Shërbesa e leximeve

Java e parë e kreshmëve - E mërkurë

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

   Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren

 

   Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).

 

Të dua, o Zot, fuqia ime! *

   Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,

   Streha ime, Shpëtimtari im!

 

Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *

   Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

 

Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *

   dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Më rrethuan valët e vdekjes, *

   më tmerruan përrenjtë e Belialit,

më lidhën leqet e Nëntokës, *

   po më shtrëngonin prangat e vdekjes:

 

atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *

   kushtrim i lëshova Hyjit tim:

nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *

   britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

   II (8-20)

 

Toka u trand edhe u tund, †

   u lëkundën themelet e maleve, *

   vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!

 

Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †

   prej gojës zjarr e flakë buçiti, *

   prush i gjallë prej tij flakëroi!

 

I uli qiejt, poshtë zbriti, *

   nën këmbë re të murrme!

Kaluar mbi kerubin fluturoi, *

   lundroi mbi krahët e erërave!

 

Si me vel me errësirë u mbështoll, *

   urëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,

para fytyrës së tij zhdukeshin retë *

   me breshër e prush të gjallë!

 

Zoti gjëmoi nga qielli: †

   i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *

   breshër e prush zjarri!

 

I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *

   i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.

 

Atëherë u dukën burimet e ujërave, *

   u zbuluan themelet e rruzullit

prej qortimit tënd, o Zot, *

   prej erës së frymës të hidhërimit tënd.

 

Shtriu dorën prej majës e më mori, *

   më nxori nga ujërat e shumta,

 

më shpëtoi nga armiku i fortë, †

   prej atyre që më urrenin, *

   që ishin më të fortë se unë.

 

Më sulmuan në ditën më të keqen, *

   por Zotin e pata krah,

Ai më qiti në vend të shpëtimit, *

   më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Ant. 3 Ti, o Zot e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   III (21-30)

 

Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *

   më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,

sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *

   nuk u largova prej Hyjit tim.

 

Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *

   dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.

Jam i pastër para syve të tij, *

   sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

 

Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *

   sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

 

Ti je i mirë me njeriun e mirë, †

   me të pafajshmin je i pafajshëm, *

   me të mbrapshtin ti je i squet.

 

Ti e shpëton popullin e përvujtë, *

   e krenarët i bën t’i ulin sytë.

 

O Zot, ti e ndez dritëzën time, *

   ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.

Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *

   me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti, o Zot e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   D Kthehuni dhe bëni pendesë,

   C bëhuni të ri në zemër dhe në shpirt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 10, 21 - 11, 10

 

   Plaga e errësirës dhe paralajmërimi vdekjes së të paralindurve

 

   Një herë Zoti i tha Moisiut: »Çoje dorën tënde drejt qiellit dhe le të bjerë terri mbi dheun e Egjiptit, terr aq i dendur sa të mund të preket!« Moisiu e çoi dorën drejt qiellit dhe ra një errësirë e tmerrshme për tri ditë rresht mbi mbarë dheun e Egjiptit. Askush nuk mundi ta shohë askënd për tri ditë dhe askush s'luajti për ato ditë prej vendit. Kurse, gjithkund ku banonin bijtë e Izraelit, ishte dritë!

   Atëherë faraoni e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: »Shkoni e bëni fli Zotit! Lini vetëm bagëtitë e imëta e të trasha, kurse fëmijët tuaj, le të vijnë me ju!« Moisiu i tha: »Po edhe të na i jepje ti kushtet dhe flitë e shkrumbimit për t'ia kushtuar Zotit, Hyjit tonë, megjithatë edhe grigjat tona duhet të vijnë me ne. Nuk do të mbetet prej tyre asnjë këmbë e vetme berri, sepse prej tyre do të marrim, sa është e domosdoshme për kultin e Zotit, Hyjit tonë. Aq më tepër kur nuk dimë se çka duhet të flijohet, derisa të arrimë në vendin e caktuar.«

   Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t'i lëshojë.

   Atëherë faraoni i tha: »Largohu këndej! Ruaju se më del më para sysh! Kurdo që do të marrësh guxim të dalësh para meje, do të vdesësh!«

   Moisiu iu përgjigj: »Mirë e ke! S'do ta shohë më kurrë fytyrën tënde!«

   Zoti i tha Moisiut: »Vetëm edhe me një plagë do ta godas faraonin e Egjiptin, atëherë po se do t'ju lërë të shkoni, madje edhe do t'ju shtrëngojë të dilni. Prandaj thuaj mbarë popullit që secili njeri të kërkojë prej të afërmit të vet dhe secila grua prej të afërmes së saj enë argjendi dhe ari.

   Vetë Zoti do të bëjë që egjiptianët të kenë ndjenja të mira ndaj popullit të Izraelit. Po edhe vetë Moisiu ishte njeri shumë i madh në dheun e Egjiptit në sy të ministrave të faraonit dhe të mbarë popullit.

   Moisiu atëherë kumtoi: «Kështu thotë Zoti: 'Rreth mesnate do t'i bie anembanë Egjiptit. Do të vdesë çdo i parëlindur në dheun e Egjiptit: prej të parëlindurit të faraonit që rri në fronin e tij deri tek i parëlinduri i shërbëtores që është pranë mokrës edhe të gjithë të parëlindurit e bagëtive. Do të bëhet një gjëmë tejet e madhe në dheun e Egjiptit, aq e madhe saqë e tillë nuk qe më parë, as nuk do të ngjajë më vonë. Kurse ndër bijtë e Izraelit nuk do të lehë qen as në njeri as në bagëti që ta dini se me ç'mrekulli të madhe do t'i ndajë Zoti egjiptianët prej izraelitëve. Atëherë do të zbresin tek unë të gjithë këta shërbëtorë të tu dhe do të përkulen para meje e do të thonë: ‘Dil ti dhe populli që të ndjek. ‘Atëherë unë do të dal!’« Moisiu i zemëruar për së tepërmi doli prej faraonit.

   Zoti i tha Moisiut: »Faraoni nuk do t'ju dëgjojë, për t'u shumuar mrekullitë e mia në dheun e Egjiptit«. Moisiu e Aroni i kishin bërë të gjitha këto mrekulli në sy të faraonit. Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit prej dheut të vet.

 

   Përgjigjja Krh. Urt 18, 4; 17, 20; 18, 1

 

   C Ishin njëmend të denjë të mos kishin dritë ata, që mbanin të burgosur bijtë e tu: * nëpërmjet tyre fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit.

   D Mbi egjiptianë ishte shtrirë nata e thellimit; kurse shenjtërve të tu u ndriçonte dritë e madhe:

   C nëpërmjet tyre fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Demonstrimet” e Afratit, ipeshkëv

   (Dem 11 mbi rrethprerjen, 11-12: PS 1, 498-503)

 

   Rrethprerja e zemrës

 

   Ligji dhe besëlidhja janë ndryshuar krejtësisht. Hyji ndryshoi besëlidhjen e parë me Adamin dhe vendosi një tjetër me Noehin. Pastaj një tjetër e lidhi me Abrahamin, dhe e ripërtëriu me atë që i dha Moisiut. Meqenëse as pakti i Moisiut nuk zbatohej, ai bëri një besëlidhje të re me brezin e fundit. Kjo s’kishte për t’u ndryshuar më. Adamit i pati dhënë urdhër të mos hante prej pemës së jetës, Noehit i bëri të shfaqej një ylber në re, Abrahamit, të cilin e zgjodhi për fenë e tij, ia urdhëroi rrethprerjen si vulë dhe shenjë për pasardhësit e tij. Moisiu pati qengjin e Pashkëve, si fli pajtuese për popullin. Të gjitha këto besëlidhje ndryshonin njëra nga tjetra. Megjithatë, rrethprerje e vërtetë, e miratuar prej atij që i dha ato pakte, është ajo për të cilën flet Jeremia kur thotë: “Rrethpriteni zemrën tuaj.” (Jer 4, 4). Dhe në qoftë se besëlidhja që Hyji vendosi me Abrahamin qe e qëndrueshme, edhe kjo është e qëndrueshme dhe jetëgjatë, dhe nuk do të ketë më mundësi të vendoset një ligj tjetër, as prej atyre që janë jashtë ligjit, as prej atyre që i nënshtrohen ligjit.

   Vërtet, ai ligjin ia dha Moisiut me të gjitha porositë dhe rregulloret e tija, por, pasi nuk e zbatonin, i shfuqizoi edhe ligjin edhe profetët, duke premtuar se do ta jepte një besëlidhje të re, e cila do të jetë e ndryshme nga e para, edhe pse dhënësi i të dyjave është veç Një. Dhe besëlidhja, të cilën premtoi të japë është kjo: “Të gjithë do të më njohin, që nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre.” Dhe në këtë besëlidhje nuk ka më rrethprerje të mishit, as një shenjë dalluese të popullit.

   Hyji, gjatë breznive të shumta, vendosi ligje, të cilat patën vlerë derisa deshi ai, dhe pastaj u mënjanuan, siç thotë apostulli: Në të kaluarën, mbretëria e Hyjit mori trajta të ndryshme në kohë të ndryshme.

   Prapëseprapë, Hyji ynë flet të vërtetën dhe rregulloret e tija janë krejt të qëndrueshme: dhe çfarëdo besëlidhjeje, në kohën e vet, u mbajt e qëndrueshme dhe e vërtetë, dhe ata që janë rrethprerë në zemër e kanë jetën me anë të rrethprerjes së re e cila bëhet në Jordan, d.m.th. në pagëzim të pranuar për faljen e mëkateve.

   Jozuehu, biri i Nunit, bëri të rrethpritej përsëri populli me thikë stralli, kur me popullin e vet e kaloi Jordanin; Jezusi, shëlbuesi ynë, bën të rrethpriten përsëri, me rrethprerjen e zemrës të gjithë ata që besuan në të dhe qenë larë në pagëzim dhe rrethprerë “me shpatën, që është fjala e Hyjit, më e mprehtë se një shpatë dy tehesh.” (Heb 4, 12).

   Jozuehu, biri i Nunit, e shtiu popullin në tokën e premtuar; Jezusi Zoti ynë ua premtoi tokën e jetës të gjithë atyre që e kaluan Jordanin e vërtetë dhe besuan dhe qenë rrethprerë në brendësinë e zemrës së tyre.

   Pra, lum ata që qenë rrethprerë në brendësinë e zemrës dhe rilindën nga ujërat e rrethprerjes së dytë. Atyre do t’u jepet trashëgimi bashkë me Abrahamin, kryefis besnik dhe atë i të gjithë popujve, sepse feja e tij i qe numëruar porsi drejtësi.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 8, 8-10; 2 Kor 3, 3

 

   C Do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i strehojnë në zemrat e tyre, * jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë.

   D Do ta jap ligjin tim jo në rrasa guri, por në rrasa mishi të zemrës,

   C jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë.

 

   Lutja

 

   Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.