Shërbesa e leximeve
Java e dytë e kreshmëve – e hënë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e dytë e kreshmëve – e hënë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Prire drejt meje veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.
Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë të vështirësisë
O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
I (2-9)
Në ty, o Zot, shpresoj: †
mos lejo të turpërohem për amshim, *
më liro me drejtësinë tënde.
Prire drejt meje veshin tënd, *
nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
kështjellë mbrojtjeje!
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
sepse ti je fuqia ime.
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *
ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate †
se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *
ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;
nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *
hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Prire drejt meje veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
II (10-17)
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se ndodhem në ngushtim të madh!
Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *
shpirtin edhe trupin.
Jeta më sharroi në dhembje *
e vjetët më kaluan në dënesë,
fuqia më mbaroi nga mundi *
e eshtrat m’u thanë.
Në sy të e armiqve të mi u bëra tallje, †
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr. *
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *
u bëra porsi enë e thyer.
Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †
bëjnë mbledhje kundër meje, *
pleqërojnë si të ma marrin jetën.
E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †
unë them: »Ti je Hyji im, *
në duart e tua fati im!«
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *
dhe prej atyre që më salvojnë.
Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *
më shpëto me mëshirën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
III (20-25)
Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *
në sy të bijve të Adamit.
Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde *
larg nga gjuhët ngatërrestare.
Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *
me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *
»I përjashtuar jam prej syve të tu!«,
por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *
kur drejt teje lëshova kushtrimin.
Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *
ai i ruan besimtarët e vet,
por edhe atë që vepron me madhështi *
Zoti e shpaguan sipas meritave.
Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *
që shpresoni në Zotin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
D Kthehuni e besoni Ungjillit:
C Mbretëria e Zotit është afër.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 14, 10-31
Kalimi nëpër detin e kuq
Një ditë si po afrohej faraoni, bijtë e Izraelit i çuan sytë dhe i panë egjiptianët se po i ndjekin. U trembën për së tepërmi dhe e thirrën në ndihmë Zotin. Moisiut i thanë: »Vallë, a nuk kishte varreza në Egjipt që na solle të vdesim në shkretëtirë? Po përse bëre kështu që na nxore nga Egjipti? A nuk po del tani fjala që ta thoshim në Egjipt: 'Na u hiq qafe! Do t'u shërbejmë egjiptianëve! Ishte shumë më mirë t'u shërbejmë atyre se të vdesim në shkretëtirë!« Por Moisiu i tha popullit: »Mos kini frikë! Ngulni e shikoni se si sot do t'ju shpëtojë Zoti! Unë po ju them, këta egjiptianë që ju sot po i shikoni, kurrë e për këtë jetë s'do t'i shihni më! Për ju do të luftojë Zoti! Mos u shqetësoni!«
Zoti i tha Moisiut: »Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë për midis të detit nëpër terik. Unë do t'ua guroj zemrën egjiptianëve që t'ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij.«
Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t'i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën.
Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thua: ujërat u ndanë. Bijtë e Izraelit hynë për midis të detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në midis të detit. Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: »Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh!«
Zoti i tha Moisiut: »Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre.«
Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, herët, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në midis të detit. Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S'shpëtoi prej tyre as një për be! Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar midis të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre.
Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.
Përgjigjja Krh. Heb 11, 24-25. 26. 27
C Me anë të fesë Moisiu nuk pranoi të quhej më djalë i bijës së faraonit. Më fort deshi të pësojë me popullin e Hyjit se të gëzojë për pak kohë dëfrimin e mëkatit: * i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
D E çmoi pasuri më të madhe mundimin e Krishtit se visaret e Egjiptit; me anë të fesë e lëshoi atë tokë:
C i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
Leximi i dytë
Nga “Katekezat” e shën Gjon Gojartit, ipeshkëv.
(Kat. 3, 24-27; SCh 50, 165-167)
Moisiu e Krishti
Judenjtë panë mrekulli. Edhe ti do të shohësh mrekulli më të mëdha dhe më të famshme se ato që ata panë në daljen nga Egjipti. Ti nuk e ke parë faraonin e mbytur me ushtrinë e tij, por e ke parë djallin e plandosur me aradhet e tija. Judenjtë kaluan nëpër detin, ti e ke kapërcyer vdekjen. Ata qenë liruar prej egjiptianëve, ti prej djajve. Ata u larguan prej një skllavërie barbare, ti prej skllavërisë shumë më të trishtueshme të mëkatit.
Vëzhgo se ty të qenë dhënë dhurata më të mëdha. Judenjtë atëherë nuk mundën ta kundrojnë fytyrën e shndritshme të Moisiut, megjithëse ishte hebre dhe skllav porsi ata. Ndërsa ti e ke parë fytyrën e Krishtit në lavdinë e tij. Edhe Pali pohon: “Ne me fytyrë të zbuluar e sodisim lavdinë e Zotit” (2 Kor 3, 18). Ata atëherë e kanë pasur Krishtin pas të cilit kanë ecur, ndërsa Krishti tani në mënyre edhe më të vërtetë na përcjell ne.
Ata, pas Egjiptit, e gjetën shkretëtirën, ndërsa ti, pas vdekjes, do të gjesh qiellin. Ata kishin si prijës dhe krye Moisiun, kurse ne një Moisi tjetër, vetë Hyjin që na prin e na drejton.
Cila qe karakteristika e Moisiut të parë? Moisiu, thotë Shkrimi shenjt, ishte njeriu më i butë në botë (krh. Num 12, 3) Këtë karakteristikë mund t’ia veshim patjetër Moisiut tonë, të cilin e përkrahte Shpirti Shenjt, tejet i ëmbël dhe i një natyre me të. Moisiu i lartësonte krahët kah qielli duke bërë që të zbriste mana, buka e engjëjve. Moisiu ynë i lartëson duart kah qielli dhe na jep një ushqim të amshuar. I pari e goditi shkëmbin dhe bëri të rrjedhin prej tij përrenj të gjallë. I yni e prek tryezën, e godit sofrën mistike dhe bën të rrjedhin burimet e Shpirtit. Qe pra arsyeja për të cilën sofra vihet në qendër, porsi një burim, që grigjat të ngarendin tek ajo nga çdo anë dhe ta shuajnë etjen në ujërat e saja shëndetprurëse.
Pasi e kemi një burim të tillë, një gurrë jete të tillë, një sofër aq të mbushur me të mira dhe aq të begatshme me ndihma shpirtërore, t’i afrohemi me zemër të sinqertë dhe ndërgjegje të pastër për të fituar hir dhe falje në kohë të volitshme.
Për hir dhe mëshirë të të Njëlindurit Birit të Hyjit, Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, nëpërmjet të cilit Atit dhe Shpirtit Shenjt u qoftë lavdi, nder, pushtet tani e përgjithmonë, në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja Krh. Heb 11, 24-27
C Me anë të fesë Moisiu nuk pranoi t’i përkiste familjes së faraonit; më fort deshi të pësojë me popullin e Hyjit se të gëzojë për pak kohë dëfrimin e mëkatit: * sepse i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
D E çmoi pasuri më të madhe mundimin e Krishtit se visaret e Egjiptit, dhe me anë të fesë e lëshoi atë vend:
C sepse i kishte sytë të ngulur në shpërblimin që vjen prej Hyjit.
Lutja
O Hyj, ti përcakton pendesën trupore për mjekim shërues të shpirtit, bëj të agjërojmë prej çdo mëkati, që shpirti ynë t’i zbatojë urdhërimet e dashurisë sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.