Shërbesa e leximeve

Java e dytë e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e dytë e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

   Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit

 

   Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).

 

   I (1-11)

 

Mos u zemëro kundër keqbërësve *

   as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *

   e do të kalben si bari i njomë.

 

Shpreso në Zotin e bëj mirë: *

   kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.

Vëre gëzimin tënd në Zotin *

   e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

 

Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *

   shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *

   të drejtën tënde porsi mesdita.

 

Hesht para Zotit e shpreso në të †

   e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *

   për njeriun që djerron tradhti.

Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *

   mos u dëshpëro se vetëm prish punë,

sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *

   kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.

 

Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *

   tash ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,

kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *

   e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

   II (12-29)

 

Bakeqi i vë prita të drejtit, *

   kundër tij kërcëllon dhëmbët,

por Zoti e përqesh atë, *

   sepse e sheh se do t’i vijë dita.

 

Mëkatarët vringëlluan shpatën *

   dhe ngrehën harkun

për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *

   për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.

 

Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *

   harku i tyre copë e grimë do të bëhet.

 

Më mirë pakica e të drejtit *

   sesa pasuria e madhe e bakeqit,

sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *

   ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.

 

Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *

   trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.

Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *

   s’do t’u mungojë buka në kohë zie.

 

Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †

   porsi stolia e fushave do të vyshken, *

   do të zhduken porsi tymi.

I paudhi merr hua e nuk kthen, *

   ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.

 

Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *

   ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.

 

Zoti i forcon hapat e njeriut *

   dhe përcjell me dashuri udhën e tij.

Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *

   sepse Zoti e mban për dore.

 

I ri qesh edhe u plaka, †

   por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *

   as fëmijët e tij duke lypur bukë.

Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *

   prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.

 

Hiqu së keqes e bëj të mirën *

   e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,

sepse Zoti e do të drejtën *

   dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.

 

Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *

   breznia e tyre do të shuhet.

Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *

   dhe në të do të banojnë për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   III (30-40)

 

Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *

   gjuha e tij shpall të drejtën.

Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *

   nuk shqepojnë hapat e tij.

 

I paudhi e përgjon të drejtin: *

   këqyr si ta vrasë.

Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tija *

   nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.

Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †

   ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *

   dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.

 

E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *

   të lartë porsi cedrin e kërthndezët;

kalova dhe, ja, nuk ishte, *

   e kërkova e nuk e gjeta.

 

Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *

   njeriu i paqes pas vetes lë djalin.

Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *

   bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.

 

Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *

   ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

 

Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †

   do t’i lirojë prej keqbërësve *

   sepse shpresuan në të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   D Ja, kjo është koha e mëshirës,

   C këto janë ditët e shëlbimit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 16, 1-18. 35

 

   Mana në shkretëtirë

 

   Në ato ditë, mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bënë çojën edhe prej Elimit dhe erdhi në shkretëtirën e Sinait, që gjendet ndërmjet Elimit dhe Sinait. Ishte e pesëmbëdhjeta ditë e të dytit muaj pasi kishin dalë prej dheut të Egjiptit.

   Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. I thoshin njëri‑tjetrit: »Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s'u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!«

   Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Ja, unë po bëj t'ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t'i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t'i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo. Të gjashtën ditë, kur të përgatisin çka kanë mbledhur duhet të jetë dyfish se sa kanë mbledhur për çdo ditë.«

   Moisiu e Aroni u thanë të gjithë bijve të Izraelit:

   »Në mbrëmje do ta dini pse Zoti ju nxori nga dheu i Egjiptit,

   kurse në mëngjes do ta shihni lavdinë e Zotit.

   Sepse e dëgjoi ankimin tuaj kundër Zotit. Sepse, kush jemi ne që të nynykatni kundër nesh?!«

   Atëherë Moisiu shtoi: »Zoti do t'ju japë të hani mish në mbrëmje dhe në mëngjes bukë derisa të ngopeni, sepse Zoti e dëgjoi ankimin tuaj që e pëshpëritni kundër tij. Sepse, kush jemi ne? Nynykatja juaj nuk është kundër nesh, por kundër Zotit.«

   Moisiu i tha Aronit: »Thuaj mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit: Afrohuni në praninë e Zotit, sepse e ka dëgjuar ankesën tuaj!« Dhe, ndërsa Aroni po i fliste mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit, e sollën shikimin drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re!

   Atëherë Zoti iu drejtua Moisiut. I tha: »I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!«

   Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës. E kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokrrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri‑tjetrit: »Manhu?« /që do të thotë: »Çfarë është kjo?«/. Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: »Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!

   Dhe ja, çka Zoti urdhëron: 'Secili le të mbledhë sa i del mjaft për të ngrënë; për çdo anëtar një gomor, sipas numrit të anëtarëve tuaj. Merrni kështu secili sipas numrit të njerëzve që ka në tendë.«

   Bijtë e Izraelit vepruan kështu: bashkuan kush më shumë e kush më pak. E matën me masën e gomorit: as ai që kishte mbledhur më shumë, nuk kishte më tepër dhe, as atij që kishte bashkuar më pak, nuk i mungoi: kishin mbledhur të gjithë aq sa mund të hanin.

   Bijtë e Izraelit hëngrën manën për dyzet vjet, derisa s'erdhën në dheun e banueshëm. Me këtë bukë u ushqyen derisa s'erdhën në kufijtë e dheut të Kanaanit.

 

   Përgjigjja Krh. Urt 16, 20; Gjn 6, 32

 

   C Popullin tënd e ke ushqyer me shujtë engjëjsh, ia ke dërguar nga qielli bukën e bërë gati * që kishte në vete çdo ëmbëlsirë të aftë të kënaqë secilën shije.

   D Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën,

   C që kishte në vete çdo ëmbëlsirë të aftë të kënaqë secilën shije.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komentimet mbi Psalme” të shën Augustinit, ipeshkëv.

   (Ps 141 /140/, 4-6; CCL 40, 2028-2029)

 

   Mundimi i tërë Trupit të Krishtit

 

   O Zot, klitha drejt teje, eja me shpejt tek unë.” (Ps 141 /140/, 1). Këtë mund ta themi të gjithë. Nuk e them unë, por Krishti i tërë. Por në mënyrë të veçantë qe thënë prej Krishtit në trupin e njeriut, sepse kur ishte në këtë botë, u lut duke e mbartur natyrën tonë njerëzore, iu lut Atit në trupin e njeriut. Ndërsa lutej, prej krejt trupit të tij pikonte gjak; sikurse gjendet në Ungjill: “Lutej më me zemër dhe djersa e tij u bë si pika gjaku.” (Lk 22, 44). Çka tregon kjo derdhje gjaku nga krejt trupi në mos mundimin që mbarë Kisha vazhdon të pësojë në martirët e saj?

   O Zot, klitha drejt teje, eja me shpejt tek unë. Dëgjoje zërin tim kur të thërras!” (Ps 141 /140/, 1). Ke kujtuar se u krye halli i klithjes, atëherë kur the: “Klitha drejt teje”. Klithe, po, por mos kujto se tashmë je jashtë rrezikut. Po të kishte kaluar përfundimisht mundimi, s’do të kishte më nevojë të klithësh; por në qoftë se mundimi i Kishës, d.m.th. i Trupit të Krishtit, vazhdon deri në mbarimin e botës, mos thuaj vetëm: “Klitha drejt teje, eja me shpejt tek unë”, por shto edhe: “Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje”.

   U ngritë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.” (Ps 141 /140/, 2).

   Çdo i krishterë e di se kjo shprehi i vishet vetë Kresë. Dhe njëmend, në muzgun e mbrëmjes, Zoti dha mbi kryq shpirtin e vet, të cilin do ta merrte përsëri. Nuk e dha kundër vullnetit të vet. Dhe ne qemë parafiguruar edhe në këtë rast.

   Çka prej tij varej nga kryqi, në mos çka ai mori prej nesh? Por atëherë si do të mund të ndodhte që, në ndonjë moment, Ati ta lëshojë e ta braktisë të vetmin Birin e vet, i cili është bashkë me të një Hyj i vetëm? Prapëseprapë, Krishti, duke gozhduar dobësinë tonë mbi kryq, në të cilin, si thotë apostulli: “Njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të” (Rm 6, 6), klithi me zërin e vetë njerëzisë sonë: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?” (Ps 22 /21/, 1).

   Kjo, pra, është flija e mbrëmjes: mundimi i Zotit, kryqi i Zotit, kushtimi i viktimës së shëlbimit, holokausti i pëlqyeshëm para Hyjit. Dhe në ringjalljen e tij e shndërroi atë fli të mbrëmjes në kushtim të mëngjesit. Pra, lutja që lartësohet e papërlyer nga një zemër besnike ngrihet porsi kem prej lterit të shenjtë.

   Asnjë gjë s’është më e këndshme se parfumi i Zotit. Prej këtij parfumi të ëmbël le të marrin erë të gjithë besimtarët.

   Njeriu ynë i vjetër - janë fjalë të apostullit - është kryqëzuar bashkë me të, që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit.” (Rom 6, 6).

 

   Përgjigjja Krh. Gal 2, 19-20

 

   C U kryqëzova bashkë me Krishtin, * jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti.

   D Unë jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua;

   C jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti.

 

   Lutja

 

   Ruaje, po të lutemi, o Zot, Kishën tënde me mirësi të vazhdueshme, dhe, pasi njeriu pa ty është i luhatshëm, ruaje gjithmonë me ndihmën tënde nga rreziqet, dhe drejtoje kah shëlbimi. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.