Shërbesa e leximeve

Java e tretë e kreshmëve – e hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

   Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit

 

   Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

   I (1-6)

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të hesht: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji, jam Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e tramvajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo flijime: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

 

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo flijime: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   D Kthehuni e besoni Ungjillit:

   C Mbretëria e Zotit është afër.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 24, 1-18

 

   Lidhja e besëlidhjes mbi Sinai

 

   Një ditë Zoti i tha Moisiut: »Ngjitu te Zoti ti e Aroni, Nadabi e Abihui dhe shtatëdhjetë pleq prej Izraelit e adhuroni prej së largu. Vetëm Moisiu le të ngjitet te Zoti, por këta të mos afrohen, dhe as populli të mos ngjitet me të.«

   Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: »Do t'i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.«

   Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes mëkoi dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gurngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit viça në nder të Zotit. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter.

   Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli u përgjigj: »Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.«

   Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: »Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.«

   Atëherë Moisiu u ngjit me Aronin, Nadabin e Abihuin dhe me shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit. Dhe e panë Hyjin e Izraelit: nën këmbët e tija thuajse shtroja prej gurëve të paçmueshëm të safirit e shkëlqyeshme pothuajse si vetë qielli kur është i kthjellët. As dorën e vet nuk e ngriti mbi të zgjedhurit e Izraelit: mundën ta shikojnë Hyjin. Hëngrën e pinë.

   Zoti i tha Moisiut: »Ngjitu tek unë në mal e qëndro aty. Do t'i jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që i kam shkruar për t'i mësuar.«

   U ngritën Moisiu dhe Jozuehi, përcjellësi i tij. Duke u filluar Moisiu për malin e Hyjit, u tha pleqve: »Pritni këtu deri që të kthehemi te ju. Me ju janë Aroni dhe Huri, nëse lind ndonjë çështje, drejtohuni atyre.«

   Moisiu u ngjit në mal dhe reja e mbuloi malin.

   Lavdia e Zotit erdhi të banojë në mal të Sinait dhe reja e mbuloi gjashtë ditë. Të shtatën ditë Hyji e thirri prej resë Moisiun.

   Lavdia e Zotit u dukej në sy të bijve të Izraelit në trajtë të zjarrit përpirës në majën e malit. Moisiu u fut në re dhe u ngjit në mal. Qëndroi atje dyzet ditë e dyzet net.

 

   Përgjigjja Krh. Sir 45, 5. 6; Vap 7, 38

 

   C Hyji ia mundësoi Moisiut ta dëgjojë zërin e tij dhe e futi në re; personalisht ia dha urdhërimet, Ligjin e jetës e të dijes, * për t’ia mësuar Jakobit Besëlidhjen e vet e Izraelit urdhrat e vet.

   D Ky është ai, që, në kohën e Mbledhjes së popullit në shkreti ishte ndërmjetës në mes të Engjëllit që i fliste në malin Sinaj dhe etërve tanë,

   C për t’ia mësuar Jakobit Besëlidhjen e vet e Izraelit urdhrat e vet.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet” e shën Bazilit të Madh, ipeshkëv

   (Pred. 20 Mbi përvujtërinë, k. 3; PG 31, 530-531)

 

   Kush mburret le të mburret në Zotin

 

   I urti mos të mburret në mençurinë e vet, as trimi në trimërinë e vet, as pasaniku në pasurinë e vet (krh. Jer 9, 22-23). Por atëherë cila është mburrja e vërtetë, dhe në çfarë është i madh njeriu? Thotë Shkrimi shenjt: Në këtë le të mburret ai që mburret: nëse ti e kupton se unë jam Zoti.

   Madhëria e njeriut, lavdia e tij dhe shkëlqimi i tij qëndrojnë në këtë: ta njohë atë çka është me të vërtetë e madhe, të bashkohet me të dhe ta kërkojë lavdinë prej Zotit të lavdisë. Thotë apostulli: “Kush mburret le të mburret në Zotin”, dhe e thotë në kontekst që pason: “Krishti Jezus u bë për ne dije, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim, që, siç thotë Shkrimi shenjtë, kush mburret le të mburret në Zotin” (1 Kor 1, 30).

   Mburrja e përkryer dhe e plotë në Hyjin gjendet atëherë kur një njeri nuk krenohet për drejtësinë e vet, por mirë e di se është zhveshur nga drejtësia e vërtetë dhe kupton se është bërë i drejtë vetëm me anë të fesë në Krishtin. Pikërisht në këtë gjë mburret Pali, i cili e përçmon drejtësinë e vet dhe e kërkon atë që vjen prej Hyjit nëpër Jezu Krishtin, d.m.th. drejtësinë në fe. E njeh Krishtin dhe fuqinë e ringjalljes së tij, merr pjesë në mundimin e tij, i përshtatet vdekjes së tij, që të mund ta arrijë ringjalljen nga të vdekurit.

   Bie poshtë çdo mendjemadhësi dhe çdo krenari. O njeri, asgjë s’të ka mbetur që të mund të krenohesh, sepse mburrja jote dhe shpresa jote janë të vendosura në të, që të mbarojë gjithçka është e jotja dhe ty të mund të jepet jeta e ardhshme në Krishtin. Qysh tani i kemi frytet e para të asaj jete, gjendemi në të dhe jetojmë tashmë krejtësisht në hirin dhe në dhuratën e Zotit. Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, “ndikon në ju që të doni e të veproni” (Fil 2, 13).

   Dhe përsëri është Hyji që, me anë të Shpirtit të tij, e zbulon urtinë e vet të paracaktuar për lavdinë tonë.

   Hyji na jep forcë e fuqi në lodhje. “U mundova të veproja më shumë se të gjithë ata - thotë Pali - njëmend, jo vetëm unë, por edhe hiri i Hyjit me mua” (1 Kor 15, 10).

   Hyji shpëton prej rreziqeve përtej çdo shprese njerëzore. “Ne - thotë - e pranuam vendimin e vdekjes, që shpresa jonë të mos themelohej më në ne, por vetëm në Hyjin që ngjall të vdekurit. Ai na shpëtoi prej aso vdekjeje dhe do të na shpëtojë; në të e kemi vënë shpresën, ai edhe më tutje do të na shpëtojë” (2 Kor 1, 9-10).

 

   Përgjigjja Krh. Urt 15, 3; Gjn 17, 3

 

   C Njohja jote, o Hyj, është drejtësi e përsosur, * njohja e pushtetit tënd është rrënja e pavdekësisë.

   D Kjo është jeta e pasosur: që të njohim ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin:

   C Njohja e pushtetit tënd është rrënja e pavdekësisë.

 

   Lutja

 

   Kishën tënde, o Zot, pastroje dhe forcoje me dashurinë tënde të vazhdueshme, dhe pasi s’mund të qëndrojë pa ndihmën tënde, mos ia mungo kurrë drejtimin. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.