Shërbesa e leximeve

Java e tretë e kreshmëve – e mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Hiri dhe besnikëria, para fytyrës sate, o Zot.

 

   Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit

 

   Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).

 

   I (2-19)

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *

   brez pas brezi goja ime

   do të shpallë besnikërinë tënde.

 

Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *

   në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *

   i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim, *

   froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«

 

Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *

   kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *

   Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *

   i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

   ata që i rrinë përreth.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *

   I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

 

Ti zotëron kreninë e detit, *

   ua ul kryet valëve të tërbuara.

Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *

   me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

 

Yti është qielli, jotja është Toka, *

   ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

Veriun e jugun ti i krijove, *

   Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

 

Krahu yt është plot fuqi, *

   e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *

   dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

 

Lum ai popull që di të brohorasë, *

   që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *

   e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *

   e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë, *

   mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hiri dhe besnikëria, para fytyrës sate, o Zot.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

   II (20-30)

 

Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †

   »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *

   e lartësova një djalosh nga populli.

 

Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *

   e leva me vajin tim të shenjtë.

Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *

   dhe krahu im përherë do ta kërthndez.

 

Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *

   i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *

   do t’i zhbij kundërshtarët e tij.

 

Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *

   në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *

   të djathtën e tij përmbi lumenj.

 

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *

   Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *

   më të madhin ndër mbretërit e tokës.

 

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *

   Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *

   fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: trashëgimia jote do të zgjasë përgjithmonë.

 

   III (31-38)

 

Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *

   e në mos ecshin ligjeve të mia,

po nuk zbatuan vendimet e mia, *

   po i shkelën urdhërimet e mia,

 

me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *

   me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

 

Por nuk do ta këpus dashurinë me të *

   as nuk do ta prish besnikërinë time.

Nuk do ta thyej besëlidhjen time *

   as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

 

Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *

   ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’

 

Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *

   froni i tij para meje si Dielli,

do të qëndrojë për amshim si Hëna, *

   dëshmitare besnike mbi re.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: trashëgimia jote do të zgjasë përgjithmonë.

 

   D Kthehuni dhe bëni pendesë,

   C bëhuni të ri në zemër dhe në shpirt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 33, 7-11. 18-23; 34, 5. 29-35

 

   Zoti i tregon lavdinë e vet Moisiut

 

   Në ato ditë, Moisiu e merrte për çdo çojë Tendën dhe e ngrehte për Të jashtë tëbanishtës, mjaft larg tëbanishtës. E quajti: Tenda e takimit. Kushdo që donte të marrë ndonjë këshillë prej Zotit, i duhej të dalë jashtë tëbanishtës për të shkuar te Tenda e takimit.

   Kur Moisiu dilte për të shkuar te Tenda, mbarë populli ngritej në këmbë e qëndronte në derë të çadrës së vet e shikonte pas Moisiut deri sa ky hynte në Tendë. Kur Moisiu hynte në Tendë, zbriste shtylla e resë në derën e Tendës e aty qëndronte. Atëherë Zoti fliste me Moisiun.

   Mbarë populli e shihte shtyllën e resë që qëndronte në hyrjen e Tendës, e të gjithë ngriteshin në këmbë e përkuleshin thellë në adhurim në derë të tendës së vet. E Zoti fliste me Moisiun fytyrë për fytyrë, siç flet njeriu me mikun e vet. Mandej Moisiu kthehej në tëbanishtë, kurse ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk dilte jashtë Tendës.

   Moisiu i tha: »Ma dëfto lavdinë tënde.«

   Zoti iu përgjigj: »Unë do ta kaloj para teje tërë shkëlqimin tim, do ta kumtoj para teje emrin tim: Zot; i jap përkrahjen time kujt dua t'ia jap, e mëshiroj atë, për të cilin dua t'i bëjë mëshirë.« E shtoi përsëri: »Por nuk do të mund ta shikosh fytyrën time, sepse njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë.« Zoti shtoi edhe: »Qe, tha, ka vend këtu përngjat meje. Qëndro mbi shkëmb! Kur të kalojë lavdia ime, do të të fus në plasën e shkëmbit e do të të mbroj me të djathtën time derisa të kaloj; do ta heq dorën time e do të ma shikosh shpinën; porse fytyra ime nuk mund të shihet.«

   Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, përngjat tij dhe e shpalli emrin e Zotit.

   Kur Moisiu zbriti nga mali Sinai i mbante dy rrasat e Dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit të tij me Zotin. Kur Aroni e bijtë e Izraelit panë se prej lëkurës së fytyrës së tij dilnin rreze, patën frikë t'i afrohen. Atëherë Moisiu i thirri Aronin e të gjithë krerët e bashkësisë e shkuan tek ai. E pasi bisedoi me ta, erdhën edhe të gjithë izraelitët tek ai, dhe Moisiu u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti në malin Sinai. Kur Moisiu e kreu bisedën me ta, ia qiti fytyrës një mbulesë, të cilën e hiqte kur hynte te Zoti e ndërsa bisedonte me Të, derisa dilte jashtë. Kur dilte për t'u treguar izraelitëve çfarë i ishte urdhëruar, izraelitët shihnin se prej lëkurës së fytyrës së Moisiut dilte dritë, por ai e mbulonte përsëri fytyrën e vet derisa nuk hynte të fliste përsëri me Zotin.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 3, 13. 14. 16. 18

 

   C Moisiu vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm: * vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.

   D Ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë, nga lavdia në lavdi, sipas veprës së Shpirtit të Zotit;

   C vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Libri i Antolikut” i shën Teofilit nga Antiokia, ipeshkëv

   (Lib. I, 1.7; PG 6, 1026-1027. 1035)

 

   Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin

 

   Në qoftë se ti thua: ma dëfto Hyjin tënd, unë do të të them: ma dëfto njeriun që është në ty dhe unë do ta dëftoj Hyjin tim. Më trego pastaj nëse sytë e shpirtit tënd shohin dhe veshët e zemrës sate dëgjojnë.

   Vërtet, ata që shohin me sytë e trupit vërejnë se çka ndodhet në këtë jetë tokësore dhe dallojnë gjërat e ndryshme: dritë e errësirë, të bardhë e të zezë, çka është e pahijshme e çka është e bukur, çka është harmonike e çka është e çrregullt, çka është e çka s’është e matur, çka tepron në pjesë përbërëse e çka mungon. E njëjta gjë mund të thuhet për sa u përket veshëve, d.m.th. tinguj të hollë, të ulët e të ëmbël.

   Të njëjtin funksion e kanë edhe veshët e zemrës dhe sytë e shpirtit në lidhje me pamjen e Hyjit. Pra, Hyji shihet nga ata që mund ta shohin, d.m.th. nga ata që i kanë sytë. Por disa i kanë të mjegullt dhe nuk e shohin dritën e diellit. Prapëseprapë, megjithëse të verbrit nuk shohin, kjo nuk domethënë se dielli nuk shkëlqen. Me të drejtë, pra, ata kujtojnë se shkakun e errësirës e kanë në vetvete dhe në sy të vet.

   Ti i ke sytë e shpirtit tënd të mjegullt për shkak të mëkateve të tua dhe të punëve të tua të këqija.

   Porsi pasqyrë e kthjellët, kështu duhet të jetë i pastër shpirti i njeriut. Por nëse pasqyra ndryshket, fytyra e njeriut nuk mund të shihet më në të. Po ashtu, kur mëkati e pushton njeriun, ky s’mund më ta shohë Hyjin.

   Kallëzoje, pra, vetveten. Trego a mos je ndoshta keqbërës, vjedhës, shpifës, plot hidhërim dhe smirë, mendjemadh, koprrac, vrazhdët me prindërit e tu. Hyji nuk u dëftohet atyre që bëjnë këto gjëra, nëse përpara nuk pastrohen nga çdo njollë. Këto gjëra të errësojnë, sikur bebet e tua të kishin ndonjë diafragmë që t’i pengojë për t’u ngulur në diell.

   Por, nëse do, mund të shërohesh. Besoji mjekut dhe ai do t’i operojë sytë e shpirtit tënd dhe të zemrës sate. Kush është ky mjek? Është Hyji, i cili me anë të Fjalës e të urtisë shëron dhe jep jetë. Hyji, me anë të Fjalës e të urtisë, ka krijuar të gjitha sendet: “Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor” (Ps 32 /33/, 6). Urtia e tij është e pakufi. Me dijeni, Hyji i vuri themelet e tokës; me urtinë, i përftoi qiejt. Në saje të diturisë së tij, hapen humnerat dhe nga retë cirkon vesa.

   Nëse i kupton këto gjëra, o njeri, e nëse jeton në pastërti, në shenjtëri e në drejtësi, mund ta shohësh Hyjin. Por, më së pari, le të vendosen në zemrën tënde feja e frika e Hyjit, atëherë do t’i marrësh vesh të gjitha këto. Kur do ta kesh zhveshur vdekshmërinë tënde dhe do të jesh veshur me pavdekshmërinë, atëherë do ta shohësh Hyjin sipas meritave të tua. Ai, bashkë me shpirtin tënd, e ringjall edhe mishin tënd, duke e bërë të pavdekshëm e atëherë, nëse tani beson në të, je bërë edhe ti i pavdekshëm, do ta shohësh të Pavdekshmin.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Kor 6, 2. 4. 7. 5. 6

 

   C Ja, tani, koha e volitshme, ja dita e shpëtimit. Ta dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit. * Me armë të drejtësisë dhe me fuqi të Hyjit.

   D Me qëndresë të madhe në përgjime dhe në agjërime, në pastërti e dije, me fjalë të vërtetë.

   C Me armë të drejtësisë dhe me fuqi të Hyjit.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, që, të mësuar nga veprat pendestare, të Kreshmëve dhe të ushqyer me fjalën tënde, të jepemi me gjithë zemër pas dashurisë sate dhe të jemi gjithmonë të bashkuar në lutjen tënde. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.