Shërbesa e leximeve

Java e tretë e kreshmëve – e shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e tretë e kreshmëve – e shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tija!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tija në thellësitë e detit.

 

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë.

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Kush e bën të vërteten, është në dritë:

   C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 40, 16-38

 

   Ngritja e shenjtërores. Reja e Zotit.

 

   Në ato ditë: Moisiu i bëri të gjitha që i kishte urdhëruar Zoti: ashtu edhe bëri.

   Kështu, pra, të parën ditë të muajit të parë të vitit të dytë u ngre Banesa. Moisiu e ngriti atë, vendoi bazat, dërrasat e shtagat dhe i ngriti shtyllakët. Atëherë e shtriu tendën përmbi Banesë e mbi të vuri mbulesën e Tendës, po ashtu sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. Mandej e mori Dëshminë dhe e futi në Arkë. Arkës i vuri shtagat e atëherë e vuri mbi Arkë Pajtimoren. Pasi e futi Arkën në Banesë, e vari para saj koltrinën, ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. E vendoi edhe tryezën në Tendën e takimit në anën e veriut të Banesës, jashtë koltrinës, dhe i renditi në të bukët e kushtimit sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. E vendoi edhe shandanin në Tendën e takimit kundruall tryezës në anën e jugut të Banesës. I vuri dritëzat në vendet e caktuara ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. E vendoi edhe lterin e artë në Tendën e takimit, para koltrinës. Në të ndezi kemin e erëndshëm siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. Vari edhe koltrinën në hyrje të Banesës, vendoi edhe lterin e flive të shkrumbimit te hyrja në Banesë, të Tendës së takimit. Në të e kushtoi flinë e shkrumbimit dhe flinë bimore, sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

   E vendoi edhe legenin ndërmjet Tendës së takimit e lterit dhe e mbushi me ujë. Moisiu, Aroni dhe bijtë e Aronit i lanë duart e këmbët. I lanin kur hynin në Tendën e takimit e kur u afronin te lteri siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. Atëherë Moisiu e ndërtoi edhe tremen për rreth Banesës e lterit dhe e vendoi koltrinën në derën e tremës.

   Kështu i dha fund punës.

   Atëherë reja e mbuloi Tendën e takimit dhe Lavdia e Zotit e mbushi Banesën. Moisiu nuk mundi të hyjë në Tendën e takimit, për shkak të resë që rrinte mbi të dhe të Lavdisë së Zotit që e kishte mbushur Banesën.

   Gjatë krejt kohës së shtegtimit, kurdo që reja ngritej prej Banesës, izraelitët çonin, e nëse reja nuk çohej, izraelitët nuk merrnin udhëtim deri atë ditë kur ngritej reja prej Banesës. Gjatë krejt kohës së shtegtimit të tyre reja e Zotit ditën e mbulonte Banesën, kurse natën dukej në të zjarri që e shihte mbarë shtëpia e Izraelit.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 10, 1. 2; Dal 40, 34. 35

 

   C Etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det, * të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det.

   D Reja e mbuloi Tendën e takimit dhe Lavdia e Zotit e mbushi Banesën.

   C Të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Gregorit Nazianzenas, ipeshkëv

   (Ligj. 14 mbi dashurinë ndaj skamnorëve 38, 40; PG 37, 907. 910)

 

   T’i shërbejmë Krishtit në skamnorë

 

   Shkrimi Shenjt pohon: “Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5, 7). Mëshira nuk zë vendin e fundit në lumturitë. Vëreje përsëri: “I lumi ai që e kujton nevojtarin” (Ps 41 /40/, 2), e po ashtu: “I mirë është njeriu që përdëllen e huajon” (Ps 112 /111/, 5). Në një vend tjetër lexohet edhe “Gjithmonë i drejti ka mëshirë e huajon” (Ps 36, 26). Pra, ta fitojmë bekimin, të sillemi në mënyrë që të na quajnë të dhembshur, të mundohemi të jemi zemërmirë. As nata mos t’i ndalë detyrat tuaja të mëshirës. Mos thuaj: “Do të kthehem e nesër do të të ndihmoj”. Asnjë ndërkohë mos të ndërfutet mes vendimit dhe veprimit të bamirësisë. Vërtet, bamirësia nuk duron vonesë. Ndaje bukën tënde me të uriturin dhe shtjeri në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpi (krh. Is 58, 7), e këtë bëje me shpirt të gëzueshëm e të gatshëm. Thotë apostulli: “Kush bën vepra mëshire le t’i bëjë me gëzim” (Rom 12, 8) dhe hiri i bamirësisë që kryen do të shumohet nga zelli e nga gatishmëria. Dhe njëmend, çka jepet me shpirt të trishtuar e me zor nuk del e pëlqyeshme dhe nuk është aspak simpatike.

   Kur i ushtrojmë veprat e mëshirës, duhet të jemi të gëzueshëm dhe të mos qajmë: “Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës e fjalën e keqe”, d.m.th. mendjengushtësinë dhe diskriminimin, si edhe përtesën dhe kritikat, shpërblimi yt do të jetë i madh. “Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt” (Is 58, 8). E kush nuk i dëshiron dritën e shëndetin?

   Pra, o shërbëtorët e Krishtit, vëllezërit e tij dhe bashkëtrashëgimtarët, nëse kujtoni se fjala ime e meriton vëmendjen, më dëgjoni: derisa na është dhënë kjo mundësi, të shkojmë ta shohim Krishtin, ta mjekojmë Krishtin, ta ushqejmë Krishtin, ta veshim Krishtin, ta mikpresim Krishtin, ta nderojmë Krishtin, jo vetëm me sofrën tonë, siç bënë disa, as vetëm me erëra të mira, porsi Maria nga Magdala, as vetëm me varr, si Jozefi prej Arimatesë, as me gjërat e nevojshme për varrimin, si Nikodemi, i cili e donte Krishtin veç pjesërisht, dhe më në fund as me ar, kem e mirrë, siç bënë, përpara këtyre të përmendurve, Dijetarët. Por, pasi Zoti i të gjithëve do mëshirë dhe jo fli, e pasi mëshira vlen më shumë se mijëra qengja të majmë, t’ia kushtojmë pikërisht atë në skamnorët dhe në ata që sot janë të përulur deri në dhe. Kështu, kur do të shkojmë prej këtej, do të na pranojnë në banesat e amshuara, në bashkësi me Krishtin Zot, të cilit i qoftë lavdi në shekuj. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 25, 35. 40; Gjn 15, 12

 

   C Pata uri e më dhatë të ha; pata etje e më dhatë të pi; isha shtegtar e më përbujtët. * Çkado bëtë për njërin ndër vëllezërit e mi më të vegjël, ma bëtë mua.

   D Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju!

   C Çkado bëtë për njërin ndër vëllezërit e mi më të vegjël, ma bëtë mua.

 

   Lutja

 

   Duke kremtuar me gëzim liturgjinë e këtyre Kreshmëve, po të lutemi, o Zot, Ati ynë: që të përshkuar me misteret e Pashkëve, t’i gëzojmë plotësisht frytet e tyre. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.