Shërbesa e leximeve

Java e tretë e kreshmëve – e premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e premte

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

   Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

   sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

   s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

   e valët po më mbulojnë.

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

   m’u tha krejtësisht gurmazi, *

   m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

   janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

   armiqtë e mi rrenacakë: *

   çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

   fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

   ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

   ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

   marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

   i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

   përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

   por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

   përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

   pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

   II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

   në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

   pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

   më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

   prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

   mos lejo të më përpijë thellësia, *

   të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

   shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

   sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

   për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

   marrjen time e »nderimin« tim: *

   para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

   prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

   ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

   e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

   më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

   do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

   më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

   kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

   s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

   detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

   Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

   aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

   në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   D Kthehuni te Zoti, Hyji i juaj:

   C sepse Ai është i mirë dhe fal çdo mëkat.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 35, 30 - 36, 1; 37, 1-9

 

   Puna për shenjtëroren dhe për arkën e besëlidhjes

 

   Mandej Moisiu u tha bijve të Izraelit: »Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Beseleelin, birin e Uriut, të birit të Hurit, të fisit të Judës; dhe e ka mbushur me shpirtin e Hyjit, e pajisi me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari: të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz, t'i presë margaritarët e t'i vendojë të gdhendë në dru, gjithçka i përket mjeshtërisë së farkëtarisë e të gdhendjes. Po këtij dhe Ooliabit të birit të Ahisamehut, të fisit Dan, u dha edhe aftësinë t'i mësojnë edhe të tjerët. I pajisi të dy me aftësi për të kryer me mjeshtri çdo punë të gdhendjes, të prestarisë, të qëndisjes e të vekëtarisë të pëlhurave të ngjyrës vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e të lirit të tjerrë, janë të zotët të kryejnë çdo punë e të sendërtojnë të reja.«

   Beseleeli dhe Oliabi dhe të gjithë mjeshtrit, të cilët Zoti i kishte pajisur me dije e aftësi që t'i kryejnë me mjeshtri të gjitha punimet e nevojshme për ndërtimin e Shenjtërores, i kryen të gjitha sikurse kishte urdhëruar Zoti.

   Beseleeli e punoi Arkën prej drurit të akacies: dy kut e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë; e veshi me ari të kulluar përbrenda e përjashta. Përreth i punoi një brez ari.

   I shkriu për të katër rrathë ari dhe i mbërtheu në katër këmbët e Arkës: dy rrathë në njërin krah e dy në krahun tjetër. I punoi edhe dy shtaga prej drurit të akacies, të cilat i veshi me ari dhe i futi në rrathë që janë në krahët e Arkës, për ta mbartur Arkën.

   E punoi edhe Pajtimoren prej arit të kulluar: të gjatë dy kut e gjysmë e të gjerë një kut e gjysmë.

   I punoi edhe dy kerubinë prej arit të rrahur në dy skajet e Pajtimores: njëri kerubin në njërin skaj e tjetri në tjetrin skaj. Kerubinët në të dy anët i punoi një cope me Pajtimoren. Kerubinët i kishin krahët të shtrirë përmbi dhe e mbronin me krahë Pajtimoren, me shikim të drejtuar në njëri‑tjetrin dhe mbi Pajtimoren.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 84 /83/, 2. 3; 46 /45/, 5. 6

 

   C Sa të dashura janë banesat e tua, o Zoti i rruzullimit! Shpirti im shkrihet e meket për pallatet e Zotit. * Zemra ime e trupi im i brohorasin Hyjit të gjallë.

   D Kjo është tenda e shenjtë e të të Lartit Zot; Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë.

   C Zemra ime e trupi im i brohorisin Hyjit të gjallë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komentimi i librit të Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë

   (Lib 13, 21-23; PL 75, 1028-1029)

 

   Misteri i jetës sonë të re

 

   I lumi Job, pasi është figurë e Kishës së shenjtë, herë flet me zërin e trupit, dhe herë me zërin e kresë. Dhe ndërsa flet për gjymtyrët e saja, fill lartësohet te fjalët e kresë. Prandaj, edhe thotë: “Kaq pësoj, e pra dhunë nuk bëri dora ime, e urata ime ishte e pastër” (krh. Jb 16, 17).

   Vërtet, Krishti e pësoi mundimin dhe e duroi vuajtjen e kryqit për shpërblimin tonë, megjithëse nuk bëri dhunë me duart e veta, as mëkat, as gënjim nuk qe në gojën e tij. Vetëm ai, ndër të gjithë, ia ngriti Hyjit uratën e vet të pastër, sepse edhe deri në kërdinë e mundimit u lut për salvuesit e tij, duke thënë: “Fali, o Atë, sepse nuk dinë se çka bëjnë” (Lk 23, 34). Çka mund të thuhet, çka mund të përfytyrohet më e dëlirë se ky ndërmjetësim i mëshirshëm për ata që na bëjnë të vuajmë?

   Ndodhi, pra, se gjaku i Shpërblyesit tonë, i derdhur me mizori nga salvuesit, qe pastaj i pranuar prej tyre me besim dhe Krishti qe shpallur prej tyre Bir i Hyjit.

   Për këtë gjak, me të drejtë thuhet: “O dhè, mos e mbulo gjakun tim dhe mos të pushojë britma ime.” Njeriut mëkatar i qe thënë: Pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh (krh. Zan 3, 19). Por dheu nuk e mbajti të fshehur gjakun e Shpërblyesit tonë, meqenëse çdo mëkatar, duke pranuar çmimin e shpërblimit të vet, e bën objekt të fesë së vet, të lavdisë së vet dhe të shpalljes së vet ndaj të tjerëve.

   Dheu nuk e mbuloi gjakun e tij, e tashmë Kisha e shenjtë e ka predikuar misterin e shpërblimit të vet në të gjitha anët e botës.

   Le të vërehet, pastaj, çka shtohet: “Dhe mos të pushojë britma ime”. Vetë gjaku i shpërblimit që pranohet është britma e Shpërblyesit tonë. Për këtë arsye edhe Pali flet për “gjakun stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit” (Heb 12, 24). Për gjakun e Abelit qe thënë: “Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut” (Zan 4, 10). Por gjaku i Jezusit flet më mirë se ai i Abelit, sepse gjaku i Abelit lypte vdekjen e vëllavrasësit, ndërsa gjaku i Zotit ua fitoi jetën salvuesve.

   Duhet, pra, që ta imitojmë atë që pranojmë dhe t’ua pranojmë dhe t’ua predikojmë të tjerëve atë që nderojmë, që të mos jetë i kotë për ne misteri i mundimit të Zotit.

   Në qoftë se goja nuk e shpall atë çka zemra beson, edhe britma e saj mbetet pa zë. Por që britma e saj të mos jetë mbuluar në ne është e domosdoshme që çdokush, sipas mundësive të veta, të bëjë dëshmi para vëllezërve për misterin e jetës së vet të re.

 

   Përgjigjja Krh. Zan 4, 10; Heb 12, 24

 

   C Ja, zëri i gjakut të Birit tënd dhe vëllait tonë bërtet te ti, o Zot, prej dheut. * Lum dheu që u hap për ta pranuar gjakun e Shpërblyesit.

   D Ky është gjaku stërpikës, i cili flet më mirë se ai i Abelit.

   C Lum dheu që u hap për ta pranuar gjakun e Shpërblyesit.

 

   Lutja

 

   Ndiko, po të lutemi, o Zot, hirin tënd në zemrat tona, që gjithmonë të ruhemi nga teprimet njerëzore, e të mund të jepemi, me ndihmën tënde, pas këshillave qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.