Shërbesa e leximeve

Java e katërt e kreshmëve – e diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e katërt e kreshmëve – e diel

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Sipas dokes mistike

   të mësuar të agjërojmë,

   dhe agjërimin e dhjetë ditëve

   katër herë ta shumëfishojmë.

 

   Ligji e profetët të parët

   parapëlqyen këtë numër,

   pastaj e shenjtëroi vetë Krishti,

   mbreti e krijuesi i gjithë kohëve.

 

   Me masë ta përdorim

   ndër fjalë, ushqime e pije,

   në gjumë e lojëra më shtrëngueshëm

   të qëndrojmë për ta ruajtur.

 

   Të dëbojmë më të ligat,

   që shembin mendje të brishta,

   aspak vend më mos t’i japim

   tiranisë së armikut djall.

 

   Na ndihmo, Trini e lume,

   Na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti të përmbajtjes. Amen.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

   Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet

 

   Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, është ai që i dha shpirtit tonë jetën.

 

   Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rast të flijimit

 

   Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).

 

   I (1-12)

 

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †

   këndoni lavdisë së Emrit të tij, *

   lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

 

Thuajini Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *

   Pse je tejet i fuqishëm,

   armiqtë e tu të përkëdhelin.

 

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *

   le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«

Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *

   bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

Ai e shndërroi detin në terik, †

   këmbë e kaluan lumin *

   për këtë galdojmë me gëzim.

 

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †

   sytë e tij vërejnë përmbi popuj *

   që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.

 

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *

   dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën, *

   këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

 

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *

   porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na qite në leqe, *

   barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

 

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †

   na përshkove nëpër zjarr e ujë, *

   por më vonë na dhe pushim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, është ai që i dha shpirtit tonë jetën.

 

Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua.

 

   II (13-20)

 

Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *

   para teje do t’i çoj në vend kushtet,

që i premtova me buzët e mia, *

   që i thashë me gojë kur isha në rrezik.

Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †

   bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *

   do të të kushtoj qe edhe cjep!

 

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *

   do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.

 

Me gojën time e thirra në ndihmë, *

   dhe me gjuhën time e madhërova.

Po të mendoja të keqen në zemrën time, *

   Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.

 

Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *

   i vuri vesh zërit të lutjes sime.

Qoftë bekuar Hyji

   që s’ma hodhi poshtë lutjen time *

   e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua.

 

   D Fjala jote, o Zot, është shpirt dhe jetë:

   C ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Levitikut 8, 1-17; 9, 22-24

 

   Shugurimi i priftërinjve

 

   Një ditë Zoti foli me Moisiun e i tha: »Merre Aronin me bijtë e tij, petkat e tyre dhe vajin e shugurimit, mëzatin për fli të mëkatimit, dy desh, shportën me bukë të pambruara, dhe mblidhe mbarë bashkësinë te hyrja e Tendës së takimit.« Moisiu veproi ashtu si i kishte urdhëruar Zoti. Si u mblodh mbarë bashkësia te dera e Tendës së takimit, Moisiu tha: »Ja çka urdhëroi Zoti të bëhet.«

   Dhe menjëherë bëri të afrohet Aroni e bijtë e tij. Pasi i lau me ujë, e veshi Aronin si prift me këmishë të linjtë, e ngjeshi me brez, ia veshi gunën vjollcë dhe përmbi atë ia vuri shpinoren. Këtë e shtrëngoi mirë me brezin e shpinores. Atëherë e vuri parzmoren, në të cilën vuri Urim dhe Tumim. Kryet ia mbuloi me kësulë e mbi të në ballë i vuri paftën e artë, kezën e shenjtë, sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

   Mandej Moisiu mori vajin e shugurimit e me të leu Banesën me të gjitha pjesët përkatëse të sajat dhe i shuguroi. Pasi e stërpiku me të lterin shtatë herë, e leu atë dhe të gjitha enët e tija, po ashtu edhe legenin me fundësorin e tij e shuguroi me vaj. I qiti Aronit mbi krye vajin e shugurimit, e leu dhe e shuguroi. Po ashtu i afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me këmisha të linjta dhe i ngjeshi me brez. Në krye u vuri kësulat si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

   Atëherë e afroi edhe mëzatin për fli të mëkatimit dhe, pasi i vunë duart mbi krye të tij Aroni e bijtë e tij, e theri. Atëherë Moisiu mori me gisht të vet ca prej gjakut të tij dhe vuri mbi brirët e lterit rreth e rreth dhe kështu e pastroi. Pjesën tjetër të gjakut e ndikoi në themelet e tija dhe e shenjtëroi duke kryer ritin e zgjidhjes. Atëherë Moisiu mori tërë dhjamin që i mbështillte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me dhjamin e tyre dhe i dogj mbi lter, kurse mëzatin me lëkurë, me mish e me ut i dogji jashtë tëbanishtës, sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

   Atëherë Aroni i lartësoi duart mbi popull dhe e bekoi. Kështu zbriti pasi e kishte kryer së flijuari flinë e mëkatimit, flinë e shkrumbimit e flinë e pajtimit. Atëherë Moisiu e Aroni hynë në Tendën e takimit. Kur dolën e bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit. Dhe, ja, prej pranisë së Zotit doli një zjarr dhe e përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin përmbi lter. Kur e pa këtë gjë turma, brohoriti prej gëzimit e ra me fytyrë për dhe në adhurim.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 7, 23, 24; Sir 45, 6. 7

 

   C Në Besëlidhjen e vjetër qenë shumë priftërinj, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. * Kurse Krishti, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.

   D Hyji e ngriti Aronin, dhe ia dhuroi priftërinë e popullit, e bëri të lum me lavdi.

   C Kurse Krishti, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Traktatet mbi Gjonin” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Trakt. 34, 8-9; CCL 36, 315-316)

 

   Krishti është udha kah drita, e vërteta dhe jeta

 

   Zoti tha shkurtimisht: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjn 8, 12), e me këto fjalë ai urdhëron një gjë dhe premton një tjetër. Të mundohemi, pra, të zbatojmë çka urdhëron, sepse përndryshe do të jemi paturp e të pafytyrë nëse do të lypim atë që premtoi, pa thënë se, në gjyq, do ta dëgjojmë qortimin: A e kreve çka të urdhërova, që të mundesh tani të kërkosh çka të premtova? Por çka, pra, urdhërove, o Zot, Hyji ynë? Do të përgjigjet: Që të vish pas meje.

   Ke kërkuar një këshillë për jetën. Për cilën jetë në mos për atë për të cilën qe thënë: “Te ti është burimi i jetës”? (Ps 36 /35/, 10).

   Pra, ta nisim menjëherë veprën, të shkojmë pas Zotit: t’i këpusim zinxhirët që na pengojnë ta ndjekim. Por kush do të mund t’i këpusë zinxhirë të tillë, në mos të na vijë në ndihmë ai të cilit i qe thënë: “Ti i këpute hekurat e mi?” (Ps 116 /115/, 16). Për të, një psalm tjetër thotë: “Zoti i çliron robërit, Zoti i ndreq të kërrusurit” (Ps 146 /145/, 8).

   Çka ndjekin ata që qenë çliruar dhe ndrequr, në mos dritën nga e cila dëgjojnë se u thuhet: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë”? (Gjn 8, 12). Po, sepse Zoti i ndriçon të verbrit. O vëllezër, tani sytë tanë shërohen me kolirin e fesë. Vërtet, përpara e përzjeu pështymën e vet me dhè, për ta lyer atë që kishte lindur i verbër. Edhe ne kemi lindur të verbër prej Adamit dhe kemi nevojë të ndriçohemi prej tij. Ai e përzjeu pështymën me dhe: “Fjala u bë njeri dhe banoi ndër ne” (Gjn 1, 14). E përzjeu pështymën me dhe, sepse qe paralajmëruar: “E vërteta do të mbijë prej dheut” (Ps 85 /84/, 12) dhe ai thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjn 14, 6).

   Do t’i gëzohemi së vërtetës kur do ta shohim faqe-faqas, mbasi edhe kjo na është premtuar. Dhe njëmend, kush do të guxonte ta shpresojë atë që Hyji nuk u denjua të premtojë ose të japë?

   Do ta shohim faqe-faqas. Apostulli thotë: Tani njohuria jonë është e kufizuar; tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! (Krh. 1 Kor 13, 12). E Gjoni apostull në letrën e vet shton: “Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet ai, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3, 2). Ky është premtimi i madh.

   Në qoftë se e do, ndiqe. Ti thua: e dua, por nëpër cilën udhë duhet ta ndjek? Po të kishte thënë Zoti Hyji yt: ‘Unë jam e vërteta dhe jeta’, ti, duke dëshiruar të vërtetën dhe duke qenë i etur për jetën, me siguri do të kërkoje udhën për të shkuar tek njëra dhe tjetra. Do t’i thoshe vetvetes: gjë e madhe qenka e vërteta, e mirë e madhe qenka jeta: oh! Po të mundte shpirti im ta gjejë mjetin për t’i arritur!

   Po e kërkon udhën? Dëgjoje Zotin që të thotë më së pari: Unë jam udha. Para se të thotë ku duhet të shkosh, të tregon rrugës që duhet ta kalosh: “Unë jam - tha - udha!” Udha për të shkuar ku? Tek e vërteta dhe jeta. Më së pari të tregon udhën që duhet të marrësh, e pastaj qëllimin që do ta arrish. “Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta”. Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta; duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.

   Nuk po të thuhet: duhet të lodhesh duke kërkuar udhën për ta arritur të vërtetën dhe jetën; jo, s’të thuhet kështu. Çohu, përtac! Vetë udha erdhi te ti dhe të zgjoi prej gjumit, në qoftë se përnjëmend të zgjoi. Çohu dhe ec! Ndoshta ti përpiqesh të ecësh por s’mundesh, sepse të dhembin këmbët. E për ç’arsye të dhembin? Sepse iu desh t’i përshkonin shtigjet e vrazhda në të cilat të shtrëngoi egoizmi yt lakmues. Por Fjala e Zotit i shëroi edhe të çalët. Po përgjigjesh: Po, këmbët i kam të shëndosha, por nuk e shoh rrugën. Mirëpo, dije mirë se ai i ndriçoi edhe të verbrit.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 118 /119/, 104-105; Gjn 6, 68

 

   C Urrej çdo udhë gënjeshtre * Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia.

   D Te kush të shkojmë, o Zot? Ti ke fjalët e jetës së pasosur.

   C Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me anën e Fjalës sate e pajton mrekullisht gjininë njerëzore, bëj, po të lutemi, që populli i krishterë të përgatitet me nxitim, me përshpirtëri të gatshme dhe me fe të flakët për të kremtet e ardhshme. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.