Shërbesa e leximeve
Java e tretë e kreshmëve – e enjte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e tretë e kreshmëve – e enjte
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Shiko, o Zot, dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet. (Lk 1, 69).
IV (39-46)
Por tani e flake dhe e përbuze, *
u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
në llom e hodhe kezën e tij.
I rrënove të tërë muret e tij, *
rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
e mbulove me poshtërim e turp.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Shiko, o Zot, dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd.
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
V (47-53)
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
flakë do të ndizet hidhërimi yt?
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
që me be ia premtove Davidit?
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti është rrënjë e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
nga breznia në brezni.
Para se të lindnin malet, †
para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
»Kthehuni, bijtë e Adamit!«
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
janë si dita e djeshme që kaloi, *
porsi ndërresa e rojës së natës!
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
në mbrëmje korret edhe vyshket!
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
të përparojë vepra e duarve tona.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
D Ai që e mediton ligjin e Zotit,
C do të sjellë fryte kur të vijë koha e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 34, 10-28
Besëlidhja e përtërirë
Në ato ditë: Zoti i tha Moisiut: »Ja, unë po bëj besëlidhje: para mbarë popullit tënd, unë do të sendërtoj mrekulli që kurrë nuk janë parë mbi mbarë botën dhe në asnjë popull, që mbarë populli, në mesin e të cilit je, ta shohë veprën e tmerrshme të Zotit që do ta bëj me ty.
Pra, mbaj të gjitha që unë të urdhëroj sot. Dhe, ja, unë do ta dëboj para fytyrës sate Amorreun, Kanaaneun e Heteun, edhe Ferezeun e Heveun dhe Jebuseun. Ruaju se lidh miqësi me banorët e vendeve ku do të hysh që të mos dalë për rrënimin tënd. Por, rrënoji lterët e tyre, copëtoji gurngulët dhe banirët e tyre. Mos adhuro zot të huaj: sepse Zoti i vërtetë quhet Zotëri Ziliqar, ‑ Hyji është ziliqar. Mos lidh besëlidhje me njerëzit e atyre vendeve, që, kur lavirsohen ata me zotat e tyre e t'u kushtojnë fli, të mos thërrasë edhe ty ndonjëri e të hash prej flive të tyre. Mos merr grua për bijtë e tu prej bijave të tyre, që, pasi ato të jenë lavirsuar me zotat e tyre, t'i bëjnë të lavirsohen edhe bijtë e tu me zotat e tyre.
Mos puno për ty zota metali të shkrirë.
Mbaje festën e të Pabrumeve: për shtatë ditë ha bukë të pabrume, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib; sepse në muajin e kohës pranverore dole prej Egjiptit.
Çdo i parëlindur mashkull, më përket mua; çdo i parëlindur qoftë i bagëtive të trasha qoftë i bagëtive të imëta, mua më përket. Të parëlindurin e gomarit shpërbleje me një krye bagëtie të imët. Në qoftë se nuk e shpërblen, përdridhja arrçin. Çdo të parëlindur të bijve të tu shpërbleje dhe mos u duk para meje duarthatë.
Gjashtë ditë puno, të shtatën ditë pusho; mos puno as në kohë të mbjellave as të korrjeve.
Festoje të Kremten e Javëve për frytet e para të korrjes së grurit ‑ dhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur bashkohen të gjitha prodhimet.
Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu le të paraqiten para Hyjit të Izraelit, Zotit të gjithëpushtetshëm.
Sepse, kur t'i shpronësoj kombet para teje e kur ta zgjeroj kufirin tënd, askush nuk do ta sulmojë tokën tënde, kur tri herë në vit të ngjitesh për t'u paraqitur në praninë e Zotit, Hyjit tënd.
Mos e flijo gjakun e flisë që ke caktuar për mua me asgjë që të ketë tharm; dhe asgjë prej flisë të kushtuar për të kremten e Pashkëve të mos mbesë deri në mëngjes.
Frytet e para të tokës sate çoj në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.
Mos e ziej edhin në qumështin e nënës së tij.«
Zoti i tha Moisiut: »Shkruaj këto fjalë, sepse në bazë të këtyre fjalëve e kam lidhur besëlidhjen me ty e me izraelitët.«
Moisiu qëndroi me Zotin dyzet ditë e dyzet net: as nuk hëngri bukë as nuk piu ujë dhe i shkroi në rrasa fjalët e Besëlidhjes ‑ dhjetë Fjalët.
Përgjigjja Krh. Gjn 1, 17. 18; 2 Kor 3, 18
C Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. * Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.
D Ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit shndërrohemi në të njëjtën trajtë, nga lavdia në lavdi, sipas veprës së Shpirtit të Zotit.
C Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.
Leximi i dytë
Nga traktati “Mbi uratën” i Tertulianit, meshtar
(Kap. 28-29; CCL 1, 273-274)
Hostja shpirtërore
Urata është një fli shpirtërore e cila shfuqizoi flitë e vjetra. “Ç’më duhen - thotë - flitë tuaja të panumërta? Jam ngopur me fli deshësh, me dhjam bagëtish, e gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua! Kush i kërkoi këto prej duarve tuaja?” (krh. Is 1, 11).
Çka kërkon Zoti na e mëson Ungjilli: “Po vjen koha - thotë - kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë. Hyji është Shpirt” (Gjn 4, 23), pra, adhurues të tillë ai kërkon.
Ne jemi adhuruesit e vërtetë dhe priftërinjtë e vërtetë që, duke u lutur në shpirt, në shpirt e kushtojmë flinë e uratës, fli të përshtatshme dhe të pëlqyeshme për Hyjin, fli që ai vetë kërkoi dhe bëri gati për vete.
Këtë fli, të kushtuar me gjithë zemër, të ushqyer nga feja, të ruajtur nga e vërteta, të pacenuar në pafajësi, të kulluar në pastërti, të kurorëzuar me dashuri, duhet ta përcjellim te lteri i Hyjit me stolisjen e veprave të mira, ndër psalme dhe himne, e ajo do të na fitojë gjithçka prej Hyjit.
Vërtet, çka do të mund t’i refuzojë Hyji uratës që rrjedh prej shpirtit dhe prej së vërtetës, pasi ai vetë të tillë e deshi? Sa prova lexojmë, dëgjojmë dhe besojmë në lidhje me forcën vepruese të saj?
Urata e lashtë lironte nga zjarri, nga egërsirat dhe nga uria, edhe pse ende nuk kishte marrë trajtë prej Krishtit. Sa e madhe qenka fusha e veprimit të uratës së krishterë! Urata e krishterë ndoshta nuk do ta thërrasë engjëllin e vesës në mes të zjarrit, nuk do t’ua mbyllë gojën luanëve, nuk do t’ia çojë drekën e bujkut të uriturit, nuk do të mundësojë të mos ndihet dhimbja, por me siguri ia jep atij që vuan virtytin për ta përballuar vuajtjen me qëndrueshmëri dhe duresë; i fuqizon aftësitë e shpirtit me besim në shpërblim, tregon vlerën e madhe të vuajtjes së pranuar në emër të Hyjit.
Tregohet se, në të kaluarën, urata jepte goditje, shpartallonte ushtri armike, ua ndalonte të mirën e shiut armiqve. Kurse tani dihet sa urata largon çdo zemërim të drejtësisë hyjnore, kujdeset për armiqtë, lutet për salvuesit. Ka mundur t’i nxjerrë shirat qiellit e ta fitojë edhe zjarrin. Vetëm urata e pushton Hyjin. Por Krishti nuk deshi që të jetë shkak dëmi dhe i dha çdo pushtet për të mirën. Pra, e vetmja detyrë e saj është t’i thërrasë shpirtrat e të vdekurve prej vetë udhës së vdekjes, t’u japë mbështetje të dobëtëve, t’i mjekojë të sëmurët, t’i lirojë të djallëzuarit, t’i hapë dyert e burgut, t’i zgjedhë zinxhirët e të pafajshëmve. Ajo i lan mëkatet, i largon tundimet, i shuan salvimet, u jep guxim të ligështve, u jep guxim zemërgjerëve, i prin shtegtarëve, i qetëson stuhitë, i ndal keqbërësit, i ushqen skamnorët, ua zbut zemrën pasanikëve, i çon të rrëzuarit, i mbështet të dobëtit, i mban të fortët.
Edhe engjëjt luten, lutet çdo krijesë. Kafshët shtëpiake dhe të egra luten e ulen në gjunjë, dhe duke dalë nga stallat e nga strofujt, nuk e shikojnë qiellin me gojë të mbyllur, por duke bërë që të tingëllojë në ajër zëri i çdonjërit, sipas mënyrës së vet. Edhe shpendët, kur zgjohen, çohen kah qielli, dhe në vend të duarve i hapin krahët në trajtë kryqi dhe cicërojnë diçka që mund t’i ngjajë një urate.
Por është një fakt i cili tregon më mirë se çdo gjë tjetër sa e nevojshme është urata. Ja çka është: vetë Zoti është lutur.
Atij i qoftë nder dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja Krh. Gjn 4, 23-24
C Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë; * Ai kërkon adhurues të tillë.
D Hyji është shpirti, edhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.
C Ai kërkon adhurues të tillë.
Lutja
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot i mëshirshëm, sa më fort që afrohet e kremtja e shëlbimit tonë, aq më tepër rritet në ne dëshira ta kremtojmë si duhet festën e Pashkëve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.