Shërbesa e leximeve
Java e Katërt e kreshmëve – e hënë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e Katërt e kreshmëve – e hënë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 I mirë është Zoti me ata që janë të drejtë dhe të pastër në zemër.
Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti
I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).
I (1-12)
Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *
Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.
E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *
për pak që nuk më lëshuan këmbët,
sepse ua pata lakmi krenarëve *
duke parë mirëqenien e keqbërësve.
Sepse për ta vuajtje nuk ka, *
shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.
Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *
nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.
Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *
e dhunën për petk që i mbulon.
Nga zemra e majme u kullon e keqja, *
dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.
Përqeshin e dijekeqas flasin, *
me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.
Vënë gojë edhe kundër qiellit, *
gjuha e tyre e përshkon dheun.
Prandaj lart e vendosin veten *
dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.
Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *
A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«
Ja, këta janë mëkatarët: *
gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I mirë është Zoti me ata që janë të drejtë dhe të pastër në zemër.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.
II (13-20)
Atëherë thashë:
»Vallë kot e paskësh ruajtur të pastër zemrën time *
dhe në pafajësi i lava duart e mia,
kot e frushkullova veten përditë *
duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«
Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *
unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.
U mundova ta kuptoja këtë gjë: *
porse disi mjerisht sytë m’u morën.
Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *
atëherë pashë mbarimin e tyre.
Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *
i lejon të shkojnë në rrënim.
Oh, sa me vrap mbaruan, *
u zhdukën, mjerimi i përpiu!
Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *
kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
III (21-28)
Kur shpirtin e kisha të trazuar, *
mundohesha në brendinë e zemrës sime,
isha i marrë e nuk kuptoja, *
isha bërë si bagëti para teje.
Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *
sepse më more për dorën time të djathtë.
Ti do të më prish me këshillën tënde *
për të më marrë pastaj me lumturi.
Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *
Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!
Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *
ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.
Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *
ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *
ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,
që t’i shpall të gjitha veprat e tua *
në dyert e Qytetit Sion.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.
D Kthehuni e besoni Ungjillit:
C Mbretëria e Zotit është afër.
Leximi i parë
Prej librit të Levitikut 16, 2-28
Dita e flijimit
Një ditë Zoti i urdhëroi Moisiut: »Thuaj Aronit, vëllait tënd, të mos hyjë në çdo kohë në Shenjtërore që është pas tisit, para Pajtimores me të cilën mbulohet Arka, që të mos vdesë. Unë do të dëftohem në re përmbi Pajtimore.
Le të hyjë në këtë mënyrë: le të marrë një mëzat për fli për mëkat dhe një dash për fli shkrumbimi. Le të veshë këmishën e shenjtëruar të linjtë, le t'i veshë edhe të linjtat e linjta, të ngjeshet me brez të linjtë e në krye le të vërë kësulën e linjtë. Këto janë petkat e shuguruara që duhet t'i veshë të gjitha pasi të jetë larë me ujë.
Le të marrë prej bashkësisë së izraelitëve dy cjep për fli mëkatimi e një dash për fli shkrumbimi.
Pasi Aroni ta ketë kushtuar mëzatin fli për mëkat të vet e ta ketë kryer ritin e zgjidhjes për vete e për shtëpinë e vet, le t'i vërë në praninë e Zotit dy cjeptë në hyrje të Tendës së takimit. Atëherë Aroni le të qesë short mbi dy cjeptë: njërin short »Për Zotin« e shortin tjetër »Për Azazelin«. Cjapin që me short t'i ketë rënë Zotit, le ta kushtojë fli mëkatimi, kurse atë që me short do t'i bjerë Azazelit, le ta vërë të gjallë në praninë e Zotit për të kryer mbi të ritin e zgjidhjes e për t'ia shpënë Azazelit në shkretëtirë.
Le ta marrë, pra, Aroni mëzatin për fli mëkatimi e pasi ta ketë kryer ritin e zgjidhjes për vete e për shtëpinë e vet, le ta therë. Le ta marrë kemoren, le ta mbushë me prush prej lterit që është në praninë e Zotit, le të marrë një parë grushta temjan të erëndshëm për kemim në praninë e Zotit e të hyjë përtej tisit në Shenjtërore. Le ta qesë kemin e erëndshëm në zjarr në praninë e Zotit që reja e tymit të tij ta mbulojë Pajtimoren që është mbi Dëshminë. Mandej të marrë ca prej gjakut të mëzatit e me gisht të stërpikë shtatë herë përballë të Pajtimores.
Pasi ta ketë prerë capin fli për mëkat të popullit, le ta shtjerë gjakun e tij brenda tisit siç u urdhërua për gjakun e mëzatit për ta stërpikur Pajtimoren përballë. Atëherë le ta kryejë ritin e zgjidhjes mbi Shenjtërore për papastritë, për padëgjesat e për të gjitha mëkatet e izraelitëve. Po kështu le të veprojë edhe për Tendën e takimit që është e ngrehur ndër ta, midis papastrisë të banimit të tyre. Asnjë njeri të mos jetë në Tendën e takimit kur kryeprifti të hyjë në Shenjtërore për të bërë ritin e zgjidhjes për vete, për shtëpinë e vet e për mbarë bashkësinë e izraelitëve derisa ai të dalë. Kur të ketë dalë te lteri që është para Zotit, le ta kryejë edhe mbi të ritin e zgjidhjes: le të marrë gjakun e mëzatit e të capit e le ta qesë mbi brirët e tij gjithkund përreth, le ta stërpikë shtatë herë me gjak me gisht, le ta pastrojë prej papastrive të bijve të Izraelit e le ta shenjtërojë.
Pasi ta ketë kryer ritin e zgjidhjes të Shenjtërores, të Tendës së takimit e të lterit, atëherë ta sjellë capin e gjallë. Atëherë Aroni le t'ia vërë të dy duart e veta mbi krye capit, përmbi të le t'i rrëfejë të gjitha paudhësitë, fajet e mëkatet e bijve të Izraelit. Pasi t'i ketë shkarkuar kështu mbi kryet e capit, le ta çojë atë me anë të një njeriu të përshtatshëm në shkretëtirë.
Pasi cjapit t'ia ketë ngarkuar mbi vete të gjitha fajet e izraelitëve e ta ketë shpënë në vend të pabanuar e pasi të ketë qenë lëshuar në shkretëtirë, atëherë le të hyjë Aroni në Tendën e takimit, le t'i heqë petkat e linjta, me të cilat u vesh më parë, kur hyri në Shenjtërore, le t'i lërë aty, atëherë në vendin e shenjtë le ta lajë trupin e vet me ujë dhe le t'i veshë petkat e veta. Atëherë le të dalë për të kushtuar flinë e vet të shkrumbimit e të popullit, dhe le ta kryejë ritin e zgjidhjes për vete e për popull. Dhjamin e flisë së mëkatimit le ta djegë mbi lter.
Kurse ai që e shpuri cjapin e lëshuar për Azazelin, le t'i lajë petkat e veta e trupin e vet me ujë e atëherë le të hyjë në tëbanishtë.
Kurse mëzatin e cjapin që qenë kushtuar fli të mëkatimit, gjaku i të cilëve qe shpënë në Shenjtërore që të kryhej riti i zgjidhjes, le t'i çojnë jashtë tëbanishtës e le të digjen në zjarr lëkurat, mishi dhe uti i tyre. Ai që t'i djegë le t'i lajë petkat e veta, le ta lajë trupin e vet me ujë e vetëm atëherë le të hyjë në tëbanishtë.
Përgjigjja Krh. Heb 9, 11. 12. 24
C Erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet * hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.
D Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, por drejt në qiell,
C hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi Levitikun” të Origjenit, meshtar
(Pred. 9, 5.10; PG 12, 515.523)
Krishti Kryeprift është pajtimi ynë
Një herë në vit kryeprifti, duke e lënë popullin jashtë, hyn në vend ku gjendet pajtimorja me kerubinët mbi të. Hyn në vend ku gjenden arka e besëlidhjes dhe lteri i kemit. Aty askujt s’i lejohet të hyjë përveç kryepriftit.
Tani, nëse e marr parasysh se Kryeprifti im i vërtetë, Jezu Krishti Zot, duke jetuar në mish, gjatë krejt “vitit” rrinte me popullin, - “vit” për të cilin ai vetë thotë: Zoti më dërgoi t’ua kumtoj lajmin e mirë të vobektëve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e faljes (krh. Lk 4, 18-19) -, vërej se vetëm një herë në këtë “vit”, d.m.th. në ditën e pajtimit, hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe kjo do të thotë se, pasi e kryen misionin, depërton në qiejt dhe vendoset para Atit për ta pajtuar me gjininë njerëzore, e për t’u lutur për të gjithë ata që besojnë në të.
Duke e njohur këtë ndërmjetësim me të cilin e bën Atin të butë ndaj njerëzve, apostulli Gjon thotë: Fëmijëzit e mi, po ju them këto që të mos mëkatojmë. Por edhe nëse kemi rënë në mëkat, e kemi një Mbrojtës tek Ati - Jezu Krishtin, të Drejtin - dhe ai vetë është Pajtuesi për mëkatet tona (krh. 1 Gjn 2 1).
Por edhe Pali e kujton këtë pajtim, kur thotë për Krishtin: “Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet” (Rom 3, 25). Pra, “dita” e pajtimit do të zgjasë për ne derisa të marrë fund bota.
Thotë Fjala hyjnore: Le ta qesë kemin erëkëndshëm në zjarr, në praninë e Zotit, që reja e tymit të tij ta mbulojë pajtimoren që është mbi arkën e besëlidhjes, e nuk do të vdesë, e do të marrë prej gjakut të mëzatit e me gisht do ta stërpikë mbi pajtimoren në anë lindore (krh. Lev 16, 13-14).
Ua mësoi hebrenjve të lashtë si duhej të kremtohej riti i pajtimit të bërë për njerëzit. Por ti që erdhe te Kryeprifti i vërtetë, te Krishti, i cili me gjakun e vet ta bëri dashamirës Hyjin dhe të pajtoi me Atin, mos u ndal te gjaku i mishit, por mëso ta njohësh gjakun e Fjalës, dhe dëgjoje atë që të thotë: “Ky është gjaku im i besëlidhjes, i derdhur për të gjithë, në shpërblim të mëkateve” (Mt 26, 28).
Mos kujto se s’ka kuptim fakti se është derdhur në anë lindore. Pajtimi të erdhi nga Lindja. Prej andej është personazhi që e ka emrin Lindje, dhe që u bë ndërmjetësi i Hyjit dhe i njerëzve. Për këtë arsye, pra, je thirrur të shikosh gjithmonë kah Lindja, nga lind për ty dielli i drejtësisë, nga lind gjithmonë për ty drita, që të mos kesh kurrë për të ecur në terr, as mos të zërë në terr dita e fundit. Që nata dhe terri i padijes të të mos afrohen tinëz; që të mundesh gjithmonë të gjendesh në dritën e njohjes, e në dritën e shkëlqyeshme të fesë, e përherë ta fitosh dritëzën e dashurisë dhe të paqes.
Përgjigjja Krh. Heb 6, 20; 7, 2.3
C Qengji i panjollë hyri për ne si pararendës, mbasi u bë Kryeprift i amshuar në mënyrë të Melkizedekut, * dhe mbetet prift për amshim.
D Ky është Mbreti i drejtësisë, pa fillim as mbarim të jetës;
C Dhe mbetet prift për amshim.
Lutja
O Zot, ti që e përtërin botën me sakramente të madhërueshme, po të lutemi, drejtoje Kishën tënde me dije të amshuar dhe mos ia mungo ndihmën tënde të përkohshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.