoti i tha Moisiut edhe: »Thuaj Aronit: Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi përrenjtë, mbi kënetat dhe mbi të gjithë liqenet me ujë, që të shndërrohen në gjak. Kështu le të jetë gjak në mbarë dheun e Egjiptit, qoftë në enë druri qoftë në ato guri.« Po kështu bënë Moisiu dhe Aroni si u kishte urdhëruar Zoti. E çoi lart shkopin, i ra ujit të lumit në praninë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. Uji u shndërrua në gjak. Peshqit që ishin në Lumë, ngordhën, mbarë lumi u qelb. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Lumit. Mbarë dheun e Egjiptit e kishte përfshirë gjaku.
Po kështu vepruan edhe dijësit egjiptianë me shortitë e tyre. Zemra e faraonit u ngurua dhe s'i dëgjoi ata, po ashtu si kishte thënë Zoti. U ktheu shpinën, hyri në shtëpinë e vet dhe për këtë punë as që e çau ndopak kokën. Mbarë egjiptianët hapën puse përbri Lumit për të pirë, sepse nuk mund ta pinin ujin e Lumit. U mbushën shtatë ditë pasi Zoti shtriu dorën e i ra Lumit.
Përgjigjja Krh. Zb 16, 4-5. 6. 7
C Engjëlli e zbrazi gotën e vet në lumenj dhe në burimet e ujërave: dhe ato u bënë gjak. Atëherë tha: Je i drejtë Ti që je e Ti që ishe, o Shenjti vet, pse me të drejtë vendose kështu. * Ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve.
D Dëgjova një zë duke thënë: Po, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm, gjyqet tua janë të drejta dhe të vërteta!
C Ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve.
Leximi i dytë
Nga traktati mbi “Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv e martir
(Kap. 1-3; CSEL 3, 267-268)
Ai që e dha jetën edhe na mësoi për t’u lutur
O vëllezër fort të dashur, rregulloret e Ungjillit janë me siguri mësim hyjnor, themel mbi të cilin ndërtohet shpresa, mbështetje që e përforcon fenë, ushqim që e gjallëron zemrën, ndihmë për ta fituar shëlbimin. Këtu mbi tokë i udhëzojnë mendjet e dëgjueshme të besimtarëve dhe u prijnë në mbretërinë e qiellit.
Hyji deshi që shumë gjëra të thuheshin dhe të dëgjoheshin me anë të profetëve, shërbëtorëve të tij. Por shumë më të madhërishme janë të mirat që na i zbulon me anë të Birit të tij. Më të pakrahasueshme janë gjërat, të cilat Fjala e Hyjit, megjithëse e pranishme edhe në profetët, i shpall tani me zërin e vet, pa urdhëruar tashmë që t’i bëhet gati udha, por duke ardhur vetë, duke na hapur dhe duke na treguar rrugën që duhet ndjekur. Kështu që, ndërsa përpara endeshim, të pamend dhe të verbër në errësirën e vdekjes, tani, të ndriçuar nga drita e hirit, mund t’i biem udhës së jetës me udhëheqjen dhe ndihmën e Zotit.
Ai, ndër këshillime shpëtimprurëse dhe rregullore hyjnore të tjera, me të cilat i doli zot popullit të vet për ta shëlbuar, dha edhe rregulloren e lutjes, na këshilloi dhe mësoi çfarë duhet të kërkojmë. Ai që e dha jetën na mësoi edhe për t’u lutur, me të njëjtën mirësi me të cilën u denjua të na japë e të na pajisë me gjithçka tjetër; dhe kështu veproi që ne, duke folur me Atin, me lutjen që Biri na mësoi, më lehtë të na dëgjojë.
E kishte parakallëzuar se do të vinte koha në të cilën adhuruesit e vërtetë do ta adhuronin Atin në shpirt dhe në të vërtetë, dhe ai e plotësoi premtimin me qëllim që ne, duke e pranuar shpirtin dhe të vërtetën prej shenjtërimit të tij, të adhurojmë me të vërtetë dhe përshpirtërisht në saje të hirit të dhuratës së tij.
Dhe njëmend, cila uratë mund të jetë më e përshpirtshme se ajo që na qe dhënë nga Krishti, prej të cilit dhe na qe dërguar Shpirti Shenjt? Cila lutje e drejtuar Atit mund të jetë më e vërtetë se ajo që doli nga goja e Birit, i cili është e Vërteta? Lutja në ndonjë mënyrë tjetër e jo sipas mësimit të tij nuk do të ishte vetëm mosdije, por edhe faj, pasi ai vetë tha: “Zhbëni urdhërimin e Hyjit për ta ruajtur traditën tuaj!” (krh. Mt 7, 9).
Të lutemi pra, o vëllezër, ashtu siç na mëson Hyji, Mësuesi ynë. Është lutje miqësore dhe familjare që ta lusim Hyjin me fjalët e tija dhe ta lartësojmë tek veshët e tij lutjen e Krishtit.
Le t’i njohë Ati fjalët e Birit të vet kur të lutemi; ai, i cili banon në zemrat tona, le të jetë edhe zëri ynë. Dhe pasi është Mbrojtësi ynë tek Ati, le t’i përdorim fjalët e Mbrojtësit tonë kur, si mëkatarë, i lutemi për faljen e mëkateve tona. Pasi ai tha se çfarë që t’i kërkojmë Atit në emër të tij do të na jepet, me siguri më të madhe do ta fitojmë atë që kërkojmë në emër të Krishtit, nëse e kërkojmë me lutjen e tij.
Përgjigjja Krh. Gjn 16, 24; 14, 13
C Deri tani asgjë nuk kërkuat në Emrin tim: * kërkoni dhe do të gjeni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
D Çdo gjë që të kërkoni në Emrin tim do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin.
C Kërkoni dhe do të gjeni, që gëzimi juaj të jetë i plotë
Lutja
Priri sytë tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin...
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.