Shërbesa e leximeve

Java e dytë e kreshmëve – e enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e dytë e kreshmëve – e enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë.

 

   Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi

 

   E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).

 

   I (2-9)

 

O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *

   etërit tanë na e treguan,

veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *

   në ditë të kahershme.

 

Me dorën tënde i çrrënjose paganët †

   e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *

   i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.

Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *

   as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,

 

por e djathta jote dhe krahu yt †

   e drita e fytyrës sate, *

   sepse i kishe për zemër.

 

Ti je mbreti im dhe Hyji im *

   që ia dhurove fitoren Jakobit!

 

Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †

   me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *

   ata që u çuan kundër nesh.

 

Shpresa ime nuk është në harkun tim, *

   as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,

por ti na shpëton nga armiqtë, *

   ti i turpëron ata që na urrejnë.

 

Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *

   Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

   II (10-17)

 

Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *

   Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.

Na bëre të ikim para armiqve tanë, *

   ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.

 

Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *

   dhe na trete ndër paganë.

E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *

   as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.

 

Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *

   përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.

Na bëre përrallë për popuj: *

   përmbi ne paganët e tundin kokën!

Përditë turpin tim e kam para sysh, *

   marrja ma mbulon fytyrën

prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *

   prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   III (18-27)

 

Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *

   as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,

 

as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *

   as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,

e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *

   na mbulove me hije të vdekjes.

 

Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *

   t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,

pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *

   nuk do ta kishte hetuar këtë?

 

E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *

   të çmuar porsi delet për therore.

 

Zgjohu, përse po fle, o Zot? *

   Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *

   përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?

 

Se u poshtëruam e ramë përdhe, *

   zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.

Çohu, na eja në ndihmë! *

   Na shpëto pashë dashurinë tënde!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   D Ai që e mediton ligjin e Zotit,

   C do të sjellë fryte kur të vijë koha e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 18, 13-27

 

   Moisiu vendos gjykatësit mbi popull

 

   Në ato ditë: Moisiu u ul të gjykojë popullin e populli qëndronte para tij prej mëngjesit e deri në mbrëmje. Kur pa Jetroja se çfarë hiqte për popullin, i tha: »Çfarë bënë ashtu me popull? Pse vetëm ti gjykon kurse mbarë populli qëndron para teje prej mëngjesit e deri në mbrëmje?« Moisiu iu përgjigj: »Populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Hyjit. Kur bien në ndonjë mosmarrëveshje, vijnë tek unë që t'i pleqëroj e u tregoj urdhërimet e Zotit dhe ligjet e tija.« Jetroja i tha: »Mënyra si po veproke s'qenka e mirë. Do të këputesh ti dhe populli që të qëndron përreth. Kjo punë është për ty tepër e rëndë, ti vetëm s'do të mund ta kryesh. Tani më dëgjo e po ta jap një këshillë dhe Hyji do të jetë me ty. Ti qëndro para Hyjit në emër të popullit dhe paraqitja Hyjit çështjet. Tregoju urdhërimet e ligjet, udhën nëpër të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. Atëherë zgjidh prej popullit njerëz të aftë e që e druan Hyjin, që e duan të vërtetën dhe e urrejnë ryshfetin dhe bëji krerë të popullit mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë, e këta le ta sundojnë popullin në çdo kohë. Të gjitha çështjet e rënda le t'i shtrojnë para teje, kurse çështjet e rëndomta le t'i gjykojnë këta; kështu do ta kesh më lehtë pasi ta ndash barrën me të tjerët. Nëse do të veprosh kështu, e Zoti do ta miratojë, do të mund t'i bësh ballë punës dhe mbarë populli do të kthehet në shtëpi i kënaqur.«

   Moisiu e dëgjoi fjalën e vjehrrit dhe bëri gjithsa i këshilloi; zgjodhi prej mbarë popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i bëri prijës të popullit: kryeparë mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë. Këta e gjykonin popullin vazhdimisht. E kur ishte ndonjë çështje më e vështirë, ia paraqitnin atij, ata vendosnin vetëm mbi çështje më të lehta.

   Pastaj Moisiu e la të shkojë vjehrrin, i cili u kthye për në vendin e vet.

 

   Përgjigjja Krh. Nr 11, 25; Dal 18, 25

 

   C Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun: Nga fryma që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq: * kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë.

   D Moisiu zgjodhi prej mbarë popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i bëri prijës të popullit:

   C kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Traktati mbi Psalmet” i shën Hilarit, ipeshkëv

   (Ps 128 /127/, 1-3; CSEL 22, 628-630)

 

   Frika e vërtetë e Zotit

 

   Lum njeriu që e druan Zotin, që ecën udhëve të tija” (Ps 128 /127/, 1). Gjithmonë kur në Shkrimin shenjt flitet për frikën e Zotit, duhet ta kemi parasysh se kjo nuk gjendet kurrë e vetme, sikur të na mjaftonte për plotësinë e fesë, por i shtohen ose i paravendosen shumë vlera të tjera.

   Nga këto kuptohet thelbi dhe përsosmëria e frikës së Zotit, ashtu si e mësojmë nga çka thuhet në Fjalët e Urta të Salomonit: “Nëse do ta vësh në veprim kuptimin e nëse do ta ftosh pjekurinë, nëse do ta kërkosh porsi argjendin, nëse do ta lypësh porsi visarin, veç atëherë do ta kuptosh frikën e Zotit” (Fu 2, 3-4). Këtej shihet se nëpër sa shkallë arrihet tek frika e Zotit.

   Para së gjithash, pasi ta kemi lypur dhuratën e urtisë, duhet që veprën e thellimit t’ia besojmë krejtësisht dhuratës së kuptimit, me të cilin e kërkojmë dhe e shqyrtojmë urtinë. Veç atëherë do të mund ta kuptojmë frikën e Zotit. Me siguri, mënyra e rëndomtë e arsyetimit të njeriut nuk ecën kështu në lidhje me frikën.

   Frika mbahet porsi druajtja, të cilën e përjeton dobësia njerëzore, atëherë kur druan që të pësojë atë që s’do të donte t’i ndodhte. Kjo lloj frike lind në ne me keqardhjen për ndonjë faj, kundrejt të drejtës së më të fuqishmit, ose në sulm të më të fortit, për shkak të ndonjë sëmundjeje, kur të hasim në ndonjë egërsirë, ose, në fund të fundit, për pësimin e çdo të keqeje.

   Kjo nuk është frika që po mësohet këtu, sepse rrjedh nga dobësia natyrore. Dhe në lidhje me këtë frikë, çka duhet të kemi frikë nuk është aspak objekt dhe lëndë thellimi, sepse gjërat e përfrigueshme vetvetiu na shtinë tmerr.

   Ndërsa për frikën e Zotit kështu shkruhet: “Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën e Zotit” (Ps 34 /33/, 12). Pra, mund ta mësojmë frikën e Zotit sepse dikush na e mëson. Kjo lloj frike nuk përbëhet nga trembja natyrore dhe spontane, por është gjë që jepet dhe merret porsi një mësim. Nuk bartet nga dridhja e natyrës, por fillon të mësohet me zbatimin e urdhërimeve, me veprat e një jete të pafajshme, me njohjen e së vërtetës.

   Nga ana jonë, frika e Hyjit qëndron krejtësisht në dashuri, dhe dashuria e përsosur e përkryen këtë frikë. Detyra e veçantë e dashurisë sonë ndaj Hyjit është dëgjesa e këshillimeve të tija, nënshtrimi urdhërimeve të tija, besimi ndaj premtimeve të tija.

   Ta dëgjojmë, pra, Shkrimin shenjtë që thotë: “E tani, o Izrael, çfarë kërkon Zoti, Hyji yt, prej teje? Kërkon që ta druash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija, ta duash e t’i shërbesh Zotit, Hyjit tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd, t’i mbash rregullat e urdhërimet e Zotit, që po t’i jap unë sot për të mirën tënde” (Lp 10, 12-13).

   Të shumta janë udhët e Zotit, edhe pse Ai vetë është udha. Por kur flet për veten quhet udha dhe e tregon edhe arsyen për të cilën quhet ashtu: “Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua” (Gjn 14, 6).

   Pra, duhet ta kemi parasysh problemin e shumë udhëve të mundshme, dhe t’i çmojmë shumë elemente që, të vënë në dijeni nga shumë arsye, të mund ta gjejmë atë udhë të vetme të jetës së pasosur e cila është e përshtatshme për ne.

   Vërtet, janë udhë në Ligjin, udhë në Profetët, udhë në Ungjijtë, udhë në Apostujt, udhë edhe në veprat e ndryshme të Mësuesve. Lum ata që ecin në to me frikën e Hyjit.

 

   Përgjigjja Krh. Sir 2, 19; Lk 1, 50

 

   C Ata që e druajnë Zotin kërkojnë çka i pëlqen Atij, * ata që e duan kënaqen në Fjalën e tij.

   D Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e druajnë,

   C ata që e duan kënaqen në Fjalën e tij.

 

   Lutja

 

   O Hyj, dashurues dhe ripërtëritës i pafajësisë, drejtoji kah ti zemrat e besimtarëve të tu, kështu që, në saje të hirit të Shpirtit Shenjt, të jenë të qëndrueshëm në fe dhe plot fryte në vepra të mira. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.