Shërbesa e leximeve

Java e tretë e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 U ngrittë Hyji dhe armiqtë e tij u shpërndafshin.

 

   Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit

 

   Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).

 

   I (2-11)

 

U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *

   u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!

 

Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †

   si shkrihet dylli përballë zjarrit, *

   ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!

Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *

   le të galdojnë e le të brohorisin me hare.

 

Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *

   bëni udhë Atij që kalëron mbi re:

»Zot« është Emri i tij, *

   vallëzoni në praninë e tij!

 

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *

   është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

 

Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †

   u hap të burgosurve derën e lirisë, *

   kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.

 

O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *

   kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:

trandej toka, qielli rigonte *

   para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.

 

Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *

   e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.

Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *

   që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U ngrittë Hyji dhe armiqtë e tij u shpërndafshin.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, është ai që na liron prej vdekjes.

 

   II (12-24)

 

Zoti shpall një lajm *

   e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:

»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *

   e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!

 

Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †

   krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *

   e pendlat e saj porsi ari i verdhë.

 

Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *

   Selmoni zbardhonte me dëborë!«

 

Mali i Hyjit, mali Basan, *

   mal i thepisur, mali Basan!

 

Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †

   malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *

   Zoti në të do të banojë gjithherë!

 

Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *

   Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!

 

U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †

   dhuratë njerëzit i more, *

   që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.

 

Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *

   Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.

Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *

   e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!

 

Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *

   butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.

 

Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *

   do t’i kthej nga thellësia e detit,

që ta lash këmbën tënde në gjak, *

   që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, është ai që na liron prej vdekjes.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   III (25-36)

 

U panë, o Hyj, procesionet e tua, *

   procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:

 

Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *

   në midis vashat duke u rënë defave!

 

»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *

   bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«

 

Aty djaloshi Beniamin u prin, †

   princat e Judës me togat e veta, *

   princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!

 

Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *

   përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,

prej Tempullit tënd në Jerusalem. *

   Mbretërit le të sjellin dhurata!

 

Kërcënoju egërsirës së kallamit, †

   lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *

   le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;

 

shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †

   Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *

   Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!

 

Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *

   këndoni Zotit, këndoni Hyjit,

që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *

   Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:

 

»Pranojeni gjithpushtetësinë e Hyjit!« †

   Mbi Izraelin madhëria e tij, *

   përmbi re fuqia e tij!

I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †

   Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *

   Qoftë bekuar Hyji!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   D Ja, kjo është koha e mëshirës,

   C këto janë ditët e shëlbimit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 32, 1-20

 

   Viçi i artë

 

   Një ditë, kur populli pa se Moisiu po vononte të zbresë nga mali, u bashkua te Aroni e i tha: »Ngritu e na i puno disa hyjni që të na prijnë! Nuk dimë se çfarë i ka ndodhur atij njeriu, Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit.« Aroni iu përgjigj: »Ua hiqni vathët e artë prej veshëve grave të bijve tuaj, e të bijave tuaja, e bini tek unë.« Mbarë populli bëri siç i urdhëroi Aroni dhe ia solli vathët. Pasi i mori këta dha të punohet me daltë trajta e viçit dhe me ta e punoi viçin e metaltë. Ata thanë: »Ja, hyjnitë e tua, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit.« Kur pa Aroni dha të punohet një lter para trupores dhe me zë të zëdhënësit shpalli: »Nesër do të festojmë në nder të Zotit.«

   Të nesërmen, mëkuan herët, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. Atëherë populli u ul të hajë e të pijë. Pastaj u ngrit të dëfrehej.

   Por Zoti i tha Moisiut: »Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: »Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!«

   Mandej Zoti i tha Moisiut: »Po shoh se ky popull është popull zverkngurrtë. Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros e pastaj prej teje do të bëj një popull të madh.«

   Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: »Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? Jo, të lutem, që të mos thonë egjiptianët: 'I nxori me dredhi që t'i vrasë në male e t'i zhbijë nga toka. 'Le të qetësohet hidhërimi yt dhe dëftohu i mëshirshëm mbi të keqen e popullit tënd. Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: 'Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, për të cilën ju fola, do t'ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë.'«

   Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.

   Moisiu u kthye dhe zbriti prej malit me dy rrasat e Dëshmisë në dorë, të shkruara në të dy anët, vepër e Hyjit; edhe shkrimi ishte i Hyjit, i gdhendur në rrasa.

   Jozuehi dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste e i tha Moisiut: »Kushtrim lufte në tëbanishtë!«

   Moisiu iu përgjigj: »S' është brohori ngadhënjyesish, as vaj i të vënëve në ikje: britmë këngëtarësh unë dëgjoj!«

   Kur iu afrua tëbanishtës pa viçin e vallet. Moisiu, i hidhëruar për së tepërmi, i hodhi prej dorës rrasat dhe i copëtoi në rrëzë të malit. E kapi viçin që ata kishin punuar, e dogji në zjarr dhe e thërrmoi dhe e bëri pluhur, pluhurin e qiti në ujë dhe i shtrëngoi izraelitët ta pinë.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 106 /105/, 20. 21; Rom 1, 21. 23

 

   C E ndërruan Hyjin e tyre me truporen e një kau që ha sanë, * harruan Hyjin që i shpëtoi, që bëri mrekulli në Egjipt.

   D U errësua zemra e tyre e pakuptim, e ndërruan lavdinë e Hyjit të pashkatërrueshëm me piktura që paraqesin njeriun e shkatërrueshëm;

   C harruan Hyjin që i shpëtoi, që bëri mrekulli në Egjipt.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Pjetër Krizologut, ipeshkëv

   (Ligj. 43; PL 52, 320.322)

 

   Urata kërkon, agjërimi fiton, lëmosha merr

 

   Tri gjëra janë, o vëllezër, tri me anë të të cilave feja mbetet e sigurt, përshpirtëria përparon, virtyti qëndron: urata, agjërimi, lëmosha. Çka urata kërkon, agjërimi fiton, dhe lëmosha e merr. Këto tri gjëra: urata, agjërimi, lëmosha, janë një gjë e vetme, dhe ia japin frymën njëra-tjetrës.

   Agjërimi është shpirti i uratës dhe lëmosha është jeta e agjërimit. Askush mos t’i ndajë, sepse nuk mund të rrinë të ndarë. Kush e ka vetëm njërën, ose nuk i ka të tria bashkë, s’ka asgjë. Pra, kush lutet le të agjërojë. Kush agjëron le të japë lëmoshë. Ai që dëshiron të t’i dëgjohet kërkesa, le ta dëgjojë atë që lyp diçka prej tij. Kush dëshiron ta gjejë zemrën e Hyjit të hapur për veten, mos ta mbyllë të veten për atë që lyp prej tij.

   Kush agjëron le ta kuptojë mirë se çka do të thotë për të tjerë mos ta kenë bukën e gojës. Le ta dëgjojë të uriturin, nëse do që agjërimi i tij t’i pëlqejë Hyjit. Le të ketë dhembshuri, kush shpreson të gjejë dhembshuri. Kush kërkon mëshirë, le ta ushtrojë atë. Kush do që t’i jepet një dhuratë, le ta hapë dorën e vet ndaj të tjerëve. Lyp keq ai që përton t’ia japë tjetërkujt atë çka lyp për veten.

   O njeri, ji ti vetë për veten rregulla e mëshirës. Siç dëshiron që të tjerët të kenë mëshirë për ty, po ashtu ki ti mëshirë për të tjerët. Dhurojua të tjerëve atë mëshirë të gatshme që kërkon për veten.

   Pra, urata, agjërimi, lëmosha le të jenë për ne një forcë e vetme ndërmjetëse tek Hyji, le të jenë për ne një mbrojtje e vetme, një lutje e vetme në tri aspekte.

   Çka humbëm me përçmim, le ta fitojmë përsëri me agjërim. T’i kushtojmë shpirtrat tanë me agjërim, sepse nuk ka asnjë gjë më të pëlqyeshme që të mund t’i dhurojmë Hyjit, si na dëfton profeti kur thotë: “Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar” (Ps 52 /51/, 19).

   O njeri, dhuroja Hyjit shpirtin tënd dhe kushtoje flinë e agjërimit, që kushti yt të jetë i pastër, flija e shenjtë, viktima e gjallë, që ty të mbesë dhe Hyjit t’i dhurohet. Kush nuk ia jep Hyjit këtë gjë, nuk do të falet, sepse nuk mund të mos ketë vetveten për ta dhuruar. Por që kjo dhuratë të jetë e pëlqyeshme, le të shoqërohet me mëshirë. Agjërimi nuk mbin nëse nuk ujitet me mëshirë. Thahet agjërimi nëse thahet mëshira. Çka është shiu për tokën, ajo është mëshira për agjërimin.

   Megjithëse e zbut zemrën, e pastron mishin, i çrrënjos veset, i mbjell virtytet, agjëruesi s’do të korrë fryte nëse nuk bën që të rrjedhin lumenj mëshire.

   O ti, që po agjëron, le ta dish se ara jote do të mbesë esëll nëse e esëllt do t’jetë mëshira. Ndërsa çka do të kesh dhënë lëmoshë do të kthehet me begati në drithnikun tënd. Pra, o njeri, që të mos humbësh atë që do të mbash për veten, ndajua të tjerëve e atëherë do të korrësh. Jepi vetes duke i dhënë të varfrit, sepse çka do të lësh në trashëgim për dikë tjetër, ti nuk do ta kesh.

 

   Përgjigjja Krh. Tob 12, 8-9

 

   C E mirë urata me agjërim dhe lëmoshë. * Lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkat.

   D Ata që bëjnë lëmoshë do të jenë jetëgjatë.

   C Lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkat.

 

   Lutja

 

   Mos na mungoftë kurrë, o Zot, hiri yt, por gjithmonë na e sjelltë ndihmën tënde për t’u kushtuar plotësisht shërbesës sate. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.