Shërbesa e leximeve

Java e parë e kreshmëve - E premte

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E PREMTE

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta mbysin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më paditin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje ti çështjen time, o Zot, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tash që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje ti çështjen time, o Zot, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do ta këndoj lavdinë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do ta këndoj lavdinë tënde përgjithmonë.

 

   D Kthehuni te Zoti, Hyji i juaj:

   C sepse Ai është i mirë dhe fal çdo mëkat.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 12, 21-36

 

   Plaga e dhjetë: vdekja e të paralindurve

 

   Moisiu i bashkoi të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit dhe u tha: »Shkoni e merrni një bagëti të imët për familjet tuaja dhe flijoni për Pashkë. Tubëzën e hisopit ngjyejeni në gjak që është në enë dhe stërpikni me të ballëzinën dhe dy shtalkat. Askush prej jush të mos dalë jashtë derës së vet deri në mëngjes. Sepse Zoti do të kalojë për të goditur Egjiptin e, kur të shohë gjakun në ballëzinë dhe në të dy shtalkat, do ta kalojë derën dhe nuk do ta lërë shfaruesin të hyjë në shtëpitë tuaja e të godasë. Mbajeni këtë rregullore porsi ligj të përhershëm për ju dhe për fëmijët e tu.

   Edhe kur të hyni në tokën, që Zoti do t'jua japë juve, siç ka premtuar, mbajeni këtë sjellje.

   E kur fëmijët tuaj t'ju pyesin: 'Ç'vështrim ka ky rit?' u thoni: 'Është flija e Pashkëve në nder të Zotit, kur i shkapërceu familjet e bijve të Izraelit në Egjipt, kurse egjiptianët i goditi, e familjet tona i shpëtoi.'«

   Populli ra përmbys për dhé dhe adhuroi.

   Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan siç u kishte urdhëruar Zoti Moisiut e Aronit.

   Në mesnatë Zoti goditi çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit, prej të parëlindurit të faraonit, që rrinte në fronin e tij, deri në të parëlindurin e të burgosurit që ishte në burg dhe çdo të parëlindur të çdo bagëtie. Faraoni dhe të gjithë shërbëtorët e tij u çuan natën ‑ u çua mbarë Egjipti ‑ sepse plasi një vigmë e madhe në Egjipt! S'kishte shtëpi pa të vdekur! Faraoni e thirri natën Moisiun dhe Aronin e u tha: »Çohuni e dilni prej popullit tim ju dhe bijtë e Izraelit! Shkoni dhe flijoni Zotit sikurse thoni! Merrni, si kërkuat, bagëtitë e imëta e të trasha! Nisuni dhe më bekoni!« Egjiptianët e nxitnin popullin e Izraelit të dalë sa më shpejt prej vendit. Thoshin: »s'do të mbesë kush gjallë!« Populli mori edhe brumin para se të mbruhej e, duke i mbështjellë magjet me petka, i vunë në krah.

   Bijtë e Izraelit bënë siç u kishte urdhëruar Moisiu: kërkuan prej egjiptianëve enë argjendi, ari dhe petka të shumta. Zoti ua zbuti zemrën egjiptianëve ndaj izraelitëve dhe ata u jepnin gjithë ç'kërkonin. Kështu izraelitët i bënë pre egjiptianët.

 

   Përgjigjja Krh. Dal 12, 7, , 13; 1Pjt 1, 18. 19

 

   C Fëmijët e Izraelit me gjak le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive. * Gjaku do t’ju shërbejë për shenjtë.

   D Keni qenë shpërblyer me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë:

   C Gjaku do t’ju shërbejë për shenjtë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Pasqyra e dashurisë” e të lumit Aelred, abat.

   (Lib. 3, 5; PL 195, 582)

 

   Dashuria vëllazërore duhet t’i përshtatet shembullit të Krishtit

 

   Asnjë gjë s’ka që të na nxisë t’i duam armiqtë tanë - dhe në këtë gjë qëndron përsosmëria e dashurisë vëllazërore - aq sa shqyrtimi i asaj durese të admirueshme, me të cilën “ai, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve” (Ps 45 /44/, 3), nuk e mbrojti fytyrën e vet të bukur prej pështymave të të këqijve. Lejoi që të mbuloheshin nga keqbërësit ata sy të një shenjti, të cilëve gjithçka u bindet. Shpinën ua solli frushkujve. Kryet, para të cilit dridhen principatat dhe pushtetet, ua nënshtroi majave të mprehta të ferrave. Ua lëshoi veten përçmimit dhe të sharave. Më në fund i duroi kryqin, gozhdët, heshtën, tëmthin dhe uthullën, ai që është në gjithçka i ëmbël, i butë dhe plot dhembshuri.

   Pastaj, porsi qengji që e çojnë për ta therur dhe porsi delja e pa zë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet. (Krh. Is 53, 7).

   Kush, po ta dëgjonte atë zë të mrekullueshëm plot ëmbëlsi, plot dashuri, plot maturi të pandryshueshme: “Fali, o Atë”, nuk do t’i përqafonte menjëherë armiqtë e vet me gjithë zemër? “Fali - thotë - o Atë” (Lk 23, 34). Çka do të kishte mundur t’i shtohej si ëmbëlsi, si dashuri një lutjeje të tillë? Prapëseprapë ai shtoi diçka. Iu duk pak të lutej, deshi edhe të shfajësonte. “Fali, o Atë - tha - sepse nuk dinë se çka bëjnë”. Dhe, me të vërtetë, janë mëkatarë të mëdhenj, por njohës të mjerë. Pra: “Fali, o Atë”. E kryqëzojnë, por nuk dinë se kë kryqëzojnë, sepse “po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë” (1 Kor 2, 8), e pra: “Fali, o Atë”. E mbajnë si shkelës të Ligjit, një mendjemadh që e mban veten si Hyj, e çmojnë si ngashënjyes të popullit. “Por unë ua fsheha fytyrën time, nuk e njohën madhërinë time”. Pra: “Fali, o Atë, sepse nuk dinë se çka bëjnë”.

   Në qoftë se njeriu do ta dojë vetveten me dashuri të vërtetë, mos t’ia lejojë vetes të prishet pas asnjë kënaqësie të mishit. Për të mos iu dorëzuar lakmimit të mishit, le ta sjellë çdo dëshirë kah ëmbëlsia e bukës eukaristike. Dhe për të pushuar në mënyrë më të përkryer dhe më të ëmbël në gëzim të dashurisë vëllazërore, me dashuri të vërtetë le t’i përqafojë edhe armiqtë.

   Që të mos ftohet ky zjarr hyjnor përballë padrejtësive, le të shikojë gjithherë me sytë e mendjes duresën dhe butësinë e të dashurit Zot e Shëlbues të vet.

 

   Përgjigjja Krh. Is 53, 12; Lk 23, 34

 

   C E dorëzoi veten për vdekje dhe qe numëruar ndër keqbërës: * Ai që i mori mbi vete fajet e turmave dhe lutej për mëkatarët.

   D Jezusi lutej: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë.”

   C Ai që i mori mbi vete fajet e turmave dhe lutej për mëkatarët.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, që besimtarët e tu të qëndrojnë në përgatitjen e Pashkëve, kështu që, pendesa trupore, të cilën e morëm mbi vete botërisht, t’i vlejë çdonjërit prej nesh për të mirën shpirtërore. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.