Shërbesa e leximeve
Java e dytë e kreshmëve – e mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e dytë e kreshmëve – e mërkurë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë dhe presim shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë dhe presim shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si një ulli, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si një ulli, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Kthehuni dhe bëni pendesë,
C bëhuni të ri në zemër dhe në shpirt.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 17, 1-16
Uji që rrjedh nga shkëmbi. Lufta kundër Amalekut.
Një ditë mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bëri çojën nga shkretëtira e Sinait, sipas urdhrit që Zoti u dha tëbanishtë më tëbanishtë dhe ngulë në Rafidim. Këtu nuk kishte ujë për të pirë populli. Populli i kundërshtoi Moisiut dhe i tha: »Na jep ujë të pimë!« Moisiu u përgjigj: »Përse grindeni me mua? Përse po e tundoni Zotin?« Në këtë vend populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: »Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?« Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: »Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.« Zoti i tha Moisiut: »Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.« Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit.
Atë vend Moisiu e quajti: Masa dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: »A është Zoti me ne apo nuk është?«
Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehit: »Zgjidhi disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.« Jozuehi bëri siç i urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës. Kur Moisiu i lartësonte duart, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehi e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij.
Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Shkruaje këtë për kujtim në libër e shtjerja në vesh Jozuehit: Unë do ta fshij plotësisht kujtimin e Amalekut nën qiell!«
E Moisiu e ndërtoi aty një lter dhe e quajti: Jahve Nisi /Zoti është flamuri im/ e tha: »Një dorë u lartësua kundër fronit të Zotit: Zoti do të luftojë kundër Amalekut prej breznie në brezni.«
Përgjigjja Krh. Is 12, 3. 4; Gjn 4, 14
C Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit. Edhe do të thoni atë ditë: * Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij.
D Uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur.
C Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij.
Leximi i dytë
Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv
(Lib. IV, 14, 2-3; 15, 1; SCh 100, 542, 548)
Nëpërmjet figurash Izraeli e mësonte frikën e Hyjit dhe qëndresën në shërbimin e tij
Hyji e krijoi njeriun, që në fillim, me qëllim që ta mbushte me dhuratat e veta, i zgjodhi patriarkët për t’u dhënë atyre shëlbimin, e bëri gati me kohë një popull që t’i mësonte t’i shërbejnë Hyjit ata që nuk e njihnin, e vendosi shërbesën e profetëve për t’i edukuar njerëzit që ta kenë në vetvete Shpirtin dhe t’i gëzohen bashkimit me Hyjin. Ai, që nuk ka nevojë për askënd, ua dhuroi bashkësinë me vetvete atyre që kishin nevojë për të. Për ata që i pëlqyen e vizatoi ndërtesën e shëlbimit, sikurse do ta bënte ndonjë arkitekt. Ai vetë u bë prijës për ata që nuk e njihnin rrugën në Egjipt. Atyre që e takuan në shkretëtirë u dha një ligj shumë të përshtatshëm. Atyre që hynë në tokën e premtuar u dha një trashëgim të denjë. Më të fund, për ata që kthehen tek Ati, e preu viçin e majmë dhe ua dha atyre petkun më të bukur. Kështu, në mënyra të ndryshme, e bëri gati njerëzimin për “simfoninë” e madhe të shëlbimit.
Shën Gjoni në Zbulesë thotë: “Zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha” (Zb 1, 15). Dhe përnjëmend janë të shumtë ujërat e Shpirtit të Hyjit, sepse Ati ka pasuri të pakufi. Fjala, duke kaluar nëpër këto ujëra, me bujari u dha ndihmën e vet atyre që i nënshtroheshin, duke përcaktuar për çdo krijesë një ligj të përshtatshëm dhe me vend. Kështu ia dha popullit ligjet për ta ngritur tabernakullin, për ta ndërtuar tempullin, për t’i zgjedhur levitët, po ashtu edhe për flitë, kushtimet e pastrimet e çdo gjë tjetër për shërbesën e kultit.
Ai, me të vërtetë, s’kishte asnjë nevojë nevoje për këto gjëra. Që në amshim është plot me çdo të mirë, pasi në vetvete e ka çdo erë të mirë dhe parfum të ëmbël, edhe përpara se të vinte Moisiu. Por deshi ta edukonte popullin, i cili vazhdimisht prirej të kthente te idhujt, dhe ta bënte gati, me ndihma të shumëllojshme, që të qëndronte në shërbesën e Hyjit duke e tërhequr me anë të gjërave dytësore tek ato parësore, me figura tek e vërteta, me gjëra të përkohshme tek ato të amshuara, me ato trupore tek ato shpirtërore dhe me ato tokësore tek ato qiellore, sikurse i qe thënë Moisiut: “Kujdes, punoje sipas gjedhes që të është dëftuar në mal” (Dal 25, 40).
Dhe vërtet, në ato dyzet ditë, ai mësoi t’i përvetësojë fjalët e Hyjit, stilin e tij të veçantë, figurat shpirtërore dhe parafytyrimet e gjërave të ardhshme, sikurse thotë edhe Pali: “Të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti” (1 Kor 10, 4). Dhe përsëri, duke folur për gjërat e përcaktuara nga ligji, shton: “Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i botës” (1 Kor 10, 11). Pra, me anë të figurave Izraeli mësonte ta druajë Hyjin dhe të qëndrojë në shërbesën e tij. Për këtë arsye, ligji ishte për ta njëkohësisht një rregull jete dhe një profeci e gjërave të ardhshme.
Përgjigjja Krh. Gal 3, 24-25. 23
C Ligji ishte mbikëqyrësi ynë deri që të vinte Krishti, që të shfajësohemi me anë të fesë. * Por, qysh se erdhi feja nuk jemi më nën mbikëqyrës.
D Përpara ne ruheshim të ndryrë nën ligj, për fenë që do të zbulohej.
C Por, qysh se erdhi feja nuk jemi më nën mbikëqyrës.
Lutja
Ruaje, o Zot, familjen tënde dhe bëj të përparojë përherë në vepra të mira; ngushëlloje ti vetë me ndihmën tënde gjatë kësaj jete tokësore, e, i mëshirshëm, përcille drejt të mirave të amshuara. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.