Shërbesa e leximeve

Java e parë e kreshmëve - E shtunë

 

Ftesa

 

D    O Zot, hapi buzët e mia.

C    Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e parë e kreshmëve - E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 105 /104/ Zoti është besnik në premtimet e veta

 

   Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj (Rom 9, 4-5).

 

   I (1-15)

 

Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij *

   shpallni midis popujsh veprat e madhërueshme të tijat!

Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij, *

   kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!

 

Mburruni me Emrin e tij të shenjtë: *

   le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, *

   kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!

 

T’ju bien në mend mrekullitë që bëri, *

   mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij:

ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij, *

   ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!

 

Ai është Zoti, Hyji ynë, *

   mbi mbarë tokën gjyqet e tija!

 

Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë, *

   premtimin që ua bëri një mijë breznive,

lidhjen që e bëri me Abrahamin *

   dhe përbetimin që i bëri Izakut.

 

Premtimin e vet e ngriti ligj për Jakobin, *

   për Izraelin e bëri testament të përhershëm

kur tha: »Ty do të ta jap tokën Kanaan, *

   për pronë tuajën që ju ra me short!«

 

Kur ende ishin pak me numër, *

   krejtësisht të paktë dhe endacakë në të,

kur kalonin nga një komb në një tjetër, *

   nga një mbretëri në një popull tjetër,

 

nuk lejoi njeri t’u bëjë keq *

   dhe i ndëshkoi mbretërit për shkak të tyre: -

»Mos i prekni të shuguruarit e mi, *

   mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, o Zoti im, t’i dhuroj të gjitha dhuratat e tua.

 

   II (16-22)

 

Ai e grishi urinë përmbi dhe, *

   ua sosi të gjitha rezervat e bukës.

Para tyre dërgoi një njeri: *

   Jozefin e shitur skllav.

 

I qitën në pranga këmbët e tija, *

   në qafë i mbërthyen hekurat,

ditët kalonin e profecia iu plotësua, *

   fjala e Zotit i dha të drejtë.

 

Mbreti urdhëroi të zgjidhej prej prangash, *

   kryetari i popujve e çliroi.

E bëri zot shtëpie të shtëpisë së vet, *

   kujdestar përmbi pasurinë e vet,

 

princat e mbretit t’i mësonte sipas urtisë së vet, *

   pleqtë e tij t’i udhëzonte në urti.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, o Zoti im, t’i dhuroj të gjitha dhuratat e tua.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   III (23-45)

 

Atëherë Izraeli hyri në Egjipt, *

   Jakobi banoi në tokën e Kamit.

Zoti bëri të shtohet populli i vet, *

   e bëri më të fortë se armiqtë e tij.

 

Ua shndërroi zemrën ta urrenin popullin e tij, *

   të silleshin me dredhi kundër shërbëtorëve të tij.

Atëherë dërgoi Moisiun, shërbëtorin e vet, *

   edhe Aronin, të zgjedhurin e vet.

 

Me anë të tyre bëri mrekullitë e veta, *

   shenja të mrekullueshme në dheun e Kamit.

 

Çoi errësirën dhe u bë terr, *

   por ata kundërshtuan fjalët e tija.

Ujët e tyre e shndërroi në gjak *

   dhe i mbyti peshqit e tyre.

 

Vendin ua mbuluan bretkosat, *

   depërtuan edhe në pallatet e mbretit.

Tha Zoti dhe i mbuluan shema mizash, *

   mushkonjat ua mbuluan krejt vendin.

 

Në vend të shiut u dërgoi breshër, *

   rrufe të zjarrta mbi vendin e tyre.

U copëtoi vreshta dhe fiq, *

   ua theu drurët në tokën e tyre.

 

Ai urdhëroi dhe ia behën karkalecat, *

   e me ta edhe veme të panjehura.

Ua hëngrën të gjitha bimët e tokës, *

   i përpinë të gjitha prodhimet e tokës së tyre.

 

I vrau të gjithë të parëlindurit e vendit të tyre, *

   frytin e parë të fuqisë lindëse të tyre.

I nxori izraelitët me argjend e ar, *

   në fiset e tyre nuk kishte asnjë të sëmurë.

 

U gëzua Egjipti kur ata e lëshuan vendin, *

   sepse i kishte tmerruar frika e tyre.

E shtriu renë për t’i mbrojtur *

   edhe zjarrin për t’u bërë dritë natën.

 

U lutën dhe u dërgoi shkurta *

   dhe i ngiu me bukë të ardhur prej qiellit.

Çau shkëmbin e buroi uji, *

   rrodhën lumenj nëpër shkretëtirë.

 

Sepse i ra ndër mend fjala e vet e shenjtë *

   që ia dha Abrahamit, shërbëtorit të vet.

 

E nxori popullin e vet me brohori *

   plot gëzim të zgjedhurit e vet.

Ua dha tokat e paganëve *

   trashëguan djersën e popujve të ndryshëm,

 

për t’i mbajtur urdhërimet e tija *

   e për t’i ruajtur ligjet e tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Kush e bën të vërteten, është në dritë:

   C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 12, 37-49; 13, 11-16

 

   Nisja e Hebrenjve dhe ligjet mbi Pashkët

 

   Në ato ditë Izraelitët u nisën prej Ramsesit në drejtim të Sukotit. Ishin rreth gjashtëqind mijë këmbësorë pa (numëruar) fëmijët. Me ta u nis një shumicë e panumërt prej fiseve të tjera si edhe bagëti të imëta e të trasha pa masë shumë. Poqën brumin që e kishin marrë prej Egjiptit të pambruar dhe i poqën kuleçtë e pambruar: në të vërtetë s'patën kohë ta mbrumin, sepse egjiptianët i shtrëngonin të dalin e nuk i linin të presin. As ushqimet që lypen për udhëtim s'patën kur t'i përgatisin.

   Bijtë e Izraelit qëndruan në Egjipt katërqind e tridhjetë vjet. Si u plotësua kjo kohë, po atë ditë, e tërë ushtria e Zotit doli prej dheut të Egjiptit. Kjo natë është natë përgimi në nder të Zotit, kur Zoti i nxori nga dheu i Egjiptit: të gjithë bijtë e Izraelit duhet ta kremtojnë si natë përgimi në nder të Zotit brez pas brezi.

   Zoti i tha Moisiut e Aronit: »Ky është riti i Pashkëve: ‑ Asnjë i huaj s'guxon ta hajë.

   ‑ Çdo skllav i blerë: më parë të rrethpritet e pastaj të hajë.

   Mysafiri dhe mëditësi nuk guxojnë të hanë prej qengjit të Pashkëve.

   ‑ Do të hahet vetëm në një shtëpi. ‑ Ruaj se e qet mishin e Pashkëve jashtë dhe ruaj se i thyen asht. ‑ Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit duhet ta kremtojë.

   ‑ Po qe se ndokush i huaj do të jetojë me ju dhe, nëse do të bëjë Pashkë, më parë le të rrethpritet çdo anëtar i tij mashkull dhe, vetëm atëherë, mund ta kremtojë rregullisht: atëherë do të jetë si një vendas i juaj. Kush nuk është i rrethprerë, të mos hajë nga flija e Pashkëve.

   Duhet të jetë ligji i njëjtë për vendasin dhe për ardhacakun që banon ndër ju.«

   »Kur Zoti të fusë në dheun e Kananeut, sikurse t'u përbe ty dhe etërve të tu, dhe ta ketë dhënë, ndaje për Zotin çdo të parëlindur të kraharorit të nënës, dhe pjellën e parë të bagëtive: e ç'të jetë mashkull: kushtoja Zotit. Zogun e gomarit shpaguaje me një krye berri. Nëse nuk e shpërblen, mbyte! Çdo të parëlindur njeriu të bijve të tu shpërbleje!

   E kur yt bir të pyesë nesër: 'Pse kështu?' ‑ u përgjigj: 'Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit ‑ prej shtëpisë së skllavërisë. Sepse, kur u gurua faraoni e nuk deshi të na lëshojë, Zoti i vrau të gjithë të parëlindurit e dheut të Egjiptit ‑ prej të parëlindurve të njerëzve deri te të parëlindurit e bagëtive. Prandaj ia kushtoj Zotit çdo fryt të parë të kraharorit të nënës që është mashkull dhe i shpërblej të gjithë të parëlindurit e bijve të mi. Ky rit le të shërbejë si shenja përkujtuese në dorë, porsi jetulla ndër sy të tu se Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej dheut të Egjiptit.«

 

   Përgjigjja Krh. Lk 2, 22. 23. 24

 

   C Prindërit e Jezusit e çuan në Jerusalem për t’ia kushtuar Zotit, * sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit.

   D I flijuan për të Hyjit dy zogj pëllumbash,

   C sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Kushtetuta e Koncilit ekumenik Vatikanas. II “Gaudium et Spes”, mbi botën bashkohore (Nr. 9-10)

 

   Pyetjet më të thella të njeriut

 

   Njëkohësisht rritet bindja se njerëzimi jo vetëm që mundet, por edhe duhet të forcojë gjithnjë e më tepër zotërimin e vet mbi krijesa, dhe pas kësaj do të rivendosë një rend politik, shoqëror dhe ekonomik, që t’i shërbejë më mirë njeriut dhe t’iu ndihmojë individëve dhe grupeve për të afirmuar dhe për të zhvilluar dinjitetin e tyre.

   Për këtë arsye shumica kërkojnë vendosmërisht dhe thellësisht të bindur që t’u kthehen të mirat e rrëmbyera nga padrejtësia ose nga ndarja e padrejtë. Popujt në zhvillim si dhe ata të cilët para disa kohësh fituan pavarësinë, dëshirojnë të marrin pjesë në të mirat e qytetërimit bashkëkohor, jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë ekonomike dhe që lirisht të luajnë rolin e tyre në botë; mirëpo prapëseprapë dita-ditës hapet largësia, e shpesh edhe varësia, madje edhe ajo ekonomike nga popuj të tjerë të cilët janë më të pasur dhe të cilët zhvillohen më shpejt. Popujt të cilët i shtyp uria thërrasin në përgjegjësi popujt më të pasur. Gratë kërkojnë barazinë juridike dhe të njëmendtë me meshkuj atje ku nuk e fituan ende. Punëtorët dhe fshatarët dëshirojnë jo vetëm të fitojnë çka u nevojitet për jetë, por që edhe në punë të zhvillojnë vlerat e veta personale, madje që të marrin pjesë në udhëheqjen e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Tani është e para herë që në historinë e njerëzimit të gjithë popujt janë të bindur se të mirat e qytetërimit mund dhe duhet të zgjerohen vërtet për të gjithë.

   Nën të gjitha këto kërkesa fshihet kërkesa më e thellë dhe më e gjithanshme: individët dhe grupet synojnë një jetë të plotë, të lirë dhe të denjë për njeriun, duke vënë në shërbim të njeriut të gjitha begatitë e botës së sotme. Përveç këtyre, popujt gjithnjë e më tepër mundohen që të zbatojnë një bashkësi të gjithmbarshme.

   Kështu bota na duket njëkohësisht e fortë dhe e dobët, në gjendje të bëjë punë më të mira dhe me të këqija, dhe para saj hapet rruga e lirisë dhe e robërisë, përparimit dhe të prapambetjes, vëllazërimit ose të urrejtjes. Pastaj njeriu është i vetëdijshëm se prej tij varet a do t’i drejtojë mirë fuqitë të cilat vetë i ka lëvizur dhe të cilat mund ta ndrydhin apo ta shërbejnë atë. Për atë arsye e pyet vetveten.

   Mungesa e drejtpeshimit nga e cila vuan bota e sotme është lidhur me mungesën e drejtpeshimit më thellë të rrënjosur në zemrën njerëzore. Domethënë se në zemrën njerëzore ndeshen shumë elemente. Ndërsa si krijesë përjeton kufizime të llojllojshme, dhe në anën tjetër ndihet i ftuar të dëshirojë një jetë të pakufizuar dhe më të lartë. Gjersa e tërheqin shumë sende, përherë është i detyruar të zgjedhë në mes tyre, duke i mohuar disa. Për më tepër duke qenë i dobët dhe mëkatar, jo rrallë bën atë çka nuk dëshiron vetë, dhe çka dëshiron nuk e bën (krh. 2 Kor 5, 15). Prandaj njeriun e mundon ndarja në vete, nga rrjedhin aq shumë ndarje edhe në shoqëri. Kuptohet se jeta materialiste praktike shumë vetë i largon që të mos shohin në mënyrë të qartë këtë gjendje dramatike. Pra, shumë vetë mendojnë se do të qetësohen në botëkuptime të ndryshme. Të tjerë presin çlirimin e vërtetë dhe të plotë të njeriut prej përpjekjeve njerëzore dhe janë të bindur se zotërimi i ardhshëm i njeriut në botë do t’i plotësojë të gjitha dëshirat e zemrës. Disa mendojnë se jeta s’ka kuptim, pra lëvdojnë ata, të cilët me guxim mundohen ta arsyetojnë dhe me gjeniun e tyre t’i japin domethënie ekzistencës njerëzore. Megjithatë para zhvillimit të botës bashkëkohëse dita-ditës rritet numri i atyre që pyesin ose u imponohet pyetja më themelore: Çka është njeriu? Çfarë kuptimi ka vuajtja, e keqja, vdekja, që ende vazhdon me të gjitha përparimet? Për çka këto arritjet të fituara me çmime kaq të larta? Çka mund t’i japë njeriu shoqërisë dhe çka mund të presë prej saj? Çka do të ndodhë pas kësaj jete tokësore?

   Kisha beson se Krishti i cili ka vdekur dhe është ngjallur (krh. Vap 4, 12) për të gjithë, me shpirtin e tij i jep njeriut dritën dhe forcën për t’iu përgjigjur thirrjes së tij të lartë. S’ka përmbi qiell emër tjetër dhënë njerëzve me të cilin do të shëlboheshin (krh. Heb 13, 8). Ajo beson edhe se në Zotin e saj dhe Mësuesin gjendet çelësi dhe qendra si dhe caku i mbarë historisë njerëzore. Përveç të tjerash, Kisha pohon se në fund të të gjitha ndryshimeve gjenden shumë gjëra të pandryshueshme që themelohen edhe më tepër në Krishtin i cili është i njëjti, dje sot dhe gjithmonë (krh. Kol 1, 15). Koncili, pra, dëshiron t’u flasë të gjithëve në dritën e Krishtit, i cili është fytyra e Hyjit të papashëm, i Paralinduri i çdo krijese, për të shndritur misterin e njeriut dhe që të bashkëpunojë në kërkimin e zgjidhjeve në pyetjet e përshpejtuara të kohës sonë.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 55-56; Vaj 3, 25

 

   C O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje thimthi yt? Thimthi i vdekjes është mëkati. * Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë.

   D I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, për njeriun që e kërkon.

   C Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë.

 

   Lutja

 

   O Atë i amshuar, silli zemrat tona kah ti, që gjithmonë të kërkojmë të mirën e domosdoshme, të ushtrojmë veprat e dashurisë dhe të jemi të gatshëm në kryerje të shërbesës sate. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.